Kreu Letërsi Bibliotekë “Zgjidhja më e mirë”, tregim nga Shqiptar Oseku

“Zgjidhja më e mirë”, tregim nga Shqiptar Oseku

Ishte ditë e vranët, jashtë binte shi me shtamba dhe vera kish marrë fund një herë e mirë ndonëse ishte ende muaj gusht. Nga dera e hapur e ballkonit vinin jehona të brerimës mbi kulme dhe pllaquritje veturash që shkonin pellgjeve plot ujë. Fqinja e krisur kish lëshuar listën e vet nga Spotify në zërim maksimal, sikur kërkonte të shembë murin me zëdhënës.

Ai ishte në dhomën e gjumit, duke futur rroba me rrëmbim në një valixhe të hapur mbi shtrat. Ajo, mbështetur te dera e dhomës, me duart lidhur mbi gjoks. Valixhja i dukej si kafshë që kish hapur nofullat dhe po i gllabëronte jetën.

-Pra kjo qenka zgjidhja jote. Të largohesh! Të ikësh!!

Ai nuk denjoi të përgjigjej, por rrobat fluturuan drejt valixhes më forcërisht.

-Përgjigju, qelbësirë!, thiri ajo. Pra kjo qenka zgjidhja jote!? Kjo!!

Zëri i doli i gërryer, si t’i kish shkuar përsipër me xunkth. Sytë iu rrëmbushën nga tronditja, e njëmijë gjemba i thumbuan gjymtyrët. E dinte që tash se do të urrente veten për këtë shfryrje, këtë dobësi. E vetmja punë më keq se largimi i tij do të jetë nëse ai rri nga dhimbja. Nga mëshira. Qifsha mëshirën tënde, mendoi ajo me vete; por në vend se ta forconte kjo sharje e plagosi edhe më fort.

Qifsha mëshirën tënde, u shfry prapë mes lotësh, pa ditur nëse këto fjalë i kish menduar a i kish thënë me zë.

Bluzat, kravatat, të linjtat. Bisha gojëhapur e katullaqur në shtrat po gllabëronte tashti imtësitë, cikërrimet, vogëlsirat që kishin shenjëzuar praninë e tij, pasi kish shkulur nga armari ravijëzimin e tij të madh.

”But if you loved me, why’d you leave me? Take my body. Take my body.” Nga matanë murit po buçiste All I Want nga Kodaline, si për t’u vënë krypë mbi plagë dhe pikë mbi i tërë gabimeve drejtshkrimore në ekzistencë të saj.

Ai u ndal për një çast, pa u kthyer drejt saj, që ta inspektonte armarin bosh. Aty më s’kish ngelur asgjë. Asaj iu duk sikur ai po lyente zi me atë shikim, si te Rolling Stones, e i erdhi që ta godasë në shpinë. Por u përmbajt. Mirë më bëhet, mendoi.

Ai u kërrus për të mbyllur gojën e bishës, por u ndal përnjëherë kur pikasi foton mbi komodinë të gjumit. Ai, ajo, e vajza. Të tre të qeshur.

-A jo, këtë jo, ulëriti ajo, e u gjuajt drejt komodinës.

Të dy kapen nga një cep të fotos njëherësh, ndërsa Kodaline po bënte namin te fqinja. ”All I want is, and all I need is, to find somebody. I’ll find somebody like you.”

-Lësho fotografinë, briti ai.

-Ik shporru, ia ktheu ajo, mos t’i shoh më sytë.

-Lësho, po të them!

Ajo s’iu përgjigj, e ai nisi t’ia shkulte foton nga dora. Ajo ulëriti, si ta kish goditur me thikë. Një herë, dy herë. Tri. Herët tjera ulërimë si këto kishin mjaftuar që ai të tërhiqej me tmerr. Por kësaj radhe jo.

-Lësho fotografinë, të thonë!

-Ik shporru, ulëriti ajo duke qarë, ik shporru!

Një copë here u mundën në heshtje rreth fotos, ndërsa hijet u çonin dashuri në mur si dy jashtëtokësorë memecë. Dukur ai ia lëshoi duart, e u ul i dihatur në shtrat.

