Kreu Histori Ylli Sula: IN • PE • RA • TO • RE •...

Ylli Sula: IN • PE • RA • TO • RE • BT – Zbulimi i zanafillës dhe enigmat e mbishkrimit në përkrenaren e Skënderbeut.

Që prej shfaqjes së saj për publikun në fund të shekullit XIX, në Muzeun e Vjenës, përkrenarja e Skënderbeut, si asnjë element apo artefakt tjetër i mbijetuar nga ai, është shndërruar në objektin dhe simbolin më të fuqishëm personifikues të heroit mbarëkombëtar shqiptar, duke patur një ndikim shenjues në formësimin e gjithë ikonografisë së ndërtuar për figurën e tij.

Përkrenarja u bë shenja parësore dalluese, simboli heraldik qendror përmes të cilit Shekulli i Rilindjes, arbëreshët dhe më pas Shqipëria moderne, kanë përfytyruar e ndërtuar portretin e Skënderbeut.

Me formën dhe punimin e saj të veçantë, të kurorëzuar nga koka e dhisë mitike, e qarkuar nga rrethi metalik me rozetat e praruara dhe mbishkrimin mes tyre, ajo do shndërrohet në një emblemë ku ngërthehet e përqendrohet e gjithë mitologjia kombëtare, historike, politike, kulturore dhe fetare, madje edhe cilësitë e jashtëzakonshme vetjake që lidhen me Gjergjin e Madh, që nga përfshirja në narrativën e identitetit kombëtar shqiptar, ndërlidhja me traditën e heronjve antikë, me panteonin e strategëve ushtarakë, me ritualet europiane të armëve, me vlerat e kalorësisë e fisnikërisë e deri tek ndërhyrja e hyjnores në fatin e heroit. Vendosja zyrtare e përkrenares në emblemën e shtetit shqiptar më 1925 është tregues i qartë i peshës së madhe simbolike që ajo mori në më pak se 30 vite nga shfaqja e saj, për t’u fronëzuar më 1928 si kurorë e mbretërisë shqiptare të mbretit Zog I. Ajo është kështu e njëkohësisht artefakt material, relike heraldike, mit identitar, legjendë popullore, simbol shtetëror dhe metaforë politike.

Por një dimension shtesë e ngriti këtë objekt në piedestalin e simbolikës së një heroi mbarëevropian: mbishkrimi enigmatik i gdhendur në brezin e bronxtë të përkrenares, formulimi akrostik “IN • PE • RA • TO • RE • BT”, i cili ka intriguar shumë studiues shqiptarë e të huaj.

Këtu nis edhe rrëfimi ynë: le të ripërshkojmë rrugëtimin e deritanishëm të përkrenares dhe mbishkrimit të saj plot mistere dhe enigma, për t’ju sjellë më tej zbulimet e fundit të kërkimeve dhe hulumtimeve tona për simbolin më identitar të heroit tonë kombëtar.

Faik Konica, “Albania” dhe mëmëdhetari anonim

Lajmi i bujshëm i shfaqjes për herë të parë në formë të prekshme i armëve të Skënderbeut, pikërisht në Muzeun e Vjenës, siç dihet gjerësisht, iu përcoll mbarë botës shqiptare nga Faik Konica. Në numrin 8 të revistës “Albania” (30 dhjetor 1897), Konica botoi shkrimin me gjetjen aq ngazëllimsjellëse për shqiptarinë e kohës: “Armët e Skënderbeut në Muzeun Perandorak të Vjenës”. Konica në këtë rast ishte vetëm përcjellësi i lajmit, pasi gjetja i takon një “memedhétar”-i, letrën e të cilit, dërguar Konicës, ky i fundit e boton në numrin e sipërpërmendur të “Albania”-s, duke cilësuar vetëm vendin dhe datën e shkrimit të letrës, “Viéne, n’15 t’Britmit II 1897”, por jo emrin e autorit, i cili na përcillet i shenjuar me “X ***”.

