Kreu Letërsi Shënime mbi libra Ndue Ukaj: Stefan Çapaliku – Camera obscura

Ndue Ukaj: Stefan Çapaliku – Camera obscura

“Camera obscura” është libri me poezi i shkrimtarit Stefan Çapaliku, botuar vitin e kaluar, nga Botimet “Fishta”, në të cilën, poeti me shpirt kontemplativ, shkruan për eklipse shpirtërore, e për ato rrezet e dritës që hyjnë në një dhomë dhe u japin kuptim gjërave, e pakta, i bëjnë të ndritshme; shkruan për një fotografi që kthehet në imazh e një imazh që merr shpirt e bëhet tingull. Dhe si poet, pikturon imazhe, plot ngjyra dhe krijon të vërteta të bukura poetike.

Shpirti krijues i Stefanit është i vrullshëm, ai vëzhgon  rreth e përqark me mprehtësi prej krijuesi, transfiguron gjendjet shpirtërore në figura e imazhe, flet për ëndrrat e ankthet, si vëzhgues e meditues i realiteteve të përditshme, i atyre imtësive të vogla, që e përbëjnë jetën e madhe të poezisë. Dhe jeta e madhe e kësaj poezie është atemporale, me situata e imazhe që mund të duken si çaste, të cilat kthehen në realitete gjuhësore.

Stefani është shkrimtar me botë krejt të veçantë krijuese. Është artist në kuptimin më të lartë të fjalës, që zotëron dije enciklopedike dhe ndjesi të kultivuara për të bukurën, si për atë universale, po ashtu edhe për atë lokale. Dhe në sistemin e të bukurës imagjinatave, ai në epiqendër e vendos njeriun. Dhe njeriu i Stefanit është vetvetja e tij krijuesi, nëpër trajektoret e jetës, dhe tjetri, si subjekt e objekt që vihen në raporte të ndërliqshme, në të cilat, ai flet për ato çaste të mistershme, kur një zemër errësohet apo e kundërta mbushet plot dritë.

Duke i shënjuar situatat e duke i kthyer ndjesitë në krijime gjuhësore, ai u jep atyre gjallëri, forcë poetike, intensitet emocional e vleftë artistike, duke përçuar mesazhe të vlefshme për lexuesin. Për mua, kjo është bukuria e artit të tij, një bukuri që të kënaq, të argëton, të jep informacione dhe të pasuron, në pikëpamje shpirtërore e intelektuale. Poeti shkruan për situata që e shënjojnë jetën e tij, për kujtesën e ëndrrat e pamundshme, për ato dëshira të mbetura udhëve të jetës, shkruan për qytetin e për njerëzit, për artin e për ato gjëra që e bëjnë jetën të bukur, për të djeshmen e mëngjeset e bukura, për Shkodrën e të emën, për një kalim doganor e një të djeshme që e godet harresa, për kujtimet e fëmijërisë e për figura të njohura, të artit  të besimit, për rapsodi hungareze, për turistët buzë detit, për Elin, nënën që nuk i besonte asgjë Radio Tiranës, për njeriun që do të ketë të hënën e vet, për një ditë të tij, për një klerik të njohur fetar, për vjeshtën. Pra, poeti krijon një gjithësi poetike.

Është shkrimtari Hose Luis Borges që më vjen në mend sa herë lexoj poezi, ai që mendonte poezinë si diçka aq intime, diçka aq thelbësore sa nuk mund të përkufizohej pa u tretur.

Por farë ndodh kur tretet poezia?

Ku shfaqet ajo?

Në mendjen time shkreptijnë si rrufeja përgjigje, njëra që thotë se trupi ynë do të jetë më i shëndosh,  sytë më vezullues, shikimi më i kthjellët, udhët më të qartë, ambicia për liri të panegociueshme, njerëzit nuk do të rendnin t’i depozitonin ndjesitë e lirinë e tyre te oborri i xhelatëve. Dhe me siguri, vargu i përgjigjeve mund të jetë më i gjatë, me variante prej ma të çuditshmëve.

