Kapitull nga romani “Vdekja e Omerit”, botuar në vitin 2022 “Onufri”
Hetuesi më kishte thënë se Omeri kishte një dëshirë e një vullnet për të shkruar, por që kishte hezituar t’u tregonte edhe miqve të tij të afërm, lëre më të botonte diçka. Ai më shumë kishte shkruar ese të shkurtra që shpalosnin një pikëshikim të çuditshëm dhe mjaft të veçantë. Dorëshkrimet që m’i la në dorë hetuesi më flasin për një djalë që ishte ndryshe në plot kuptimin e fjalës, i cili kishte mundësi të jepte shumë nga vetja. Shkrimet e tij që i kam në dorë nuk janë art i pastër letrar, por në brendi të tyre ka gjëra që vetëm një artist i fjalës mund t’i shkruajë.
Unë, që kam rastisur të jem rrëfimtar i romanit për Omerin, po e shpalos para këndonjësve të tashëm e të ardhshëm njërën nga esetë e tij me plot shpirt njeriu e botë të pasur mendore:
Gudulisja
Njerëzit që nuk qeshin, duhet t’i gudulisësh!
Të qeshurit na bën më të butë e më të ndjeshëm, si rrjedhojë edhe më të pranueshëm e më të dashur mes njerëzve. Atyre që nuk qeshin asnjëherë, që thuhet se nuk qeshin asnjëherë ose nuk i keni parë asnjëherë duke qeshur, duhet t’u bëjmë një terapi dhe ajo është gudulisja, më e mira kurë për ta nxjerrë të qeshurën me zor. Kurë për t’ua nxjerrë me vështirësi gazin dhe harenë e fshehur në thellësinë e shpirtit të tyre, në honet e thella që ende nuk ia kanë zbuluar vetes.
Edhe nëse nuk qeshin me gudulisjet e para, duhet ta shpeshtojmë, ta shpejtojmë dhe ta rrisim sasinë e gudulisjes derisa të mposhten përfundimisht ose derisa ta mposhtim edhe porën e fundit të rezistencës së tyre kundrejt së qeshurës. Duhet t’i gudulisim në secilën pjesë të trupit për ta zbuluar se ku fshihet butësia e tyre.
Duhet të fillojmë t’i gudulisim njerëzit së pari rreth qafës, sepse është më afër kokës dhe ata që janë në mëdyshje për të qeshur apo jo mund të bien menjëherë, mund të dezertojnë qysh në fillim nga të qenët kryengritës apo, më mirë të them, kryengrirë. Nëse nuk kemi sukses rreth qafës, duhet të provojmë në bark dhe në shpinë, sepse ata që janë të lodhur nga rezistenca ndaj së qeshurës, barku dhe shpina mund t’i bëjnë të reagojnë dhe të heqin dorë. Nëse as barku e shpina nuk kanë sukses, duhet të provojmë t’i gudulisim në këmbë, sepse këto të fundit e mbajnë peshën e trupave të tyre dhe si rrjedhojë, edhe peshën e të gjithë kryeneçësisë së tyre për të qenë stoikë dhe të paepur në revoltimin e tyre ndaj të gjithë humorit që i bën njerëzit të shqyhen gazit. Po nuk patëm sukses as te këmbët, duhet të provojmë t’i gudulisim te nënsqetullat dhe përreth krahëve. Gudulisja te nënsqetullat i rrëzon edhe më të paepurit, më qëndrestarët, sepse kur bien krahët bie edhe ajo që mund të quhet mbështetje, mbajtje krahu, mbajtje anë a mbështetje shpirtërore për rezistuesit. Nënsqetullat dhe krahët janë pika të ndjeshme për shumë njerëz dhe besoj se gudulisja në këto pjesë mund të na japë rezultatet e duhura. Po nuk patëm sukses as te nënsqetullat e te krahët, duhet ta provojmë gudulisjen rreth vitheve e në ato që panevojshëm jemi mësuar t’i quajmë si pjesë të turpshme të një trupi. Po i futëm duart në ato pjesë, ka shumë gjasa që të marrë fund qëndrestaria e tyre, sepse shumë njerëz më parë do të pranonin ta humbnin një betejë se të guduliseshin në ato pjesë që ata nuk do të dëshironin. Nëse nuk do të kemi sukses as në këto pjesë, atëherë do të na duhej t’i gudulisim tek thembrat dhe te shputat e këmbëve. Aty mund të marrë fund gjithçka. Mund të bien si kala prej rëre. Thembra ishte ajo që ia dha humbjen Akilit të perëndishëm, andaj gjithsesi mund t’ua japë edhe njerëzve të zakonshëm që nuk duan, hezitojnë apo refuzojnë të qeshin.