Nga kjo letër kemi të trashëguara deri sot përshkrimin e përkrenares, zbulimin dhe zbërthimin në latinisht të germave të mbishkruara rreth brezit të bronxtë përqark saj:

“Ksula asht é rhumulh, por sypri ksules ghinét ñi kryé dhié, éné kjo é shkrumum mé ar. Okolhas balhit asht ñi cop hékur dy ghishtesh i ghan, n’ t’ cilin jan t’ shkrumuna kto létra: 

IN • PE • RA • TO • RE • BT •

do mé than n’ ghuh lhtinisht:

“Ihesus Nazarenus Principi Emathiae Regi Albaniae Terrori Osmanorum Regi Epiri Benedicat T.”[[1]] (foto 1,2,3)

Të parët që i bënë jehonë këtij lajmi, natyrshëm, ishin arbëreshët e Italisë. Një muaj e gjysëm më vonë, më 15 shkurt 1898, mbishkrimi dhe dekodimi i tij në latinisht, siç e kishte përcjellë Konica, botohet në gazetën La Nazione Albanese, e themeluar në Kalabri nga Anselmo Lorekjo. Shumë shpejt pas botësimit ndër shqiptari, përkrenarja dhe mbishkrimi i saj u shndërruan në një element të mirëfilltë ikonografik e heraldik që dukej sikur kishte shoqëruar figurën e Skënderbeut që në të gjallë të tij, pavarësisht se ky integrim po ndodhte thuajse 450 vite pas vdekjes së heroit.

Ky rikonfigurim i ikonografisë dhe heraldikës skënderbejane, nuk do të zhvillohet si një proces, por do të përftohet si një fakt i mirëqenë nëpërmjet dy akteve të vetme: njeri lajmërues, nga Konica, drejtuar fillimisht botës shqiptare, dhe tjetri “kanonizues”, drejtuar kryesisht botës italo-arbëreshe dhe europiane, siç do e shohim më poshtë. Përndezja patriotike, identitare e idhullizuese, që rrethonte figurën e Skënderbeut gjatë viteve të Rilindjes dhe Lëvizjes Kombëtare Shqiptare të fundshekullit të XIX dhe fillimshekullit të XX, pa dyshim kishte pjesën e saj në përpirjen plot etje të këtyre akteve shpalosjeje e ripropozimi të ikonografisë dhe heraldikës së Skënderbeut, por një element tjetër peshonte po aq në gjithëpranimin entuziast të të dy akteve në fjalë: profili tepër i lartë dhe autoriteti i padiskutueshëm i autorëve të tyre, Faik Konica dhe… Zef Skiroi.

Zef Skiroi – “kanonizuesi” akademik i mbishkrimit: nga lajmi i Konicës në ikonografinë italo-arbëreshe dhe europiane për Skënderbeun

Më 1904, Zef Skiroi botoi në Napoli veprën e tij të rëndësishme Gli Albanesi e la Questione Balkanica – një traktat patriotik identitar, politik, historik dhe kulturor, i shkruar për audiencën italiane dhe europiane, me qëllim tërheqjen e vëmendjes dhe mbështetjes së saj në favor të çështjes kombëtare shqiptare. Në faqen hyrëse, pas faqes së titullit, Skiroi vendos portretin e Skënderbeut, të shoqëruar me mbishkrimin e plotë latin të përkrenares, sipas interpretimit të sjellë nga Konica shtatë vite më parë.[[2]] (foto 4)

Kjo faqe është konceptuar si një pllakë memoriali që sjell bashkë, sipas përzgjedhjes qartësisht simbolike e kumtsjellëse të Skiroit, të gjitha elementët më përfaqësues të ikonografisë dhe heraldikës skënderbejane, mes të cilave Skiroi jo vetëm ka përfshirë edhe mbishkrimin e përkrenares, por i ka dhënë atij një peshë kumtuese thelbësore (foto 5).

     Si poet, profesor universitar dhe drejtues i Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Institutin Oriental në Napolin e shquar akademik të kohës, por edhe si folklorist e publicist i angazhuar, Skiroi nuk ishte vetëm një studiues, por edhe një prodhues i identitetit kulturor arbëresho – shqiptar, një intelektual që ndjeu qartë nevojën, ndaj u përpoq aq fort, për të formësuar mënyrën se si Evropa i shihte Shqipërinë dhe shqiptarët. Në këtë përpjekje duket qartë që për Skiroin figura e Skënderbeut përbën pikën madhore të referimit dhe boshtin qendror të projektit rilindas të afirmimit identitar.