E në këtë libër, Stefani ka krijuar të vërteta poetike, me një gjuhë të rrjedhshme, e figura stilistike goditëse, një sistem poetik plot gjallëri letrare.

Unë poezinë e lexoj me gëzim dhe e përjetoj si dalldi krijuese. Dhe me këto ndjesi, i kam tretë poezitë e këtij libri, që nis si një melodi e qetë, por që ka edhe intensitet të fortë emocional e të godet. Kaloj prej faqe në faqe, si një lexues krijues, dhe përsëris atë që mund ta kenë thënë shumë shkrimtarë: poezia është diçka e papërkufizuar si vetë dashuria, prandaj atë duhet ta ndiejmë e ta tretim.

Dhe ky libër ka  melodinë e tingujve që ngjajnë si fëshfërima të lehta gjethesh vjeshte, që bien paqësisht në tokë dhe krijojnë piktura në natyrë ose melodinë e zogjve që tregojnë se po vjen pranvera, gjallëria, stina e jetës dhe e ripërtëritjes. Dhe poezia vërtet ka një forcë ripërtëritje, ajo vjen plot shend, meqë është gjuha më e arrirë, kanë thënë poetë e studiues. Po, poezia është një gjuhë e arrirë, një mendim i mbrehtë e filozofik, është një pranverë e bukur, që të dëfton atë forcën krijuese, si në agun e fillimeve të kohëve në tokë. Se poezia është njëlloj gjithësie në vetvete, ku ka Eden, grua që tundohet te pema që ndanë të mirën e të keqen, burrë që kafshon mollën e ndaluar, gjarpër, vëllavrasës, përmbytje, dashuri të hatashme, si në epikën homeriane, tragjizëm si në dramat shekspiriane. Prandaj, në botën e saj lexuesi nuk mund të jetë vetëm një vrojtues i një pamje, duhet të jetë njëlloj zbuluesi, të zbulojë të fshehta, të futet nëpër udhë të trishtimit,  të hapjes së qiejve të kthjellët, të vetmisë, të gëzimit, të dashurisë, të mungesës së saj. Sepse, në botën e poezisë, pulsojnë ndjenja të zjarrta dashurie e çmendurie, aty liria lufton kundër shtypjes, e jeta që nuk u jetua vjen si dallgë nostalgjie.

Zëri i kësaj poezie rrjedh si një ligjërim i bukur, dendësia e mendimit shfaqet me kombinacionet të shumta të gjuhës, me imazhe mëngjesi e mbrëmje, si çaste gëzimi e dhimbje. Si njëlloj kombinim i zërit të krijuesit me mendimtarin që vëzhgon me intensitet krijues, dukuri të jetës, përmes të cilave, lexuesi, si me teleskop në duar, e sheh jetën në thellësi e në lartësi. 

Por, ky libër, nuk është një shpërthim emocional, i atyre çasteve që i njohim si frymëzim, as dalldi krijuese, por një reflektim e meditim i thellë i krijuesit intelektual, që observon të bukurën, e shenjëstron, e ndien dhe e paraqet përpara lexuesit si realitet gjuhësor, estetik e intelektual.

Kjo poezi nuk është as vetëm regjistër i disa situatave emocionale, i atyre dëshirave që kanë mbetë pa u realizuar, peng, si ai tregimi i përrallës me ujk, që autori ka frikë ta dëgjojë deri në fund prej së ëmës, por është një reflektim i thellë i jetës, ku transmetohen mesazhe të forta, për lexuesin që kërkon të stërvitet në krijimtari artistike.

Kësisoj, kjo poezi, jo vetëm se është unike, në stil e në mënyrën si realizohet, por është edhe e shëndetshme për mjedisin tonë kulturor, sepse, tregon se poezia, krahas talentit, kërkon edhe njohje, kërkon edhe erudicion letrar, një kulturë penetruese në histori, në arte e në psikologjinë njerëzore.

