Kreu Letërsi Botime të reja Zija Vukaj: Rrëfimet e një romancieri të ri

Zija Vukaj: Rrëfimet e një romancieri të ri

Umberto Eko është mjaft i njohur edhe për lexuesin shqiptar falë shumë veprave të ardhura në shqip. Për të përmendur vetëm disa më të famshmet: –Emri i trëndafilit -Varreza e Pragës -Numri zero -Flaka misterioze e mbretëreshës Loana -Lavjerrësi i Fukoit -Tri rrëfenja -Të thuash gati të njëjtën gjë -Si shkruhet një punim diplom -Si të udhëtosh me një salmon -Pape Satàn Aleppe -Mbinjeriu i masës -Mos kujtoni se do të shpëtoni nga librat! etj.

Kësaj biblioteke madhështore, që përbën një univers tepër të çmuar letrar, filologjik, filozofik, semiologjik, eseistik etj. i shtohet edhe ky libër me këtë titull interesant, i cili, megjithëse jo shumë i vëllimshëm, është tejet i ngjeshur, plot variacione befasuese e kolorit, plot lojëra të zgjuara stilesh e regjistrash komunikimi, që kanë lindur nga shikimet retrospektive të jetës dhe veprës së vet, por edhe nga pasuria e madhe e informacionit dhe erudicioni olimpik i tij e mbase më personal se çdo vepër e tij e mëparshme.

Rrëfimet e një romancieri të ri përmbledh Leksionet Richard Ellmann mbi Letërsinë Moderne të Umberto Ekos, të cilat ai i mbajti në vitin 2008 në universitetin e Harvardit. Frytet e punës “detektive” semiotike të Ekos paraqiten këtu aq qartë sa kthehen në zbulimet më magjepsëse të Rrëfimeve… Që në paragrafin e parë, ai pohon se është në të vërtetë një romancier i ri, megjithëse kur i mbajti leksionet, po ecte drejt të tetëdhjetave por: … e quaj veten një romancier shumë të ri dhe, shpresoj, premtues, që deri tani ka botuar vetëm pesë romane dhe shumë të tjerë do t’i botojë në pesëdhjetë vitet e ardhshme..

Fakti se pavarësisht gjithë famës dhe nderimeve, ai ndihet si amator, i mbush të gjitha faqet e librit me një gjallëri dhe joshje të pafund: Ekoja është thjesht një lexues tjetër, që përpiqet të kuptojë…

Ai përdor veprën e vet si gur themeli në këto leksione, duke bërë një lidhje midis mënyrës si shkruan dhe temave të Rrëfimeve, duke përdorur vazhdimisht shembuj nga vetja (si për  përmbajtjet ashtu edhe për procesin krijues). Ai vëren se është studiues në profesion, dhe […] romancier vetëm si amator, por në këto leksione përqendrohet në shkrimin e tij krijues (megjithëse formimi i tij akademik padyshim që ndërfutet vazhdimisht).

Nëse do të detyroheshim ta klasifikonim këtë libër me rregullat tradicionale taksonomike, do të viheshim në një lloj vështirësie që buron nga disa faktorë; së pari nga rrethanat e ngjizjes së tij – siç e përmendëm – ky libër është plazmuar nga fondi i leksioneve të këtij profesori akademik me aureolë dhe staturë ndërkombëtare, mbajtur para studentëve amerikanë në vitin 2008; së dyti, për shkak të karakterit sinkretik të kësaj vepre, që konsiston në larminë e diskurseve dhe në udhëtimet e autorit në hapësirë e në kohë; që nga antikiteti, deri në kohët moderne; që nga Homeri deri te Xhojsi. Kësaj zhvendosjeje në hapësirë e kohë i përgjigjet një strukturë kompozicionale e përshtatshme, brenda së cilës autori ka vendosur katër kapituj, që në thelb janë katër dritare të mëdha ose katër sy të mëdhenj – katër observatorë kozmikë nga ku studentët, krijuesit e ardhshëm, mësuesit dhe pedagogët e sotëm, njerëzit e medias, të shkencave humane, filologët dhe të gjithë lexuesit mund të vrojtojnë dukuritë e qiellit të letërsisë, sekretet e krijimtarisë letrare apo nivelin e shkrimtarit, të lexuesit – të dallojnë lexuesin empirik nga lexuesi ideal; shkrimtarin empirik nga shkrimtarin ideal, kiçin nga arti, faktin nga trillimi, personazhet si vepra semiotike etj. Të gjitha këto e të tjera Eko i sevir në forma tepër të rafinuara.

