Kreu Opinion Xhevair Lleshi: MUSINE KOKALARI- Ne mendojmë gjatë, nuk harrojmë kurrë dhe dimë...

Xhevair Lleshi: MUSINE KOKALARI- Ne mendojmë gjatë, nuk harrojmë kurrë dhe dimë të falim…!

Një nga kënaqësitë e takimeve me shkrimtarët që kanë humbur jetën është pikërisht diskutimi sy më sy mes tyre dhe ta shohin veten nga koka te këmbët. I rrëzojnë petkat të gjitha përtokë, pastaj, krejt lakuriq në shpirt, harrohen për një kohë të gjatë, duke soditur të mrekulluar atë që thonë e ndiejnë. Ky është një pasion i denjë, rënë edhe në ekstazën e mburrjes së satentë dhe për atë vijën e butë të formave të turpit, (po, po të turpit!) që hera-herës nuk i bën dot seriozë, të vëmendshëm e të zhytur në dashuri me vetveten. Shpesh e gjejnë veten kështu, krejt të përhumbur, ndërsa presin të bëjnë vizitat e planifikuara nga Klubi i Poezisë në Tiranë, duke mbajtur në duar ftesën origjinale:

“Shkrimtarët nderojnë shkrimtaren Musine Kokalari!

Të mërkurën e 22 qershorit, shkrimtarët që janë të ftuar nga Klubi i Poezisë në pelegrinazhin e shkrimtarëve për të nderuar shkrimtaren Musine Kokalari në Rrëshen, ku jetoi e internuar 22 vjet dhe vdiq aty.

Ky pelegrinazh në nderim të shkrimtarëve të varur, të pushkatuar nga partia e të mbytur në burgjet e regjimit komunist është i shtati në radhë që organizohet nga Klubi i Poezisë dhe mbështetet nga humanisti dhe deputeti Flamur Hoxha.

Ne i nderojmë shkrimtarët martirë pasi kemi nevojë për ta.

Ata i kanë dhënë moral dhe dinjitet historisë sonë, qëndresës dhe kanë qenë fari i ekzistencës sonë në netët e gjata të dhimbjes njerëzore.

Ne do të shkelim në Rrëshen, në Rrugën Musine Kokalari. Do të vizitojmë vendin ku ja jetuar Musineja, do të frymojmë sapak te vendi ku ka qenë baraka e të internuarës, pastaj do të ecim nëpër udhët e rrugicat nga ka ecur ajo. Pastaj do të jemi së bashku në katedralen e re të dioqezës së Rrëshenit dhe në një seancë përkujtimore për Musine Kokalarin në sallën e Kështjellës Duka nën mikpritjen, përshëndetjen e prirë nga shkrimtari Ndue Dedaj, njeriu i shkrimeve dhe paqes Dom Gjergj Meta, studiuesi Alfred Duka…”

Shkrimtarët e ardhur në Rrëshen të shqetësuar për një çast, me një pyetje që mezi ua mbanin buzët, u interesuan për dokumentarin e Musinesë nga aktori dhe regjisori Ilir Lluri nga Gjirokastra. Por Iliri s’mundi të vinte dot, për shkak të një ngatërrese të dyshimtë.

E qeshura e Bajram Karabollit të mbetet në kujtesë, atë s’e linte të qetë një dyshim i justifikuar. Nëse dikush kishte shpifur, ai do të shprehej qartë. Dhe s’mund të shtirej si indiferent. – Hë, pra, miku im, cili është mendimi yt? – Ishte një nga ata shkrimtarë që kishte futur në burg Visar Zhitin në ato kohë. – Dhe, duke e lënë mendimin të rrëzuar poshtë, te këmbët e tij, duke pritur që të mbaronte së lexuari, ai qëndroi ashtu, krejt i pataksur nga kjo ndërgjegje e ulët. E për çfarë duhej të vinte edhe ai për të marrë pjesë në dhimbjen e shprehur plot ndjenjë nga të gjithë për Musine Kokalarin?