Unë kam një bindje të padyshimtë se ata që qeshin lehtësisht, shkrihen në buzagaz edhe me fjalët e humorin e lehtë, ata edhe dashurojnë dhe dashurohen më shpejt dhe më lehtë. Ata që qeshin fshehtas të tjerëve, edhe dashurojnë dhe dashurohen tinëzisht. Ata që qeshin me vete, ndihen të vetëmjaftueshëm, janë të dashuruar me veten. Ata që qeshin rrallë dhe presin një gjë shumë të madhe e të veçantë për t’i bërë për të qeshur, ata janë të ftohtë në dashuri dhe rrallëherë shprehin dhe japin dashuri për të tjerët. Ata që nuk qeshin asnjëherë, madje as kur janë vetëm, ata nuk dinë të dashurojnë ose nuk duan të jenë të dashuruar, meqë ka gjasa që t’i jenë përkushtuar ndonjë çështjeje që shkon përtej bëmave të një trupi të zakonshëm njeriu. Andaj, për ta nxjerrë më të mirën te njeriu, të qeshurën dhe dashurinë, duhet t’ia fillojmë me gudulisje. T’i gudulisim njerëzit aq sa mundemi, t’i gudulisim ata që qeshin me vete, ata që qeshin pak e rrallë, sidomos ata që nuk qeshin asnjëherë! Gudulisja është shpëtimi, është rruga, e drejta dhe e vërteta, për t’i shpëtuar njerëzit nga stërkeqja, boshësia dhe shterpësia e tyre e brendshme, për të cilën ata mund të mos jenë të vetëdijshëm. Kjo që thashë është fundja vetëm një bindje, një pikëshikim imi, për të cilin nuk kam bërë ndonjë matje të saktë mes njerëzish, por nganjëherë pikëshikimet janë më të vlershme e më të dobishme se saktësitë matëse. Kështu që, edhe për ta pohuar ose për ta mohuar këtë pikëshikim timin, shoqërisë sonë i duhet gudulisja e gjithmbarshme.
Për ta bërë gudulisjen sa më të pranueshme e sa më të këndshme për të rëndomtët njerëz, unë kam përgatitur një pyetësor që mund t’i bëhet secilit njeri që nuk qesh kollajshëm ose heziton a nuk pranon të qeshë. Pyetësori im është një ofertë për të tillët dhe përfshin në të dijen time të vogël në fusha të ndryshme, natyrisht me gudulisjen si çelës për shpjegim të të gjitha raporteve mes njerëzve dhe dijeve.
Më poshtë e keni pyetësorin. Ju ftoj për lexim dhe shpjegim, qoftë me pak, qoftë me shumë fjalë:
– Kur keni dëshirë të guduliseni?
– Dëshironi të guduliseni natën apo ditën?
– Do t’ju pëlqente gudulisja shtrirë apo në këmbë?
– Do t’ju pëlqente gudulisja në dhomë, shtëpi, zyrë, në punë apo në hapësira publike?
– Kush gudulis më mirë, burrat apo gratë?
– Do të preferonit t’ju gudulisnin më të rinjtë apo më të moshuarit?
– A do ta zgjedhonit dhe si do ta zgjedhonit foljen gudulisje? (Për këtë mund ta merrni një fletë të zbrazët dhe si këndonjës të kësaj eseje ta vini në provë dijen tuaj nga fusha e gjuhësisë.)
– A e keni ndier ndonjëherë veten gudulisës i madh, a i keni thënë ndonjëherë vetes “unë guduliskam më shumë e më mirë se ç’kam menduar” ose a jeni shtirur ndonjëherë gudulisës më shumë se ç’jeni në të vërtetë?
– A ju pëlqen të guduliseni më shumë veshur apo zhveshur?
– A gudulisen më shumë njerëzit në fshat apo në qytet?
– Sa do të dëshironit të zgjaste gudulisja juaj?
– A keni dëshirë të guduliseni kur jeni të etur e të uritur apo pasi të keni ngrënë e të keni pirë për pesë palë qejfe?
– Cila mendoni se është stina më e mirë për gudulisje, pranvera, vera, vjeshta apo dimri?
– A jeni përgjëruar ndonjëherë për një çast a rast gudulisës apo, më saktë, a i keni thënë ndonjëherë dikujt “më gudulis, të lutem”?
– A do të dëshironit të guduliseshit duke dëgjuar muzikë, duke parë filma, dokumentarë, debate analistësh apo fjalime politikanësh?
Pyetësorin tim po e përmbyll vetëm me këto pyetje, sepse padyshim që mund ta zgjasja edhe me të tjera që ndoshta mund të jenë edhe më sqaruese, më domethënëse, se këto që i keni para vetes. Pra, të dashur lexues të kësaj eseje, jeni të lutur të shtoni sa më shumë pyetje që mund t’u bien ndërmend rreth gudulisjes.
Paçi gudulisje të begatshme!