Mikut tim, poetit Aliriza Gashi (1945-1997)
Lajmi për vdekjen e poetit Aliriza Gashi (një njoftim familjar në “Kohën ditore”), më pikëlloi pa masë, ashtu siç mund ta pikëllojë njeriun vdekja e një miku të dashur, por edhe e një krijuesi të cilin rrethanat jetësore e kanë çrrënjosur nga trualli i vet etnik, gjuhësor e kulturor për ta vendosur përgjithmonë në një mjedis tjetër.
Aliriza Gashi lindi në Cazin (Bosnjë e Hercegovinë) më 28 mars 1945, pak para përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe vdiq këto ditë pas një sëmundjeje të rëndë në Sarajevë, ku jetoi e punoi deri në fund të jetës. Ishte vijues pothuajse i rregullt i Seminarit të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare që mbahej në Prishtinë deri në vitin 1991, kur, për shkak të rrethanave të krijuara në Kosovë, pushoi së mbajturi.
Edhe pse shqiptar me origjinë (babai i tij, i cili u vra në luftë kur i biri ishte foshnjë, ishte nga Peja) Alirizai nuk shkruante shqip, por në gjuhën serbokroate, përkatësisht boshnjake. Ishte njëri nga krijuesit e çmuar të brezit të vet në mjedisin ku jetonte dhe krijonte. Botoi përmbledhjet me poezi: Përballë erës (1971), Kuq e zi (1973), Nga këndi im i vdekur (1982) etj., por edhe një varg shkrimesh kritike, publicistike, polemike etj.
Në Prishtinë, në botim të “Rilindjes”, në vitin 1984, iu botua zgjedhja e poezive me titull Dashuria e dytë, shqipëruar nga poeti dhe përkthyesi ynë i mirënjohur Esad Mekuli. Aliriza Gashin e kam njohur së pari si poet, kryesisht përmes këtij libri, ndërsa kontaktet e para me të i kam pasur në vitin 1985, kur në Sarajevë, në kuadër të manifestimit letrar ndërkombëtar, “Ditët poetike të Sarajevës”, u prezentua poezia shqipe. Organizatori i këtij manifestimi të njohur letrar ma pati besuar mua zgjedhjen e poezisë. Me kryetarin e këshillit organizues, poetin e njohur Husein Tahmishçiq, qemë marrë vesh që prezantimi të bëhej sipas çelësit gjuhësor e jo sipas atij regjional, që për arsye politike praktikohej në atë kohë. Kërkesës sime që të bëhej një zgjedhje e poezisë shqipe në ish-Jugosllavi (sipas kriterit gjuhësor) e jo e poezisë së Kosovës (sipas kriterit krahinor), kolegët nga Sarajeva i qenë përgjigjur pozitivisht. Fryt i këtij bashkëpunimi korrekt nga të dy palët, qe libri me titull Iz savremene albanske poezije u Jugoslaviji (Nga poezia bashkëkohore shqipe në Jugosllavi), i cili doli serbokroatisht si botim i manifestimit “Ditët poetike të Sarajevës” (1985). Zgjedhjen e poezive, parathënien dhe shënimet biobibliografike për autorët i pata bërë unë, kurse vargjet i përkthyen poetët dhe përkthyesit tanë të njohur Esad Mekuli, Enver Gjerqeku, Mirko Gashi etj. Ndonëse vëllimisht nuk ishte shumë i gjerë, kurse numri i poetëve të përfshirë në të mund të ishte më i madh, libri u prit mirë nga qarqet letrare në Sarajevë dhe më gjerë, kurse mbrëmja e poezisë shqipe (në të cilën mori pjesë edhe aktori ynë i mirënjohur Bekim Fehmiu), u vlerësua si një ngjarje e vërtetë kulturore. Prezantimit të poezisë shqipe iu dha publicitet i madh në shtyp, në radio dhe në televizionin e atjeshëm.