Nga ky këndvështrim, faqja – memorial dedikuar Skënderbeut në hyrje të librit shërben si ikonë programatike në çdo element të saj ikonografik e heraldik:

Portreti i Skënderbeut:  i paraqitur në formë medaljoni, vjen me referenca të qarta në modelet e neo-humanizmit europian dhe kornizës ikonografike të shekujve XVI–XVIII, në vazhdën e përfytyrimit të heroit sipas portretizimit të famshëm që gjendet në Galleria degli Uffizi në Firence (mesi i shek.XVI), thuajse identik me portretin e Skënderbeut në librin Ritratti ed Elogii di Capitani Illustri (1635) apo me një tjetër portret – medaljon të botuar në librin La Spada d’Orione (1680), të dy botime që e trajtojnë figurën e Skënderbeut mes mbretërve, fisnikëve e udhëheqësve ushtarakë më të shquar në rang evropian (foto 6, 7, 8). Në të gjitha këto portretizime Skënderbeu shfaqet jo si një luftëtar, por si një princ neo-humanist, i qytetëruar në qendrim dhe veshje, pjesë e natyrshme e botës politike europiane. Kjo i shërbente tezës së Skiroit se “çështja shqiptare është çështje e Evropës”.

-Shqiponja dykrerëshe: e vendosur menjëherë poshtë portretit, simboli heraldik madhor i Skënderbeut, i shndërruar tashmë në simbol kombëtar, duket të jetë marrë po nga Ritratti di Capitani Illustri (foto 7) ose nga familjet napoletane (aty ku Skiroi jetonte e punonte) pretenduese si pasardhëse të Skënderbeut, të cilat, sipas studiuesit Jaho Brahaj [[3]], kanë përdorur pikërisht këtë model stilizimi të shqiponjës.

-Akrostiku i përkrenares me tekstin e plotë të dekriptuar: të qendërzuara dhe shtrira sa gjithë gjerësia e faqes – memorial, germat e akrostikut janë vënë ndjeshëm në pah nga madhësia mbi dyfish me tekstin latin të dekriptuar, duke bërë që ato të lexohen edhe më vete edhe si pjesë e tekstit të plotë.

-Emri i plotë i heroit – Giorgio Kastriota Skanderbeg, shoqëruar me vendin dhe ditën e lindjes dhe të vdekjes, ku bie në sy se, pavarësisht traditës së konsoliduar deri atëherë në gjuhën italiane të të shkruarit të emrit të heroit dhe kryeqendrës së tij me C  (Castriota – Scanderbeg – Croia), Skiroi ka zgjedhur në të treja rastet të përdorë K-në e shqipes.

-Epigrami katërvargsh: Poemthi-epitaf në latinisht, i ndarë në dy kolona nga dy vargje, është edhe elementi përmbyllës i “kanoneve” ikonografiko-heraldike të kompozuara e propozuara nga Skiroi për figurën e Skënderbeut. Në shqip përkthimi do ishte ky:

Përse më tej të krenohesh me Pirron e të lëvdosh Akilin?

Ky burrë më i madh se djali i Peleut dhe vetë Pirro qe.

Me fuqinë e tij farsalike fort i trazoi kohortat gete.

Përpara vazhdo! Veç me dorën tënde atdheun e çlirove.

Edhe në këtë element të fundit Skiroi nuk shpik apo krijon asgjë të re, por vetëm mëton të “kanonizojë” një tentativë të mëparshme të integrimit të këtij epigrami-epitaf katërvargsh në ikonografinë skënderbejane, të marrë nga vetë autori i epigramit, poeti neolatin francez, njëkohësisht portretist dhe botues, Jean Jacques Boissard, i cili në dy botime të tij Icones diversorum hominum fama et rebus gestis illustrium (1591) dhe Vitae et Icones Sultanorum Turcicorum, etc. (1597) boton portretin e Skënderbeut të shoqëruar nga katërvargshi latin i krijuar prej tij, që Skiroi e risjell treqind e ca vite më pas identik, si tekst dhe në ndarjen e tij në dy blloqe nga dy vargje (foto 9).  

Për t’u rikthyer më ngushtësisht tek tema e shkrimit tonë, siç vërehet qartë, mbishkrimi i përkrenares mbart një peshë thelbësore në kompozimin e këtij propozimi të ri ikonografiko-heraldik të figurës së Skënderbeut nga Skiroi. Shkëputja që Skiroi i bën mbishkrimit nga konteksti i përkrenares e zgjeron rrokjen semantike të tekstit, duke e zhvendosur “bekimin e Jezuit të Nazaresë” drejtpërdrejt mbi vetë Skënderbeun e jo më nëpërmjet përkrenares apo armëve të tij. Po kështu, duke e vendosur akrostikun me tekstin e plotë mes portretit, shqiponjës dykrerëshe dhe emrit të plotë të heroit, mbishkrimi merr vlerën dhe peshën e një liste titujsh mbretërorë e kalorsiakë të bekuar nga një vullnet hyjnor.

