Më 9 mars 2026, Galeria “ZENIT” në Tiranë u bë vendi ku publikisht u prezantua për herë të parë cikli i ri i Peter Assmann – 40 punime të realizuara gjatë viteve 2025-2026, në vizatim dhe akuarel. Kjo ekspozitë personale, e kuruar nga Artan Shabani, i fton shikuesit të hyjnë në një dialog të veçantë me dritën, hapësirën, linjën, por edhe me një dimension të ri: temën e të drejtave të njeriut, të cilën artisti e përforcon përmes shkrimeve dhe mesazheve që shoqërojnë çdo vepër.
“Drita nuk është vetëm ajo që sheh syri,…” shprehet Assmann, “…ajo është ajo që ndjejmë brenda, ajo që formon hapësirën e shpirtit dhe ndërton ura mes njerëzve…” Secili vizatim dhe akuarel bëhet kështu një pasqyrë poetike e perceptimeve të tij, duke i dhënë publikut mundësinë të ndjejë, të meditojë dhe të reflektojë mbi temën universale të të drejtave të njeriut. Ekspozita në Tiranë do të qëndrojë e hapur nga 9 deri më 19 mars 2026, ndërsa më pas cikli I vizatimeve të artistit, do të vazhdojë udhëtimin e tij në Vlorë, në Promenade Gallery, të themeluar dhe drejtuar po nga Artan Shabani. Ky itinerar sjell artin e Assmann për publikun shqiptar në dy qytete kryesore, duke e bërë përvojën më të gjerë dhe më të prekshme.
Formimi dhe përvoja ndërkombëtare
I lindur më 28 gusht 1963 në Zams, Austri, Assmann studioi histori arti, histori dhe gjermanistikë në Universitetin e Innsbruck-ut, ku mbrojti doktoraturën me një studim mbi afresket historike të manastirit Santa Maria Novella. Karriera e tij ndërkombëtare përfshin periudha studimi në Deutsches Kunsthistorisches Institut në Firence, si dhe aktivitetin në komitetin shkencor të Castello del Buonconsiglio.
Si drejtor i Palazzo Ducale di Mantova, Itali, ai ka ndërthurur traditën me eksperimentin bashkëkohor, duke krijuar ura mes historisë, artit dhe perceptimit modern. Përveç veprimtarisë institucionale, Assmann ka qenë president i Shoqatës Austriake të Muzeve, anëtar i bordit të NEMO dhe aktiv si shkrimtar dhe artist vizual, duke kontribuar në jetën artistike dhe kulturore europiane. Artisti Peter Assmann duke filluar nga viti 2017 – 2026 ka marrë pjesë në mbi 75 ekspozita në grup, ka çelur 6 ekspozita vetjake dhe 5 ekspozita sëbashku me një artist tjetër. Ekspozitat e tij janë çelur në qytete të ndryshme të Austrisë, në Itali, në Gjermani, në Kinë dhe në Shqipëri.
Drita, hapësira dhe
dialogu me publikun
Drita tek punimet e Assmann nuk është thjesht një element teknik – ajo është protagonist i veprës, entitet që merr jetë. Në serinë e tij të fundit, drita shpërndahet mbi figura njerëzore të etërta dhe objekte simbolike, duke krijuar ndjesinë e lëvizjes brenda heshtjes. Akuarelet dhe vizatimet e tij shfaqin atmosfera eterike, plane të ndryshme perceptive dhe kontraste mes dritës dhe hijes, duke ndërthurur emocione të brendshme me reflektime mbi botën.
Secila vepër e ciklit të ri shoqërohet nga shkrime personale të Assmann, ku artisti reflekton mbi të drejtat e njeriut, duke i dhënë publikut një përvojë unike: jo vetëm vizuale, por edhe etike dhe intelektuale. Ai shprehet: “Kur shikuesi ndalon dhe mediton, drita bëhet një rrugë drejt vetvetes dhe drejt të drejtave të secilit njeri.”
