Andreas Dushi: Zanafilla dhe bashkëkohësia e esperantishtes në Shqipëri

    Historiku i shkurtër e esperantishtes në Shqipëri, projekt që në vetvete nuk zgjati dhe nuk ngjiti dot në kontekstin e vendit tonë, paçka se akoma sot vijon të përdoret, studiohet e shkruhet nga një grup njerëzish, mes të cilëve edhe Bardhyl Selimi që na tregon në një bisedë të shkurtër disa gjëra lidhur me të.

    Utopija e esperantishtes, një gjuhe ombrellë nën të cilën do të mblidheshin të gjithë popujt e kombet, që do të përdorej për komunikimin mes njerëzve në secilin skaj të botës, sigurisht që nuk mund të rrinte dot pa prekur edhe Shqipërinë. Qysh në krye, fillimi i shekullit XX, disa të rinj që patën fatin e mundësinë të arsimoheshin jashtë u përballën me ekzistencën e këtij projekti linguistik dhe, me t’u kthyer, e zhvendosën qasjen ndaj tij edhe në kontekstin vendas, ndoshta të papërgatitur për një horizont kaq të gjerë, të atillë pritjeje.

    Filli i saj u zu në Varshavë të Polonisë, me datë 26 korrik të vitit 1887. Poligloti Ludwig Zamenhof, polak me origjinë hebreje, njohës shumë i mirë i historisë së gjuhësisë dhe i gjuhëve mbizotëruese në epoka të ndryshme, qysh prej asaj klasike, pasi studioi dhjetëra gramatika, propozoi një gjuhë të re, me emrin esperanto që do të thotë shpresë, njeri që shpreson. Ajo ngrihej mbi dy elementë themelore: të mësuarit e saj të thjeshtë dhe mundësia shprehëse që do të nxiste një përdorim të saj të vazhdueshëm. Këto dy synime, edhe po të arriheshin, duhet me patjetër të bashkërendonin vetveten me një shtyllë të tretë: bindja e botës se kjo gjuhë tejkalonte dobinë e kthehej në domosdoshmëri.

    Zëvendësimi i mbi katër mijë gjuhëve me këtë ngërthim të përkryer mes logjikës dhe thjeshtësisë, u diskutua për vite me radhë në organizata e periodikë historikë, filologjikë e filozofikë shumë të rëndësishëm si The American Philosophical Society. Pas një broshure të vogël, një fashikull prej dyzet faqesh me titull Dr. Esperanto, Gjuha Ndërkombëtare për Rusët, ku dr. Esperanto ishte pseudonimi i Zamenhof, për një farë periudhe aq popullor u bë saqë edhe Tolstoi shkruajti, e mbështeti “Unë munda që mbas dy orësh që u mora me Esperanton, të lexoj dhe ta kuptoj gjuhën.” Po ashtu, Sinclair thotë se “Për të mësuar vetëm sa për të lexuar në anglisht, frëngjisht, gjermanisht ose rusisht, duhen shumë vite, ndërsa një njeri me arsim të mesëm mund ta kuptojë mbas 3 ose 4 javësh.”

    Gjithsesi, qysh në krye të herës, u pa se vullneti politik për gjithëpranimin e saj, jo si gjuhë zyrtare por thjesht ndihmëse, mungonte. Anëtarët e Parlamentit Evropian, për këtë çështje, votuan vetëm në masën 7% pro. Prandaj, akoma në atë institucion flitet në gjuhë të ndryshme dhe secili nga pjesëmarrësit ka kufje me përkthim në kohë reale.

    “Fletorja zyrtare”, datë 3 dhjetor, 1922 ku tregohet se në fondet e Bibliotekës së Shtetit, dy vjet pas themelimit të saj (tanimë Biblioteka Kombëtare) shtoheshin edhe një libër mbi gramatikën e esperantishtes dhe tre vepra letrare në këtë gjuhë, çka dëshmon se tanimë ajo kishte filluar të njihej dhe leximi i saj ishte i mundur.

    E njëjta çështje diskutimi u rimor sërish kur Bashkimi Evropian u kthye në një realitet konkret, me të ardhme të sigurt drejt përsosmërisë dhe gjithëpërfshirjes. Sa më tepër vende anëtarësoheshin, aq më problem shihej komunikimi, pasi gjuhët i përkisnin degëve a rrëfanave të ndryshme në pemën e gjuhëve. Gramatika e thjeshtë dhe liria elastike në sintaksë, bashkërenduar me leksikun që 60% të fjalëve i ka me burim latin, ndërsa 40% nga gjuhët e tjera, si sllavishtja, gjermanishtja apo anglishtja shërbyen si nxitje për t’u marrë në konsideratë sipas kësaj pikëpamjeje, por pa dhënë rezultatin e dëshiruar e të pritur nga esperantistët anë e mbanë botës.