Botimi dhe marrja e mirëqenë e mbishkrimit akrostik nga ana e dy figurave intelektuale me autoritet tepër të lartë si Konica dhe Skiroi bëri në vijim e deri sot që askush të mos përpiqej të hulumtonte apo të mos arrinte të shkonte përtej tyre, në zanafillën e identifikimit dhe interpretimit të akrostikut, pa menduar se kështu, në fakt, gjithçka po i besohej jo Konicës e Skiroit, por thjesht letrës së mëmëdhedashësit kureshtar të vitit 1897, të cilit nuk i dihet as emri…

Edhe një studiues i thellë i historisë së Skënderbeut dhe njohës i mirë i latinishtes si Patër Marin Sirdani në studimin e tij Skanderbegu mbas gojëdhanash (1926) bën të njejtën gjë kur përshkruan “përkrenaren e Skanderbegut”, riprodhon tekstualisht mbishkrimin sipas botimit të Konicës.  

Vetëm në vitin 1932, në vigjilje të 20 vjetorit të pavarësisë, gazeta “Besa” në Tiranë, teksa jep një informacion të detajuar të vendit, mënyrës dhe rrugëve sesi janë gjendur në Vjenë, armët e heroit tonë kombëtar, shprehet për herë të parë jo fort e sigurt për deshifrimin e akrostikut. Nga shkrimi tek “Besa” (3 Mars 1932), mësojmë se:

“… Në sallën XXV Nr. 71 (127), të Muzeut të Arteve të Vjenës, ndodhet përkrenarja “George Skanderbeg”. Ajo është ngjyrë e bardhë, me rrafshe të arta dhe ka sipër saj një kokë dhie të artë me dy brirë. Kjo përbëhet prej dy pjesëve: një pjesë bakri dhe pjesa tjetër sipër, është me një copë metali, buzët e së cilës janë të zbukuruara në ar. Në mesin e përkrenares është vendosur një rreth prej bakri me një gjatësi prej 65 cm dhe në këtë rreth janë shkruar këto shkronja: IN. PE. RA. TO. BE. BT. Ky shkrim, që është shumë i vështirë për ta kuptuar se çfarë thotë, deri tani e kanë deshifruar kështu: “Jesus Nazarenus. Principi Emathiae. Regi Albaniae. Terrori Osmanorum. Regi Epiri. Benedicat”. Poshtë buzës së përkrenares janë vënë 9 copa të mëdha dhe këto janë të lidhura me një rrip lëkure me bojë hiri. Pesha e të gjithë përkrenares është 3000 gr. Sado që kjo përkrenare ka elemente orientale, mendohet se është punuar prej një artisti venecian.”

Sipas studiuesve Fotaq Andrea dhe Dritan Muka, “këto të dhëna të gazetës “Besa” përbëjnë në thelb po ato që na ka përcjellë në vitet 1930 ish konsulli austriak për Shqipërinë Leo Alexander Freundlich, i cili u mbështet për historikun e tij kryesisht në studimin e Dr. August J. Gross, në atë kohë konservatori i Muzeut të Vjenës. Ky dokument – shkruajnë dy studiuesit në triptikun e tyre të botuar tek “Zemra Shqiptare” – i vetmi që jep një historik të përmbledhur të Armëve të Skënderbeut në Vjenë do të shndërrohej gradualisht ndër vite si akti themeltar ku do të mbështeteshin tërë studjuesit tanë, të cilët nuk arritën një herë të dalin jashtë kornizave të tij.” Me vlerë për shkrimin tonë është edhe fakti se në triptikun e tyre dy studiuesit, teksa kumtojnë se dy shpatat e Skënderbeut që ndodhen në Muzeun e Vjenës nuk i përkasin atij, rikonfirmojnë pa asnjë mëdyshje autenticitetin e përkrenares dhe përkatësinë e saj kastriotase.[[4]]

Më tej, gjatë viteve të komunizmit, mbishkrimi i përkrenares si pjesë qendrore e ikonografisë dhe heraldikës skënderbejane, siç e  propozoi Skiroi, u shmang apo u fshi thuajse fare nga historiografia zyrtare, së cilës nuk i shkonin për shtat lidhjet e heroit me Kishën dhe Papatin e Romës dhe identifikimi i tij si Kampion i Krishtit. Tepër të rrallë qenë ata, si Kristo Frashëri, që përmendën në studimet e atyre viteve për Skënderbeun mbishkrimin e përkrenares. Ky nënvlerësim apo kjo mosnjohje e këtij dimensioni të figurës së Skënderbeut – siç shkruan Aurel Plasari – “do t’i nxirrte Gjergj Kastriotin dhe bashkëluftëtarët e tij jashtë “ujrave të vet”, jashtë atij areali që quhej Europë…”, e po kështu do t’i hiqte përplasjes së Skënderbeut me Osmanët “sfondin qytetërimor”, të cilit i mvishet pashmangësisht “edhe petku fetar”.[[5]]

     Por le t’i rikthehemi historisë së mbishkrimit dhe pyetjes së mbetur varur prej plot 128 vjetësh: Kush dhe kur e transkriptoi për herë të parë mbishkrimin e përkrenares dhe zbërtheu përmbajtjen e akrostikut në latinisht?

