Kreu Letërsi Shënime mbi libra Zija Vukaj: Triumfi i shpirtit

Zija Vukaj: Triumfi i shpirtit

Shënime për romanin “Brenga”,
të autorit Pashko R. Camaj

Tematika e njeriut nën diktaturë, raporti i tij me lirinë, viktimizimi i mijëra qenieve njerëzore, kalvari i gjatë i vuajtjeve, martirizimeve, arratisjet dhe përpjekjet në kërkim të lirisë kanë frymëzuar shumë libra dhe prurje letrare pas viteve ’90, aq sa sot në pamje të parë duket sikur jemi para motiveve të rrahura e të lëvruara deri në shterim. Por jo. Ky është vetëm iluzion, pasi këto motive janë galeri të çmuara dhe premisa të rralla që frymëzojnë të gjitha artet, e në veçanti artin e fjalës. Në krye të romanit “Të mjerët” Viktor Hygo shkruante: “Derisa në botë të ketë padrejtësi, varfëri, dhunë korrupsion, imoralitet dhe pabarazi libri im ka për të qenë i vlefshëm”. E mjerisht ato nuk zhduken kurrë. E natyrisht vepra të tilla mbeten të dobishme e të pavdekshme edhe për shkak të origjinaliteteve të veçanta të artistëve të fjalës.

 Romani “Brenga” i autorit Pashko Camaj shfaqet para lexuesit shqiptar me profilin artistik të një vepre të realizuar e me nivel estetik të lartë. Jemi në ato raste kur letërsia ngjizet nga historia, nga memoria individuale dhe kolektive, nga biografizmi dhe autobiografizmi, nga mungesa e lirisë brenda kronosit dhe toposit të një teatri tragjik, brenda cinizmit dhe ironisë fatale e absurde të qindra shpirtrave humanë të martirizuar në mënyrat më çnjerëzore, për shak të mëkateve që nuk i kanë bërë kurrë. E gjitha kjo ndodh në skenën makabre të kohëve të infektuara rëndshëm nga psikozat dhe çmenduritë kolektive, nga holizmi gjysmëglobal i Botës Lindore, mekanizmi dhe zembereku i të cilit funksionon me precizionin vrastar të shkatërrimit të gjithçkaje njerëzore.

Duke qenë se në rastin tonë jemi në një letërsi, e cila përveç synimeve estetike dhe mëtimeve të theksuara e të realizuara artistike ka edhe funksione të qarta e të fisme qëllimore, do të përpiqemi të vlerësojmë mjetet artistike dhe procedimet e autorit Camaj në sendërtimin e kësaj vepre. Gjithashtu do të shqyrtojmë impaktet e këtij libri tek kategoritë e ndryshme të lexuesve, veçoritë artistike të këtij romani, aspektet e teknikave letrare të autorit, bashkë me poetikën e saj dhe gjithë arsenalin stilematik.

Paraprakisht duhet thënë se ky roman është ndërtuar mbi fuqinë e narracionit, pra të rrëfimtarisë dhe kjo e fundit mbetet pika më e fortë e kësaj vepre. Duke pasur strukturën, përmbajtjen dhe formën e një vepre klasike, rrëfimtaria është âma nga ku burimojnë dhjetëra motive, kumte, emocione, vramendje, qëndrime e përsijatje jo vetëm për autorin por pastaj edhe për çdo lexues që futet në gjeratoren narrative të kësaj vepre.

E rrëfimtaria është shestuar sipas rendeve.

