Shkrimtari i shquar i letërsisë bashkëkohore shqipe Petro Marko dhe vepra e tij letrare në dekadat e fundit, është kundruar nga mjaft studiues, si: Ali Aliu, Rexhep Qose, Fatos Arapi, Agim Vinça, Bashkim Kuçuku, Moikom Zeqo, Xhevahir Spahiu, Ymer Çiraku, Jorgo Bulo, etj., nëpërmjet artikujve dhe mendimit të tyre kritike e letrare, kanë nxjerrë në dritë humanizmin e thellë, ëndrrat e zhgënjyera, fatet dramatike të kohës dhe njerëzve, si dhe horizontet e gjera të botës shqiptare. Me prozën e tij ai u bë një nga individualitetet më të shquara të letërsisë moderne shqipe. Këtë botë të madhe jetësore dhe letrare përcjell në veprën e vet “Shkrimtari i lirisë”, studiuesi i talentuar Behar Gjoka.
Libri monografik i Behar Gjokës “Petro Marko-shkrimtar i lirisë” është një monografi me përmbajtje gati shteruese dhe të thelluar për krijimtarinë e shkrimtarit Petro Marko, (poet, gazetar, përkthyes e mbi të gjitha një romancier i madh i kalibrit evropian). Nga konceptimi i shkrimit të kësaj monografie shkencore dhe nga mënyra e shtjellimit të saj, kuptohet se autori është ndalur gjatë në një punë leximore përpara se ta shkruajë këtë libër, si një vlerë e mirëfilltë e analizës dhe e hulumtimit të vlerave të Petro Markos si njeri dhe shkrimtar.
Një libër i ndarë në kapituj, çështje e nënçështje me synimin e autorit që ta zgjerojë optikën e vështrimit, duke operuar me një gjuhë të zhdërvjellët që parashtron, veçon dhe konkludon e u qaset me mençuri disa tipareve të këtij prozatori të madh si njeri dhe krijues. Ajo që përbën vlerën më të madhe të Petro Markos si njeri-është karakteri rebel dhe guximi qytetar e intelektual për ta thënë të vërtetën në emër të idealit të lirisë së shprehjes dhe lirisë si koncept i gjithëkohshëm filozofik. Petro Marko jetoi në një kohë të vështirë kur mungonte liria, për këtë, ai edhe shkoi të luftonte në Spanjë, në Luftën e Dytë Botërore, pas saj, duke mbetur kështu një luftëtar i madh i paepur, por edhe duke paguar çmimin e guximit dhe të idealit të lirisë. Ndryshe nga mjaft shkrimtarë të tjerë konformistë dhe puthadorë të regjimeve, Petro Marko nuk e shiti muzën e tij i vetëdijshëm se liria është thelbi i artit dhe ajo ta shpërblen sakrificën për të, duke të sjellë kështu pavdekësinë dhe mirënjohjen e brezave të lexuesve.
Nëse do të përkufizonim thelbin e jetëgjatësisë së një letërsie të madhe, atëherë duhet të ndaleshim në karakterin e saj human për të kuptuar sa i thellë është ky, sa i sinqertë dhe çfarë idealesh të lirisë përfaqëson ai. Personazhet e romaneve të Petro Markos të bindin për këtë, ata janë luftëtarë të lirisë kombëtare, internacionale dhe të lirisë së njeriut kundër regjimeve dhe padrejtësive, mbartin në vetvete dëshirën për jetë, për drejtësi, janë antikonformistë, kundër gënjeshtrës, hipokrizisë, thyejnë skemat e të menduarit të sipërfaqshëm dhe zbërthehen përmes ndjenjave të sinqerta. Këta personazhe, Petro Marko nuk i sajoi, ai i vëzhgoi nga jeta, u dha mish e gjak nga karakteri i tij rebel dhe i mishëroi me talentin e një romancieri të madh.
Këto përshtypje përfton duke lexuar veprën e tij të madhe, por më së shumti edhe kur kjo vepër zbërthehet nga një kritik, studiues dhe njohës shumë i mirë i veprës së tij, që ka edhe recepturën e percepturën e duhur të trajtesës, siç është Behar Gjoka. Petro Marko në faqet e kësaj monografie shpërfaqet si një intelektual dhe shkrimtar i burgosur në disa regjime-prandaj më shumë se çdo shkrimtar shqiptar ai e ka ditur se çfarë është liria, ndaj liria më e madhe qëndron në veprat e tij. Ajo është liri e jetës që vërshon në to, ashtu siç vjen përmes vuajtjes, përmes luftës dhe përmes ëndrrës së personazheve për të pasur një botë të lirë, të mirë, pa dhunë e pa luftë, një botë të qytetëruar, ku duhet të dominojë e mira.
