Kreu Opinion Xhevair Lleshi: Promocion dhe festë libri në Roskovec

Xhevair Lleshi: Promocion dhe festë libri në Roskovec

1

…Ndoshta e gjithë kjo ishte një e papritur, por jo ëndërr. Mbase edhe një kujtim i largët i ëndrrave tona më të mira. Bujar Hudhri i Onufri-t aq të njohur kudo dhe Anila Bisha (Leka) drejtore e shtëpisë botuese Mediaprint, bashkë me shkrimtarin e ri dhe administrator i institutit të gjuhëve të huaja në Roskovec (RLS) organizuan një meeting libri të ri në dy botime të autorit Xhevair Lleshi : Endem nëpër re me tim bir, përsiatje – si një roman (botim i Onufrit) dhe “Shtëpia e vallëzimit”, roman i ri i po këtij autori nga shtëpia botuese ‘Media print’. Dita e fundit e muajit me plot diell të shkëlqyer prilli nuk po e njihte më vetveten. Ne e kishim bëtë udhë që të pushonim pak tek bujtina ‘Rubin’ e ing. Fatmir Manushit në Seferan të Belshit. Aty sikur merr tjetër energji dhe bëhesh papritur ndryshe: edhe më optimist, edhe më entuziast, madje bëhesh një ‘djalë’ i jashtëzakonshëm.

– Qenka goxha mirë këtu! – deklaroi Prof. Dr. Ramiz Zekaj që printe ‘autokolonën’ nga Tirana, gjithnjë i joshur kah e bukura.

Miku im Shefqet Billa, regjisori Astrit Hykaj, përkthyesi Bajram Karabolli, Aldion Çela (autor i ri), psikologu Petrit Çollaku, Mefail Billa dhe Diamanti i Onufrit,  gjithë entuziazëm për ta bërë për vete çdo mundësi që të dhuron fund-prilli, për ta futur çdo gjë në aleancën e natyrës, që të detyronin për ta lënë shumë shpejt një gjë, me një lloj ironie dhe buzëqeshjeje ndjellëse. Zakon pranvere, aq më tepër kur të nesërmen je në maj. Burrë e grua, të zotët e bujtinës të njohur kudo në rrethet artistike të Tiranës, të mahnitur, nxituan të na dhurojnë shpirtin e tyre të bukur, iu desh të kërkonin edhe diç më shumë, përveç artit të mikpritjes, që kushdo prej nesh tashmë e njeh mjaft mirë. Secili u kënaqej librave dhe nuk ngopej së qeshuri me deklarata dashurie për të dhe si gjithmonë kaq papritur, mu në mes të rrugës…

Fund-prilli kishte shpërthyer në imagjinatën e tij të jashtëzakonshme, duke e kthyer gjithë udhëtimin tonë magjepsës në dashuri të pafundme, aq më tepër kur të jepte tjetër ngrohtësi vetë natyra që padyshim bëhet edhe më elegante dhe e përsosur edhe për shkak të trillit të njohur të prillit.

– I admiroj qytetet që janë kaq të sistemuar dhe të pastër! – do të deklamonte me një ngrohtësi të përveçuar Shefqet Billa (Qet Billa, i them unë dhe jo më kot), në pasditen e vonë të kthimit. Atij, e dija, nuk është lehtë t’i dhurosh kënaqësi, qoftë ajo edhe estetike.

– Unë, jo për patriotizëm, – thoshte Bardhyl Dardha i RLS, organizatori i këtij meeting-u libri, – unë jo…, por ama të gjitha do t’i jepja për këtë takim me librin…

Ai e dinte që takimi do të mbyllej me lexuesit që kërkonin një dedikim prej autorit…. Do ishte vërtet bukur sikur festa të tilla të organizoheshin me autorë të tjerë!

Dhe i mbylli këtë paradë përshkrimesh duke treguar se një meeting libri si ky u bë në këtë bibliotekë javën e kaluar me shkrimtarin Namik Dokle. A e dini që Roskoveci ka pallat kulture dhe bibliotekë? Ka një magnet ky qytet që i tërheq krijuesit. Për besë! Dhe kjo merr këtë pamje me një formë të mrekullueshme, nëpërmjet zotërimit të aftësive të mëdha! Ja një cilësi që do i lërë gojëhapur të gjithë! Më duket se kjo personalizohet lehtë me kryetaren e bashkisë, Majlinda Bufi.