Ndue Dedaj lexon me ngadalë. Kronika në kujtimet e mirditorëve, është historia e Musine Kokalarit, lindur më 10 shkurt të vitit 1917, në Adanë, të Turqisë. Në vitin 1921, familja e saj kthehet në Shqipëri dhe vendoset në Gjirokastër, ku Musineja kreu shkollën fillore. Nëntë vjet më vonë, familja Kokalari vendoset në Tiranë. Në vitin 1937, Musineja mbaron shkollën e mesme “Nana Mbretneshë” dhe më pas shkoi për studime në universitet, në Romë, Itali, të cilin e mbaroi shkëlqyeshëm në vitin 1941 për të krijuar më pas një trashëgimi të gjatë vuajtjeje, që, në rastin e saj, kishin edhe trajtën e një trajtimi çnjerëzor, duke ruajtur në kujtesë fëmijërinë, kalldrëmet gjirokastrite, studimet, luftën dhe torturën. Shtatlartë, e bukur, me një trup të përsosur, ajo urrente dhe përbuzte gjithçka që kishte lidhje me të, kalbësirat, që qenë fermentuar në popull, kthehet dhe kalb aristokracinë komuniste, e gatshme për t’u degjeneruar. Ajo bëhet një forcë e natyrës, një ferment shkatërrimi, pa e dashur vetë, diçka korruptuese, duke çorientuar e çorganizuar vetë partinë komuniste…

Kështu mbaron një diskutant duke gjetur krahasimin me një gjë tronditëse, si një ngacmim ngjyrë dielli, e rritur nëpër abuzime, si një gjë që merr vdekjen përgjatë rrugëve dhe diçka që zukat, kërcen, duke hedhur kudo një vezullim gurësh të çmuar, duke helmuar kalecët thjesht pse ndenji kryelartë, duke hyrë nëpër pallate nëpërmjet dritës dhe pas saj territ.

Alfred Duka, studiuesi, ngre kokën, me sytë të fiksuar, duke parë zjarrin në sytë e bashkëbiseduesve. Ai është i zoti i Kështjellës Duka në Perlat, i cili me një arsyetim brilant bëri përshkrimin e saktë, tërë dinjitet dhe bindës për Musinenë. Thjesht ai nuk dha përgjigje, por arsyetoi. U duk se nuk deshi të pajtohet me kronikën. Një ndjesi të ftohti (edhe në këtë vapë të padurueshme!) i kalon nga koka te shpatullat. Kjo kronikë nuk ishte shkruar prej njeriu, po prej djallit vetë, me marifete frazash, një vërshim fjalësh të papritura dhe ekstravagante.  Megjithatë, ai qëndronte i mbërthyer prej asaj që përmendi me bindje se Musine Kokalari nuk ka përfillur asgjë me bindje, nuk ka ngacmuar kurrkënd as me biseda, as me ftesa fjalësh, as me sy; ajo e dinte vendin e saj: radhë mjerimi, buzëqeshje dashamirëse, shëtitje pasditeve buzë lumit, e veshur shik me gjërat e thjeshta që zotëronte dhe ecte gjithnjë kryelartë në bulevard dhe papritmas, duke zgjuar brenda të gjithëve gjithçka që lëvizte në shpirtin e tyre.

Atë çast, Alfredi ngriti sytë. Thua se kishte përpara Musinenë, që vazhdonte të ishte e zhytur në adhurimin e  madh të vetvetes, në luftë me botën që e rrethonte. Ajo anonte qafën, për të parë më mirë një njollë të vogël, të errët, një turbullim të beftë, duke dyshuar se e gjitha kjo dukej këndshëm dhe bukur, sidomos në atë vend.