Studiuesi i mirënjohur Behar Gjoka, qysh në fillim të studimit të tij, e cilëson Petro Markon gazetar i shquar (ai botoi mjaft shkrime në disa gazeta të kohës, por edhe i drejtoi ato), por edhe një poet të viteve 1930, si dhe një urë lidhëse e shkrimtarëve të viteve ’30 me letërsinë bashkëkohore. Edhe pse, në letërsinë e re të pas Luftës së Dytë Botërore, ai nuk u rendit në emrat e tribunave letrare që shpallte kritika zyrtare e kohës, ai nuk u hoq kurrë nga kujtesa e lexuesit, nga interesimi i rretheve letrare jashtë kësaj kritike euforike, nga mendimi i përgjithshëm i letërsidashësve, se ai ishte një shkrimtar i pëlqyer dhe se romanet e tij që dilnin përbënin një ngjarje letrare dhe një gëzim estetik për lexuesit, pavarësisht se kritika zyrtare heshtte.
Studimi i Behar Gjokës -mbi poezinë e Petro Markos, mbi vargun e tij të matur dhe të lirë, mbi “portretizimin” e fjalës si “një bard i kohëve moderne” mbi dramat dhe tregimet e tij, ndërtohen duke sjellë çështje të trajtesës me profesionalizëm e mençuri, që synojnë paraqitjen e plotësisë ideore dhe estetike të tekstit krijues të Petro Markos në këto zhanre letrare. Kritika dhe studimi i Behar Gjokës është një qasje e epërme ndaj vlerave tekstore të veprës së Petro Markos, ku ai ndalet me imtësi dhe maturi në arritjet estetike dhe artistike që realizojnë peshën e vargut të bukur të poezisë së tij. Po kështu, mjaft mendime të studiuesit mbi dramat e Petro Markos japin informacion dhe krijojnë këndvështrime të kujdesshme mbi sqarimin e elementeve kompozicionalë të këtyre dramave, mbi tensionin dramatik që, sipas studiuesit, shkon deri në “drama me elementë tragjikë”.
Monografia letrare e Behar Gjokës mbi shkrimtarin Petro Marko është një monografi që synon pikërisht gjykimin mbi tekstin e shkruar të këtij shkrimtari dhe mbi vlerat artistike të veprës së tij, pa përjashtuar sfondin kohor, idetë e tij apo idetë e autorit të shfaqura e të materializuara në veprën e tij. Dhe ky synim është realizuar me një afrim profesional, ndërsa dalin në pah së pari vlerat e artit të madh të Petro Markos në poezi, drama, tregime, romane për fëmijë (“Fantazma e plani tre plus katër” dhe “Shpella e piratëve”) e sidomos në romanet e tij të shquara, vepra fondamentale të prozës shqipe bashkëkohore.
Analiza e thellë dhe e kujdesshme që Behar Gjoka u bën romaneve të Petro Markos tregon për njohje shumë të mirë të tekstit letrar të tyre, por edhe pikëtakimet që ato bëjnë me romane të letërsisë së Brezit të Humbur, meqë Petro Marko jetoi Luftën e Dytë Botërore. Në romanet e tij me temën e Luftës (“Hasta la Vista” dhe “Nata e Ustikës”), zakonisht kemi një shqiptar dhe një vajze të huaj (spanjolle te “Hasta la vista” dhe sllovene te “Nata e Ustikës”) me të cilën bie në dashuri protagonisti shqiptar po këtë dashuri e gjymton lufta dhe tmerret e saj.
Petro Marko e afron me shkrimtarët e “Brezit të Humbur” përshkrimi i tragjedisë së luftës, por jo humbja e shpresës edhe pse këto tmerre çojnë deri te ky perceptim. Dhe, me talentin e dashamirësinë e tij, arrin tek ideja, se popujt duhet të ngrihen mbi luftën, mbi ndarjet apo kufijtë, (ideja e vëllazërimit të popujve përballë plojës shfarosëse fiton gjithnjë një theksim aktual sa herë shfaqen retë e zeza të kërcënimeve dhe të luftërave). Autori në këto romane pasqyron elementë të biografisë së tij, çka është e natyrshme, sepse si luftëtar i Brigadave Internacionaliste, ai ka jetuar vetë këto ngjarje, por romanet e Petro Markos ngrihen mbi këtë rrafsh artistikisht e nga ky rrafsh si material faktik e jetësor e inspirim krijues.