2

Papritur, një nga lexueset s’u përmbajt dhe m’u hodh në qafë. Bukur! Edhe kështu duhet…

– Mirëpo, e dashur, meeting-u i librit nuk është një blof! Ejani për të! Vetë ky nuk e lë në baltë librin… Kurrën e kurrës! Libri nuk bën gastrole me zarar! Për librin, të njëjtën gjë mendoj kurdoherë!

Ky ishte një fragment nga ajo gumëzhimë e pafund bisedash të hapura e të fshehta që bëheshin gjithandej nëpër atë meeting. Ethet i kanë përshirë të gjithë. Janë ethe prilli dhe jo gushti. Janë ethe libri. Gjimnazistët, pjesëmarrës në takim, të mbështetur tek librat e ekspozuar, thërrisnin fort për të treguar vlerësimet për to, duke shpalosur rininë e tyre me vrull të paparë. Rinia është trëndafili i majit të kësaj jete!…

Shkurt, e gjithë kjo ‘betejë’ e ethshme për librin, ishte përqendruar tek ideja e njohur mirë tashmë, midis grupeve të ndryshme që diskutonin se çfarë ideje përmbante libri me ese ‘Logu i shpirtrave’ nga romani i ri ‘Shtëpia e vallëzimit’ të këtij autori që ka shkruar e botuar një numër jo të zakonshëm librash, që rrinë edhe këtu si në shtëpinë e tyre, me fytyrat e përskuqura nga ethet, triumfuese deri në këtë moment. Endem nëpër re me tim bir, është një libër që i kushtohet dhimbjes, por si dhe në librat, romanet, tregimet, esetë e tij, kanë shumë dritë, optimizëm, jetë dhe burrëri, forcë, energji. Fundja, a nuk është ky kuptimi i jetës? Një libër i tillë nuk do të ishte kurrë një katastrofë, nëse do të shkruhej përsëri. Për pasojë, edhe gjithë pasionet, mbushur me krenari të shumëfishtë bëhen mburojë e krenarisë së virtytshme, prandaj edhe brohoritet nga të gjithë. Atëherë kemi plotësisht të drejtë se ‘Njeriu është çfarë s’ka rrëfyer akoma’, ashtu si dhe libri i vërtetë është ai çfarë ende s’ka rrëfyer gjë!

Një nga vajzat lexon pak ftohtë, duke e zotëruar atë potere fjalësh, emocionesh, ku kryqëzohen zërat nëpër fjalitë me shqipe të gjallë, përzier natyrshëm me thirrjet e të rinjve, duke mbajtur vesh, pamjet e një mbretërie librash që dhurojnë vetëm optimizëm dhe pozitivitet, energjia më e kulluar dhe më origjinale në botë.

– Po ‘Shtëpia e vëllazërimit’, si, a ka edhe ky nota autobiografike? – pyeti Aldion Çela. – A janë të interesuar për të?

Në fakt, është e vërtetë që s’ka ndonjë interes për të, sepse, sa ka dalë nga shtypi, madje as nuk është përmendur fare. Ndërkaq, gjithë fabula e tij është ‘Njeriu mbetet çfarë s’ka rrëfyer akoma’,domethënë karakteri i tij të mos arrijë të mbytet dhe eklipsohet dhe si emër të mbushet me popullaritetin e madh që mund të fitojë. Mirëpo Bardhi ngre krahët në ajër duke thënë:

– Kam një sugjerim… Unë po vë një notë të lartë për romanin ende të pabotuar ‘Ambasadori shëtitës’ që po lexoj në dorëshkrim. Fantastik! Është një ditë e zakonshme shqiptare që ndodh para syve tanë, madje edhe ne duke qenë pjesëmarrës, me të gjitha nepset tona, me hamendjet, kurthet, origjinalitetin, fabulës, interesat, intrigat e skajshme etj., etj. Aty janë gjithë ç’i duhen një vepre letrare…

Mos harroni që në meeting shkohet edhe më tej, herë me korte, me shaka, duke hedhur sfida, sikur hahen e ndeshen për gjërat e vogla që patjetër së shpejti bëhen të mëdha, të cilat i kishin nxjerrë me kohë në një ankand shpirtëror…