          Nga përballja e dëshmive të mësipërme, duket se shkruesi, i lënë anonim, i letrës së botuar tek “Albania” nga Konica, me siguri e ka marrë përmbajtjen e mbishkrimit dhe dekriptimin e tij nga ndonjë përshkrim a diçiturë e vendosur pranë përkrenares, kur ai vizitoi muzeun e Vienës në vitin 1897 ose nga ndonjë dokument shoqërues apo spiegues në dosjen e saj në muze apo edhe nga ndonjë shoqërues a ciceron i pasionuar i muzeut.

Hulumtimet dhe zbulimi nga ana jonë i disa botimeve të panjohura deri sot na çuan 19 vite para Konicës, në zanafillën e shfaqjes dhe burimin e interpretimit të mbishkrimit të famshëm, po në Vienë.

Vjenë, 1878, Ekspozita “Adler”: aty ku lindi dekriptimi dhe interpretimi i mbishkrimit

Zbulimi na u shfaq papritur, por në një formë aq bindëse, aq të dokumentuar e të pacënueshme në vërtetësinë e tij, sa na e bën mjaft të lehtë përcjelljen e tij tek çdo bashkatdhetar që na lexon. Para pak muajsh, në mesin e kërkimeve tona për pasurimin dhe plotësimin e koleksionit të botimeve me interes albanologjik dhe në veçanti të atyre që lidhen me figurën e Skënderbeut, ramë në gjurmët e një botimi përmbledhës, dokumentues dhe përshkrues, i cili në kohët e sotme do të thirrej katalog, rreth një ekspozite heraldike të hapur në Vienë, në prill të vitit 1878. Katalogu me titull “Bericht über die heraldische Austellung des Vereines “Adler” (Raport përmbledhës për Ekspozitën heraldike të Shoqatës “Adler”) ka 218 faqe tekst, 39 faqe hyrje dhe 69 faqe të plota me ilustrime, në formatin 32.5 cm x 24.5 cm. (Foto 10,11).

Ekspozita në fjalë u frymëzua nga nisma e Carl Krahl, piktor heraldik i oborrit austro-hungarez, i cili në fund të vitit 1877 ekspozoi përkohësisht disa dorëshkrime heraldike të shek. XVI–XVII në Muzeun e Arteve dhe Industrisë.

Pas suksesit të jashtëzakonshëm të kësaj ekspozite të vogël, muzeu, nën drejtimin e Dr. Jakob von Falke, i besoi shoqatës “Adler” organizimin e një ekspozite të madhe ndërkombëtare mbi heraldikën, gjenealogjinë dhe sfragjistikën. Shoqata “Adler” (Shqiponja), e themeluar më 1870, kishte si synim rigjallërimin e shkencave ndihmëse të historisë dhe të artit kalorsiak. Për organizimin e ekspozitës u ngrit një komitet ad hoc i përbërë nga historianë, heraldistë dhe aristokratë të lartë, si:

-Konti Hugo von Abensperg und Traun, kryetar i komitetit dhe president i shoqatës “Adler”;

-Dr. Ernst von Hartmann-Franzenshuld, kujdestar i koleksioneve të Oborrit;

-Dr. Eduard Gaston von Pöttickh von Pettenegg, gjenealog i Urdhrit Teutonik;

-Oskar von Sommaruga, jurist dhe thesarmbajtës i ekspozitës;

-Moritz Maria von Weittenhiller, sekretar i përgjithshëm i shoqatës

-Carl Krahl, heraldist dhe ilustrator;

-dhe Wendelin Boeheim, kujdestar perandorak e mbretëror për koleksionin e armëve.