    Si një artific gjuhësor, ajo nuk nyjëtohet pas mendimit në elasticitet të lirë, por mendimin e parasheh në nevojën e ngutshme për t’u shprehur në trajtën konkrete grafematike e tingullore.

    Esperantoja në Shqipëri erdhi nga i pari, dom Lazër Shantoja, tanimë i shpallur i lumë nga Vatikani, pasi përgjatë viteve të para të komunizmit pësoi martirizimin për shkak të idealeve të tija. Qysh në vitin 1907, sipas një studimi të kryer nga Doc. Vasil Pistoli dhe vërtetuar nga Organizata Botërore e Esperantos. Por kjo duket paksa e pasaktë, pasi ai është i datëlindjes 1892 dhe studimet në Austri i fillon në tetor të 1912. Gjithsesi, përtej datës, ai mbahet si esperantisti i parë shqiptar, ndryshe nga sa mendon Zef Mjeda, esperantist gjithashtu i njohur, që këtë atribut ia bashkëngjit Mark Kakarriqit, ide që e mbështes edhe unë, për dy arsye: së pari, ai lindi në vitin 1884 dhe së dyti, ishte në Paris në fillimin e shekullit XX, ku edhe e nxuri esperantishten, për ta sjellë mandej në Shkodër e nga aty, në të gjithë Shqipërinë.

    Pas tyre, sivëllau në meshtari i Shantojës, dom Mikel Koliqi, më vonë kardinal, Cuk Simoni, personalitet në esperantishte me një vlerë e peshë të veçantë, autor i një libri për Skënderbeun që tanimë konsiderohet si klasik nga esperantistët anë e mbanë botës, Janko Pali nga Qeparoja, Çefo Fico nga Gjirokastra, Hamdi Sulçebe nga Elbasani e ndonjë tjetër.

    Në vitin 1922, kryeministri i kohës, Xhafer Ypi firmos një dekret sipas të cilit esperantishtja duhet të mësohej në të gjitha shkollat shqipe.

    Bardhyl Selimi

    Në një bisedë me një nga esperantistët e fundit shqiptarë, Bardhyl Selimin, kuptojmë disa gjëra të veçanta lidhur me dje-në dhe sot-in e kësaj gjuhe në vendin tonë:

    Si iu qas Shqipëria esperantishtes pas 1944?

    Shqiptarët, në fund të 1944, përjetuan vendosjen e shtetit totalitar komunist. Kështu ndodhi edhe me lidhjet e tyre me jashtë dhe njëri-tjetrin. Nuk bëhej fjalë për organizata të pavarura jo qeveritare. Esperantistët që ekzistonin si Ing. Çefo Fico, Dr. Hamdi Sulçebe, Cuk Simoni, Mikel dhe Wilhelm Koliqi, Janko Pali etj., u mbyllën në profesionet dhe shtëpitë e veta. Njëri, Dom Lazër Shantoja u arrestua në fillim të 1945, u torturua mizorisht dhe u ekzekutua, MIkel Koliqi u burgos, jo kryesisht për esperanton por si klerik antikomunist. Pas 1990 zoti Koliqi u emërua kardinal.

    Ing. Çefo Fico, falë lidhjeve profesionale me Spiro Kolekan, politbyroist, njohës i esperantos, “hapi” një klub të esperantos në Ministrinë e Ndërtimit, ku iu bashkuan kolegë si Doc. Vasil Pistoli, Gafur Muço e të tjerë, përpiloi një dispencë që qarkulloi ndër studentët e kohës, madje hapi edhe një kurs për mësimin e gjuhës në fjalë te ish Shtëpia e Kulturës “Ali Kelmendi”.

    Esperantistët kishin vështirësi me korrespondencën me jashtë pasi kjo i bënte të dyshuar në sytë e sigurimsave. Madje Zef Mjedës, Shaban Hasanit u është tërhequr vërejtje për këtë, ndërsa Stathi Qeaf iu përdor në akuzën si “agjent”, vdiq në burg. Por, deri sa Shqipëria ishte në miqësi me Kinën Popullore, ata abononin revistat kineze në esperantisht (El Popola Ĉinio- Nga Kina popullore), ato vietnameze “Vietnam antaŭen marŝas”- Vietnami ecën përpara etj që sigurisht përçonin propagandën komuniste të shteteve të tyre. Madje na vin falas veprat e Mau Ce Dunit, Ho Shi Minh-it në esperantisht!

