Kreu Letërsi Shënime mbi libra Ornela Sinameta: Udhëtim në shtigjet e shenjuara prej ravës së Dranjes

Ornela Sinameta: Udhëtim në shtigjet e shenjuara prej ravës së Dranjes

Ka një lloj mistike të fjalës në prozën poetike të Camajt, që lidhet ndoshta me mëdyshjen, mallin, pasigurinë apo pendimin që sugjeron ajo, e unë si lexuese hera herës e shoh veten si shoqëruese të unit lirik në rrugëtimin e tij në kërkimin e një identiteti të hershëm, të humbur.

Jam aty kur nga përbrenda kothrës së Dranjes plas klithma e padëgjuar kurrë për aq kohë sa qe gjallë… unë jam aty, një fije bari e brishtë që lëkundet nga era, por nuk shkulet, nuk këputet, sepse jam një me tokën time. Jam njëherësh në bjeshkë, në livadh, në vatër, në gurin e saj, se bëhem ashti i saj. Unë i shoh shpirtrat tek prehen në bjeshkët e bardha, e vetme, pasi jam ngushtësisht e lidhur me vjetërsinë e tyre. Jam një nga bletat që bien ndër karta pa krena, që dëshmoj vdekjen e një gjuhe dikur të folur, pse jam metafora e gjuhës që tregon ç’ka ngelur nga koha e etërve. Unë jam dridhja e ajrit e shkaktuar prej kërcimit të notave muzikore, atë mbrëmje vere me hënë këngëtare që ndriçon vilën ku dëgjohet koncerti, sepse jam simbol i jetës që nuk dihet ku nis e ku mbaron.

Unë jam asgjë e gjithçka njëherazi kur lexoj artin poetik të Camajt, ngase jam një me gjuhën e tij që fluturon përmbi çdo rregull sintaksor dhe mbart një lakonizëm të shprehisë malësore.

Për ta qendërzuar trajtesën e prozës poetike të cilën do ta marrim në shqyrtim përgjatë këtij punimi, mund të thuhet se gjatë përsiatjeve për të depërtuar në tekst zbulimet prej lexuesje kanë qenë afërmendsh, të papritura. E për t’i rënë pas këtij pohimi me detyrimin (moral) që të justifikohet e mbështetet, analiza do të përqëndrohet në aspekte të tilla si:

I.             La persona bashkëudhëtar i heshtur i Dranjes; figura enigmatike që nganjëherë na bën të vëmë në diskutim qenësinë e paprekshme të Dranjes, krahas përjetimeve të dhëna shpesh prej zërit rrëfimtar. A udhëton Dranja vetëm?

II.            Rrugëtimi i Dranjes: ndryshimi rrënjësor që pëson ajo pas çdo shtegtimi.

Përmes një leximi vertikal, veçse pa rrezen ultraviolet të Murgut në bibliotekën e Vatikanit, do të bëhet një përpjekje për të hedhur dritë mbi çështjet e cekura më lart, për të realizuar një analizë të qenësishme të botës poetike të Camajt, të parimeve themelore të estetikës së tij, dhe të mënyrës si artikulohen ato në rastin në fjalë.

I.  Simbolika e rrëfimtarit si bashkëbisedues dhe bashkëudhëtar i Dranjes.

Një ndër tiparet më përfaqësuese të poetikës së Martin Camajt është i ashtuquajturi impersonalizëm, çka ka të bëjë me unin e tij lirik të paangazhuar[1], i cili nënkupton që ai kap thelbin e dukurisë, e trajton atë me një sistem të konsoliduar gjuhësor dhe figurativ dhe ndërkaq, vendos një distancë të pacënueshme ndërmjet vetë autorit dhe unit lirik apo zërit rrëfimtar, siç është rasti i rrëfimit te Dranja. Te kjo e fundit nuk kuptohet kush po flet, por shkaktohet një ndjenjë specifike tek ai që lexon, duke nënkuptuar kështu se letërsia e Camajt është një letërsi e lexuar, ku roli kryesor për dekodifikimin e tekstit i takon lexuesit. Te Dranja zëri rrëfimtar shërben si udhërrëfyes për lexuesin, pse pa të, procesi i dekodifikimit të tekstit në tërësi do të qe në zgrip të së vështirës e të pamundurës, mirëpo, përgjatë këtij procesi, në çaste që ndjekin njëra-tjetrën, natyrshëm lind një dyshim për atë që rrëfen, duke qenë se të rrëfyerit nuk duket të jetë gjithnjë objektiv apo nga një sy i largët, pa lidhje shpirtërore me situatën, vendin, e specifikisht me atë që përfaqëson Dranja.