     Ekspozita, e inaguruar solemnisht në prill 1878, nën patronazhin e Arqidukës Ludwig Viktor, qendroi hapur për tre muaj. Në sallat monumentale të Muzeut të Arteve dhe Industrisë në zonën e bulevardit Stubenring u ekspozuan mbi 1500 objekte nga koleksione perandorake, urdhra kalorësiakë, koleksione private dhe muze evropianë. Ajo u vizitua nga Perandori Franc Jozef, Princi i Kurorës, Rudolfi, Arqiduka Albrecht, Arqidukesha Gisele dhe u përshkrua nga shtypi i kohës si “triumf i artit heraldik dhe shkencës historike” (Die Presse, 18 prill 1878). Për artin muzeal, ekspozita “Adler” u cilësua si ngjarja më e madhe e këtij lloji në Evropë.

Në katalogun zyrtar të sipërpërmendur përcillet qartë koncepti estetik i saj: ekspozita nuk duhet të dukej si bibliotekë apo arkiv, por si galeri arti, ku estetika e formës të zbulonte historinë e simboleve. Sipas raportit të komitetit, “ditën e çeljes, midis orës 9 të mëngjesit dhe 1 pasdite, numri i vizitorëve arriti 3 541, duke vijuar më tej me një mesatare ditore prej 500, ndërsa të dielave prej 2 000 vizitorësh.” Seksioni i armaturave dhe përkrenareve rezultoi më i vizituari dhe më i vlerësuari.

Pa dyshim që koleksionet e Ambrasit, si ndër më të pasurit e më me vlerë të kohës, do zinin një vend qendror. Mes objekteve të përzgjedhura për ekspozim, siç përshkruhet në katalogun tonë, kuratori dhe kujdestari i koleksionit të armëve të Oborrit Perandorak përfshiu edhe përkrenaren e Skënderbeut, e regjistruar në inventarin zyrtar me numrin 243a.

     Kujtojmë se krijuesi i këtyre koleksioneve, Arqiduka Ferdinandi II i Austrisë, është zotëruesi i parë i zyrtarizuar i përkrenares së Skënderbeut, sipas inventarit të koleksionit të tij, që prej vitit 1596, por ai është edhe ideatori dhe porositësi i botimit Augusissimorum Imperatorum, Serenissimorum Regum… (1601), më prestigjiozi i të gjitha kohërave, me 125 portrete të perandorëve, mbretërve dhe fisnikëve më të shquar të deriathershëm me veshje luftarake dhe armët e tyre, mes të cilëve, i gjashtëmbëdhjeti, gjendet edhe portretizimi i parë i plotë dhe më i famshmi i Skënderbeut, me shpatë në dorë dhe përkrenaren pranë këmbëve (Foto 12).

Foto 12

     Vlera e veçantë e pranisë së përkrenares së Skënderbeut në ekspozitë vihet në dukje edhe nga burime të tjera të kohës me autoritet të lartë në fushën e heraldikës si Giovanni Batista dhe Goffredo di Crollalanza, president dhe sekretar i Akademisë Heraldike Italiane në Piza, që botuan, po në vitin 1878, edhe një reportazh për ekspozitën në revistën e tyre, Giornale araldico-genealogico-diplomatico, vëllimi VI (1878–1879), i cili gjithashtu e konsideron përkrenaren e Skënderbeut si një prej objekteve më të çmuara të ekspozitës, teksa shkruan: “Preziosi inoltre sono… l’elmo di Scanderberg col cimiero a testa di becco…”(Të çmuara janë po ashtu…përkrenarja e Skënderbeut me një kokë cjapi në majë…). [[6]]

Wendelin Boeheim: kuratori që deshifroi mbishkrimin

Wendelin Boeheim (1848–1900), ishte historian dhe kurator i koleksioneve të armëve të Oborrit Perandorak dhe Mbretëror austriak dhe një ndër themeluesit e hoplologjisë moderne. Në Vjenë ai konsiderohej si autoritet absolut për armët kalorsiake të Mesjetës dhe Rilindjes. Në këtë rol ai studioi dhe përshkroi mbi 6.000 objekte dhe armë të këtyre dy periudhave. Në vitin 1890 botoi veprën e tij themelore Handbuch der Waffenkunde (Leipzig), që mbetet ende sot një manual referencë për studimet hoplologjike në Evropë.

 Si kuratori kryesor dhe anëtar i Komitetit ad hoc të Ekspozitës, Boeheim analizoi e më pas formuloi interpretimin e parë shkencor të mbishkrimit të përkrenares së Skënderbeut.  Në raportin e tij ai e cilëson atë qartësisht si akrostik dhe jo si akronim, duke e përshkruar mbishkrimin jo si titull apo seri titujsh, por si një: “… Art Waffensegen, dessen Gebrauch… ziemlich allgemein war.”- shkruan ai –“një lloj bekimi mbi armë, përdorimi i të cilit ishte shumë i përhapur për kohën”, për ta tërhequr këtë bekim dhe mbrojtjen hyjnore mbi mbajtësin e armës, për më tepër që titulli “Athleta Christi”, i dhënë Skënderbeut nga Papa i Romës, e mvishte atë natyrshëm me bekimin dhe mbrojtjen e vetë Jezuit.