Stefani këto aspekte i realizon mjaft bukur, me figura letrare goditëse, me një gjuhë të rrjedhshme, ku timbri i poezisë i përgjigjet intensitetit të emocionit e figura mesazhit që përcjell.

Dhe përvoja estetike që vjen pas leximit të librit është e fortë, është ajo përvoja e lidhjeve të poezisë me jetën, me kontemplacionin, ku jeta shndërrohet në fjalë, në fjalë që kanë mundë të dalin e të tjera që “rrinë në atë kamp përqendrimi” (Fjalë), pastaj ëndrrat, ato që bëjnë t’i zgjasim limitet, që na bëjnë të gjakojmë, për më shumë dashuri, për më shumë liri, për më shumë jetë, siç ngjet te poezia “Andrroj

Dhe ëndrra e poeti është atemporale, por ajo njëkohësisht e kërkon edhe kohën e tij, që ta vulosë me rrëfimet e veta, prandaj te poezia “Pa orë” ai e fut veten në kohë:

 nuk i duroj dhomat pa orë muri

në to më duket vetja i humbin

pa kohë

dua të dëshmoj jetën time

si dhe kur ndodh

Jeta e poetit nuk është një planifikim me synime matematikore, për më tepër ai ngjan

nji stacioni pa orë muri

pa kohë të matshme

Poezia këtu ka një lidhje me imazhin, imagjinata është një paralele e jetës, ku ai tjetri, që poeti e quan dikush si unë i komunikon realitetet e shndërrimeve, sipas rendit të ngulitur në natyrën e gjërave:

Tjetri si unë më thotë se

asht përsëri pranverë

ka lule

zogj dhe shpresë

mandej bahet dimën

pranverë përsëri

dhe ai

si unë

në dritare

rri i qeshun

dhe i bukur

si heshtje

Te poezia “Pafajësia ime” poeti luan bukur me temën e pafajësisë njerëzore, duke e zhvendosë veten rreth e përqark e duke e nxjerrë prej vetvetes, duke krijuar një situata dramatike:

me lejoni t’i baj nji momument

pafajësisë time

mbas diës inaugurimit

pafajësia ime do jetë

jetime

Te cikli poetik “Reportazhe”, poeti bën një skenografi të jetës së kohës, shenjat e së cilës përcjellin realitetet shqiptare e universale, shndërrimet, ku sistemet ndryshohen, por thirrjet rroftë mbreti nuk vjetrohen, në ankandin ku politika bren thellë në jetën e njeriut, duke i kthyer ata në shërbëtorë të shpërdoruar.

Poezia “Babiloni heshti”, kushtuar shkrimtarit Selman Ruzhdie, është dramë në vete, një dramë e ankthit njerëzor përballë barbarisë:

si të ishte qingj i flisë

për të gjithë

që kishin vendosë me heshtë.

Poezia “Nothing to declare” është një shpërthim poetik, me vargje dramatike, që të kujtojnë ato momentet e absurdit nëpër kufij, e të cilat, poeti i kthen në të vërteta poetike të tejkohshme: 

Nuk e di a duhet të ndaloj

për të deklaru

se kam vetëm dhimbje

kujtime

se jam i mbushin

me boshllëk

se jam i mbushun me marrëzi

se ndjehem duke plasë dëshirash

Apo të kalojë ngarkue me to

pa i thanë askujt asgja

nëpër shtegun e vetëm

që më kanë hapë.

Duke shfletuar faqet e këtij libri, më duket vetja si përpara  një tryezë shtrue me lloje të ndryshme ushqimi shpirtëror, pije freskuese, vera të llojllojshme, raki që të deh dhe ti duhet t’i provosh e t’i tretesh. Është gosti poetike. Prandaj, ky libër meriton të lexohet, është një teatër poetik, shijohet, se ka bukuri, forcë mendimi, reflektime të thella, gjuhë të ndjeshme, mesazhe të vlefshme, pra, është një gjithësi e ndame në plot entitete artistike.

Exit mobile version