3

Sido si, vjen një çast që pjesëmarrësit shpërndahen, tashmë me ndijë të kënaqur duke kontrolluar e vëzhguar të gjithë hapësirën e qytetit të vogël krejt të pastër, lëbyrshëm. Ndërkohë që rreth e rreth bashkisë së Tiranës protestohet egër, në Roskovec festohet për dy libra të rinj. Dhe e gjitha kjo shkakton një qasje të madhe, e cila i kalon njerëzve të entuziazmuar, kur herë pas here thuheshin vargje përmendësh, duke e treguar dikë me gisht, ndërkohë që deklamuesit, në këmbë, tundin e shkundin fjalët edhe në rrugë. Një meeting libri kështu përfundon, s’mund të ketë molotovë dhe flakë, por vetëm pasione libri.  Aty, sak aty, nis edhe ideja e një romani të ri… 

Megjithatë, Roskoveci është ndoshta bashkia e vetme në botë, që dha çmimin lexuesi më i mirë i vitit, domethënë ai/ajo që ka lexuar më shumë libra. Dhe kjo është një grua, Raimonda Hoxha. Ndoshta vetë bashkia po aplikon edhe për një çmim të rekordeve Guinness. A është kjo një punë e bukur, madje e shkëlqyer? Pse jo. Disa ishin të bindur, disa kërkonin një mënyrë tjetër, më absolute. Faleminderit, për fitoren e sigurt, shpreheshin ata. Pastaj, s’ka pse të nguten njerëzit për suksesin e një libri, madje edhe për atë që e ka gëlltitur gjithë botën. Kjo sepse ethet dhe lëngata e librit janë shtruar për jetë a vdekje në këtë vendin tonë, duke parashtruar e dhënë zgjidhje, pa marrë asnjëherë përgjigjen e duhur. Po sikur atdheu ynë që bjerret çdo ditë e më tepër, të bënte të mundur një festë çmimesh në fund të vitit, do të kishim shtatëdhjetedy lexuesit më të mirë të vitit, të cilët librat e rinj të vitit që vjen do t’i kishin dhuratë nga bashkia, si pjesë e çmimit. Ashtu siç bën kjo bashki, me ndryshimin se Tirana ka njëmbëdhjetë rajone dhe do të kishte njëmbëdhjetë fitues plus fituesit të madh të kryeqytetit, që ende nuk e ka  bibliotekën e tij, natyrisht veç bibliotekëzave të rajoneve që sa për formë kanë afishuar nga njëqind libra… Ndërkaq Majlinda Bufi deklaron se së shpejti Roskoveci do ketë një bibliotekë të re. Sigurisht ky është lajmi më i bukur i këtij meeting-u.

Dëshirës për të arritur që diskutimet rreth librave të rinj të jepnin frytet e duhur, ndizeshin tek Prof. Dr. Ramiz Zekaj, i cili dikur me Institutin Shqiptar të Qytetërimit Islam jepte çmime për librin më të mirë të vitit dhe natyrisht përfaqësuar nga shkrimtari ose poeti, dhe se me Institutin e Edukimit, Trashëgimisë dhe Turizmit (IETT) ka ardhur në këtë takim për të mundësuar dhuratën e një numri jo të vogël librash. Edhe Qendra Traditë-Art-Libra (QTAL) ka sjellë në këtë meeting dhuratën e vetë për bibliotekën. Por edhe për bibliotekën e Kolegjit Universitar ‘Instituti Kanadez i Teknologjisë’, po edhe për një meeting libri me studentët… Ndërkohë një grua me të birin kish ardhur të takonte shkrimtarin e lagjes së saj në Berat. Djali s’më njihte, ishte shumë i ri, por s’prishte punë më njihte e ëma. U shkrep edhe një foto. Të tre të qeshur. Do të jetë një kujtim i bukur. I dhashë numrin e telefonit që t’ma dërgonte foton në WhatsApp bashkë me emrin, emrin e djalit dhe ndonjë shënim tjetër. Por ajo u përgjigj në mënyrë evazive. Nuk e di pse u ngatërrua. Kot fare, mendova. Përveç kësaj pamjeje të shqetësuar, vura re se po vinte në skenë shkrimtari dhe gazetari vendas Flamur Çepele. Duket se ai qe momenti i tij. 

Meeting-u përfundoi si pa u vënë re, në pritjen e çastit kur një mjegull u ngrit përmbi ne. Mjegull drite që po hovte ca si dritë e zbehtë, gri, që çuditërisht e ndriçonte tashmë këdo.