Në shumicën e madrigaleve duket sikur rrëfimtari është mik i ngushtë i Dranjes, gjithmonë në optikën e tij, se Dranja qëndron përherë e vetme, e paepur ndaj çdo tentative të ndokujt për t’iu qasur, për mirë a për keq. Sa i përket kësaj çështjeje, studiuesi Behar Gjoka shprehet se leximi i këtij teksti letrar, është i mbingarkuar si përvojë dhe mënyrë shkrimi, për vetë faktin se është shkruar me një qasje origjinale, autentike dhe formalistike që ngërthen në vetvete si rrëfimin, ashtu edhe  rrëfimtarin i cili bashkëbisedon me Dranjen – breshkë dhe me gjithë mjedisin rreth e qark, por që në shtresëzimet e veta tekstologjike mund të hetohet, jo pa vështirësi, për shkak të eksperimentit të gjithanshëm, të kryer në të gjithë stukturën tekstologjike.[2] Kështu, në vazhdën e këtij argumenti, në madrigalin “Një botë në vete” artikulohet qenia e Dranjes si një frymor i patundshëm, i cili jeton më vete, për vete, por që me çdo hedhje vështrimi në një cep tjetër të vendit, të ndriçuar prej diellit, ajo rritet, formësohet, e pritshmëritë e saj për botën përreth gjithashtu. Në këtë madrigal, rrëfimtari e pozicionon veten jashtë ngjarjes, si rrëfimtar heterodiegjetik, dhe marrëdhënien me Dranjen ia atribuon atij që e quan “poeti”. Për ta qartësuar:

“Poetit që e vëren Dranjen po në këtë timtë s’i shkon mendja te punët e saj të mbrendshme: në vetmi ai përtyp në tru si breshka na qenka kosmopolite e mirëfilltë vetëm pse kupa e rrashtës së saj i përngjet gjysmës së rruzullit me njolla dhenash të çdo ngjyre, si racat e ndryshme në të. Por ai ashtë edhe i zoti ta ndreqë rëmimin e vet, kur ndalet dhe vëren Dranjen nënçmueshëm e thotë:

Dam, që askush s’e ditka se një rruzull i tillë na paska po në thelb një zemër breshke!”.[3]

Poeti të cilin përshkruan zëri rrëfimtar duket të jetë i vetmi person që e kupton botën e Dranjes, sheh përmes syve të saj, ngase sheh në të atë që të tjerët nuk e shohin, madje, e përçmojnë. Dranja për poetin mbart në rrashtën e saj gjysmën e rruzullit tokësor, ajo breshkë, qenie që frymon në një trup që qarkullon gjak të ftohtë.

Ndërkaq, nëse deri tani u fol për një lloj atribuimi të përjetimit nga zëri rrëfimtar tek ai që e quan “poeti”, në madrigale të tjera rrëfimin kalon në vetën e parë, ose duke kombinuar vetën e tretë me të parën, ku flitet për marrëdhënien e ngushtë me qenies së vet (unë) dhe breshkës – trëndafile. Për shembull, në madrigalin “Në shtratin e merimangës”, vërehet një depërtim në psikën e emnit të gruas që mbart breshka, lidhur me viset që po përshkon, të cilat me ç’lë lë të kuptohet zëri rrëfimtar, janë shtigje të shkreta, të pashkelura prej kohësh jo vetëm prej këmbës së njeriut, por të çdo qenieje frymore. Në këto shtigje të harruara, shkel këmba e Dranjes, e mbarsur me kujtesë të ringjallur nga kontakti i tokës mijëravjeçare, dikur ilire, më herët akoma pagane, me këmbën e një gjysmë-zvarraniku dheas, i cili mbart në rrashtën e vet atë që quajmë kujtesë kolektive. Këmba e saj ka shkelur vise të tjera më parë, shtigje të relievit të trojeve të veta, dhe zëri rrëfimtar këtë e sheh në ravën e drejtë që lë breshka në tokën e zhvirgjëruar para shumë kohësh, e të kyçur përsëri në një virgjëri të përkohshme. Rrëfimi nis në vetën e tretë, ndërsa në paragrafin e dytë vërehet një kalim gradual në vetën e parë duke qenë se realizohet shkrirja e përjetimit të atij që po rrëfen, me atë të Dranjes.

