Kreu Opinion Andreas Dushi: Një udhëtim në bibliotekën personale të Milan Kunderës

Andreas Dushi: Një udhëtim në bibliotekën personale të Milan Kunderës

Po të shohim arkivin digjital të “ExLibris”, një ndër shkrimet më të klikuara mbetet lajmi se Kundera bashkë me të shoqen, Verën, në vitin 2020 vendosën t’i dhuronin bibliotekën e tyre personale qytetit të lindjes së Milanit, Brno. Kështu, materialet e saj u bënë pjesë e koleksioneve të Bibliotekës Moraviane të Brnosë. Pas shuarjes së Kunderës, e vetmja pjesë konkrete e trashëgimisë së tij mbetet aty, për të kaluar në një proces të plotë katalogimi që më pas të bëhet e qasshme për këdo. Me sa mora vesh, ky proces ishte drejt fundit dhe në fillimin e 2024, studiues dhe studentë mund të punojnë jo vetëm me librat që Kundera kishte në studion e tij, një dhomë brenda apartamentit ku jetonte në Paris, por edhe me arkivin personal të autorit.

Çekia në Panairin e Librit të Frankfurtit paraqitej me dinjitetin e një vendi që e do letërsinë e vet. Stenda e madhe me libra e katalogë të letërsisë çeke, materiale ndihmuese për botuesit dhe shpjegime të detajuara për fondet që jepte shteti për përkthimin e shkrimtarëve të tij, të tërhiqte vëmendjen menjëherë, bashkë me stafin shumë të kujdesshëm, të informuar deri në detaje. Aty gjendej edhe drejtori i librit pranë Ministrisë së Kulturës në Çeki, një burrë i fisëm që na shpjegoi me detaje gjithë ç’kishte rreth e rrotull.

Pasi mbaroi, s’munda të mos e pyesja për Kunderën, vepra e të cilit zinte një kënd konsiderueshëm të madh mu në hyrje, me një portret tijin që të ftonte të afroheshe. Por ai, qysh me Ngadalësia nuk shkroi më në çekisht dhe me ngulm kërkoi që si vepër referative t’i merrej ajo në gjuhën frënge, pasi edhe librat paraardhës i rishkroi në këtë gjuhë. “E konsideroni si shkrimtar çek?”, e pyeta, duke pasur parasysh se edhe në vendin tonë është shumë i gjallë diskutimi nëse janë shkrimtarë shqiptarë apo jo ato që nga diaspora shkruajnë në gjuhë të tjera. Në pozitë, ai më shpjegoi kompleksitetin e çështjes, por ma qartësoi se nëse dikush, edhe pse në emigrim, edhe pse mund ta ketë braktisur gjuhën amë, e identifikon veten si shkrimtar çek, nuk e mohon origjinën, nuk e përçmon atë, atëherë po, ai konsiderohet si i tillë, pra shkrimtarësia mban të njëjtën kombësi me të.

U duk se nuk isha i bindur nëse ishte ky rasti i Kunderës apo jo; ai sa qe gjallë nuk u kthye në vendlindje dhe e shmangu herë me lezet e herë me ashpërsi, prandaj zotëria me të cilin bisedoja, si vuri re këtë, bëri pak pas dhe u kthye me një fletëpalosje. “Ja,” tha, “Kundera e dhuroi bibliotekën personale për qytetin e tij të lindjes. Kjo do të thotë shumë. Çdo vend në botë do ta donte atë bibliotekë, që është më shumë se aq, ndërsa ai vendosi t’ia dhuronte qytezës së Brnosë.”

E kisha harruar këtë fakt. Dhe ai kishte të drejtë.

Fletëpalosja kishte aq të dhëna sa mund të zërë hapësira e saj. Në vijim, po i vendos të gjitha, bashkë me ndonjë tjetër që gjendet në faqen e bibliotekës së Brnosë, ku prehet trashëgimia e Kunderës, sepse Kundera vetë u kthye në hi, dhe hirin e mban në shtëpinë e tyre Vera, deri sa dhe ajo t’i bashkohet në mbretërinë e pasosur të një bote ku Milani sigurisht po rri bashkë me idhujt apo miqtë e vet.

(Më kujtohet një seri librash të shkruar në shek. II nga Lucioani i Samosatës, Kuvendime në mbretërinë e të vdekurve, ku perënditë e mitologjisë greke diskutonin me njëri-tjetrin dhe me heronj në përtejbotë, pas kapërcimit të lumit Lete. Tema u rimor dhe në mesjetë, ku sërish u botua një seri librash ku heronjtë e vdekur diskutonin për të shkuarën kur ato akoma rronin dhe për të tashmen, si ishte kthyer përmbys ideali ku kishin besuar. Nëse rimerret prap ky formatim letrar, do të doja shumë të lexoja, të hamendësuar, bisedën mes Kunderës dhe Backon-it, pasi ky i fundit para vdekjes pati kërkuar një parathënie nga Kundera, dhe pasi Kundera ia shkroi atë parathënie magjepsëse, që mund ta lexoni, të përkthyer nga Edi Rama, edhe në “ExLibris” nr. 241, 15 korrik, 2023, fq. 20).