Ai jep në këtë vepër këshilla madhore, udhëzime dhe mësime nga më të çmuarat, me një bujari të rrallë; me një kosto kaq të ulët, sa një lexuesi të përkorë i kursen orë dhe ditë të tëra leximesh e kërkimesh të gjata, zhytur në libra e labirinte të ftohta bibliotekash.

Së këtejmi, del një tipar i veçantë i këtij personaliteti – profili profetik i mësuesit: sado të shtrenjtë e madhështor e ka stofin e akademikut, sado hijerëndë atmosferën e profesorit, sado solemn emrin dhe rrezatimin – po aq të thjeshtë profilin dhe misionin e vet prej mësuesi. Prej atij që me magjinë e vet i bën të thjeshta gjërat më të ndërlikuara. Misioni për të ndriçuar të tjerët e ka udhëhequr drejt gjetjes së formave nga më të larmishmet. Umberto Eko ka ndërtuar ndër të tjera në këtë vepër një galeri tepër të larmishme personazhesh: Të trilluar dhe realë ose OFE (objekte fizikisht ekzistues). Paradoksalisht, ai vendos epërsinë e të trilluarve ndaj realëve. Luan me aspektin e pakontestueshëm të Ana Kareninës dhe me aspektin e kontestueshëm të Hitlerit; të Hamletit me Jezu Krishtin; të Çërçillit, Obamës, Dalai Lamës me Leopold Blumin, Me Koperfildin, Ema Bovarinë etj. Arsenali stilematik i autorit për t’u impostuar në një kumtim me nota të paqëta humorizmi, është në funksion të çtensionimit nga rreptësia e diskurseve shkencore dhe thellësia e temave që gjakon të përcjellë dhe kështu zbret ngadalë e pa kuptuar në gjërat e thjeshta, që mund t’i prekë gjithkush, por që kanë magjinë e shpjegimeve efikase. Duke e përdorur që në fillim antifrazën si mjetin bazë të komunikimit, si një shkelje syri çapkëne, Eko shkruan: Kur më pyesin në një intervistë “Si i shkruan romanet e tu?”, menjëherë përgjigjem “Nga e majta në të djathtë”. E kuptoj se nuk është një përgjigje e kënaqshme e mund të prodhojë njëfarë keqkuptimi, po të jepej në një vend arab apo në Izrael. Tani kam mundësi të jap një përgjigje më të hollësishme.

Në një nga kapitujt e fillimit “Të ndërtosh një botë” autori shprehet në lidhje me sfidat e krijimit në prozë dhe poezi dhe shkruan: Rrëfimi qeveriset nga rregulla latine “rem tene, verba sequentur” (“zotëro temën dhe fjalët vijnë vetë”), ndërsa për poezinë parimi duhet ndryshuar në “verba tene, res sequentur” “zotëro fjalën, tema vjen vetë”.

Më tej ai i përqendron rrëfimet mbi disa nga veprat e tij. Por tashmë ne e dimë se “rrëfimet” janë mësime, janë udhëzime, janë këshilla të çmueshme që kanë ardhur nga thellësia e përvojës personale të një mjeshtri me famë botërore. Konkretisht fillon me romanin “Emri i trëndafilit”: Para së gjithash “frymëzimi” është një fjalë e shëmtuar që e përdorin shkrimtarët e këqij për t’u dukur artistikisht të respektuar. Siç thotë fjala e urtë angleze “genius is ten percent inspiration and ninety percent perspiration”, gjeniu është dhjetë për qind frymëzim dhe nëntëdhjetë për qind djersë. Tregojnë se poeti francez Lamartin kishte përshkruar shumë herë rrethanat në të cilat kishte shkruar një nga poezitë më të mira të tij; ngulte këmbë se kishte lindur si shkreptimë një natë që po kalonte në një pyll. Pas vdekjes, i kanë gjetur në studio shumë variante të asaj poezie, shkruar e rishkruar ndër vite

Spikat në këtë paragraf natyra origjinale e Ekos, guximi për të pohuar diçka që duket absurde dhe kundër rrymës, por që është kaq e vërtetë, sa çuditemi si nuk e paskemi vënë re më parë. Ose: Kur shkruaja Lavjerrësin e Fukoit kaloja pasdite të tëra, deri në orën e mbylljes, duke ecur nëpër korridoret dhe sallonet e Konservatorit të Arteve dhe Zejeve, ku zhvillohen shumë ngjarje.