Një dimension i rëndësishëm është raporti mes trupit dhe hapësirës. Në serinë “Figura dhe Hije” (2023-2025), figura njerëzore shfaqet e ndriçuar pjesërisht, duke u përplasur me hapësirën që e rrethon. Linjat dhe tonalitetet nuk janë thjesht mjete teknike; ato janë gjuhë poetike që ftojnë publikun të meditojë mbi ndjeshmërinë, mbi lirinë dhe dinjitetin e individit.
Në veprën “Ndërthurja e kohëve” (2024), referenca nga Rilindja dhe ekspresionizmi ndërthuret me tonalitet modern, duke krijuar një urë mes së kaluarës dhe perceptimit bashkëkohor, duke e bërë ciklin një reflektim i gjallë dhe ndërkombëtar mbi të drejtën e jetës dhe lirinë e shprehjes.
Dialog ndërkulturor dhe udhëtimi i ekspozitës
Ekspozita në Tiranë dhe më pas në Vlorë nuk është thjesht një prezantim vizual; është një udhëtim ndërkulturor dhe reflektues. Punimet e Assmann sjellin një dialog të hapur me shikuesin, ku arti, drita dhe hapësira flasin për mesazhe universale mbi të drejtat dhe dinjitetin e njeriut.
Ky cikël i ri i ekspozuar për herë të parë në Shqipëri është gjithashtu një ftesë për publikun që të bëhet pjesë e rrugëtimit të artistit, duke kuptuar se arti mund të jetë udhëzim, reflektim dhe apel për të drejtën, lirinë dhe barazinë.
Peter Assmann është një artist që ndërthur njohuri historike, ndjeshmëri poetike dhe eksperimente vizuale, duke krijuar një gjuhë të pasur dhe të thellë. Cikli i tij i fundit, i përqendruar mbi të drejtat e njeriut dhe shoqëruar nga mesazhe personale, e vendos atë në qendër të skenës ndërkombëtare bashkëkohore. Ekspozita në Tiranë (9-19 mars 2026) dhe më pas në Vlorë (28 mars – 20 prill 2026) është një mundësi e rrallë për të përjetuar këtë univers, ku arti bëhet udhëtim, reflektim dhe dialog mbi jetën, lirinë dhe ndjeshmërinë njerëzore. Pjesmarrja në dy ekspozita e artistit Peter Assmann në Shqipëri u bë e mundur nga kuratori & artisti Artan Shabani.



Biografia e artistit Peter Assmann
Nga viti 1987 deri në 1991, Assman punoi në projekte kërkimore në Itali dhe Francë. Nga 1992 deri në 2000 ishte drejtor i Galerisë Shtetërore të Austrisë së Sipërme, dhe nga 2000 deri në 2013, drejtor i Muzeve Shtetërore të Austrisë së Sipërme. Ai gjithashtu shërbeu në bordin e Network of European Museum Organisations nga 2009 deri në 2014 dhe ishte president i Austrian Museums Association nga 2002 deri në 2012. Nga 2015 deri në 2019, ai ishte drejtor i Kompleksit Muzikal Palazzo Ducale në Mantova, dhe nga 2019 deri në 2022, drejtor i Muzeve Shtetërore të Tirolit. Një bletë dhe një flutur janë emëruar në nder të Assmann, dhe ai është gjithashtu qytetar nderi i qyteteve italiane Casale Monferrato dhe Curtatone, si dhe anëtar nderi i Accademia delle Arti del Disegno në Firence. Për ditëlindjen e tij të 60-të, i është kushtuar një vëllim përkujtimor: “Apollo e le muse. Studi in onore di Peter Assmann”, i redaktuar nga Paolo Bertelli, Treviso: ZeL Edizione, 2024 (286 faqe).