“U fik mendimi i ditës punëtore në mue”![4]

Ky është çasti kur zëri rrëfimtar e humb kontaktin me realitetin e rëndomtë njerëzor, me atë që e lidh me njeriun e kohës dhe me domosdoshmërinë e të punuarit për të mbijetuar. Përmes Dranjes ai gjen një shteg për t’u lidhur me rrënjët e veta, me dheun e vet të lënë në harresë. E ndjek me sy, e pastaj me këmbë madrigal pas madrigali, si të qe Dranja një plakë e moçme dhe e gjithëditshme, të cilës mund t’i besojë verbërisht.

“Dhe e ndoqa atij shtegu deri në fund, ku mori fijet e shtratit të marimangës me krye dhe i përzieu ndër gishta me dijen e grues vdektare, tue i endë poshtë e përpjetë nëpër shkorre. Ndër sy sa grimca në ballin e shëmtuem të breshkës Dranje zhbërtheu hareja e një loje të fitueme”.[5]

Më tej, në madrigalin “Një gropëz për një drandofile” metafora është zhbiriluese. Ashtu siç është procesi i gërmimit me duar në dhe një mënyrë zhbirilimi, me një gjuhë jashtëzakonisht të kujdesshme dhe leksik të përzgjedhur që i takon fushës semantikore të vdekjes, e cila domosdo lidhet me nëntokën, arrihet të depërtohet në psikën e aktit të vetgroposjes së Dranjes, si një qenie e ndërmjetme dhe tejet komplekse. Fjalët vërtiten në formën e rrathëve centrikë në një koncept të qendërzuar, atë të nëntokës, bartëse të vdekjes, dhe breshkës, përfaqësuese e dy botëve, asaj të nëndheshmes, ashtu edhe asaj njerëzores, së gjallës. Që në hyrje të madrigalit nis të përshkruhet procesi i vetëvarrosjes së breshkës, të cilin ajo e kryen kur koha nis të ftohet, për të mbajtur temperaturën e trupit të vet të qëndrueshme, me qëllim që të sigurojë mbijetesën. Është e pazakontë mënyra si ky proces kaq dridhërues në perceptimin e ndonjë qenieje njerëzore, paralelizohet me një veprimtari krejt të zakonshme të kësaj të fundit, siç është futja e këmbës në këpucë, apo pranëvënia me bujkun. Zëri rrëfimtar pozicionohet në një qoshk, në të cilin arrin t’i sigurojë vetes një pamje të qartë të vetgroposjes për së gjalli të kësaj krijese enigmatike, ndërkohë që grahma e vdekjes i buçet në tëmtha, aq sa e bën të largohet një copë herë prej andej, për t’u kthyer më vonë e për të gjetur veç një gropëz të mbetur në dhe nga vetëvarrosja jetike e Dranjes.

“Kah ora dy mbasdite u ktheva e pashë se i kish mbetë jashtë vetëm koka; në ora tre u zhduk. Mbi të dheu rrëshqiste si ujë që rrjedh qartë, diçka si shorti e fshehtë. Në fund mbeti aty vetëm një gropëz me pluhën të imët si vend i gatuem për mbjelljen e një bime, ndoshta drandofille”. [6]

Është çoroditëse kjo pranëvënie e dy koncepteve krejt të kundërta me njëra-tjetrën, në të njëjtën fjali. Dheu mbart dy skajet e kësaj bote: përmbi mban jetën, atë që gjallon, frymon, lind e rritet, dhe nën vete mban atë që ngel pas përfundimit të kësaj jete: vdekjen. Si i tillë dheu del në këtë madrigal si simbol dydimensional, në të cilin gropëza e hapur pas një groposjeje të një qenieje të gjallë, pret nisjen e një jete tjetër, të një trëndafili, precipitat të qenies së Dranjes.

Zëri rrëfimtar, diku poet e diku djalosh, herë e sheh Dranjen prej së largu, herë i qaset e herë të tjera bëhet një me të, me frymën e ashtit të saj. Një gjë është e sigurtë, që si pranë, si larg saj, ai është bashkëudhëtar i breshkës-drandofille, dhe pa diskutim, e sheh botën përmes syve të saj.