Pastaj zuri të thoshte me fjalë të ngrohta, për trupin e saj të derdhur, që mbillte kudo kënaqësi, kurdoherë e rrëmbyer nga kurioziteti femëror, që çudiste gjithmonë këdo që e shikonte, ajo ka pasur pamjen e hutuar, tronditëse të një vajze që zbulon të keqen që i ka zënë rrugën. I duket se me ngadalë hap krahët për të mbështjellë trupin e saj prej Afërdite të shëndetshme, përkulet me nderim sidomos për jetën, për të vrojtuar shtatin përpara dhe prapa, duke u ndalur në profil për të parë vetëm përpara me guxim. Dhe po të ishte para këtyre shkrimtarëve do të përfundonte kënaqësinë e saj me një lojë të çuditshme, duke ecur majtas e djathtas, me trupin femëror të habitshëm e të papërballueshëm, që mbillte fërgëllimat e vazhdueshme ndër ne.

Rexhep Shahu, i ulur në krye të sallës në katin e shtatë të kështjellës, sodiste mjedisin. I prezantoi, i tha të gjitha. Fjalët dhe vështrimi i tij, kapur nga një drithërim mërie, ishte gati të shpërthente. Edhe Riza Braholli me ndonjë tjetër rrotull tij po pësonte të njëjtin ndërlikim. Në atë çast gjithkush nga ne e pa veten ashtu siç ishte, duke u ndjerë të pështirosur. Ja si erdhën punët: brenda aktit të sjelljes së diktatorit, një vetëtime përvëluese dëshire të papërmbajtur e të parealizuar, asaj i qe bastarduar jeta dhe tani ne ndiheshim në mea culp-ën tonë të prishur e të zvetënuar deri në palcë prej atyre çfarë do t’i kishte menduar ndonjëherë më parë kushdo nga shkrimtarët pjesëmarrës. Gjithçka ishte e destinuar të kalbej brenda nesh, në ato momente.

M’u duk për një çast se pati një farë kthjellimi të ndërgjegjes për ta parë të keqen në sy, dhe vura re çrregullimin që kish sjellë ky fermentim: kushdo prej miqve të mi ndihej i helmuar, teksa sillte nëpër mend familjen e shkatërruar, jetën e nxirosur të Musinesë, një pozicion shoqëror i thyer e i vithisur në greminë. Dhe, pa mundur t’i shkëpusja sytë prej brishtësisë poetike të asaj vajze të rrallë, më dukej se po e vështroja (edhe unë dhe si unë mjaft të tjerë!) ngultas, ndërkohë përpiqesha të imponoja veten që të mbushesha me neveri për gjithçka që i qe punuar atij idhulli madhështor.

Po të qe mes nesh Musineja nuk do të lëvizte më. Megjithatë përfytyrimi im ishte këmbëngulës: me njërin krah prapa, te zverku, me dorën e saj të bukur që kapte tjetrën, duke ngritur lart kokën, sigurisht me bërrylat larguar nga njëri-tjetri. Po sytë e saj gjysmë të mbyllur, goja pak e hapur, fytyra e kredhur në një të qeshur dashurore, kurse nga pas masa e madhe e flokëve të saj të zinj e të përhapura, që ia mbulojnë shpinën si me një krifë luaneshe. E përkulur dhe me ijë të tendosura, ajo do të ngjante me një amazonë, me një gjoks të fortë prej luftëtareje, me muskuj të fuqishëm nën lëkurën e bardhë. Pastaj, një linjë e hollë e delikate, me një valëzim të butë zbriste nga shpatullat, te gjoksi, te trupi i saj i mahnitshëm deri poshtë te këmbët. 