    Ka ndodhur edhe një skandal: pasi Vasil Pistoli përktheu një libër të shkurtër për Skënderbeun hartuar nga prof. Kristo Frashëri dhe e botoi atë më 1967, një sekretar partie urdhëroi ta dërgonin librin për karton. Megjithatë, u arrit të krijohej një film dokumentar për Gjirokastrën me folës në esperantisht, nga Gafur Muço dhe Vasil Pistoli.

    Pati përpjekje nga esperantistë të huaj ta vizitonin Shqipërinë, si një çift francez që u takua me z. Luan Jaupi në Durrës, një zonjë nga Zagrebi nuk arriti ta merrte vizën hyrëse në Shqipëri.

    Po pas 1990 a u vijua tradita esperantiste?

    Sigurisht! I gjithë vendi mori frymë dhe u hap plotësisht ndaj botës së jashtme. U ringritën institucionet fetare, lindën shumë organizata jo qeveritare. Në këtë linjë u formua në maj 1991 edhe Lidhja Esperantiste Shqiptare (Albana Esperanto-Ligo) me dekret të ish Ministrisë së Kulturës. Vasil Pistoli, Zef Mjeda, më vonë Bardhyl Selimi, Gjergji Gusho, Agim Peraj hartuan dhe botuan libra mësimi për gjuhën. U ngritën kurse me studentët në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, në Shkollën e Mesme të Gjuhëve të Huaja, në Shkollën Pedagogjike, në gjimnazin “Sami Frashëri”, në Shkollën teknologjike, në shkollën “De Rada” , në Institutin e Nxënësve me aftësi të kufizuara shikimi në Tiranë, etj. në Tiranë; po ashtu në gjimnazin “Skënderbeu” në Durrës nga Luan Jaupi, në gjimnazin e Pogradecit nga Gjergji Gusho; në shkollën fillore në Shkodër nga Zef Mjeda, në gjimnazin e Kukësit nga Nehat Sokoli, në shkollën tetëvjeçare të Lezhës nga Agim Peraj.

    Nisën shkëmbimet e vizitave me esperantistët e huaj në Itali, Bullgari e gjetkë. U krijuan dy shoqata të rinjsh esperantistë në Tiranë dhe në Durrës. Të rinjtë tanë vizituan Kroacinë, Bullgarinë. Lidhja Esperantiste u anëtarësua në Organizatën Botërore të Esperantos. U krijuan edhe seksione mësuesish, mjekësh etj esperantistë.

    Në vitin 2013 Shoqata jonë u njoh si person juridik nga Gjykata e Tiranës.

    U përkthyen libra nga Esperanto në shqip dhe nga shqipja në Esperanto.

    Rreth 50 gjimnazistë u dërguan gjatë viteve 1997-2007 në një shkollë të lartë për turizëm dhe kulturë ndërkombëtare në Bidgoç (Bydgoszsz) të Polonisë ku 30 morën bakalaurin dhe dy magjistrin. Në atë shkollë Esperanto ishte njëra nga gjuhët e studimit.

    Pas heqjes se vizave për shqiptarët në fund të 2010, ra interesi i të rinjve për esperanton që më parë e përdornin edhe si një mundësi për të shkuar jashtë. Kështu kurset u rralluan, por nga ana tjetër interneti krijoi mundësi të papara për ta mësuar edhe esperanton me programet Duolingo, Lernu.net. etj.

    Shoqata nxjerr rregullisht një revistë dymujore në dy gjuhë ku ka edhe shumë artikuj për Shqipërinë dhe pjesë letrare.

    Që nga viti 2000, Shoqata ka vendosë lidhje më shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë, ku më parë ka pasë esperantistë.

    Arritje e madhe janë përkthimet dhe botimet në esperantisht të dy romaneve të Fatos Kongolit “Lëkura e Qenit” dhe “I humburi”, “Parrullat me gurë” të Ylljet Aliçkës, “Funerali i Pafundmë” i Visar Zhitit”, poezitë e Luljeta Lleshanakut, poezitë e Sali Bashotës, Eqerem Bashës, romanet “Gjarpijt e Gjakut” dhe “Nëna Shegë dhe pesë gocat” të Adem Demaçit, romani “Koha e Dhive” i Luan Starovës. Esperantisti më i ri, 16 vjeçari Juri Andoni vitin e kaluar përktheu dhe botoi librin “Arne- i biri i kryetarit” të shkrimtarit esperantist suedez Leif Nordenstein.