II. Rrugëtimi i Dranjes: luftë e brendshme për mos me dalë prej rrashtës së vet.

Dranja njihet me lexuesin në rrethana krejt të zakonshme për një cikël jetësor breshke. Takimin e parë do ta ketë me veten dhe me “atë që i ka zanë shtatin”, si simbol i pjellorisë së krijesës femërore në tërësi dhe tokës prej së cilës del porsa nisin të ndriçojnë rrezet e para të diellit pranveror. Në një nga madrigalet nistore të pjesës së parë “Ndërdyzash si të huej mbi dhe”, zëri rrëfimtar përshkruan çastet e para të njohjes me Dranjen, e cila na del si një plakë e lodhur, e ngathët, me sjelljet tipike të një breshke që nxiton të ngrohet e jetojë ato muaj që ia lejojnë, për t’u futur më pas nën dhe, siç ia kërkon natyra.

“Dranja thith prej kungullit të tretun nën arë pakëz lang dhe lëpihet  mandej si plakë pa dhambë tue shtypë fashollin e mjaltit. Vetvetiu tregon pa të keq mes buzëve të bymueme gjuhën e kuqe”. [7]

Gjuha e kuqe e Dranjes mund të jetë një tipar pa rëndësi në dukje të parë,  por duke marrë parasysh gjuhën tejet të kujdesshme dhe skajshmërisht të ekonomizuar të Camajt, ky detaj nuk mund të kalohet pa u vënë në pah e pa u ndalur për ta analizuar më tej. Ajo mund të konsiderohet një detaj implikues i fuqisë së jetës që mbart në qenien e vet breshka – trëndafile. Bazuar në këtë tipar përshkruhet gradualisht madrigal pas madrigali vijimësia e zhvillimit të Dranjes dhe shpërthimi i kësaj fuqie jetësore, edhe pasi trupi i rrudhur i Dranjes ndahet prej zhguallit. Ky i fundit gjallon jetë, rini, freski e mbi të gjitha, qëndresë.

Mirëpo, ndryshimi i dukshëm i Dranjes vjen duke u shkallëzuar në rritje. Ajo nuk është një breshkë e zakonshme. Dranja rritet duke kaluar nëpër faza zhvillimi të cilat do të ishin tipike për një qenie njerëzore e cila pas çdo udhëtimi dhe përballjeje me botën, piqet, madje në ndoca raste tjetërsohet, duke i lënë shëndenë asaj që ka qenë dikur. Ky është rasti i Dranjes vocërrake. Dy madrigale më tej, te “Si gjarpri nën gurë” i paraprihet këtij shpërthimi të saj:

 “ Breshka e vogël ende shkurtpamëse e ndjeu rrezikun vetëm nëpër rryme të lëvizjeve të sendeve përreth”.[8]

Me përdorimin e ndajfoljes ende, zëri rrëfimtar i paraprin rrëfimit të një vazhdimësie të rritjes së saj. Në mbështetje të këtij argumenti shprehet edhe studiuesi Arshi Pipa:

“Endjet ia kanë ndryshuar pjesërisht zakonet. Ajo ka nisur të pëlqejë qumështin, duke u afruar kështu me sisorët. Ajo madje ka zhvilluar një shije për muzikën moderne”.[9]

Nëse pjesa e parë e madrigaleve të tufëzuara, nën titullin “Përvojë jete”, artikulon fillesat e ngritjes së kresë së vogël por sa një botë të breshkëzës, në pjesën e dytë të titulluar “Mprehje shqisash”, lexuesit i premtohet qysh në krye të herës një njohje e thellë e botës përreth nga ana e Dranjes. Në këtë pjesë breshka i ushqen mendtë e trupin me vende, peizazhe dhe ndjesi të reja. Ajo udhëton, ndahet prej simotrave për të vazhduar jetën e vet e pavarur, sepse qysh prej fillimit, çdo gjë brenda qenies së saj gjallonte ndryshe nga pjesa tjetër e tufës.