Mirëpo rrebeshi i menjëhershëm i fjalëve duartrokitëse s’ka të sosur dhe ky bëhet problem më vete, por duke dalë në bulevard dielli krijon tjetër atmosferë. Prapa ndriçimit diellor krijohet një hapësirë blu, që shtyhet sipër Pyllit të pishave në Luar. Ky është si një gëzim i qiellit, që ngre humorin dhe të qeshurat e qetësuara, ndërkohë që ndez lëndinën që pikon e gjitha pika kristali. 

Tufat me lule të freskëta, kishin mbetur në sallën e shfaqjeve të pallatit të kulturës, e megjithatë ende lëshojnë një shkëlqim të lagur vese prej trilli dhe prilli.

4

Fillon Bujar Hudhri i Onufrit, botuesi i librit të ri Endem nëpër re me tim bir, duke lexuar fjalët e shkrimtarit Roland Gjoza prej Nju Jorkut për këtë libër ku zënë vend rrëfimet e Genturit Lleshit, duke i thirrur një vetëdijeje që thuajse ka humbur, si dhe duhet kuptuar sesi i përjetoj unë tregimet e Genturit, i dyfishtë në interesim dhe i shumëfishtë në ndijim. Sikur e kam para syve me atë buzëqeshjen e tij të veçantë, ku është ngulitur pasioni për të ndryshuar, jo normalisht, po ashtu rrufeshëm. Në atë buzëqeshje engjëllore është dëshira për hapësirë, jo vetëm fizike, por më fort shpirtërore, çështje e kërkimit të sferave dhe çështje të pasionit ende efemer. Është trimëri e madhe të merresh me shkrimet e Genturit. Aq i ri, ai di (flas në të tashmen se e kam të gjallë para syve) të qëmtojë hollë e bukur gjetje që i takojnë penave të sprovuara. Dialogu i gushëkuqit me pëllumbin të lë pa mend për nga të rrëfyerit brilant dhe mesazhi aq i hollë; numërimi i imtave të borës në pyll… Apo rrëfimi i nono Pier Karlos për pemën që donte të kishte një fëmijë, ai sakrifikim biblik i pemës nga dashuria… Ankthi, tregim ngjethës, profetik. «Kjo është nata e fundit e Vitit te Ri që ti feston». Këto zëra i vijnë vetëm të shënjuarve. Sa bukur: lotët e nënës ma lanë fytyrën… ose; babai lëvizte këmbë e duar… (pritja në port). E lexoj atë shkrim të shkathët, me ritëm të lartë, përplot mençuri dhe nuk e doja veten që në moshën e tij unë isha aq naiv, i cekët  dhe letraresk. Frazë e shkurtër, dinamike, sintetezë, nuhatje e lindur për të thënë më të domosdoshmen. Unë, si gjithmonë, prekem shumë, kam një gjendje të tjetërllojtë, kur lexoj prozën elokuente të Genturit. Pse ndodh kjo? Se më trondit kaq shumë mosha dhe talenti i tij. E konsideroj histori të rrallë gjithë ç’i përket Genturit. Ai është një fenomen dhe nuk duhet kaluar siç ndodh rëndom në aferat letrare (tregtinë e përçudnuar të emrave). Ai duhet përkthyer, patjetër kjo duhet të ndodhë.

Tregimet e Genturit duhen përkthyer. Në Shqipëri librat dalin dhe harrohen. Klani dhe tarafi e kanë zënë për grykë median dhe tregun… Ja, sapo fola me Genturin dhe ai më dëgjoi me atë buzëqeshje aq të çiltër, që shpreh shumë dashuri për jetën. Ia thashë disa gjëra, i prekur thellësisht që ai nuk shqiptonte dot asnjë fjalë, por dinte të më përgjigjej vetëm me atë buzëqeshje, që është e fiksuar përjetësisht në fotografi. Gentur, të zgjas dorën e një miku që të do shumë, aq shumë, sa gjatë leximit të tregimeve të tua, nuk qe në gjendje të përmbante lotët…

Jemi tashmë pranë pyllit të pishave në Luar. Nga qielli bie dritë shumëngjyrëshe dhe një amë e pasosur nektari e dashurie. Bujarit i përsillen në sy lotët…

