Kreu Letërsi Bibliotekë Aleksandër Bardhi: Xixëllonjat flenë mbi gurët e gjakut

Aleksandër Bardhi: Xixëllonjat flenë mbi gurët e gjakut

AH-U IM I BARDHË

Ah-u im i bardhë, atje përmbi fusha
Formohet, c’formohet, bënë jetën e vet,
Herë si fjalë rrebele mbi cipën e kaltër të qiellit
Here si lutje, në udhën e shkretë.

Ndoshta do të zgjojë, dikë nga gjumi i thellë
Para se të shkoj, më saktë prej nga zbriti…
…Eh,  ah-u im i bardhë, atje përmbi fusha
Që askush s’të pa
e askush se diti….


ARDENICË

Ngrysem dhe gdhihem
Me Ty në sy.

Një ditë mos të shoh
Të nesërmen verbohem.

Zogu i diellit
Këndon në kryq.


ËNDRRA E PYLLIT

Thonë se do të kaloj perëndia e zjarrit,
Dhe mos – na o Zot
Të na gjej në gjumë!

Kam kohë që ndjej fishkëllima të zeza
dhe gjindja e pyllit është e parehat.

Shoh iriqët që mblidhen rreth strofullave të dhelpërave.
Ndërsa breshkat që bënin gjumin e tyre prej kishe
kanë kohë që natën
më vijnë rrotull shtëpisë.

Vonë, shkoj në ëndërra.

Tufa zogjësh fluturojnë si thëngjinj nepër qiej
dhe humbasin si teminëza mbi barin e thatë;
Kopetë e ujqërve rendin nëpër pyll
mbështjellë me flakët e zeza të lumit.
Teksa drurët (eh, drurët!.)
kjo popullatë fisnikësh si murgj të plakur
presin meshën e radhës
në Kishën e Muzgut.

Thonë se do kaloj perëndia e zjarrit,
Mos – na o Zot
Të na gjej në gjumë.


BANORJA E FUNDIT

Errësira, errësira
është banorja e fundit e qytetit.

Shkon e vjen rrugicave të ngushta
nga Kodra e Heronjëve
te Busti i Poetit.

Zvarritet e mbledh dritën e mbetur
si thërrime,
nga buka e zogjëve të vdekur.


ZOTAT

Engjëjt këndonin
hojeve të dritës,
Si zilka argjëndi
për Rilindje të mëdha;
Po ora e diellit
kish ngecur në kryq,
Ne nuk mbërritëm
Nuk erdhën as ata.

Tokë e zezë.
Golgotha. Golgotha.

Ishte e djelë.
Ciganet nëpër rrugë,
Tundnin gjinjtë
dhe vithet e mëdha.


FQINJI I MARRË

Askush se pa
heroin tim
Në sheshin me zjarre
për bukë dhe dinjitet.

E lanë aty
të klithte, të çirrej,
Të ndizej , të digjej,
gjersa të shuhej vetë.

Askush se njeh
heroin tim,
Fqinjin e marrë
me statusin e të verbërit.

Të gjithë flenë.

Ai digjet nëpër zjarre
E hap nji e nga nji
gjithë çezmat e qytetit.!..


GURI NË RADHË

Eshtë një kohë
Për delirantë si ju,
Që venë gurin në radhë
Në derë të muzeut;

Sic është një kohë
edhe për fqinjin tim,
Që numëron medaljet
e tre luftrave dhe qan.


TATUAZHE

Se si ngjajnë
këto njollat e diellit,
se si ngjajnë!…

Herë si ato gërvishtjet e befta
nga sulmet e luanëve,
Herë me ca kryqe të vegjël argjëndi
mbi koren e djegur
të bukës së bardhë…

Se si janë
këto njollat e diellit,
se si janë!…

Edhe unë e kam
një blanë prej diellit;

……Si ajo lulëkuqja e fushave
netëve të majit,
Që bubrron në heshtje
nëpër zjarret e qiellit!…


BIE SHI NË ARDENICE

Mikut tim poet, Nuri Plaku

Bie shi në Ardenicë
Sikur shkund krahët bilbili.
Më mer malli për ty mik
Plot me hire manastiri.