Njëri nga ata që iu gëzua më së shumti këtij prezantimi ishte pa dyshim poeti Aliriza Gashi, jo vetëm pse ishte njëri nga recensentët e librit, por edhe pse përmes tij flisnin vëllezërit e tij poetë të një gjaku. Mirëpo, në atë kohë kërkohej që prezantimet letrare të bëheshin sipas çelësit regjional (pra poezia e Kosovës, ku pos poetëve shqiptarë, duhej futur edhe serbë, malazez, turq etj.). Këso “antologjish” të poezisë shqipe (me Darinkën, Zllatanoviqin e Kostiqin brenda) patën hartuar edhe disa “dinjitarë” tanë të sotëm.[1] Scripta manent… Kështu qe prezantuar poezia shqipe në Mbrëmjet e Poezisë në Strugë dhe në Takimet poetike të Pivës në Mal të Zi, sikundër edhe në shumë manifestime të tjera letrare anembanë Jugosllavisë së atëhershme. Mu për këtë, pa kaluar shumë kohë, lidhur me prezantimin e poezisë shqipe në Sarajevë, pati edhe reagime negative, ndërsa për librin u zhvillua një polemikë e rreptë në shtyp. Ishte koha kur, pas ardhjes së Millosheviqit në krye të KQ të LK të Serbisë, pati shkallëzuar fushata e tërbuar antishqiptare; kur në Kosovë qe kurdisur e ashtuquajtura “afera Martinoviq”,[2] kurse 40 letrarë serbë e malazez nga Kosova (në mesin e tyre edhe ndonjë mysliman), të dirigjuar nga Beogradi e “Francuska 7”[3], patën dalë para opinionit jugosllav me një letër në të cilën derdhnin lotë krokodili për “diskriminimin” e tyre nga shqiptarët. Në takimin e kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve të Jugosllavisë, që u mbajt ato ditë në Lubjanë, disa nga nënshkruesit e kësaj letre (Petar Sariq, Darinka Jevriq etj.), në mesin e shumë shpifjeve e të pavërtetave të tjera për kinse “diskriminimin” e tyre në Shoqatën e Shkrimtarëve të Kosovës, sillnin edhe një “argument”: zgjedhjen e poezisë shqipe të botuar në Sarajevë, të cilën ata e cilësonin si “antologji etnikisht të pastër”, sepse në të kishin hyrë vetëm poetë shqiptarë e jo edhe serbë, malazez etj. Akuza e tillë kishte, natyrisht, konotacione politike; një veprim si ky vihej në lidhje të drejtpërdrejtë a të tërthortë me “kundërrevolucionin” në Kosovë dhe me “strategjinë” e “irredentës” për kinse Kosovën “etnikisht të pastër”. Regjisori i tërë kësaj butaforie, shkrimtari i njohur Miodrag Bullatoviq, i cili atëherë ishte kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Serbisë dhe lakejtë e tij në Prishtinë, nuk e kishin vështirë të gjenin edhe ndonjë bashkëmendimtar në Sarajevë, madje edhe nga radhët e krijuesve të kombësisë boshnjake (myslimane). I tillë është një letrar i quajtur Bajram Rexhepagiq, kolonel me gradë, i cili në gazetën “Svijet” të Sarajevës (14. III. 1986) kritikonte rreptë antologjinë me titull Nga poezia bashkëkohore shqipe në Jugosllavi (më shumë sesa antologji ajo ishte një panoramë), duke e cilësuar atë, njësoj sikurse kolegët e tij të Beogradit e të Prishtinës, si “antologji etnikisht të pastër”, kurse organizatorin, Këshillin e manifestimit letrar “Ditët poetike të Sarajevës”, e akuzonte pse e kishte lejuar një të tillë. Si njëri nga recensentët e librit, Aliriza Gashi do t’i përgjigjej menjëherë këtij “trabanti”, duke e marrë në mbrojtje me argumente letrare e kulturore zgjedhjen e poezisë shqipe, por edhe duke ia bërë me dije Rexhepagiqit dhe shokëve të tij se kishte qenë “i lumtur”, “shumë i lumtur” që e kishte nënshkruar një botim të tillë, e edhe më i lumtur që këtë antologji ua kishte shpërndarë “krijuesve nga e gjithë bota, mysafirëve të ‘Ditëve poetike të Sarajevës’ për vitin 1985”. (“Svijet”, 11. IV. 1986). Ndërkaq, duke iu përgjigjur vërejtjes së oponentit të tij se ai i quan shqiptarët në Jugosllavi popull (narod) e jo kombësi (narodnost), në replikën e tij të dytë, me titull “Kolonelit ka kush t’i shkruajë” (“Svijet”, 25. IV. 1986), Gashi, me guximin e krenarinë që e karakterizonte, shkruante: “Ta mohosh popullin tim nuk mundesh. I dobët je. Edhe moralisht, edhe intelektualisht. Tekefundit, ti s’je tjetër pos pasqyrë e padronëve të tu. A nuk e sheh sa ka ardhur koha t’i ndërrosh?”.