5

Anila Bisha (Leka), botuesja e romanit ‘Shtëpia e vallëzimit’ përcakton se ky është romani më i fundit që boton autori, si dhe romani i parë që boton tek shtëpia botuese «Mediaprint». Një subjekt i thjeshtë, me tone autobiografike, në kujtesën e tri motrave mësuese dhe ditarin e tyre interesant që të çon në fillim-vitet pesëdhjetë të shekullit të kaluar, me ngjarje pikante që ndryshojnë jetën në pamje të parë dhe e futin atë bashkë me rrjedhën e saj në shtratin e kujtesës ku gjuha lëngon, por është pikërisht aty vendi ku qielli i imagjinatës lulëzon. Sigurisht është koha që e than shtratin dhe koha që përtërin kujtesën. Jeta, vjen e shkon, pavarësisht të qarës, por vdekja e kujtesës, mos qentë e thënë. Veçse kjo gjuha e romanit, e ëmbël-e ëmbël, e shtruar-e shtruar, e bukur-e bukur, e ndritshme dhe e lëbyrtë, e hollë e plot finesë, që vjen përmes këtij romani të bukur, tërheqës e plot larushi. Atëherë kemi të drejtë ta shijojmë e të befasohemi. Se ngjarjet vijnë e bëhen furtunë, stuhi, gjëmë, por duke lexuar faqet e tij me ëndje, enkas të lehtësohet shpirti…

Në këtë roman ne shohim majën e zbardhur të malit, atë pak borë shkundur nga qiejt ku frymon gjithnjë intuita, kujtesa, jeta, e cila kapërthehet e rëndë dhe e bukur në pak metra katrorë, sak në shtëpinë e vallëzimit. Me një shqipe tingëlluese, përplot mall dhe e dashuruar, gjuhë tunduese dhe aq e sigurt! Kjo është gjuha që i shkon aq shumë për shtat romanit «Shtëpia e vallëzimit» dhe të ngre atje ku tortura jote dhemb më bukur, qumështi i gjirit të dimrit, që i duhet tokës për ta mëkuar atë kërthi metafore që rritet. E kjo bëhet shkak për të hyrë drejt e te portreti i personazheve, (po çfarë portreti, se!) gdhendur me mollëzat e gishtërinjve të një shpirti të alanitur, bëhet tingull i brendshëm i zërit që hesht, gjithnjë buzë-etur për të shuar përvëlimin e zjarrit të shpirtrave njerëzorë me përvëlime zemrash. Etja është edhe më e madhe, por befas shuhet me jetë që kanë ekzistuar. Dhe dhembja qan, lotët e saj teren për t’u bërë pjesë e metaforës së fuqishme për vetë jetën! Edhe më të vjetërve të letrave, edhe më të rinjve që nxirojnë lotët, u qenë (u janë) bërë kristal, ato që shndrisin natën në qiellin e këtij romani. Yjet pikëllonin dhe pikëllojnë mbi të, mbi lotët kristal, herë thërrmija dhe herë copëra të vogla, meteorë që ndizen e shuhen. Askush nuk u ka dhënë udhë fjalëve, ashtu si në këtë vepër letrare, përveçse tëholleshin dhe tëhollin mendime, mëkate, mosbindje njerëzore, fjalë Perëndie…

Ardhja e këtyre fjalëve do ta shoqëronin gjer në fund drekën solemne që ngjante si një shtëpizë pritjeje ku Anila vazhdonte të tregonte edhe për disa detaje të tjera, pa lënë pas dore ekspozimin e mëtejshëm të romanit. Kjo, pse jo, është një histori më vete.

Pastaj, me një gjest mospërfilljeje, tha: 

– E dini si është kjo punë? Po jua them hapur, mua ky meeting libri më bën një përshtypje të çuditshme, sepse e pashë me sytë e mi që libri s’mund të mbyllet në dhomat frigoriferike të zyrave ku nuk duket se ruhen shpirtrat njerëzorë…

*

– I njoh aq mirë nga brenda, – thotë duke u larguar Shefqet Billa (Qeti), saqë e di se libri do më tepër nder e respekt, nuk e pranon punën ‘me sikur’, as endje fjalë lart e poshtë, gjithandej… ja përse nuk dua t’ia di për punët boshe… Veç ky meeting, sesi m’u duk, krejt i sinqertë. Se mua më dhemb shpirti për librin, për Visar Zhitin që ka jetu me mue në Vilën e largët, aq të bukur, me shumë diell, gjelbërim e shpirt. Thashë Visarin, se ju jeni të gjithë vllaznit e tij të bekumë…

– Bravo!… Shumë e bukur! – thirri i entuziazmuar, Mefaili.

Prej kishës mesjetare në Kurjan disa goditje kambane përhapeshin e humbnin nëpër erë…

Tiranë, më 30 prill 2024

Exit mobile version