Kjo praktikë dokumentohet gjerësisht në Evropën e shekujve XIV-XV, sidomos midis princërve, prijësve ushtarakë e kalorësve të krishterë, të cilët vendosnin në armët, shqytet, emblemat e veshjet e tyre e tyre formula si:“I.N.R.I.” (Iesus Nazarenus Rex Iudaeorum), “I.N.D.N.” (In Nomine Domini Nostri), “Christus Vincit”, apo si në rastin e Urdhërit Kalorsiak Kostandinian të Shën Gjergjit të (ri)themeluar nga vetë nipërit e Pal Engjëllit, peshkopit të Durrësit e Drishtit dhe këshilltar e kryediplomat i Skënderbeut, të cilët adoptuan nga heraldika legjendare e Kostandinit të Madh formulën “I.H.S.V” (In Hoc Segno Vinces) (Nën këtë shenjë do të triumfosh).

Kjo traditë ikonografike dhe devocionale e kohës del të jetë adoptuar e përvetësuar edhe nga vetë Skënderbeu, nëpërmjet përkushtimit dhe vetëshpalljes së tij si “Miles Christi” – ushtar apo luftëtar i Krishtit – titull cilësues që ai e përdor në letrat e njohura që ka shkruar. 

Kështu, teksa i drejtohet Papës Kalisti III, Skënderbeu vetënënshkruhet me formulën:

Ego Georgius Castriotus, Epirotarum Princeps ac miles Iesu Christi, fidem et obsequium Sanctae Romanae Ecclesiae profiteor…

“Unë, Gjergj Kastrioti, Princ i Epirotëve dhe ushtar i Jezu Krishtit, shpall besnikërinë time ndaj Kishës së Shenjtë Romake…” [[7]]

Në një letër tjetër të mëvonshme, drejtuar këtë herë Papës Piu II, ku Skënderbeu, si një mbret tashmë, kalon nga “Unë” në “Ne” në cilësimin e vetvetes, sërish formula është thuajse e njejtë :

Nos Georgius Castriotus, vulgo dictus Scanderbeg, Christi miles, pollicemur nos ad tuendam Christianam rempublicam promptos semper fore.

“Ne, Gjergj Kastrioti, i quajtur zakonisht Skënderbeg, ushtar i Krishtit, premtojmë se do të jemi gjithmonë gati për të mbrojtur shtetin e krishterë.” [[8]]

     Ja dhe më në fund përshkrimi i parë burimor i dokumentuar i përkrenares së Skënderbeut, së bashku me dekriptimin e mbishkrimit, siç e shkroi Boeheim në raportin e tij (foto 13,14):

Foto 13
Foto 14

“Përkrenare e Gjergj Kastriotit, i njohur edhe si Skënderbeu, Princ i Shqipërisë (1403-1466).

Kjo përkrenare prej hekuri të lëmuar, ka thuajse formën e një djepi, përveç pjesës së sipërme e cila është më e rrumbullakosur. Një rreth i trashë me thumba të mëdhenj është i kapur qark buzës së poshtme, por kjo duket të jetë një shtesë e mëvonshme. Rreth gjysmës së lartësisë së përkrenares, ka një brez prej flete bakri, zbukuruar me rozeta të praruara, në hapësirat midis të cilave janë gdhendur shkronjat “in.pe.ra.to.re.bt” me shkrim të vogël gotik të vonë.

Në majën e përkrenares gjendet pjesa e sipërme e kokës së një dhie, në bakër të rrahur dhe e praruar, punimi i së cilës flet për një dorë tepër të aftë. Përgjithësisht është sugjeruar që fjala “Imperator” nuk duhet të merret parasysh kur lexohet mbishkrimi, por kjo enigmë nuk është zgjidhur ende. Është tunduese të besosh se kemi të bëjmë me një akrostik, por deshifrimi i tij është i vështirë edhe në këtë rast, sepse mund të hamendësohet se bëhet fjalë për të njëjtin tekst të sjellë në katër gjuhë, dhe ne na mungojnë shumë detaje nga historia e heroit që do mund të jepnin të dhëna për zbërthimin e këtij teksti. Shkrimi, si edhe tingulli i shkronjave, sugjeron një tekst latin, një lloj bekimi armësh, përdorimi i të cilit dihet se ishte mjaft i zakonshëm në kohën e Skënderbeut. Çiftëzimi dhe renditja e çiftshkronjave ngrenë pikëçuditëse, megjithatë, pas një shqyrtimi më nga afër, arrijmë në rezultate të pranueshme. Çdo çift shkronjash tregon thuajse drejtpërdrejt titujt e këtij princi, dhe kështu do të lexonim: “Ihesus Nazarenus ¹) Principi Emathiae, Regi Albaniae, Terrori Osmanorum, Regi Epiri BenedicaT”.