Studiuesi Behar Gjoka shtjellon me imtësi linjat e këtyre romaneve për të treguar jetën e gjerë dhe pikëtakimet ideore të personazheve, ecjen e tyre në jetë dhe përfaqësimin e tyre në nivel ideoartistik. Pastaj ndalet në narrativen e prozës romanore të Petro Markos, ku rrëfimi autorial fiton njëfarë distance nga ngjarjet, duke vënë re me të drejtë se në shtjellën narrative të Petro Markos futet edhe rrëfimi i rrëfimeve, çka si konstatim i gjetur me mprehtësi, sipas studiuesit, i jep veprës dhe tekstit të saj shtjellimin e rrëfimit modern.
Me të drejtë studiuesi i quan këto vepra romanore “tekste të hapura” për nga forca e ëndrrës dhe e dëshirës, për nga pesha specifike e shtratit jetësor që zgjerohet, nga mundësia, përvoja dhe aftësia e Petro Markos për ta njohur jetën, për ta prekur atë si shkrimtar në çdo qelizë të saj dhe për ta transfiguruar artistikisht. Kjo, pa mëdyshje, i ka siguruar tekstit të tij romanor një jetëgjatësi ndër lexues dhe mendimin e përgjithshëm se romanet e tij, të strukturuara përmes dhe nëpërmjet një hapësire të gjerë jetësore, e mishërojnë atë jo vetëm me një arkitekturë moderne, por edhe me personazhe të gdhendura artistikisht, që jetojnë brenda shqetësimeve të njeriut të çdo kohe, pavarësisht nga ndryshimet kohore në regjime apo mendësi.
Petro Marko i theu konvencionet ideologjike të kohës, çau pritat e rreziqeve përmes nënvizimit të humanizmit edhe aty ku këtë nuk e lejonin rrethanat kohore, etiketimet e rrepta ideologjike, dhe kjo duket më mirë te romani i tij-kryevepër “Qyteti i fundit”. Ky roman ngrihet mbi konceptet e ngurosura ideologjike, mbi paragjykimet, dhe shënon një vepër humaniste me vlera të larta, dëshmi e një kohe dramatike, ku dashuria e toger Lekës me një prostitutë arrin të na japë linja lirike-dramatike të përshkruara me mjeshtëri.
Studiuesi sjell në trajtesën e tij me kompetencë përngjasime me Heminguejn (“Lamtumirë armë”), me Remarkun (“Harku i Triumfit”) për sa i përket dashurisë së dy të rinjve në luftë ose në mbarim të luftës, po kështu edhe në kohën letrare (në romanin “Qyteti i fundit” koha zhvillohet në shtatë ditë). Sipas studiuesit Behar Gjoka, Petro Marko në këtë roman e shmangu rrëfimin linear, “patetizmin dhe optimizmin që shoqëron modelin e romanit të metodës së realizmit socialist të asaj kohe”. Ky është një vlerësim mjaft i drejtë dhe i spikatur i studiuesit, bazuar në analizë teksti, duke e sjellë mënyrën e trajtesës së këtij romani në një pikëvështrim kohor, por edhe të vlerave gjithëkohore si roman modern për nga mënyra e konceptimit dhe e rrëfimit. Studiuesi e quan gjithashtu rrëfimin e Petro Markos “magji” dhe jo vetëm në këtë roman.
Një hulumtim serioz dhe një prekje të shtjelluar me kujdes i bën studiuesi edhe romanit “Ara në mal”, ku paralelizmat e kohëve dhe thyerjet kompozicionale sjellin një teknikë tjetër në natyrën e narratorit të madh Petro Marko. Studiuesi analizon gjithashtu edhe pentagramin rrëfimor të autorit dhe shikon edhe pikëtakime rastësore me romanin “Njerëz të pavarur” të Halldor Llaksnes. Prania e personazheve të romaneve të Petro Markos është e fuqishme, sepse ata përgjithësisht formëzohen dhe jetojnë në rrethana të zgripit ekzistencial, ata vihen para provave të vështira, nuk janë të njëtrajtshëm në trajtim, përkundrazi. Edhe në trajtesën për romanin “Nata e Ustikës” (variant i parë dhe “Një natë e dy agime”-varianti i dytë i këtij romani – autori ndalet me një tjetër vështrim për këtë roman, duke e quajtur “një tekst të sinkretikës letrare”.
Analizat e kujdesshme të Behar Gjokës sjellin gjithashtu aftësinë e tij hulumtuese dhe zhbiruese duke matur mirë pulsin jetësor të këtyre romaneve deri në regëtimat më të pandjeshme të hovit shpirtëror të personazheve, si dhe dëshmojnë edhe njohuritë e tij për veprat e tjera letrare të autorëve të ndryshëm, gjë e cila i ka dhënë atij mundësinë që teknikisht të zbulojë veçoritë narrative-kompozicionale të çdo romani, duke sjellë kështu idenë e nënkuptuar se Petro Marko i shkruante romanet e tij, duke kërkuar gjithnjë teknika të reja të rrëfimit, të kompozimit e duke sjellë në ta diçka të re për sa u përket këtyre teknikave. Kjo e shënon atë si një romancier të madh që kërkon vazhdimisht forma e mënyra të reja pasqyrimi, gjë të cilat Gjoka i paraqet në shqyrtimin e tij në mënyrë bindëse edhe si formulime, edhe si shembuj konkretë.
