Kreu Letërsi Bibliotekë “Zi e terr”, ese nga Rexhep Ferri

“Zi e terr”, ese nga Rexhep Ferri

1.

Shumë e shumë kohë e shekuj më larg, atëherë kur unë ende nuk isha i lindur, ishte e gjallë Iliria e ilirëve.
Nga ajo Mbretëri, tani ka mbetur vetëm harta e mbretërisë sime.
Sa mirë e mendoj atë kohë që i ka ikur koha.
Gjatë rrugës zbulova shumë tradhti e padrejtësi historike.
Historia qenka vetëm një gomarllëk.
Kurrë nuk e kam dashur dhe kurrë nuk i kam besuar.
Po përpiqem të kthjellohem.
S’kam për çka të luftoj.
Çdo pas lufte më gjente të dëshpëruar.
Me një vdekje para lavdisë.
Mos më thirrni.
Mos më telefononi.
Kur unë nuk jam unë.
Ndoshta jam dikush tjetër.
Çfarë vlerësimi, për të mos thënë zhgënjimi.
Nuk e di a e kam parë botën.
Na erdhi një kohë kur është e pa mundur të mendojmë se kush jemi.
-Ndize edhe një cigare! – një i pa njohur më tha.
Për asgjë tani nuk na bëhet vonë.
Historia na ka lënë keq.
S’ka ku shkon më keq.
Përpiquni ta kuptoni.
Si humbin varret.
Çka bën armiku.
Si humbet lufta.
Si bëhet tradhtia.
Si vjen harresa dhe –
Ku shkon jeta.
Shpirti.
Kujtesa.
Nuk e di kërkush.
Gangsterët tanë, me merita të rrejshme i kemi shpallur edhe heronj.
-Pse po ma thua? – Sybretkoca më pyeti.
-Po ta them që ta harrojmë historinë…
-E, mandej?
-Jetën dhe vdekjen i shohim ndryshe!…
Me Njeriun Djalli qeshi.
Mund të vazhdojmë dhe mund ta çojmë nga një “Votkë” ruse e nga një “Skenderbeg” të shqiptarhanes, në kafenenë “Pikola Moska”.
Në daç në Tiranë, në daç në Shkodër, në daç në Prishtinë.
Lehtë e kemi.
Autostrada e kombit, për mirë e për keq, na ka shkurtuar rrugën nëse kalojmë nga tuneli i Kalimashit.
-Zgjate dorën. Preke hënën. Ku jemi e ku s’jemi. Nuk e kam fjalën për Zotin, – Sybretkoca me grushtin e ngritur lart të komunistave, me patriotizmin e rrejshëm e ka humbur besimin edhe tek vetvetja.
Si mund të harrojmë.
Nuk jetohet vetëm.
Ku i kemi varret?


2.

Pa e kuptuar as jetën e as vdekjen, me rreziqe kërkojmë Parajsën në tokë.
Dhe, prapë nuk kënaqemi me aq.
Në emër të njeriut që as vetë nuk e di se çka kërkon, të njeriut që heumbi pasqyrën, të njeriut që nuk e rrokë se e ka humbur edhe zjarrin për t’ia ngrohur besimin
Në fushë të mejdanit.
Kurrë nuk e kam dashur errësirën.
Jeta është ajo që mund të preket, pa ia huq.
S’di më kujt t’i besoj.
Bota po përballet me rrezikun.
Ku do të shkojë.
Nga rreziku një ide e çmendur më çmendi.
A është mirë a keq, harrojeni.
Kur merret vesh bëhet vonë.
Për hesapet e veta, pazarxhinjtë i kanë ngatërruar dhimbjet fizike me dhimbjet shpirtërore.
Në kulmin e mashtrimit jemi milet.
Thi milet!
Me imagjinatë mashtruese po e shkatërrojmë këtë planetë.
Ta pastrojmë nga morali dhe moralizimi i rrejshëm.
Në moshën e kërkimit gjithçka është e mundur.
Tjetërkush e ka në dorë…
Nga një e ardhme e largët, njerëzit pse jan kaq të pa kënaqur?
Zgjidheni një çmenduri tjetër.
Këtu, te ne, vetëm mendja e Don Kishotit pi ujë…


3.