Siç dihet Lavjerrësi i Fukoit është një vepër tepër komplekse shumështresore; një ngrehinë artistike e vendosur mbi platformën e shkencave të sakta, por edhe ekzoterike, mistike etj., pa folur për estetikën e saj që ngrihet mbi artin sublim të fjalës dhe mbi kompleksitetin ontologjik të qenies njerëzore. Si e tillë, ajo mund të kompozohej vetëm nga një mendje e thellë dhe një talent i rrallë, mbajtur në zap nga një vullnet i hekurt për të pasur çdo informacion nën pushtetin e vet. Ndërsa nga rrëfimet për romanin tjetër të tij, kemi: Kur projektoja “Ishulli i një dite më parë”, natyrisht kam shkuar në detet e Jugut e pikërisht në vendet për të cilat flet romani, për të parë ngjyrat e ujit e të qiellit në orë të ndryshme të ditës dhe ngjyrimet e peshqve e të koraleve. Por kam kaluar edhe dy a tri vjet duke studiuar vizatimet dhe modelimet e anijeve të asaj epoke, për të ditur se sa e madhe mund të ishte një kabinë apo sa e gjatë një dhomë gjumi; e si dikush mund të lëvizte nga njëri vend në tjetrin.

Dhe kjo është e mjaftueshme për të kuptuar se ç’do të thotë të ndërtosh një botë ku procesi i krijimit të një romani të mund të realizohet në normalitetin më optimal të kompozimit të një ngrehine të denjë artistike. Këto dhe të tjera “rrëfime” janë ndriçime të rralla që vijnë prej entitetesh artistike të pazakonta. Duke kaluar te kapitulli “Kodifikimi i dyfishtë” double coding autori rrëfehet: “Nuk i përkas asaj çetës të shkrimtarëve të këqij që thonë se shkruajnë vetëm për vete. I vetmi tekst që shkruhet për vete është lista e shpenzimeve, për t’i kujtuar vetes çfarë të blejë e pastaj hidhet. Gjithçka tjetër, përfshirë edhe listën e rrobalarëses, shkruhet për ndokënd. Nuk janë monologë; janë dialogë. Mjaft interesante është pjesa e librit mbi personazhet imagjinarë. Spikat aty simpatia e tij për Don Kishotin dhe gjithë fati apo bekimi i një personazhi për të qenë imagjinar. Të qash për Ana Kareninën mbetet shprehje domethënëse e realitetit dhe fatit të personazheve imagjinarë. Dyma komenton kështu në kujtimet e tij: Është privilegji i romancierëve të krijojnë personazhe që vrasin ata historikët; e që përgjithësi historikët kufizohen të kujtohen si fantazma, ndërsa romancierët krijojnë personazhe prej mishi dhe kockash. Këtu Eko shtron një pyetje të madhe: Por a jemi të sigurt që personazhet e fantazisë nuk kanë ndonjë lloj ekzistence? Përtej shumë tablove, kapitujve dhe situatave me tonalitete nga më të ndryshmet me trille nga më befasueset një tablo që ndryshon gjithë menynë e kësaj vepre është kapitulli i madh “Listat e mia”. Listat janë personazhe, dukuri, lojëra popullore, gurë të çmuar armë etj. Ai flet për lista praktike dhe poetike, për retorikën e enumeracionit, duke cituar pjesë të zgjedhura nga “Iliada” e Homeri kënga II ku përshkruhet shqyti i Akilit, apo nga Maria Wisława Anna Szymborska apo nga numërimi i bëmave të “Don Zhuanit” të Mozartit nga Leporeli. Edhe kur duket sikur e tepron, si te kapitulli “Listat e mia”, Ecoja e bën gjithmonë me humor e nganjëherë edhe me një dozë ironie e autoironie.

Kjo vepër e Umberto Ekos do të jetë një alternativë mjaft e mirë leximi dhe konsultimi për lexues të interesave dhe niveleve nga më të ndryshme, por mbi të gjitha, për letrarët e sotëm e të ardhshëm, për profesorët dhe mësimdhënësit e çdo niveli, për studiuesit, njerëzit e mediave, gazetarët dhe çdo individi që i intereson letërsia e vërtetë.

Dhe për ta përfunduar: Te libri Të thuash gati të njëjtën gjë, Ekoja reflekton thellësisht për mjeshtërinë e përkthyesit. Ai dinte mirë si “t’i vinte në provë” përkthyesit e tij. “Teksti që përkthehet shumë lehtësisht, është një tekst i vdekur”, shkruante.

Nuk mund të them se ky libër nuk më ka munduar. Mundime të bukura, intelektuale, ama. I ndodhur mes sfidave të përmbajtjes së pasur dhe ndërdisiplinore, stilit ironik dhe të larmishëm, pikave të pafund të referimit, kulturore dhe letrare, lojërave gjuhësore dhe ndoshta mbi të gjitha, muzikalitetit të fjalisë, ritmit dhe harmonisë, shpresoj t’ia kem dalë këtij udhëtimi të mrekullueshëm për letërsinë dhe mekanizmat e ligjërimeve të saj.

Exit mobile version