Që nga viti 1995, Assmann është aktiv në hapësirën publike si artist dhe shkrimtar. Si artist vizual, ai ishte themelues i grupeve artistike c/o: K – Institut für Kunstinitiativen dhe Sinnenbrand. Ai është gjithashtu anëtar artistik i Vienna Künstlerhaus, Wels Artists’ Guild, dhe IG Bildende Kunst, dhe si shkrimtar, anëtar i GAV (Association of Visual Artists).
KUNSTOffizin. Linz – themeluar 2023, Studio dhe Galeri, Linz (A), Graben 9; Studio/Kunstkammer: Grazie (I), (Curtatone pranë Mantovas), via della Francesca 50
Ekspozitat e dy viteve të fundit
2026
Linz, Kunstoffizin, “A+N+P”, ekspozitë grupore
Tiranë, Galeria Zenit, “Peter Assmann – një parathënie artistike për të drejtat e njeriut”, ekspozitë vetjake
Vlorë, Galeria Promenade, “Peter Assmann”, ekspozitë vetjake
2025
Vienna, Galerie district4art, “In/Tolerance”, ekspozitë grupore, katalog
Linz, Galerie MAERZ, “Fifteen Minutes by Train _ Wels/Linz”, ekspozitë në grup
Simbach, Showroom K3, “Winterproof 2025”, ekspozitë grupore
Linz, Galerie tiger line, “Word in Image”, ekspozitë në grup (kurator Gabriele Baumgartner)
Romë, Salla 1 Centro Internazionale d’Arte Contemporanea, “What do you think?”, ekspozitë në grup (kurator Mary Angela Schroth dhe Beate Sprenger)
Romë, Austrian Cultural Forum, “What do you think? Declarations on migration and human rights”, ekspozitë në grup (kurator Beate Sprenger)
Kulmbach, Historic Bathhouse, “Retrospectives (eu-art Symposium 2022 and 2023)”, ekspozitë në grup (kurator Wolfgang Horwath)
Stuttgart, art district, “The Universe Pinches Back”, ekspozitë në grup
Gazoldo degli Ippoliti, MAM – Museo d’Arte Moderna, “What do you think? i diritti umani e le nuove generazioni”, ekspozitë në grup (kurator Paola Artoni dhe Beate Sprenger)
Simbach, Showroom K3, “INN Conflict”, ekspozitë në grup, katalog
Attnang-Puchheim, Galerie Schloss Puchheim, “Easter Drawing 2025”, Simpozium artistik dhe ekspozitë në grup
Trieste, Tivarnella Art Gallery / Strobl Deutschvilla / Linz, Kunstoffizin, “Beauty Exists Everywhere”, ekspozitë në grup, katalog
Linz, Galerie tiger line, “Flowers”, ekspozitë në grup (kurator Gabriele Baumgartner)
Trieste, Porto Vecchio Sala Leonor Fini, “ART AS A RUNWAY BETWEEN WORLDS / ART AS A PEACE-BRINGING RUNWAY BETWEEN WORLDS”, ekspozitë në grup, kurator Art Projects Association
Wels, Galerie Forum, “Human Being”, ekspozitë bashkë me Anna Schrems
Krems, Galerie Kopriva, “Selection: Paper”, ekspozitë në grup, kurator Gabriele Baumgartner
Neuhaus, Tabor Castle, “25 Years of Art in Dialogue”, ekspozitë në grup
Soncino, Museo della Stampa, “Ex Libris_Libri d’autore”, ekspozitë në grup, kurator David Palterer, Marco Tonelli, Norberto Medardi
Wels, Galerie Forum, “Foroom”, ekspozitë në grup
Artists’ Village Neumarkt an der Raab, “What is the purpose of art?”, eu-art-network, Simpozium artistik dhe ekspozitë në grup
Sofia, Sofia Art Fair, Stand of Kunstoffizin Linz
Tiranë, MAG Gallery, “Drawing Room”, ekspozitë në grup, kurator Alba Sgarbi dhe Artan Shabani
Simbach Showroom K3, “Winterproof 2026”, ekspozitë në grup



