Kreu Letërsi Shënime mbi libra Alketa Spahiu: Pirateria në qendër të dispozitivit narrativ (“Mallkimi i...

Alketa Spahiu: Pirateria në qendër të dispozitivit narrativ (“Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë” të Mira Meksit)

Antikiteti shtronte në mënyrë të pareshtur pyetje mbi origjinat e botës, mbi burimet e vetë antikitetit. Këto çështje projektoheshin mbi të shkuarën, me qëllim shpjegimin e së tashmes, që vihet prapë në pyetje sajë ngjarjeve natyrore a të çuditshme e të pashpjegueshme. Gjithë një mitologji ka pasuar si rrjedhim i këtyre përsiatjeve, çka ka ushqyer mandej si historinë dhe letërsinë, këto dy trungje të pandara. Mbi to mbështeten njohjet tona dhe shuma e pikëvështrimeve mbi të shkuarën.

Por bota jonë sot vështrimin e ka nga e ardhmja. Nën kumtin e para-ardhësve, ne hamendim mbi të ardhmen si diçka të errët dhe po aq të frikshme. Atëherë bota sot frymon sërish duke përdorur dispozitivin antik, për ta zbutur atë drojë e pasiguri. I hapet kështu vendi një demiurgu, por drejt një bote të shqyrtuar nga prizma transhumaniste, domethënë: e ardhmja e afërt ndoshta me kolonizimin e planeteve rreth nesh, por shqyrtime që si shqetësim kryesor kanë njerëzoren. Njëlloj si zotat antikë, që pluskonin mbi dashurinë, betejat, shkatërrimet e transformimet, pushtetin, transmetimin e me radhë.

Me këtë frymëzim na duket se Mira Meksi observon të shkuarën në këtë roman të ri. Sajë një pune impenjuese, kërkimi i saj duket se nis me zhvarrimin e së shkuarës, për të kërkuar në të përgjigje mbi thelbin e jetës, ose më saktë, mbi mëndeshat e saj: dashuria dhe vdekja. Të dyja janë pështjellueset e heroinës së romanit, që iu vendosen lexuesit përballë përtej gjinisë dhe moshës, sepse heroina është e mbathur me përmasë universale dhe historike.

Alketa Spahiu
Doktor në letërsi i Universitetit të Sorbonës
Profesoreshë letërsie në Paris

Historia e saj është e njohur, por jo shumë e diskutuar. Teuta, mbretëresha e Ilirisë, grua e mbretit Agron, jetoi në fund të shekullit III p.e.s. Historianët përmendin disi periudhën e mbretërimit të saj, veç dy tri vjet nga jeta e kësaj gruaje që mbolli terrorin në ujrat që lagnin Ilirinë. E lindur për t’i përkitur legjendës, ajo arrin bëhet mishërim i saj. Ekzistenca e kësaj mbretëreshe lidhet me shërbimin në favor të Ilirisë. Luftëra ku mbretëronin zhvatja, më saktë pirateria dhe ajo çka do ta quanim, në terma modernë, “mosbindja civile” ose shpirti kryengritës.

Sepse Teuta mbretëron në këtë hapësirë luftarake si oponencë e fortë ndaj Romës.  Historianët zyrtarë kursehen doemos ndaj figurës së saj; por janë historianët e artit dramatik që na orientojnë më shumë. Ata e radhisin Teutën përkrah të tjera perandoreve madhore bizantine: Irenës, Theodorës dhe Eudoksisë …

Duke qëmtuar origjinat e “Natës së dymbëdhjetë” të Shekspirit (që ngjarjen e vendos pikërisht në Iliri), të shumtë janë kërkuesit që kthehen te figura e Teutës, si mbretëresha “që përballi ashpër pushtetin e Romës” (Ludovick Lloyd), apo si “gruaja që diti të mbretërojë pa ndihmën e burrave” (Thomas Hayëood në librin Gynaikeion) etj. Kjo pjesë e Shekspirit, ku vërehet mjaft përdorimi i termave të tregtisë dhe piraterisë, ia ka atribuar tipare të Teutës, personazhes së tij, Olivia, e cila ka mbetur shtyllë e shtëpisë, në mungesë të atit dhe vëllait.

Mbretërimi i Teutës merr fund pra, pas nënshkrimit të traktatit me Romën, pas të cilit u asgjesuan aktet e piraterisë. Shpjegim shtesë mbeten përcaktimet e Ciceronit. Ai i deklaronte piratët e antikitetit si “armiq të përbashkët të komunitetit” (communis hostis omnium) sepse ata i dilnin duarsh ushtrimit të së drejtës së përbashkët. Por ajo që sulmohet është dukshëm shpirti i aventurës, shqendërzimi i pushtetit të Romës, prirja për ndjesi të forta, ku Tjetri mund të bëhet edhe viktimë.