Flamur Hoxha, deputeti, meceni aq i njohur i artit, librit dhe kulturës, si të tjerët, po ndiqte këtë profil kaq të bukur, ato linja të trupit që ktheheshin në rreze të praruara, ato forma të habitshme ku drita hedh reflekse mëndafshi. Ai sjell ndër mend frikën e tij të vjetër në misterin tronditës e sugjestionues, e pavetëdijshme si forcë, që vetëm me aromën e saj mund të shkatërronte sot e gjithë ditën botën komuniste të dikurshme e të sotme. Po, si edhe ne të gjithë: të fiksuar, të turbulluar, gjersa ajo krijesë të mbyllte qepallat, që të mos shihte më, që dilte përsëri në thellësinë e hijeve të trurit njerëzor, më e madhe, më e tmerrshme, më sugjestionuese në atë qëndrim që e kupton qartë se tani ishte aty, përpara syve të monstrës komuniste dhe në trupin e saj, përgjithmonë. Ndoshta Musineja e sotme po kruspullosej në vetvete. Një fërgëllimë dhembshurie duket se kalonte nëpër gjymtyrët e saj. Sytë ia shihje të lagur, ajo mblidhej e zvogëlohej, si për t’u ndier më mirë ashtu. Pastaj, i lëshoi duart, duke i rrëshqitur lehtazi gjatë trupit duke i shtypur me një shtrëngim nervoz. Pastaj tretet në një vetëpërkëdhelje, të të gjithë trupit të saj, e nervozuar se edhe sot e kësaj dite vazhdohet me të njëjtën gjë, duke psherëtirë ngadalë, gjatë. Edhe ky respekt i sotëm gati sa ia merr shpirtin. Se vërtet shpirti i saj endej mes nesh. Papritur, të gjitha zgjidhjet e menduara, ishin rrëmbyer e flakur tej, si nga një erë e fortë. Vrulli i një pasioni të paparë, të egër, bën që të sulej drejt të gjithëve, e mbërthyer nga një energji që kushdo do të donte ta kishte të zotëruar.

Ndërkohë, pas paraqitjes së shkrimtarit Bislim Ahmeti, Ilir Lluri – regjisori, më shkruante disa shënime në WhattsAp. “Ajo botoi librin e saj të parë “Seç më thotë nëna plakë” në vitin 1939. Ishte viti 1943, kur Musine Kokalari së bashku dhe me disa shokë të tjerë formuan Partinë Socialdemokrate. Një vit më vonë, me përpjekjen e saj, doli numri i parë i gazetës “Zëri i Lirisë”. Në vitin 1944, botoi librin e saj të dytë “Rreth vatrës”, ndërsa më 12 nëntor të po këtij viti u pushkatuan vëllezërit e saj, Muntaz e Vesim Kokalari. Katër ditë më vonë e arrestuan dhe Musinenë, të cilën e mbajtën 17 ditë në burg. Në janar të vitit 1945, u botua libri i tretë i Musine Kokalarit “Sa u tund jeta”. Më 23 janar të vitit 1946, ajo u arrestua për së dyti nga forcat e Mbrojtjes së Popullit e gjyqi e dënoi me 20 vjet heqje lirie. Në vitin 1961, e nxjerrin nga burgu dhe e internuan në Rrëshen (ja pse jeni ju aty, se fare mirë mund të ishit edhe në Gjirokastër!), ku dhe del në pension me gjysmë page. Në vitin 1981, sëmuret nga kanceri, që dy vjet më pas do ta largonte përgjithmonë nga jeta. Dhjetë vjet më vonë, pra në vitin 1993, Presidenti i Republikës Sali Berisha, i dha pas vdekjes medaljen “Martir i Demokracisë”. Faleminderit, Ilir!

Kështu secili prej nesh ishte i ndërgjegjshëm për disfatën e kalecëve, për shkatërrimin e saj; duke njohur nga afër marrëzinë, hipokrizinë, poshtërsinë dhe gënjeshtrën, gjithnjë e helmuar.

Asnjëri s’mund të thoshte se ajo s’qe aty, me ne. Pavarësisht kujtimeve të rënda, ajo e mblodhi veten. Dihet që s’ia kish qejfi që të ndodhte ndonjë skenë e pakëndshme, pikërisht tani. Nga ana tjetër, ajo do të pohonte se dinte edhe ndonjë pikë të dobët të ndonjërit prej nesh. Pas kësaj, do të binte një heshtje të gjatë, duke dashur të gjente një mënyrë të pranueshme, sepse Musineja mërzitej shumë kur lëndonte ndonjë tjetër; aq më tepër që gjithçka e vështronte, seriozisht, edhe pse me një lloj turbullimi që dukej krejt i mahnitshëm.

