Kreu Letërsi Shënime mbi libra Ylljet Aliçka: Një rrëfim polifonik mbi efektet anësore të historisë

Ylljet Aliçka: Një rrëfim polifonik mbi efektet anësore të historisë

Shënime mbi romanin “Ngjyra e zymbylit të kaltër” të shkrimtarit qipriot, Christos Hatzipapas, Botimet Toena, 2023.

“Ngjyra e zymbylit të kaltër” është një roman që ribotohet tridhjetë vjet pas botimit të tij të parë, vlerësuar me një sërë çmimesh kombëtare e ndërkombëtare. Studiues të ndryshëm e renditin si ndër librat më të rëndësishëm të letërsisë qipriote. Në një atmosferë realizmi magjik, autori përshkruan afresket e një epoke ku regjistrohen shkaqet e një grushtshteti, që la gjurmë të pashlyeshme në ishull… aty ku kryepriftërinjtë kryejnë me nderim kortezhin e eksodit të qenve të racës së pastër, me origjinë aristokratike, ndjekur nga funeralet njerëzore, ndërkohë që tradhtia e juntës dhe e pushtuesve, e orkestruar me mjeshtëri, bën kërdinë në fushën e betejës; aty ku të ashtuquajturit ushtarë korren si kalli gruri në shpatet e Pentadaktylos dhe shtrihen po atje ende të pavarrosur.

Personazhi kryesor, Petros, sipas vargut poetik të të vëllait, fillimisht tymosi tym llaçi dhe më pas arratiset nga spitali, duke hipur në paterica e duke kërkuar më kot miqtë e humbur në rrugicat e vjetra dhe në labirintet e ëndrrave. Dashuria, megjithatë, gjithmonë si një enzimë jetëshpëtuese, qarkullon nën lëkurën e jetës. Nga porti i Kyrenias në “Ishullin e Echidnas”, me zambakët e gushtit në rërë, në dhomën papafingo në Rrugën e Pavarësisë, në parkun e nxehtë veror me burimet e epshit dhe me një arratisje të keqe… Dhe së fundi, përsëri në spital, për t’u shëruar nga disfata e tij më e dhunshme, përdhunimi… Kupidi nuk mund të luftojë më!

Autori e kthen me mjeshtëri realitetin në mit dhe mitin në realitet. Është një libër tronditës, nisur nga mënyra e tij e njohur dhe e pakrahasueshme e të shkruarit, ku alternon mjerimin me njerëzimin, vdekjen me jetën – përmes antinomive shfaqet harmonia e shpresës dhe e besimit te Njeriu.

Në këtë libër të Christos Hatzipapas-it përshkruhen të gjitha ato ngjarje që shënuan historinë e mëvonshme të Qipros.

Autori të magjeps me fuqinë e shkrimit, me intensitetin e rrëfimit, me mënyrën si ka ditur të na japë atmosferën para dhe gjatë ngjarjeve tragjike të vitit 1974.

Në qendër të rrëfimit është Petros, një i plagosur i shtruar në spitalin e përgjithshëm të Nikosias pas grushtit të shtetit dhe pushtimit prej turqve të vitit 1974. Me plagët e luftës ende të freskëta, ai prek shkaqet, qëndrimet dhe perceptimet që çuan në intolerancë, në grushtshteti dhe pushtim. Lëndimi i rëndë, efektet e mëdha të brendshme, emocionale dhe psikologjike nuk janë vetëm një nënprodukt i luftës. Ato shënojnë edhe realizimin e dhimbshëm të një ekzistence të shumëfishuar dhe të përhershme që ka humbur të gjitha pikat e fiksuara të referencës së saj. Teksa Petro rimëkëmbet dhe gradualisht rifiton shikimin dhe kontaktin me botën, ai kupton se pasojat e luftës mbeten të pamëshirshme në shpirtin, trupin dhe ndërgjegjen e tij, aq sa përpiqet të gjejë sërish orientimin e tij në një botë të fragmentuar, plot trauma të shumta, humbje dhe pasiguri.

Rrëfimi përmes kujtesës dhe shoqërimit, në plan të dytë, na çon në fëmijërinë e Petros, por edhe në moshën madhore në Kyrenia, ku ai punon si një nëpunës i ri civil. Në qytetin e vogël “Kamotousa”, pak para luftës, pasi ka siguruar një pozicion të qëndrueshëm nëpunësi civil, ai jeton dashuritë e tij rinore, kalon një periudhë vigjilence dhe maturimi klasor e ideologjik dhe kryqëzon rrugët me klimën përçarëse të kohës.