Kjo shihet edhe në trajtimin që ai i bën romanit të këtij autori “Një emër në katër rrugë”. Këtë roman studiuesi e quan roman i kohës së projektuar dhe gjithashtu tregon kalvarin e kësaj vepre letrare, bllokimin dhe heshtjen zyrtare ndaj saj, për aludimet e forta narrative dhe shenjëzimet kuptimore të thekura e hithëruese. E gjithë krijimtaria në prozë e Petro Markos, si në këto romane edhe në romane të tjera, përbëhet, sipas studiuesit, nga uni i fortë autorial, me ngjarje plot dinamizëm dhe me një temporitëm rrëfimor dhe aftësi kompozuese të jashtëzakonshme, që dëshmon vulën e thellë të një autori modern, që i ka rezistuar mrekullisht kohës së leximit apo vlerës së horizontit të pritjes dhe mbetet gjithnjë i freskët dhe i dashur për lexuesit.
Gjithë këto analiza të mirëfillta letrare, duke kapur e shtjelluar veçori tematike dhe strukturore të veprës së Petro Markos, të çojnë vetiu tek titulli i librit: “Petro Marko-shkrimtar i lirisë” (një lajtmotiv sa poetik aq arsyetues) dhe kjo jo vetëm në aspektin e jetës së lirë që bëri autori, por duke u dhënë liri mjaft koncepteve të tij në mënyrën e trajtimit të tyre, në krijimin e një bote artistike, dramatike dhe vezulluese për sa i përket njomështisë dhe mbushullisë së artit. Petro Marko me jetën e tij prej një njeriu të lirë dhe rebel, u bë shembull i shkrimtarit që nuk shkroi ekskatedra, por atë që jetoi, ai e shkroi, jo thjesht si biografi personale, por me artin e tij arriti t’u japë romaneve të veta një tharm të fuqishëm artistik dhe filozofik.
Vlerat artistike dhe estetike të krijimtarisë së Petro Markos, ngjizen me filozofinë e lirisë dhe filozofia e lirisë në shumëkuptimësinë e saj zgjerohet me kuptimin se për lirinë duhet të jesh edhe luftëtar i saj dhe nuk është rastësi që disa protagonistë kryesorë të romaneve të tij zbërthehen si alterego e autorit. Ndaj nuk është rastësi që studiuesi Gjoka e përmbyll monografinë e tij shkencore me librin jetëshkrimor “Retë dhe gurët”, një autobiografi interesante me modelin e arrirë të saj që të kujton “Autobiografinë” e De Radës, të Nolit po edhe sa personaliteteve të tjera të artit botëror. Dihet se autobiografitë e të mëdhenjve nuk janë thjesht rrëfime personale, por rrëfime të sinqerta dhe zbërthime të raporteve të caktuara të njeriut të shquar me kohën.
Aty zbërthehen edhe disa rrethana apo motive jo thjesht rastësore që kanë ndikuar në formimin e Petro Markos si shkrimtar i madh dhe që i kanë dhënë shtysën në shkrimin e romaneve të tij. Aty tregohet se si arti i Petro Markos nuk iu përshtat guaskës së intimitetit lëngues, konformizmit dhe paraparjes së rreziqeve, por lindi si art i lirë, i mëvetësuar dhe i pandikuar nga ngjashmëritë, një art origjinal, sidomos në lëvrimin e romanit, duke e shënuar atë e duke e renditur në radhën e romancierëve kryesorë të Shqipërisë.
Libri monografik i Behar Gjokës “Petro Marko-shkrimtar i lirisë”, krijon një panoramë të gjerë dhe të thelluar mbi veprën e një shkrimtari të madh, afron një urë të re për të ecur më shpejt drejt veprës së këtij shkrimtari, gjithashtu, është model i analizës profesionale, ku arsyetohet në mënyrë bindëse dhe zbërthehet në të gjithë treguesit kuptimorë dhe artistikë vepra e një shkrimtari me potencial të jashtëzakonshëm të rrëfimit modern, të gdhendjes së personazheve e të krijimit të situatave lirike-dramatike, ku forca dhe filozofia e jetës i paraprin mendimit krijues dhe mendimi e lartëson veprën e tij natyrshëm dhe me hijeshi artistike të admirueshme, duke lënë gjurmë të thella në pasurimin e prozës moderne shqiptare.
Vlorë-Tiranë, maj 2025.