Në madrigalin “Në pranverën e vonë”, lexuesi pret që në stinën e acartë që përshkruhet, Dranja të vetëvarroset siç u pa edhe në pjesën e parë. Por nuk ndodh kështu, ngase tashmë asaj i janë mprehur shqisat, dhe si rrjedhojë, zotëron gjithë fuqinë për t’i bërë ballë edhe acarit:

“Tri pllambë nën dhe, u ngrinë frymorët gjumashë, gjarpni e urithi, por jo Dranja! […] Përpara se me sosë rrebeshi mbi dhe, i plasi delli Dranjes nga uja, i plasi edhe jermi si vezë me zog përmbrenda. Shpërtheu tokën mbi vete, e doli dimnit përballë”![10]

Një kryengritje e tillë nuk do të pritej nga një breshkë, por duke duke e njohur në këtë fazë të leximit personalitetin e formuar shkallë – shkallë të breshkës – trëndafile, lexuesit i mbetet thjesht të mëtojë më tej për të zbuluar pikën kulmore të zhvillimit të kësaj krijese të pashoqe. Sa më shumë udhëton Dranja, aq më e panginjur bëhet për ta ngopur syrin me vise të tjera të vendit të vet.

“Breshka Dranje ndërroi disa herë në jetë plëng e vise. E sa ma shumë endet, vendi s’i zen vend.”[11]

Por sado të mbushet së brendshmi nga përvojat e reja, Dranja vetëdijësohet për vlerën e vendit të cilit i përket; tokës së thatë si buka. Në këtë pikëvështrim mund të duket sikur prej saj mund të mësohet shumë. Syri dhe mendja duhen ushqyer, duhet të jenë sa më largpamës, e t’i çojnë këmbët në vise të pamjohura, për ta mbushur qenien me njohje dhe dije, të cilat së fundmi duhen përdorur në shërbim të tokës së cilës i përket. Këtë mëton të bëjë edhe zëri rrëfimtar që e ndjek Dranjen hap pas hapi në rrugëtimin e saj, duke iu bërë bashkëudhëtar i heshur, thellësisht i ndjeshëm.

Me gjithë përvojat e veta jetësore, nuk mund të kalohet pa u vënë në pah fakti që Dranja shpesh tundohet nga jeta njerëzore, sado që në fund, nuk bie pre e këtij tundimi. Në vazhdën e këtij pohimi Pipa shprehet se pavarësisht se Dranja u tundua të jetonte me ta, vendos të largohet, “prej frike se po humb në një dhe të zi tiparet e veta të mira, kryekreje dukjen e jashtme të kurrizit pasun me lara”. Duke ardhur më së fundi në shtëpi ajo mezi njihet nga raca e vet.[12]

Kjo është sfida e Dranjes për mos me dalë nga rrashta e vet. Tjetërsimi që pësoi pas gjithë endjeve nëpër vise të pashkelura prej breshkave, kishte këtë çmim, dhe dalja prej rrashtës është metaforë e humbjes së vetvetes në mjedise që nuk e lejojnë frymën e saj të përzihet vetëm me oksigjenin në natyrë. Dranja doli prej rrashtës së saj më në fund, por jo në këto rrethana. Me gjithë përvojën jetësore të saj, fuqia ia braktis trupin dalëngadalë dhe lë natyrën të çojë në fund procesin e vet. Tashmë prej saj do të mbetet veç rrashta, si dëshmitare dhe bartëse e kujtesës kolektive, shkelëse e tokave të harruara, gërmihëse e dheut vendas për të mbërritur rrënjët e veta. Dhe është pikërisht kjo rrashtë e Dranjes ajo që do të qëndrojë si përkrenare pranë autorëve të lashtë, librit të madh të folklorit dhe vetë poetit, bashkëudhëtarit të saj besnik, përjetë.


[1]  Bavjola Shatro, “Fjala dhe ontologjia në poezinë shqipe”, botimet “Dita 2000”, Tiranë 2012, f. 132.

[2]  Behar Gjoka, “Martin Camaj, shkrimtaria e tij”, botimet “Ombra”, Tiranë 2010, f. 283.

[3]  Martin Camaj, “Dranja”, “Një botë në vete”, botimet “Onufri”, Tiranë 2012, f.60.

[4]  Po aty, “Në shtratin e merimangës”, f. 54.

[5]  Po aty.

[6]  Po aty, “Një gropëz për një drandofille”, f. 57.

[7]  Po aty, “Ndërdyzash si të huej mbi dhe”, f. 53.

[8]  Po aty, “Si gjarpri nën gurë”, f. 55.

[9]  Arshi Pipa në parathënien e “Dranja”, botimet “Onufri”, Tiranë 2012, f. 22.

[10]  Martin Camaj, “Dranja”, “Në pranverën e vonë”, botimet “Onufri”, Tiranë 2012, f.22.

[11]  Po aty, “Kthimi te toka e thatë si buka”, f. 98.

[12]  Arshi Pipa, po aty, f. 23.          

Exit mobile version