-Ti s’e ke këtë të drejtë, i tha me zë të ulët. S’ke të drejtë ta mbash këtë fotografi, e di vetë që s’ke.

-Ti ik shporru, tha ajo. Më bëhet qejfi që ik, s’t’i shoh më sytë. Por ajo kurrë! Ajo ngel këtu!

Ai ia nguli sytë e kapsallitur, si për ta vrarë me ta.

-Nuk ta lë ty kurrën e kurrës, tha ai, a merr vesh. Kurrën e kurrës!

-Ajo ngel këtu!, tha ajo.

Ai rrodhi buzët e mblodhi duart në grushta, ndërsa nofullat i bluanin nga tërbimi. Një damar i fryrë, i enjtur, iu shfaq në ballë, si kur njeriu përmbahet me forcë nga një zor i madh. Mori frymë thellë, si kafshë e plagosur.

-Mendon se ta lë ty? Ty!?

U flug sërish mbi të, e mbi foton. Zunë të grindeshin prapë, një luftë e pafjaltë rreth një fotografie, ndërsa bota rreth tyre po firohej copë e çikë, e trerë e tjegulla të kulmit po u rrëzoheshin mbi krye, e muret po u thyheshin kudo.

Ai ishte më i fortë, por ajo kish qenë gjithmonë më e vendosur. Edhe kur ishin hasur së pari, ajo kish bërë hapin e parë. Njësoj edhe kur kishin vendosur të mbanin fëmijën, e të blenin banesën. Asaj iu kujtua se kjo ishte mbase hera e parë që ai po tregohej i vendosur: kjo kuptesë e ngarkoi me pikëllim.

Ai e kish ndarë mendjen ta merrte foton.

-Lëshoje moj, shfryu ai, duke ia shkulur nga duart.

Një si flakë e bardhë zemërate e djegu në rrënjë, një si prush i bardhë tërbimi e zhgënjimi e dhimbjesh e dëshpërimi e pikëllimi përnjëherësh. Ajo shtërngoi në çastin e fundit foton me duar, si me darë.

Një grisje shqeu përgjysëm natën, e shiun përjashtë. Foto u nda në dy. Atij i ngeli në dorë ajo dhe koka e vajzës, si frut i paarrirë. Ajo mbeti me foton e tij dhe të trupin e saj të shkokëzuar. ”I’ll find somebody like you.”

Ai u ngrit, me gjysmën e fotos në dorë. E shikoi një copë here, mandej e puthi dhe e ruajti copën e vet në një xhep të këmishës. Mandej e mbërtheu valixhen me një vrull të ri, sikur të ish kujtuar për një premtim a vendim të vjetër.

-Lamtumirë, i tha para së të dilte.

Kur doli, përplasja e derës oshëtiu në mbarë rruzullin. Ndoshta kjo është zgjidhja më e mirë, mendoi ajo e mekur.

Lart mbi kulmin e thyer ajo pa retë e mbarsura dhe mbi to, në ekzosferë, satelitët që po endeshin si gjymtyrë të prera rreth një planeti maniak që i kish kasapuar e vërvitur atje, e akoma më tej planetet tjera, Diellin, yjet, e galaksat tjera tek po largoheshin ngadalë nga njëra-tjetra.  E tërë gjithësia është në proces të entropisë, mendoi ajo, dhe ky mendim abstrakt çuditërisht arriti t’i zgjaste një fije ngushëllimi, si një fije kashte për të mbyturin.

Fqinja e krisur fiku muzikën dikur vonë, e një heshtja gërmadhash mbretëroi befas gjithandej. Nga dera ende e hapur e ballkonit vazhdoi të ndihet melodia e brerimës së rrallë mbi kulme, por veturat qenë zhdukur diku, tok me pellgjet poshtë tyre. Ajo përqafoi tërë natën gjer në mëngjes trupin e vajzës, të shkokëzuar si kish ngelur thuase nga një krim, e t’i fliste ngadalë fjalë ngushëllimi.

Exit mobile version