Së pari, e gjithë ngrehina narrative është ngritur mbi rrëfimin për rrëfimin. Kësisoj rrëfimtari i rendit të parë është personazhi dhe personi real Tonin Mirakaj. Ky është edhe protagonist i kësaj vepre, i cili mund të konsiderohet rrëfimtar i brendshëm i jetës së vet. Autori Camaj është rrëfimtar i jashtëm vetëm deri sa përthith tregimin që merr nga Tonini e pastaj bëhet arkitekti i kësaj vepre dinjitoze, duke u “shndërruar” në rrëfimtar i brendshëm, i jashtëm e i gjithëdijshëm. Kjo për arsye se ai vëzhgon thellë në shpirtin e personazheve, ndjen dhe sheh gjithë rrëkenë shpirtërore të secilit, observon me durim lëvizjet e çdonjërit prej tyre:- fizike dhe transcendente. Pikas parashenjat ogurzeza apo fatlume të së ardhmes, përmes vegimeve onirike apo sendërtimit të përfytyrimeve fantomatike të imazheve dhe zërave misteriozë të jetës si në semiotikën popullore e tradicionale, por mbi të gjitha, ky autor e ka shpirtin të ngopur me humanizëm, empati dhe zjarr poetik. Marku- personazh krejt autorial dhe shumë i realizuar artistikisht, është njëkohësisht rrëfyes i brendshëm dhe personazh- ide. Marku është avatar, është dukuri, është kampioni social i viktimizimit, i mbijetuar nga lavazhi eksperimental i cinizmit e i mllefit shtazarak të sistemit diktatorial. Marku është martirizimi, ai është tragjizmi i qenies njerëzore, fajtori i pafajshëm, viktima e fatalitetit dhe ironia e llahtarshme që luhet në qerthullin e dënimit ekzistencial. Toposi i tij është ferri; rruga e tij është kalvari. Marku është shpirti, që triumfon mbi trupin. Ai është himni i miqësisë së vërtetë, i dashurisë njerëzore, një monument stoicizmi dhe mirësie ideale, që përligj moton biblike: “Krishti vdiq për mëkatet tona”. Dhe mbi të gjitha, Marku është BRENGA. Është brenga e Tonin Mirakajt, e mikut dhe njeriut të tij më të shtrenjtë. Por është edhe simboli i të gjitha brengave që kanë vulosur shpirtrat e të arratisurve nga ferri komunist drejt botës së lirë. Kjo, sepse vetë arratisja në liri e çdo individi shoqërohej nga ankthi që merrte me vete për fatin e familjarëve apo të njerëzve të shtrenjtë, të lënë pas. Dhe liria e fituar nuk i shpëtonte kurrë vragës së dhimbshme të kompleksit të fajit, brejtjes acaruese të ndërgjegjes. Shpesh një titull vepre i studiuar me kujdes, intuitë dhe elegancë, bëhet çelësi për të kuptuar mesazhet kryesore të librit. Kështu mund të kuptohet ky titull sintetik. Ai është vula që mban libri i autorit Pashko Camaj. Është titulli i tij.

Autori Camaj ka bërë një zgjidhje kompozicionale tejet interesante. Dinamika lineare e narracionit është simultane. Çdo rrjedhë e jetës dhe e fateve të dy personazheve, Toninit dhe Markut, rrëfehet në mënyrë paralele në kohë të njëjtë por në vende të ndryshme e me fate të kundërta. Kapitujt e romanit janë të ngjashëm me aktet e një drame, ku në secilin prej tyre luhen fatet e njërit nga personazhet. Në fëmijëri dhe në rininë e tyre të hershme Tonini dhe Marku ishin të pandarë. Qendra e universit të tyre është pema e gështenjës në fshatin verior të Iballës, aty ku lindën edhe brezat e familjes me emër të Mirakajve, ndaj së cilës pas ardhjes së pushtetit komunist, u ushtrua përndjekje dhe terror. Në kushtet e përndjekeve të përditshme, Zefi, babai i Toninit merr vendimin e vështirë të arratiset me familjen. Një natë para se kjo të ndodhë Tonini dhe Marku takohen te shtëpia e këtij të fundit. Tonini nuk i tregon mikut të vet të çmuar për planin e arratisjes. I dhuron një kryq druri, që në rrugëtimin tragjik të Markut bëhet simboli dhe mishërimi më i fuqishëm i Shëlbuesit biblik dhe teksa po ndaheshin i pikas dikush nga njerëzit e sigurimit, rrethanë që bëhet parakusht për vuajtjet dhe ferrin e Markut. Dhe që këtu qendra e fëmijërisë dhe e rinisë së tyre, braktiset prej të dyve. Forcat centrifugale (qendërikëse) të fateve të tyre hyjnë në veprim për të përcaktuar drejtimet e ardhshme. Tonini merr rrugën e mundimshme e të ngadaltë plot peripeci, befasi dhe humbje drejt tokës së premtuar, drejt ëndrrës amerikane, drejt parajsës. Përjeton ai së bashku me babain dhe familjen mundime, terror psikologjik, varfëri ekstreme, frikë dhe pasiguri, gjë që kulmon me humbjen e babait, Zefit- një plagë e rëndë kjo për shpirtin e tij. Teksa autori na e “shfaq” golgotën e tij në dinamikat alternative të akteve të kësaj drame të madhe njerëzore, ne si lexues priremi të besojmë se fati po luan një lojë shpresash e zhgënjimesh pafund me Toninin dhe njerëzit e tij, një perpetuum mobile cinike. Në këto ditë të zymta e shpresëhumbura, Toninit i shfaqet në ëndërr nëna e vdekur. Këtë çast prekës pena e autorit Pashko Camaj e ka shkrirë në një prozë të rrallë poetike:

“Ajo qëndronte tani sipër tij, e ndritshme, si prej drite, me një kurorë prej ari në kokë që shkëlqente verbueshëm, si dielli mbi borë.

“Bir, pse je kaq i trishtuar?” – tha ajo me një zë të butë.

Zëri i saj i ngrohtë ia zbuti shpirtin dhe ia fashiti dhembjen.

Ajo ngriti dorën e djathtë, duke bërë një lëvizje të ngadalshme e të hijshme drejt një kodre të largët. Kodra ishte e mbuluar me dritë dielli, e bardhë si bora dhe një rrugë e zbrazët prej guri ngjitej përpjetë, me bar të gjatë dhe lule të egra që përkuleshin në erë. Në të dyja anët rruga ishte e shënuar me kryqe.

“Ti je në këtë rrugë”, – tha ajo. – “Mos u shqetëso. Vazhdo në të”. Ky imazh idilik, kjo parashenjë është preludi i kthesës dhe rruga e vështirë merr drejtimin e dëshiruar. Këtë lloj transhendence apo vizioni parapsikologjik e gjejmë edhe te romani “Porosia e kullës” me vegimin e motrës së mbytur. Tonini është drejt realizimit të ëndrrës së tij. Mbërrin në Amerikë, sistemohet dhe ndërton jetën e vet.

 Në antipodin tjetër dantesk të veprës, Marku zbret nga purgatori ku ishte, në ferrin mizor të arqipelagut gulag shqiptar. Dhe autori shprehet: “Spaçi nuk të përshëndet. Thjesht mbyll nofullat (…) Dhe mbi Markun, që mezi qëndronte në këmbë, rëndonte një heshtje e rëndë – heshtja e turmës që kishte frikëndiente dhembje (…) Marku, djali që qëndroi. Marku, burri që humbi gjithçka, por nuk u përkul.” Dhe Marku kalon gjithë rininë në burgje:

“Kur ta vjedhin jetën kaq herët, siç ma vodhën mua,-shprehet Marku- mbart me vete dy fantazma: fantazmën e asaj që je dhe fantazmën e asaj që mund të ishe.”

Vetëm dy shkëndija të vogla ia ndriçojnë paksa terrin e trashë infernal Markut: shoku i burgut, Petro, prifti ortodoks, burri i fisëm dhe i vërtetë, ati shpirtëror, teolog dhe teozof i pazakontë, i cili kishte mbetur i vetmi ngushëllim për të, duke bashkëndarë vuajtjet. Bisedat e Markut me Priftin Petro në burg, janë traktate, filozofie, morali, madje edhe teozofie. Shkëndija tjetër, që ndriçon paksa jetën e zymtë të Markut është Drita, mësuesja e fshatit të cilën e takon pas daljes nga burgu, kur njerëzit largoheshin prej tij sikur kishte murtajën. Mes këtyre dy individëve me ngjashmëri fatesh lind një ndjenjë afiniteti, një dashuri e cila vritet që në lindje  Gjithë pjesa tjetër e jetës- sterrë. Por në gjithë këtë jetë të mynxyrshme, ai nuk e ka shqitur nga mendja dhe zemra Toninin. Vërtet miqësia me të ia rëndoi jetën, mbeti pa rini, pa familje, pa prindër, por asnjëherë nuk ia vuri fajin Toninit. Ndërsa Toninit i rrinte në shpirt ndjenja e fajit ndaj mikut të tij të çmuar. Marku i shfaqet në çdo hap të jetës. Prandaj kjo brengë mahiset edhe më tepër kur të dy mësojnë për njëri- tjetrin.