Teuta bart pra një emër që e identifikon, e veçon, e bën unike; pirate mbretëreshë, e cila jeton dhe hepon në piraterinë e zemrës, e ndjenjave. Kështu romani i M. Meksit arrin rangun e një krono-gjeneze të piraterisë, të legjendës që ka për aureolë ky akt. Pikërisht pirateria na duket aksi i narracionit në roman. Vetë rrëfimi përparon e rrugës rinovohet, sipas endjeve që raporton. Pirateria bëhet kështu shkas, në ecuri e sipër, për ta “piratuar” të shkuarën që ndjell parazitë te e tashmja, në favor të rrëfimit dramatik. Ishte pak a shumë strategjia e “përthyerjes” së faktit historik nga të gjithë dramaturgët elizabetanë, ku Shekspiri bënte pjesë. 

Na duket me interes të evokojmë një analizë semantike të termit “pirat”. Rrënja e kësaj fjale vjen si nga greqishtja πειρατής (peiratês), që vet rrjedh nga folja πειράω (peiraô) që shenjon aktin e « orvatjes», « provon shansin”, “lëshimin në një aventurë”. Por dhe nga latinishtja pirata : “kërkuesi i fatit”, “iniciativë e orvatje”, etj.

Me këtë optikë, bëhet e qartë se kjo figurë, mbretëreshë regjente, i jep vetes atributet e fisnikes, lëviz jashtë sferës së manipuluar nga burrat. Rangu i saj i hyjnisë bëhet i qartë nga aplikimi e përdorimi i balsameve detare me përbërje “algash magjike” të gjarpërit mitik. Ai që i fryn frymën, por që e lidh pas vetes përgjithnjë, edhe nën trysninë e dhimbjes së femrës e të mallkimit hyjnor, derisa ai identifikohet krejt me të, bëhet dubli i saj. Sikundër lexojmë: « Mbretëresha ishte shuar për Ilirinë».

Makllkimi që merr Teuta e ndryn atë. Nën ndryrjen e gjarpërit (“e vluara e gjarprit”), asaj i mbetet t’i bindet mbrojtësit të vet, gjarpërit, i cili e mban në jetë që ajo të ushqeje sërish legjendën, legjendën e vet. Njësh me gjarpërin, kjo mbretëreshë është vektori i narracionit, pre-tekst për legjendën e gjarpërit. Citojmë: « gjarpëri shndërrohej në vajze e vajza në gjarpër […] sa shkriheshin e bëheshin një, dhe s’kishte më dallim mes tyre ». Sikur historia e Teutës të ishte ajo e gjarpërit, por e stisur nga ai vetë.

Klima emocionale e romanit hapet njëlloj si në rastet e dashurive pasionante e të kobshme. Histori që jo vetëm tjerrin fatin e viktimave në labirintin e dashurisë, por sidomos luftën e tyre shpallur ndaj botës, thua se kjo botë mbetet në thelb e huaj për pasionet madhore e që bota nuk iu bëhet dot garant. Prej këtej fusha semantike e dashurisë dhe erosit shkon paralel me atë të luftës e dhunës. Vetë akti i dashurisë bëhet betejë e mbretëreshës për ta fituar, por tashmë si femër, jo më si mbretëreshë. Gruaja brenda saj hidhet në luftën përkundër Demeter Farosit, nën petkun e erosit, si për t’i shpëtuar burgimit nga gjarpëri. « Kishte nisur me puthje dhe kapërthime të egra që u kishin lëne vraja pasioni në trup ».

Me stampën e boshit në mish, Teuta e shpraz substancën e vet. Këtë orvatet të mbushë gjarpëri, herë me fjalë të hallakatura nëpër kujtesë, herë me materjen fantomatike, për ta vulosur “martesën” e tyre:  « gjarpri i detit vazhdoi t’ia pastronte plagën me gjuhën e tij të mprehte dhe t’i sillte alga magjike deti që ia vendoste mbi të ». Kështu Teuta endet mes këtij boshi që mishëron e nuk e mbush dot, dhe fallusit, si premtim shpresë i dashurisë.