Miku im që cdo ditë
Njeri tjetrit i bëjmë gjyq,
Kur del tymi mbi çati
Nga një kafe pimë në kryq.

Në një kryq, ku s’shkohet dot
E çdo kujt s’i hapet dera,
Ku të shtron bukë e shpirt
Bukuroshe Shën e Djela.

Bie shi në Ardenicë
Sikur shkund krahët bibili,
Më mer malli për ty mik
Plot me hire manastiri.


XIXËLLONJAT FLENË
MBI GURËT E GJAKUT

Një grusht xixëllonjash
nga zëmra e gurit,
M’u bënë udhë,
një natë me shi.
Ne jemi – thane – shandani i fatit
Që të fle te koka, e ti se di.

Një grusht xixëllonjash,
nga guri i gjakut,
Diku në mal
një natë me shi.


MASAKËR E SHËNDRITSHME

Qeshën në kor
gjithë hajnitë e maleve
Kur kokën vura
mbi gurin e parë:
-Këtu ujrat dhe pyjet ka kohë që i helmon
Hija e zezë
e dragoit të bardhë!…

Heshtën malet.
Heshta dhe unë.
Shkrepi rrufeja
dhe Fati ndjeu:
-Ti do të jesh
një masakër e shëndritshme –
më tha –
Dhe iku, e u bë
pikëllim Mesdheu.


ZJARRET E LUMIT TË THATË

Shiu rrudha – rrudha
Në të fikur ylli.
Ujku përtyp ngeshëm
Thënginj, kocka pylli.

Bëj t’i afrohem
Shkon në bregun tjetër,
Sikur ta ketë zënë
Një mallkim vjetër.

Ujk ti, e unë ujk
Të dy një lëngatë,
Kafshuar nga zjarret
E një lumi të thatë.


BULKTHA TË PËRGJAKUR

Te kjo rrugicë
e vjetër, pa drita,
Ndodhte të përgjakeshe
nga ndonjë guriçkë e verbër;
Sidomos kur kaloje
pranë kësaj shtëpie
Që të gjthëve na kish bërë
me vrimë në zemër.

Po askush se pati
atë fat ndër ne
Të ish kavalieri
i zgjedhur syresh;
Atje mbi portë
ndriçonte errët
Një hënë e vogël
me grerëza yjesh.

Tani në moshë
i tëri argjënd
Shpesh vij, ndaloj,
e dua të rri.!…
…Ata gurinjtë e dikurshëm
si bulktha të përgjakur,
Lozin nëpër hënë
e këndojnë mbi cati.


MENDIM NË FUND VJESHTE

Ngrirje moti.
Ujrat heshtën, u mblodhën

Dhe butet e verës
zunë të bien në gjumë.

M’u kujtuan fjalët e burrave të qëmotit:

Zjarret e vjeshtës
I kanë varret ne lumë!…


HËNË E KUQE

Është një varr i vogël
Diku buzë përroi,
Me një hënë në skaj
Si plagë dragoi.
………
I thanë, bien këmbanat.
Po ai s’dëgjoj.
Hëna në të kuqe
Në të zezë përroi.

I thanë, bëhet luftë
Po ai s’besoj.
Hëna në të zezë
Në të kuq përroi.

I thanë, t’u vra djali.
Gjaku e verboi.
Dita më nuk zbardhi
As nata nuk shkoi.
……… 
Është një varr i vogël
Atje, buzë përroi,
Me një hënë të kuqe
Si plagë dragoi.


BALADË

Haber nuk vinte
Këmbana nuk ra.

Thëllëza këndonte
Më tre, në sabah.

Rriteshin djem
Plakeshin burra.

Plakej dhe vdekja
Bashkë me mua!


TEMPULL

Me një ashkël perëndimi
ndezur në duar,
Kam kohë që udhëtoj
Për në Tempullin e Harresës.

Jam thjeshtë një udhëtar i natës së vonë
Që shkoj të le ndezur dritën time.


FLUTURA E ZEZË

Kjo hënë që netëve
lan gurët e lumit,

Një ditë do të digjet
mbi gurin tim;

E do të bëhet,
një flutur e zezë.

Exit mobile version