     Janë përkthyer edhe romane të Ismail Kadaresë si “Pallati i Ëndrrave”, etj, poezitë e Mimoza Ahmetit, Flora Brovinës, tregimet e Adil Ollurit.

    Pra, të paktën për Shqipërinë mund të themi se kemi një rritje të interesimit për esperantos në krahasim me paraluftën e parë dhe dytë botërore.

    Romani “I humburi” në esperantisht

     Shoqata e Esperantistëve Shqiptarë si funksionon? Kush janë anëtarët dhe, a ka lidhje me shoqata simotra në botë? Nëse po, si i ka ndërtuar dhe i mban këto lidhje?

     Sikurse e përmenda më sipër, Shqipëria është në krye të listës së vendeve anëtare të Organizatës Botërore të Esperantos (Universala Esperanto-Asocio).

    Ajo ka statutin e vet, anëtarësinë aktive dhe jo aktive (e kam fjalën për qindra ish kursantë të gjuhës, që jeta i ka përplasë andej këndej brenda dhe jashtë Shqipërisë), kryesinë (kryetar është Ing Shaban Hasani, unë jam sekretari). Sipas mundësisë, ne marrim pjesë në kongreset vjetore të UEA që zhvillohen në shtete të ndryshme, po ashtu në konferencat e degëve dhe shoqatave profesionale (mësues, inxhinierë, fetare, rinore, studiueses, mjekë, jurist). Herë pas here shkruajmë artikuj në shtypin vendas dhe të huaj, bëjmë intervista në televizione dhe radio, tani përmes internetit edhe në tubime ndërkombëtare.

    Gjatë më tepër se një shekulli ekzistence, në një vlerësim nga njëshi në dhjetë, sa mendoni se ia ka dalë esperantishtja ndikojë njohjen e ndërsjellë kulturave dhe a ka pasur Shqipëria e esperantistët shqiptarë një rol në këtë «mision»? Nëse po, cilin?

    Nuk mund të përgjigjem në këtë mënyrë sikurse e kërkoni ju. Por mund të them se edhe përmes esperantishtes jemi përpjekur të marrim e të japim nga kulturat e huaja.

    Psh. kur përktheva dhe botova veprën “Shteti totalitar” të ish presidentit bullgar Zheliu Zhelev, vetë mësova shumë por edhe lexuesit shqiptarë, për ngjashmëritë e jashtëzakonshme midis shteteve fashiste dhe komuniste. Ose kur zoti Pistoli përktheu dhe botoi veprën “Realizmi i Ri” (Nova Realismo) të Bruno Vogelmann, ish sindikalist i burgosur në kampet naziste, mësuam shumë për realitetet e reja pas luftës së dytë botërore (borxhet kombëatre marramendëse, rrugët e kapërcimit të krizave ekonomike etj).

    Ose të marrim Cuk Simonin, që shkroi në origjinal esperantisht një Histori të Shkurtër për Skënderbeun dhe shqiptarët dhe e botoi atë në vitin 1929 në shtypshkronjën “Gutenberg”. Libri qarkulloi nëpër Europë si një “pasaportë” apo “udhërrëfyes historik” për shqiptarët. Një kopje të tij ma dërgoi nga Skocia një mik esperantist. Unë e përktheva atë në shqip pas vitit 2000 dhe e botova. Edhe sot ai është një libër i këndshëm me 14 kapituj sidomos për të rinjtë. U përpoqa ta ribotoj në esperantisht për publikun e huaj por nuk gjeta sponsor.

    Romanet e Fatos Kongolit kanë ndriçuar historinë më të re të Shqipërisë jo vetëm në versionet e tyrë të gjuhët kombëtare ku është përkthyer por edhe në esperantisht, në gjuhën jo kombëtare asnjanëse.

    Po ashtu tregimet e Ylljet Aliçkës, të cilat, nga versioni në esperantisht një miku im në Alzasë të Francës i përktheu në gjermanisht dhe një shtëpi botuese në Kubë i botoi për herë të parë në gjermanisht. Në këtë rrugë ka mundësi të ecet edhe për versionet e tij në rusisht dhe kinezisht.

    Interesante është rasti me librin “Adem Demaçi në 34 gjuhë” që doli vitin e kaluar në Prishtinë. Një sprovë tri faqesh me titullin “Burgjet e mia- fati im i madh” shkruar nga Baca Adem u përkthye nga esperantistët në botë në gjuhët e tyre amtare. Në kinezisht madje në tri versionet e saj, zyrtar, taivanez, dhe të diasporës. Me këtë rast, heroi i Kosovës u bë i njohur nga Zelanda e Re në Alaskë dhe nga Kili në Kamçaktë…

    Exit mobile version