“Për shëndetin tim nuk i drejtohem kujt, aq më pak atij që kishte në dorë të më lehtësonte dënimin”. Kështu shkruante Musineja vetëm pak kohë para se të vdiste. E konsideruar si kundërshtare e regjimit komunist, ajo u dënua me 20 vjet burg dhe më pas u internua për 22 të tjerë në Rrëshen, ku vdiq në vitin 1983, nga kanceri. Bashkëkohësit tregojnë se edhe pse shteti monopartiak nuk ia dha mundësinë të kurohej në spitalin onkologjik, por miqtë e saj e shtruan atje dhe ashtu, pa dalë në skenë, ia dolën ta mbajnë aty në momentet e fundit të jetës. Vdiq e vetme dhe u varros nga varrmihësit e emëruar nga shteti, pa lejuar askënd pranë.  Po a mund të ndalojë kush Musinenë të jetë mes nesh? Vuajtja i dha një popullaritet të paparë. Doli në dritë madhështia e Saj si një ikonë e kombit shqiptar. Por dihet gjithashtu se ajo edhe sot midis nesh do të përmbahej, jo se mos fliste tepër, as se mos merrte një pamje kryelartë, superiore, e kënaqur me mendimin e saj se ishte e rrallë. Ndërkaq, asaj mund t’i shkrepte një ide e këndshme që do ta bënte këdo që të vinte buzën në gaz, thjesht duke e parë me vëmendje…

Dukej se ajo na nxiste me vështrim dhe sikur donte për ta bërë që të rrëfehej, që të shuante kureshtjen e saj, me një ton të rëndë, përfshirë nga një e qeshur e çmendur, duke belbëzuar, duke e goditur lehtë vetveten.

– Jo, e pamundur… e çuditshme…  vetëm ty mund të ndodhë kjo, je fenomen…

Ajo dukej se na kërkonte ne edhe hollësitë më të imëta të asaj që ne ballafaqonim me veten tonë, me kohën që jetonim dhe, sa t’i dëgjonte, do të shkulej së qeshuri, me ca shpërthime të papritura që e bënin edhe më madhështore, edhe nga drita e zjarrit të madh në vatrën e shpirtit të saj, siç do të perifrazonte Astrit Hykaj, që, ndërkohë e dëgjonte Izet Durakun, ndërsa të gjithë po pajtoheshim pak e nga pak me idenë se Musineja ishte aty me ne, duke lënë mënjanë ndrojtjen. Por në këtë rast na ndihmoi një prej bashkëbiseduesve, i cili përmendi duke qëndruar te secila vepër e Musinesë, duke u ndalur te vepra e saj Vëllimi i parë – 2009, me një ligjërim të këndshëm prej njeriu të letrave. Pas kësaj Musineja, duket, u largua prej grupit tonë, duke na hequr efektin hipnozë…

Ne e dinim: ajo nuk ndiente më asnjë lloj shqetësimi, madje kishte filluar të argëtohej disi me ne, teksa fliste e tregonte. Vetëm se m’u duk se i zgjidhte fjalët, pasi ende nuk ishte çliruar plotësisht nga droja apo ndoshta edhe nga turpi. Kështu që u gjallërua më tepër, zuri të na pyeste për krijesat e mrekullueshme të Trojes, Perlatit, të gjithë Mirditës, por nuk mundi ta shmangte ftohtësinë, një akullnajë e vërtetë… Mos harroni: kështjella Duka është bash aty ku ka qenë zemra e Arbërisë mesjetare, kryevendi i saj. Ky mund të ketë qenë edhe efekti sureal i shfaqjes së përfytyrimit të saj shpirtëror.

Musineja tundte kokën, jepte e merrte, gjersa më në fund, denjoi t’i thoshte troç gjërat: ne mendojmë gjatë, nuk harrojnë kurrë dhe dimë të falim!…

Tiranë, më 23 qershor 2022, një ditë pas solsticit të verës…

Exit mobile version