Biblioteka e Milan Kunderës

Biblioteka e Milan Kunderës përfshin një numër domethënës të të gjithë librave të tij të botuar. Përveç materialeve të bibliotekës së tij personale, në Bibliotekën Moraviane në Brno gjendet edhe një pjesë e arkivit të Kunderës, përfshirë korrespondenca me miqtë dhe figurat kryesore intelektuale nga e gjithë bota, fotografi të pafundme, çmime letrare, copa gazetash që na mundësojnë të shohim se si qe pritur vepra e Kunderës në të shkuarën dhe më së fundmi, disa literatura dytësore mbi këtë vepër.

Biblioteka e Milan Kunderës është një institucion kulturor që synon të kthehet në një platformë për diskutime dhe leksione mbi veprën e Kunderës dhe mesazhin që ajo i adreson kulturës evropiane dhe globale e po ashtu, vetë shoqërisë.

Ideja se ky koleksion duhet t’i përkiste Bibliotekës Moraviane erdhi nga Vera Kundera më 2017. Milani vetë e mbështeste projektin i cili do të tregonte një rikthim simbolik të tijin në qytetin e lindjes. Librat dhe arkiva u transportuan nga Parisi në verën e vitit 2022. Ceremonia e hapjes u mbajt më 1 prill, 2023, ditën e ditëlindjes së 94 të Milan Kunderës, ku mori pjesë Antonie Gallimard, pronari i një prej shtëpive botuese më të rëndësishme evropiane; ambasadori frëng në Çeki, Alexis Duterte, kryebashkiakja e Bronës Markéta Vaňková, ministri çek i kulturës Nartin Baxa dhe Juergen Boss, presidenti i Panairit të Librit të Frankfurtit dhe anëtar i bordit për programimin e  Bibliotekës së Milan Kunderës.

Koleksioni përbëhet kryesisht nga romane, ese, drama dhe poezi të Milan Kunderës, ndërsa arkivi kryesisht ka shqyrtime të botimeve në frëngjisht, gjermanisht, spanjisht, portugalisht, italisht, kinezisht dhe çekisht. Shqyrtimet janë vendosur në mënyra të ndryshme, zakonisht si pjesë gazetash të bëra bashkë në kuti apo dosje me një shënim me shkrim dore ku vendoset data e botimit. Po ashtu, janë edhe variante të ndryshme të vizatimeve që Kundera bënte për kopertinat e librave të vet. Shkrimet për dramën e tij Zhaku dhe Mjeshtri i Tij janë së bashku me korrespondenca të pasura që ai shkëmbente me trupat teatrale të cilat kërkonin leje për ta vënë në skenë.

Po ashtu, pjesë e koleksioneve janë edhe tekste të shkurtra si parathënie, hyrje, pasthënie apo shënime që gjenden në libra të autorëve të tjerë, edhe gazeta e revista në të cilat Milan Kundera ka botuar. Së fundmi, përfshihen edhe studime për veprën e tij në tërësi si dhe për atë vetë.

Arkivi përfshin një numër të madh fotografish, shumica syresh të shkrepura nga Vera Kundera. Disa janë që në Pragë apo Brno, para emigrimit të Kunderës, ku ai është me miqtë dhe bashkëpunëtorët e vet. Të tjera u shkrepën pas vitit 1975, viti i emigrimit të tij si dhe, shumë e shumë të tjera në ngjarje shoqërore.

Pjesë e koleksionit të dhuruar janë po ashtu çmimet e marra nga Kundera (p.sh. një doktoraturë honorum e dhënë nga Universiteti i Michigan-it, Jeruzalem Prize, Çmimi i Qytetit të Brnosë, çmimi Franz Kafka etj.), korrespondeca e tij me Frederico Fellinin, François Mitterand, Henry Kissinger dhe shumë e shumë të tjerë, pa harruar dhe letrat e kartolinat e urimeve. Gjithë arkivi po digjitalizohet dhe do të jetë i qasshëm edhe online.

Biblioteka  ka mbi 3000 botime të ndryshme të veprës së Kunderës në pesëdhjetë gjuhë. Numri tërësor i librave është përherë në rritje, pasi vijnë gjithnjë tituj të ri nga botues anembanë botës. Vetëm koleksioni i sjellë nga Parisi është i pandryshueshëm:

178 botime në frëngjisht, 159 në gjermanisht, 157 në kinezisht, 147 në anglisht, 127 në portugalisht, 113 në çekisht. Ndërsa veprat e Kunderës që kanë më shumë kopje janë:

Lehtësia e padurueshme e qenies, 312 kopje në 225 botime të ndryshme;

Shakaja 168 kopje në 144 gjuhë të ndryshme;

Směšné lásky[1] 158 kopje në 130 botime të ndryshme;

Libri i të qeshurës dhe Harresës 150 kopje në 127 botime të ndryshme.


[1]  Mund të përkthehet si dashuri qesharake, libri nuk është botuar akoma në shqip, është një përmbledhje me tregime e botuar së pari në ’69.

Exit mobile version