Kreu Letërsi Bibliotekë Aleksandër Bardhi: Errësirat më thonë nga duhet të shkoj (poezi)

Aleksandër Bardhi: Errësirat më thonë nga duhet të shkoj (poezi)

FOSFORESHENTE

Nuk di në sa botë
do të doja të udhëtoja,
të flija një natë
mbi supin tënd.

Errësirat ndezin 
fosforet e gurëve,
sikur duan të thonë
nga duhet te shkoj.


MËRZIA E LULEVE

Mërzia e luleve shpesh më kujton
ato zëmëratat e rubinta në moshë të  vonë,
kur nëna në heshtje
e merte babanë me të mirë
të ndërronin dheun  e vjetër  të
luleve,
ngaqë ndoshta të dy mendonin njëherësh
se ishte pikërisht ky casti fatlum,
kur lulet do e nisnin
edhe një herë
jetën nga e para.


MERMERËT E KUJTESËS

Shpesh ndodh t’më trokas në portat e gjumit
Nje turmë e egër, e verbër,pa kujtesë.
Zgjohu-më bërtasin- ti levizim mermeret
Janë 1000 ton me heshtje të zezë!

Pastaj grinden, sherrosen, dhe ikin prap nëpër natë
Ne trojet e zbrazura të ëndrrave
dhe lavdive.
Rri e mendoj:
Ata ngri e lartëso shtatoret e tyre,
Unë mblidh e cfleto
gurët e muranës time.


MARRËZI TË SHËNJTA

Unë rritesha shpejt,
dhe babai shpesh dyshonte
se unë kisha lindur i marrë.
Nëna mërzitej
me  turpet  e mia.
Plakat  keshillonin
se për të paudhët si unë
duhej meshuar
ne shtate manastire,
e fjetur në tre kisha.

S’durova.Një  mbrëmje
ika, ika nga  shtëpia.

Nëpër natë me ndiqnin
babai,nëna
dhe dy satanike të vogla,
me flakëza
dhe tym nëpër gishta.


PIROMANJA   

Shpesh  m’është dukur
si hija e një fantazme
ardhur nga larg,
nga fillimet e botës,
kur teksa burrat
largonin pyjeve
të dimrit,
ajo mbante të ndezur
zjarrin në shpelle.

Kjo është Sofia
e lagjes time.
E bukura e cmëndur,
pse jo dhe barbare,
që  thotë se një ditë
do të djeg gjithë
lulishtet, bustet,
ndërtesat,
ndoshta krejt qytetin;

që s’qenka gjë tjeter,
vec nje natë  e gjatë,
me farfurima ëngjejsh
e fanepsje djajsh,
ku zbresin zotat
e luhen  fate,
si  mbi zhguallin
e nje molusku gjigand
qe bënë prej kohesh
gjumin  e rëndë
të dherave.

E therras në emër.
Ajo ngrys,shkrofetin.
cfaqet nëpër terr
humbet nëpër drita.
Dhe prap ndez 
ato zjarret e vegjël
në sheshe, në rrugë,
nga Kisha e vjetër
gjer te Bashkia.

Qyteti fle.
Me zjarre te porta.
Me dritaret e burgut
hapur nga lufta.
Une, rri zgjuar
brenda gjumit te tij,
bashkë me ëndrrën
tiranike të Sofis.


DRITË E GJELBËR

Dëgjohet një këngë
që këndohet vec një herë.
Argjendin e heshtjes
shtrojnë  plepat e gjatë.
Një vetëtime bëhet flutur
nëpër qiell të muzgut.
Mbaj vesh:
Larg, në burgun e plumbtë
hapen dritaret  e verbëra
të shiut.

Dita ime vdes
në gjumin e pëllumbave.


UDHËTAR QË SHKON NË MUZG

O zotni, që shkon në muzg
Me ca yj’ rrezuar supit-
Gjeneral i tradhëtuar
Betejash, në luftë të fundit;

Unë jam Petro Myzeqari
Bukë e kripë më kane duk.
Tre hëna mbreterish
Mbaj të vdekura ne trup.

Dhe tani vetmëvete
Ku s’ka klon, kufij, as gardh.
Ngrys një ditë me hën’ të zezë
Gdhij një natë me kryq te bardhë.

Ndaj të lutem, kthehu pak
Te kjo portë, te kjo kodrinë,
Para se qielli t’më jap shënjë
Ta fik vet kandilin tim.