(Jezuji i Nazaresë të bekon ty, Princ i Emathisë, Mbret i Arbërisë, Tmerri i Osmanllinjve, Mbret i Epirit.) (varianti ynë)

(Koleksioni Perandorak dhe Mbretëror i Ambrasit, Inv. Nr. 243a.)

Përgatitur nga

Wendelin Boeheim,

Kujdestari Perandorak dhe Mbretëror i Grupit të Dytë të Koleksioneve Historike të Artit të Shtëpisë Perandorake.”

¹)Në letrat e pakta të njohura prej tij, Skënderbeu përdorte vazhdimisht titullin: Luftëtar i Jezu Krishtit. (Barleti, C. Paganel, Historia e Skënderbeut.) [[9]]

A i përmbyll ky zbulim i burimit dhe emri autoritar i Boeheim edhe diskutimet mbi saktësinë e interpretimit të propozuar nga ai? Me shumë gjasë, jo! Në historiografinë tonë kanë qarkulluar disa teza që e mbajnë hapur këtë debat, që nga mospasja, “me letra”, nga Skënderbeu i gjithë titujve që i mvishen në interpretimin e Boeheim, deri tek teza, si ajo e Skënder Anamalit, që mbishkrimi është shtuar më vonë nga pasardhësit e Skënderbeut apo edhe vetë hapësira e gjerë interpretative që shpaloset kur gjendemi përballë një akronimi pa dëshmi të porositësit apo gdhendësit të tij. Edhe vetë Boeheim duket të ketë qenë i vetëdijshëm për pikëpyetjet që do pasonin interpretimin e tij. Në raportin përshkrues, krahas përfundimeve të arritura, ai bën edhe vetëvlerësimin e rezultateve të punës së tij. Annehmbaren – i cilëson ai këto rezultate, të pranueshme.  

 Edhe sot, përkrenarja e Skënderbeut vijon të ruhet në Kunsthistorisches Museum të Vienës, në sallën Hofjagd- und Rüstkammer, e shoqëruar me përshkrimin teknik të marrë nga raporti i Boeheim:“Helmet with copper gilt band inscribed IN*PE*RA*TO*RE*BT, decorated with rosettes; Ambras Collection, Inv.-Nr. 243a.”.

Edhe numri i inventarit ka mbetur po ai, që nga koha kur e studioi dhe përshkroi Boeheim, në vitin 1878.

Referenca bibliografike


[1] Faik Konica, “Armët e Skënderbeut në Muzeun e Vjenës”, Albania, nr. 8, 30 dhjetor 1897, f.122-3

[2] Giuseppe Schirò, Gli Albanesi e la questione Balkanica, Napoli, 1904.

[3] Jaho Brahaj, Emblema Shqiptare, Lezhë, 1997, f.73.

[4] Fotaq Andrea, Dritan Muka, “Triptik”, www.zemrashqiptare.net, qershor-gusht 2025.

[5] Aurel Plasari, Skënderbeu, Një Histori Politike, Tiranë, 2010, f. 13-14, 20.

[6] Goffredo di Crollalanza, “L’Esposizione Araldico-Genealogico-Sfragistica di Vienna”, Giornale araldico-    genealogico-diplomatico, Pisa, 1879, f. 10-18.

[7] Thalloczy & Jireček, Illyrisch-albanische Forschungen, II, Wien, 1908, f. 233.

[8] Giovanni Domenico Mansi, Sacrorum Conciliorum nova et amplissima collectio, t. XXXI, Firenze, 1759, col. 1041–1044.

[9] Wendelin Boeheim, “Helm des Georg Castriota genannt Scanderbeg, Fürsten von Albanien (1403–1466)”, në Übersicht der heraldisch-genealogisch-sphragistischen Ausstellung des Vereines “Adler” in Wien, Wien, 1878, f.4.

Exit mobile version