TË NUMËROSH HAPAT…
Në shtegun e mosardhjes tënde
eci në maj të të gishtërinjve.
Gishtat e njërës dorë
mbajnë shtrënguar mungesën tënde
në tjetrën dorë
gishtat shtrëngojnë pritjen.
Mendja ka numëruar të pafjalat çaste
që gumëzhijnë nga emërtimet,
por zemra nuk ndalet te kjo pritë
me hendeqe mosfjalësie
dhe më urdhëron
që shtegun e mosardhjes tënde
ta kaloj me fjalë ardhjesh dhe pranie.
Unë afroj dy duart drejt zemrës
ku pritja dhe mungesa shihen në sy .
A ke nevojë ti për një fjalë?
A do të shihemi me mendime?
A mund të shtrihem te vështrimi yt?
Sytë e tu janë vendfalje
të mprehura prej zemërimit
dhe dëshirës për të më përqafuar.
Shtegu i mosardhjes tënde
kalohet përmes syve
sepse vetëm atje ka dritë
për të parë se përse ja vlen të ecësh.
….Shtegu i mosardhjes e ka ndarë kohën
në dy brigje, që lidhen me urën mbi lumin e vetmisë,
një urë që mund të rrëzohet
nëse ti nuk e mban me dy duar…
TIM BIRI
Të mas shtatin me buzëqeshje,
e gjithnjë më del më i gjatë se sa ëndrrat e mia për ty.
Zemra ime, veç një telajo e dëshirave,
që pret dorën tënde të pikturosh vetveten,
me lutjet e mia dhe ngjyrat e tua.
Ti më rrëfen me detaje pa fund
sa herë gjunjët ke vrarë,
e tani qesh për atë që dikur ke qarë…
Foto e tim eti përballë.
Ti më i gjatë se unë
më përqafon dhe kalon dorën nëpër kokën time.
Nga foto dëgjoj zërin e tim eti-
jeni rritur të dy!
Ngrihem dhe vendosim një foto tënden ngjitur me të babait.
Shpirti im përkulet si një urë,
dhe ju ndjej se si kaloni të dy përdore…
MALI I MALLIT TIM
Me gjasë Malli është Mali me një L më shumë…
A nuk duhet të ngjisim qindra fjalë e mendime
për dikë që na mungon?
A nuk zbresin fjalët si ujvarë,
kur mallin duam ta rrëfejmë përballë dikujt,
mungesa e të cilit na zvogëlon shtratin e frymëmarrjes?
Malli është Mali me një L,
fuqinë e së cilës ndonjëherë e marrim si Lojë,
pa ditur se është Lumturi,
pa ditur se është Lumë brenda nesh,
pa ditur se është Lundrim, drejt thellësisë së fjalëve.
Mali është aty, dhe fuqinë me një L më shumë,
duhet ta shohim brenda nesh
për t’ia dhënë hartën e lartësive
që çdonjëri mbart nëpër damarë!
“LAMTUMIRË THONË ATA QË S’DINË TË DASHUROJNË!”
Ka puthje që u përkasin veç buzëve.
Janë puthje dashurie që shkasin nëpër lëkurë,
e shkrijnë çdo mungesë,
çdo zemërim, çdo të pathënë.
Ka puthje që vijnë nga mendja,
janë puthje që nisin nga sytë,
janë puthje që i përkasin largësive.
Puthjet e syve janë dyer që puthiten
Si përpara një furtune,
që kërkon të marrë përpara gjithçka.
….
Teksa ai kërkoi t’i rrëfente ikjen e tij,
ajo i vuri një gisht në buzë,
e i përshpëriti lehtë duke e parë në sy:
“Lamtumirat s’më pëlqejnë,
lamtumirë thonë veç ata që s’dinë dashurojnë”!
SHPIRTI YT BANON TE UNË
shpirti yt banon te unë,
nuk mundem asnjë derë t’ia mbyll,
as çelësa për të s’kam prej kohësh.
Shpirti yt mëngjeseve shëtit nëpër damarë,
mbrëmjeve i pëlqen të bëhet lot,
dhe unë kam frikë që mos kripa e fortë e mungesave,
e kthen në statujë teksa kthen kokën,
duke qeshur me fytyrën time
teksa pritja ka ndërtuar fole,
mbi qerpikët e mi!
NËSE DO DIKË..
Nëse do dikë,
bëji pyetje pa fund,
regjistroja zërin,
pikturoja heshtjen me panelin e syve të tu,
puthja qafën dhe kaharorin me vështrime.
Mos ja ndaj sytë kur ecën, kur lahet,
kur mbyll sytë të dremisë.
Dashurohu me zgjimin,
me cigaren se si i digjet mes gishtërinjve.
Shijoje atë takim të buzëve me ushqimin,
ndiq lëvizjen e dhëmbëve teksa mposhtin gjithçka
ashtu ngadalë, por plot siguri.
Pastaj, shtrihu në krah,
dhe përshpëriti me një zë që ta dëgjosh veç ti-
Të dua aq shumë, sa mund të të lë veç të lirë!
“A MUND TË TË MBAJ”?
Kam dëgjuar një shprehje
në një film, kur isha i ri:
“A mund të të mbaj”?
Që kur të njoha ty kjo pyetje bëri fole në shpirtin tim,
ku ushqen një zogth që më cicëron nëpër kraharor.
Kur më përqafon ky zogth më cicërin brinjë më brinjë
duke kërkuar të të mbaj gjatë shtrënguar!
Kur nuk të shoh, ky zog më jep krahët e vet,
gjersa ndjej se mund të fluturoj brenda teje.
Duke fluturuar brenda teje,
kuptova se historia jonë e dashurisë,
duhet t’u japë fund të gjitha historive të mëparshme të dashurisë.
Ti më pëshpërit ngadalë në shpirt:
“të dua si një mik të ngushtë
për të qeshur me ty”.
E unë përfytyroj se si nuk ngopesh kurrë
duke puthur buzët e mia.
Kam në çdo çast jehonën e fjalëve të tua:
“Dua të laj enët me ty duke imagjinuar
kënaqësi mëkatare mbi banakun e kuzhinës”.
E nëpër lëkurë të ndjej ashtu
si nata e dita këmbejnë fuqinë e tyre,
mëngjeseve e mbrëmjeve.
Duke kënduar kuptova se të dua ty, dua Ne.
Dua të mirën, të keqen dhe të shëmtuarën.
Dua përrallën, të kompletuar me aventura pasionante…
Ne fakt, më dhe të kuptoj se të dua në kaq shumë mënyra…
ndoshta edhe në mënyra
që nuk i kam kuptuar ende plotësisht.
***
Herën tjetër, kur të më marrësh në kërcim,
të lutem më pëshpërit butë në vesh,
duke më dhënë sigurinë se ti je këtu
për të qëndruar gjithmonë,
dhe unë,
në fakt,
mund të të mbaj përgjithmonë!
UDHËT DHE ZEMRA
Kur pyetjet më pushtojnë mendjen, mbështetem te zemra,
kur më pushtojnë rrahjet në gjoks,
mendjes i kërkoj të jetë rojtare,
që asnjë rrahje të mos ngutet në mendime.
….Zemra e pyet mendjen për udhët,
por udhët pa zemrën janë thjesht metra.