I tillë ishte Aliriza Gashi. Letërsinë e kulturën shqiptare, por edhe popullin shqiptar, ai e merrte në mbrojtje midis Sarajevës prej albanofobëve që u pengonte çdo gjë shqiptare. Si redaktor i Radio Sarajevës (programi kulturor), Alirizai kujdesej vazhdimisht për afirmimin e letërsisë shqipe. Lëshonte poezi të poetëve të njohur, bënte intervista me shkrimtarë etj. Në vitin 1988, kur marrëdhëniet kulturore midis Jugosllavisë dhe Shqipërisë ishin plotësisht të ngrira, ai emetoi një cikël të gjerë poezish nga Moikom Zeqo (rreth njëzet sosh), të përkthyera në gjuhën boshnjake nga autori i këtyre radhëve.
Kur Bosnjën e përfshiu lufta e tmerrshme, Aliriza Gashi nuk u largua nga Sarajeva (si shumë të tjerë), por qëndroi aty. Në krye të detyrës. Kam dëgjuar se gjatë luftës është graduar si ushtarak (Gashi ishte luftarak), por nuk e di a është e vërtetë.
Diku në pranverë të vitit 1992, një të diel, më mori në telefon nga Sarajeva. Kjo qe hera e fundit që u dëgjuam bashkë. Kur e pyeta se nga fliste: nga shtëpia apo nga puna, ai m’u përgjigj: “Çfarë shtëpie! Në banesën time kanë hyrë çetnikët! Unë fle në radio. Djali më është plagosur pak, por shpëtoi (kishte vetëm një djalë – ndërhyrja ime, A. V.). Tani ata bëjnë qejf atje. Në apartamentin tim. Më së shumti më vjen keq për librat!” – më pati thënë miku im poet. Zëri i tij më vinte i largët. Si nga Hadi.
Me atë rast, miku im Aliriza më dha edhe një porosi, që s’do ta harroj kurrë, sa të jem gjallë: “Nëse kris te ju, i dashur Agim, të lutem largoji fëmijët!”.
Pastaj ndodhi ajo që ndodhi. Lidhjet me Sarajevën u ndërprenë krejtësisht dhe kurrë më s’u pamë, as s’u dëgjuam.
Dy ditë para se ta merrja lajmin për vdekjen e mikut tim të shtrenjtë, poetit Aliriza Gashi, te dyert e Teatrit të Kombësive në Shkup takova aktorin dhe poetin Selman Jusufi. Më tha se të nesërmen do të niseshin për në Sarajevë me trupën e Teatrit, ku do të jepnin “Mbretin Lir” të Shekspirit. E porosita që të interesohej për Aliriza Gashin, që mundësisht edhe të takohej me të dhe t’ia përcillte të falat e mia. Më premtoi se po dhe e di se Selmani e mban fjalën.
Kur u ktheva në Prishtinë pashë në gazetë lajmin për vdekjen e tij. “Aliriza (Ali) Gashi vdiq më 17.10.1997 në Sarajevë. Familja Gashi nga Prishtina, Peja dhe Beogradi”. Ç’t’i thuash kësaj: parandjenjë apo rastësi? E tillë është jeta. Tragjike. Dramatike. Cinike. Ironike. Groteske. Si në teatrin e Shekspirit.
[1] “Dinjitarët” që kanë bërë antologji të përziera: Vehap Shita, Hasan Mekuli, Ibrahim Rugova.
[2] “Afera Martinoviq”, një pederast serb nga Gjilani, që lëndoi veten me shishe në arë dhe tha se këtë ia kishin bërë shqiptarët (akuzë e rëndë). E vërteta doli në sheh, por serbët e morën në Beograd dhe e shpallën “shenjt”.
[3] Në rrugën “Francuska 7” në Beograd gjendej selia e Shoqatës së Shkrimtarëve të Serbisë.