Kam parë pazarxhinj, por si bandën e Sybretkocës ende nuk kam parë.
Pa pikë turpi dalin para Teatrit Kombëtar e thonë:
-Mos u shqetësoni, na ka ardhur dita!…
Për famën e këtij turpi sa pisllëku bëhet nuk e di kërkush.
Hanë e dhiejnë më shumë se një elefant.
Për famën e kësaj drame minatorët e minierës “Floriri” në grevë urie janë mbyllur në horizontin e Tetë dhe thonë:
-Të gjallë nuk dalim pa i lëshuar nga burgu studentat…
Patriotët hajdutë çka mendojnë.
Nuk ka më lepuj.
Leckat janë lecka.
Helaqet janë helaqe.
Për ta shprehur besimin, nuk ka më besim.
Rreziku i ri është e ardhmja që po na paraqitet në tri kohë.
Nga e djathta në të majtë po e kërkon fillimin.
Fillimin e fundit.
Besoj se e keni kuptuar.
Hiqeni maskën.
Pasqyrja u tregon se kush jeni.
O njerëz, pa zemër…
Deri tani nuk e kam ditur çka na mungon.
Ajo që e kemi ditur e që na afrohej ishte e kaluara e harruar.
Kur tallemi me jetën, mos e prishni mendjen.
Në kohë të liga e vërteta të lë pa mend.
Ëështë e rëndë të flitet për hijet e zeza në fytyrat e njerëzve.
Të verbohet mendja.
Të mbyllet goja.
Të humbin fjalët.
Kush do të ndihmojë?
Përpara e kishim ditën me diell e natën me hënë.
Një orë më vonë, njeriut vetëm kapja veshin.
Bëhet lepur.
Më mirë të mos flasim pse?!…
Përtej këtij qorrfermani vizatohen shumë vija të kuqe.


Rexhep Ferri

4.

Duke jetuar me të pa njohurën, jeta nuk ka asnjë kuptim.
Çka dreqin po bëjmë.
Merreni seriozisht.
Çka po varrosim?
Me të kaluarën ku do të shkojmë.
Shikojeni jetën.
Kur tallemi edhe me vetveten e kur ngatërohemi me të kaluarën na ikën mendja.
Pse ta ruajmë?
Mos më folni për askënd.
Gjatë jetës gjithmonë më ka ndjekur hija e një rreziku.
E kisha ndjesinë e njeriut që po ndahet nga Nana.
Udhëtimi im, Zoti qoftë me Ty…
Mos mendoni se jam i qetë.
Kur isha djalë i Nanës, nga sot është kohë e shkuar.
E nesërmja, kur do të vie e nesërmja?…
Njeriu e ka ndryshuar mendjen.
A është i lumtur?
Jo!
A ka një histori?
Jo!
Që t’i bie shkurt: ku është sot Njeriu?
Nuk e di!
A beson?
Nga besimi e kam humbur besimin!
Nga kjo pasluftë vetja po më duket një Don Kishot, të cilin një magjepje hyjnore e dërgon në luftë të humbur.
Për luftërat e humbura kam edhe shumëçka tjetër për të thënë.
Lufta nuk është shaka pa kripë.
Për ne që nuk arritëm ta njohim veten, jeta dhe përtej jeta shkuan deri aty ku s’ka Njeri.


5.

Majtas Djalli.
Djathtas Njeriu.
Besimi i tepruar qenka kokrra e budallait.
Tre hapa më larg veshët e gomarit.
Me fajin e askujt, ngjyra e Tokës qeshi.
Unë mendova se s’ka Njeri.
Jetoj dhe më vie turp që mendoj se s’ka Njeri.
Me kënd do të takohem nesër.
Për ta shprehur shqetësimin, shpirti më tha:
-Dëgjo, gjithçka fillon nesër.
Po, nesër.
Jeta po na vjedhë jetën.
Për fatin e vet pret një telefonatë.
Me dëshirë për të qenë në hap me luanin.
Historia vazhdon.
Dikush e kupton.
Si gjithmonë.
Gabimet e shekullit vizatohen vetë.
Estetika e harrimit po vazhdon.
Në këtë pikturë shkallët janë për të zbritur.
Për pak pornografi artistike e harruam idenë se koha ecë më shpejt se ne.
Prandaj Kohën e dua më shumë se ç’duhet!
Pyeteni kur u vie të bisedoni.
Për besë, Djalli gëzohet.
Të ardhmen kush e shiti?
Kush e tradhëtoi?
Paganët ikën me kohë.
Ne të tjerët mbetëm një kopje e zbetë e një besimi të humbur.
Për këtë fiksim unë nuk di asgjë.
Ç’dreqin kërkojmë?
Ndoshta vetëm po mendojmë pse po jetojmë.
Më vjen keq.
Për shumë gjëra po mundohëm të kuptoj legjendën e ndërtimit të Kalasë së Shkodrës.
Ende nuk e kam të qartë çka po shoh e çka po ndodhë.