Në këtë pikë autori ka ndërtuar edhe finalen e romanit. Tonini kthehet në Iballë dhe dy miqtë takohen:

“Tonini vuri kokën mbi supin e mikut dhe dora e Markut i dridhej mbi shpinë. Nuk folën. Qanë si burra që kishin mbartur shumë për një kohë tmerrësisht të gjatë. Trupat u drodhën si të ishte vetë trishtimi që kishte pritur këtë çast për vite të tëra. Lotët u përzien me pak pika shiu që ranë nga retë sipër – edhe ato dukeshin sikur qanin bashkë me ta. Sikur toka qante me ta, sikur kishte pritur të shihte sërish mirësinë të mbinte mbi kodrat e saj të lënduara.”

Me romanin “Brenga” autori Pashko Camaj ka ndërtuar një vepër me rrezatime të shumta. Së pari ky libër është një realitet i veçantë artistik me një nivel estetik të spikatur, që shënon një rritje të mjeshtërisë së vetë autorit, por edhe qëndron me dinjitet përkrah veprave më të arrira të letërsisë sonë bashkëkohore. Së dyti, “Brenga” bëhet një stacion reflektimesh, meditimesh e përkujtimesh mbi të kaluarën e kombit tonë. Bëhet një mjet i përshtatshëm i brezave të sotëm e të ardhshëm për ta lexuar siç duhet atë, për të kuptuar se ç’ka bërë historia me ne e për t’u vramendur se si duhet ta kundrojmë të ardhmen. Ky libër mund dhe duhet të lexohet prej çdo tipologjie lexuesi, por sidomos duhet të lexohet prej brezave të rinj, që kanë jo vetëm interesin për të njohur të shkuarën e të parëve, por edhe për të kuptuar dukuritë dhe gjërat që nuk duhen bërë. Duhet ta lexojnë të gjithë nostalgjikët e diktaturës, që të mund të kthjellohen. Por duhet ta lexojnë bashkëpunëtorët e devotshëm që kryen krime nga më monstuozet; torturuan me etjen e tyre cinike mijëra viktima, komanduan shtypjen me gjak të revoltave nëpër kampet e ndryshme. Kjo kategori e rrezikshme e përdori anijen që po mbytej në prag të rënies së komunizmit, vetëm për të kaluar detin e trazuar të revoltës popullore e për të dalë matanë. Shumë prej këtyre kriminelëve u larguan si minjtë në vende të ndryshme e shumë serioze të Evropës, duke kërkuar strehim politik; e sot, nëse mjerisht vazhdojnë të vegjetojnë, na bëjnë karshillëk nga vrimat e gardhit të azilit të pamerituar politik, që vazhdon t’u mbrojë lëkurën. Pa folur pastaj për pehlivanët e sindromës “Vdekja e kalit”, ekzistenca paradoksale në pushtet e të cilëve përbën, siç thotë Migjeni “një gozhdë të ngulur në tru të njerëzisë”.

Duke përshkuar hapësirat dhe thellësitë e kësaj vepre, padashur të vjen në mendje finalja e romanit (“Murtaja”) e nobelistit Albert Kamy:

“Teksa dëgjonte britmat e haresë që vinin nga qyteti, doktor Rië-ja kujtohej se kjo hare ishte gjithnjë e rrezikuar. Sepse ai dinte atë çka kjo turmë gazmore nuk e dinte dhe që mund ta lexosh nëpër libra, se bacili i murtajës nuk vdes dhe as zhduket ndonjëherë, se mund të rrijë me dhetëra vite i fjetur nëpër orendi e në tesha, se pret me durim nëpër dhoma, qilarë, valixhe, shami e shkresurina dhe se, ndoshta, do të vijë dita kur, për fatin e keq të njerëzve dhe që t’u bëhet mësim, murtaja do t’i zgjojë minjtë e saj dhe do t’i dërgojë për të ngordhur në ndonjë qytet të lumtur.”

Librat e mirë janë bërë për të provokuar inteligjencën e çdo njeriu; për të krijuar përsiatje dhe asociacione të ndryshme; për të thelluar mendimet e lexuesve. Për të transmetuar mesazhe të larta humaniste, dashuri sublime për njeriun dhe njerëzimin; për të përçuar modele të vërteta estetike, demonstrime shembujsh të zgjedhur, elokuencë shprehëse, lirizëm dhe prozë poetike përmes përdorimit virtuoz të gjuhës amtare në materializimin e mendimit dhe ndjenjës. Dhe i tillë është romani “Brenga” i autorit Pashko Camaj.

Exit mobile version