Me gjithë prirjen drejt pathosit (sepse personazhi Teutë duket ka nevojë t’i japin dashuri, si e vërtetojnë shpërthimet e saj : « pjesën më të madhe të kohës do dashuroj Demeter Farosin ») aspekti sentimental fshihet para shfaqjes së simbolit fallik, që penetron mjaft në roman; këtë e vërejmë qysh me paraqitjen e mitit të Ilirisë që bazohet te gjarpëri. Duket se ai shfaqet si garant i Teutës, mishërim i frymës së vendit ku ajo mbretëron, totem që si zgjatim ka shpatën, atribut tjetër i tij : « kur të më hajë dora për shpatë » apo dhe  « me sikën në dorë ».

Kujtimi i gjarpërit e bën edhe më të dendur e më joshës, më të errët e goditës misterin e legjendës së Teutës. Gjarpëri rrëfen, ai zbërthen historinë, ngjarjen e Teutës e të origjinave kaotike të mitit të saj që përzihet me atë të Ilirisë, ku secili endet si pirat për pjesën e vet. Kjo histori duket vihet në rakordim me ndërtimin e imazhit të heroinës, duke ndjekur veç ligjet e rrëfimit oral. Rrëfim ky që, i detyruar nga harresa, i jep risi mandej ligjërimit, sepse rreziku i harresës sjell përdorimin e kujtesës duke i dhënë frymë tjetër jete.

Gjuha ligjërimore e reptilit është një ligjërim ku struktura kockore s’duket. Si përkatës i gjuhës së gjarpërit, ky ligjërim identifikohet mandej me gjarpërin, duke ia marrë atij hua aspektin origjinor të gjuhës, atë të gjuhës epike, që zapton gjithë hapësirën e rrëfimit. Gjuhë pra e origjinës, e asaj që oraliteti e bën të variueshme, lëkurëndërruese e të shumfishtë në delirin e gjarpërit-aed që pjell miti: « leskerat e gjarpërit të larzuar në trupin e faltares u kreshpëruan rrëmbimthi ».

M. Meksi e përdor këtë mit të gjarpërit si matricë të narracionit në roman. Është një mit që bart në vete një tjetër mit, e që i jep fuqi risi, nën vështrimin e lexuesit të mbërthyer në vëmendje. Rrëfimi ndjek parametrat e funksionimit të mitit e të legjendës; në këtë përzhitje del një metaforë e shkrimit, për sa kohë ushtrohet kujtesë, ndërsa është kujtesë. Kështu lexojmë se : « C’thotë tjetër gojëdhana » – fillon prapë rrëfimi , si për ta drejtuar diku e mandej për ta pasuar, thua nën “hyqmin” e këtij rrëfimi – « në atë kllapi të stërgjatur kish patur mjaftueshëm kohë të lebetitej e tmerruar prej tij gjer në asht ».

Vula e kulturës së rrëfimit gojor, e “gojëshkrimit”, është e dukshme në mënyrën e rrëfimit të këtij romani. Jo vetëm në strukturën narrative, por dhe në frushullimën e re që kjo retorikë i sjell rrëfimit shqip. Na duket njëfarë zbutjeje të tij që arrin M. Meksi, pas betejash sinjifikante letrare që është përkthimi prej saj i autorëve botërorë. E vërejmë këtë edhe në dimensionet tragjike të personazhit Teuta, vetë drejtohet nga një forcë e brendëshme, karakteristikë kjo e heronjve mitologjikë, me peshën e fatit mbi krye. Këtu fati mbetet malli që “piraton” gjarpëri i kujtesës së gjatë.

Fati i Teutës është efektivisht i lidhur me piraterinë. Me piraterinë si pjesë e dramës së dashurisë  në sfondin e vdekjes; kjo paraqitet si busull e personazhit, përderisa mania për pushtim duket veç tentativa për të dalë nga historia e gjarpërit. Vetë pirate, Teuta i rrëmben piratisht kujtesën gjarpërit. Nga përtej varrit ajo ushqen e mban gjallë legjendën që uzurpon, pushtim ky që respekton e garanton prapë ligjet e rrëfimit gojor të eposit.

Na vjen ndërmend ai film i habitshëm japonez, “Heshtja nuk ka krahë”, ku pothuajse e gjithë ngjarja na jepet nga pikëpamja e krimbit të mëndafshit. Dhe gjithë filmi na paraqet mandej një lloj deliri sa jashtë-kohor, aq dhe mitik. Në romanin e M. Meksit ne hasim në një gjarpër aed, në delir. Delir, në kuptimin poetiko-filozofik, ku ai shket duke na ridhënë si botë atë që e kemi por normalisht para syve. Me të cilat lexuesi ndjek vetë këtë delirim të gjarpërit rrëfimtar, tani më shumë si pjesë e letërsisë që hedh vështrimin nëpër epope.

Exit mobile version