Kyrenia në romanin e Hatzipapas-it është një vend i formimit të identitetit, por edhe i projeksionit dhe testimit të fatit të tij individual e shoqëror që ndërthuret me politikën dhe historinë e vendit. Barra e detajeve, mbart rrëfimin për historinë e qytetit, për diversitetin e shoqërisë lokale, për njerëzit dhe topografinë e tij të madhe. Qyteti i vogël në veri të ishullit është një vend i bashkëjetesës së grekëve qipriotë dhe turqve qipriotë, i cili u testua fuqishëm në një klimë pasigurie, ankthi dhe frike që, si pasojë e kohës, filloi të qarkullonte në mënyrë të rrezikshme nëpër ishull.

Jeta e përditshme e heronjve të tij është telajo mbi të cilën është vendosur fiksioni i tij dhe skena socio-politike e periudhës pak para vitit 1974. Rrugëtimi i verbër i vendit kryqëzohet me shtigjet individuale, duke krijuar për ta një krizë të përhershme ekzistenciale: një krizë që derdhet në kolektiv, ndërsa në të njëjtën kohë rrjedh prej saj patologjinë. Ngjarjet e nxehta të historisë ndikojnë në jetën e tyre, me barrën e ekzistencës që ndahet midis dy poleve të kundërta: në një anë është fuqia e pathyeshme e dashurisë dhe e jetës dhe nga ana tjetër lëvizja e pashmangshme e konfliktit, dhunës, luftës dhe vdekjes.

Spektri i dhunës dhe i intolerancës përmbys jetën e heronjve, të cilët mbeten kryesisht të lidhur me një pakujdesi fiktive. Në këto kushte, ata ngjajnë me qenie dramatike të copëtuara nga peripecitë që kalon vendi, të pafuqishme, të hutuara dhe të shtangura për t’u parë, aq më pak të gatshëm për t’u pajtuar me përshpejtimin e dhunshëm të historisë. Personazhet e romanit nuk ishin heronj, por viktima të konfliktit dhe të luftës. Pavarësisht nga identiteti i tyre social apo ideologjik, ata kanë fituar një identitet viktimë, për shkak të kryqëzimit të tyre me historinë.

Ajo që i intereson në radhë të parë autorit nuk është të rindërtojë personazhet vetëm në lidhje me veçoritë specifike të kohës, por të monitorojë nga afër jetën e tyre të brendshme dhe dridhjet e ndërgjegjshme. Ky dimension i rëndësishëm antropologjik i letërsisë së Hatzipapas-it i jep përjetësi dhe thellësi veprës së tij, e cila i kapërcen kufijtë e kulturës dhe të epokës në të cilën ai lindi. Me fjalë të tjera, përtej interpretimit politik dhe ideologjik të një epoke të errët, përtej adoptimit të menjëhershëm të saj nga personazhet e fiksionit, historia në veprën e Hatzipapas-it paraqet një reflektim mbi vetë ekzistencën njerëzore, mbi aspektet e pazbuluara që dalin në sipërfaqe në kushte margjinale, pse jo historike.

Në një klimë të tillë, njerëzit e zakonshëm e gjejnë veten të pafuqishëm për të ndaluar një kurs të dëmshëm, të diktuar jo vetëm nga klima polarizuese e kohës, por edhe nga paaftësia e dy komuniteteve të ishullit, për të krijuar një identitet të përbashkët më të fortë se çdo dallim apo predikim intolerant. Në këtë kuptim, libri i Hatzipapas-it prezanton një tjetër reflektim të dobishëm, kompleks dhe gjithmonë të pranishëm: në klimën intolerante dhe përçarëse para vitit 1974, protagonistët e polarizimit dhe dhunës vendosin tonin e historisë. Por shoqëria e kohës përbëhej edhe nga njerëz të thjeshtë e të pafuqishëm, të cilët, duke vuajtur pasojat morale dhe ekzistenciale të një periudhe intolerante, megjithatë nuk u verbuan nga pasionet dhe demonizimi kombëtar e përçarës, por pashmangshëm pësuan efektet anësore të historisë.

Exit mobile version