6.

Përsëri ra perëndimi i diellit.
Hapësira e errësirës së zezë, e natës pa hënë, po më shqetëson.
Koha po kalon.
Si artista mashtrues, me gabime në hapa po jetojmë.
Edhe pa e njohur këtë histori, e nisëm Shekullin e Famshëm.
Ashtu po na pëlqen ta quajmë këtë fillim të çmendur.
Nga fillimi ndoshta është pak.
Nuk e di se çka vjen nesër.
Është shumë e ngatërruar për të besuar.
Duke menduar se po bëhemi më të pasur.
Kuptimin e jetës e humbëm.
Kështu e nisëm çmendurinë e famshme.
Unë u përgatita si Don Kishoti.
Për fuqinë e fjalës tri çmenduri i përjetova.
Nga ajo që vie nesër u ndala ta vazhdoj vizatimin e ëndrrave të njerëzve të Kohës së Shpellave.
Ata trima që luftonin me bizonat e kohës.
Nuk kanë qenë të çmendur.
Për ta jetuar jetën kanë parë ëndrra.
Shumë shekuj më vonë e shumë e shumë më larg, njerëzit e kohës së tashme “Me një nofull në qiell e tjetrën në tokë” duke menduar se janë dikushi ia huqën.
Filluan ta kuptojnë realitetin e humbur dhe po mendojnë se e kanë zbuluar shpejtësinë Parajsën në tokë.
Për aq sa di besoj.
Legjenda ime, më fal, që pas kaq shumë shekujve prapë po të shqetësoj.
Më fal edhe për shumë gjëra që nuk i kuptoj.
Para kohës së Greqisë e të kohës së romakëve, Iliria ishte jo vetëm harta ime gjeografike, por edhe dielli im.
Për jetën që është e vërtetë.
Për aq sa mendojmë e për aq sa di unë ishin të pagëzuar.
Kush pyet.
Tani nuk ndryshon asgjë.
Koha fluturon më lart se njeriu.
Se njeriu që shpesh din me ia huq.


7.

A do ta shohim veten prapë nuk e di.
Plus, një histori e pa shkruar, nga e cila duhet të mësojmë, po më thërret.
Kur nuk e di se kush jam.
Meqenëse po më thërret, përpiqem ta kuptoj.
As lufta e humbur e as lufta e fituar nuk më bëjnë të lirë.
Të lirë më bën vdekja.
Më 989, Nanën e shoqërova deri te varri.
Sa më vjen të mërzitem vetëm shpirti i saj e di.
Nuk do ta harroj kurrë.
Ajo dëshironte që unë të jem pas funeralit të saj e jo ajo pas funeralit tim.
Për Mitin e Jetës, vizuelisht e lexueshme dhe e kuptueshme është jeta kur drita bie në dritare.
Një besimtar më tha:
-Në Kohë të liga e vërteta të lë pa gjumë! A do të më besosh? Unë isha edhe koha e kaluar, kur në traditën tonë trimat i kemi vorrosur me vesheje kombëtare me armë brezi dhe armë krahu.
Nga kjo histori e kam edhe këtë histori:
Të kishim qenë pak më të mirë, edhe Don Kishoti do të luftonte për ne.
Për ne që vetëm frikën e njohim.
Edhe njëherë po them: se janë sa gjëra për të cilat po filtet dhe nuk duhet të flitet.
Jemi të durueshëm.
Alla shqiptarçe.
Ndoshta nuk kuptojmë.
Mendja është e shtrenjtë.
Në një kthesë, kur bëhet vonë, ëndrra mashtruese flet vet.


8.