FLAUT

Një flaut ëngjëlli
muzikon nëpër natë.

Këngetari im,
Cfar kënge të kërkoi
sonte Zoti të kendosh?!

Fusha ngadale
po mbulohet ne shi.


KRAH I THYER

E di.
S’më duhen më udhëtimet,
as fluturimet e gjata,
as pejsazhet marramëndëse
plot mirazhe kozmike;

Më duhet,
vec ajo re-ja e purpurt mbi gardh
si krah i thyer fazani,

që ende bënë dritë
atje, në rrugicën time.


BALADA E LISIT TE MËKATIT

Djali isha unë
Ti ishe vajza,
Në lis te mëkatit
Hipur dy fshatra.

Une isha lugati
Shtriga ishe ti,
Dy fshatra ne flakë
E tym mbi cati.

Rruga gjer në majë
Si shkallare ferri,
Një fshat ngjitej lart
Ne tokë binte tjetri.

Po luftrat nje dite
Shuhen,marin fund,
Fshati yt nuk fitoi
As fshati im s’u mund.

Mbeti vetem lisi
Përzhitur,nxirosur,
Me një hënë në skaj
Si bri i gjakosur.


SUVENIR

Cigare harruar 
që digjet, jep shpirt,
në tavllën e qelqtë
si krematorium i vogël.

Mua,
s’di pse më ngjan,
me një suvenir ikonik
në  katedralen e kujteses,
ku secili në heshtje
këndon hirin e vet


ZILKAT E ARGJËNDA BIEN NË MESNATË

Ai perëndimi i vogël
si gamile me flori,
që i binte dikur mbrëmjeve
mespermes qytetit;
ende shkon  e fle
te ajo lagja buze liqenit,
me shtëpite e vogla
si varkëza piratësh.
Zilka të argjënda
bien në mesnatë.


VETËM NGA NJË PLAGË

Vetëm nga një plagë,një pik lot,
një mister
Dhe shkoj në harrim,pa dhëmbje, ankime,
Hije e plakur,pa dritën e vet
Kruspull,kruspull
me errësiren time.

Dhe bie diku,humnerave pa fund
Ku askush s’të sheh,e askush s’të merr.
Dhe prap kthehem, zot  i yt dhe i vetes
Vetëm nga një plagë,një pikë lot,
një mister.


AUTOPORTRET

Krejt pa dashje
e ndoshta pa e kuptuar as vete,
portreti im qënka vizatuar
ne tokë!

(Ne tokë
i shkrova dikur
dhe vargjet e para!)

Miq,

Një plagë dielli
në baltën e vet!

Dhe  sic thotë poeti:

Askush s’mund te dojë
më fortë se plaga!..


STINË E VERDHË

Nuk dimë kush e ha
mjaltin e kësaj stine,

jeta apo vdekja.

Pas të verdhës,
përgjon e zeza.


E PAMUNDURA

Një mënyrë të të doja
se gjeta dot,
Po as të të  harroja
nuk munda kurresesi.

Se ti ishe thjesht
një e pamundur,
E vec kesaj,
je endrra
që ndodh.

E unë pa të,
do të isha i vdekur.


HIJA E ARDENICËS

Sa herë udhëtoj
për në shtëpinë
e një dielli të largët,
ku mblidhen shpirtrat
e njerëzve si unë,
pas më ndjek hija e një kodre,
dhe një pulëbardhë e hëntë
që rrëzohet mbi ujra,
si fletorkë e bardhë
me shënime shënjtori.
Ndaloj. Kohë e pakohë.
Eshtë casti të degjoj
Zotin tim.

Nga greminat e qiellit
rrëzohen zafirë, rubinë,
që vizatojnë në errësire
arkitekturën qiellore
te një kështjelle me yje,
ku nga fillimet e botës
e gjer në pafund,
bëjnë jetën e vet
shpirtrat e gjakut tim.

Nje ditë
edhe unë do te jem atje,
në ballkonet
e zotave mbi mjegull.

Ajo hija që më ndjek
e kurrë s’do më ndahet,
rrëzohet tutje
mbi  kreshtat e dallgëve,

pastaj ndizet si kishë
në mes të detit.


AMANETI I VETMITARIT TË MADH

Erdhi dita te vdes
Si në përrallat e mocme,
Me miq, shok,
Zot e mbretëri;

Amanet t’ju le
Të Bukurën e Dheut
Qe jeton e vetme
Në Pyllin e ZI.

Exit mobile version