Sa më shumë besoj, aq më shumë rrezikoj.
Jeta kur flet në emër të Njeriut shpesh i kthehet fillimit.
Për ta jetuar jetën, jetën që na thërret na duhet ta pranojmë edhe kur lumturinë e kemi larg.
Jetën që është zgjimi ynë.
Që na duhet për dashurinë dhe iluzionet. Ka edhe shumëçka tjetër që nuk harrohet.
Është mundësi e mirë për ta vazhduar pritjen.
Me pak dhimbje mbylleni ditën.
Jeta është edhe gabim i bukur.
Fillon me lindjen e diellit dhe vazhdon me pritjen e natës pa hënë.
Pse?
Nuk e di përgjigjen.
Në këtë pyetje nuk është vetëm një pse.
Shumë mirë.
Ta dëgjojmë zemrën.
Ta takojmë veten dhe dikë tjetër që vizaton diçka tjetër.
Me sekret e Oborrit Mbretror jeta pa ngjyrë nuk është jetë.
Në kohë të rrëzuar rrëzuar e të shtrirë për dhe, nga fjala “Ora e maleve tona” doli fjala “Oreadat greke”.
Në këngën e saj tregohet se ku është fsheur thesari i bukurisë së zanave tona.
Nga historia e pa shkruar jemi ku jemi.
Shqiptarëhania ende nuk mendon si një komb.
Por, si fis, si katund, i udhëhequr nga paria e mahallave.
Nga kodra në kodër, me ligje të pa shkruara.
Malsor me mendje në qiell.
Për të dalur nga nata e për të hyrë në ëndrra që i kuptojmë, historia s’ka më histori.
Na duhet të mësojmë të jetojmë.
Koha e hqiptarëhaneve është një përvojë e gabuar.
Molla e pikturuar më tha:
-Mos mendo se prapë kthehemi ku ishim. Ata që humbin fitojnë. Kujt ia rrok ia rrokë.
Besimi i humbur edhe detit ia fut frikën.
Kur mendja na shkepet.
Asgjë për të besuar.
S’ka rëndësi: kush humb e kush fiton.


9.

Më falni, po shkoj të kërkoj varrin e gjyshit.
Nuk është vrarë nga reja, por nga dora e njeriut.
Për këtë histori nuk përmendet kurrfarë lufte, kurrfarë dëshmitari.
A ka qenë natë apo ditë nuk dihet.
Për kohën e tashme s’ka pyetje tjetër.
Harresa është përvojë e gjatë.
Me pak shije të qorrfermanit do ta shkatërrojë botën.
Për t’i parashikuar ngjarjet, largapamësinë ende s’e njohim.
Shpejt na ka humbur vija e horizontit.
Me vite fatin e kishim të fjetur.
A ishim edhe ne të fjetur, le të kuptohet e le të harrohet.
Të gjithë po shohim ëndrra.
Kujt t’i them se kush jam.
Dreqi e marrtë.
Kam vite që pres.
Në emër të një besimi kam gabuar që kam besuar aq shumë.
Fundin e të keqes nuk e di askush.
Ç’do të thotë kjo?!
S’kemi kohë!
Na duhet kohë.
Njeriu është bërë robot i kohës.
Reagon me telekomandë.
Pa zemër.
A ka jetë të lumtur pa zemër, nuk besoj!
Kur ndodhin gjërat e pa njohura çka bëhet me jetën e njeriut nuk dihet.
Besomëni.
Njeriu nuk po i ngjan më as vetes.
Kurrë nuk kisha menduar se varfëria shpirtërore shkon më larg se larg.
Kur jeta nuk do të thotë asgjë.
Nuk më pëlqen.
S’dua të di asgjë për asgjë.
Do të fluturoj mbi shkretëtirë.
Një prostituë më tha:
-Po të pres! Jam virgjine!
S’ka errësirë.
Ka net me hënë e net pa hënë.
Qëllimi i lojës është takimi para se të njihemi.
Para se të ndryshojë bota.
Ora jonë e fundit.
Ora jonë e parë.
Çka të barazojmë.
Kërkush nuk e di sa të vetmuar jemi
Mbeta pa fjalë.
Po e teproj.
E mbaj mend mirë.
Çka ma thotë mendja s’jam i sigurtë.
S’ka problem.
Mendova se e kuptova jetën.
Prita sa t’ia marr dorën.
Syri të rren!
Syri nuk të rren!
Epoka e civilizimit njerëzor sa mijëvjeçare është, nuk tregon.
Besimit tonë mos i ka ardhur fundi.
Nga besimi i tepruar prapë po vuaj.
-Në ç’kohë jemi? – koha e droguar pyeti, me gojën e vdekur qeshi…
Maj, 2020

Exit mobile version