Kreu Arte pamore Xhevair Lleshi: Etyde dhe vizatime psikologjike

Xhevair Lleshi: Etyde dhe vizatime psikologjike

PAK NJOHJE PËR ÇDO ETYD DHE VIZATIM PSIKOLOGJIK

Artistët – identiteti kombëtar i çdo vendi

Përfytyrojeni këtë si diçka që ju e dëshironi. Shikojeni atë, ndiejeni atë, besoni në të. Bëni projektin tuaj mendor dhe filloni të ndërtoni. Robert Collier

Asgjë nuk ndodh, derisa një vepër arti realizohet. Artistët janë disa nga njerëzit më të rëndësishëm në shoqërinë tonë. Pa art, e gjithë shoqëria jonë do të përballej me lëkundje të rënda identiteti.

Krijuesit e vetëm dhe të vërtetë të pasurisë artistike dhe të veprave të artit në shoqërinë tonë, janë artistët sot, dje dhe të së ardhmes. Në të gjitha llojet dhe zhanret, në krejt shërbimet në lidhje me artin dhe drejtimeve domethënëse artistike. Janë artistët në pikturë, skulpturë, në krijimtarinë muzikore, në arkitekturë, në aktrim e regjisorë, në letërsi dhe kudo. Të gjithë bëjnë art dhe krijojnë, madje janë ata që i japin identitetin kombit. «Ah, po, ti je nga vendi i Ismail Kadaresë!» më tregonte miku im Bajram Karabolli, sapo shkeli në Buenos Ajres. Pra ne të gjithë jemi nga vendi i Ismail Kadaresë… Shëndeti i komunitetit të artistëve në çdo qytet, fshat, ose gjithë kombin tonë dhe kudo në botë, arti është çelësi kryesor i njohjes dhe identitetit tonë, i fuqisë sonë, i energjisë krijuese dhe i të ardhmes sonë…

Artistët janë njerëzit më të rëndësishëm në çdo shoqëri. Pa dyshim edhe në shoqërinë tonë. Shoqëri të mëdha dhe të sofistikuara kanë lulëzuar dhe janë falimentuar. Një proces spiral që kështu do të jetë në jetë të jetëve bashkë me artin. Të voglat kanë mbijetuar. Edhe arti ka pasur të njëjtin fat. Veprat e përftuara të artit pamor, muzikor, të aktrimit, të regjisurës, të krijimit letrar, të arkitekturës etj., janë shpirtit artistik, i artit të lirë. Ka një marrëdhënie të drejtpërdrejtë mes suksesit të veprës së artit të të gjithë kombit, të vendit. Sa më kumbues të jetë niveli i veprave të artit, aq më e suksesshme dhe përfituese është vetë shoqëria, zhvillimi i saj, i energjisë së brendshme e të padukshme të popullit.

Artistët shprehin shpirtin e tyre për të gjithë: shkollat, universitetet, spitalet, bamirësitë publike dhe private, parqet dhe të gjitha gjërat e kudo ku shkel publiku. Artistët, – përmes artit të tyre, shprehin dhimbjen dhe optimizmin, entuziazmin, gjithnjë në përpjekje e përplasje me nivelet  e qeverisjes, për ndihmat sociale, të papunët, sigurinë shoqërore, ndihmën mjekësore dhe mbrojtjen, policinë, fëmijët, të moshuarit… Artistët janë vërtet të rëndësishëm në jetën tonë, për, sot, dje dhe nesër…

ETYD PSIKOLOGJIK 1

Besim Golemi  pikturoi  shpirtin

Ai erdhi pa njoftuar. «Besim Golemi. Jam gjithçka dhe asgjë. Të falat për ty i kam nga Bujar Xhaferri, poeti.» Dhe e mbuluan mjegullat e së qeshurës. «Kam ardhur për ekspozitën personale që do ta hapim këtu, në këtë qytet që vjetërsinë e ka si një perlë të shtuar. Nuk e marr dot me mend se si do dukej po të mos qe i vjetër…» Kjo ishte njohja e parë. Ekspozita e Besim Golemit erdhi në mes të pranverës, duke krijuar një pështjellim që s’u mor vesh se nga erdhi: nga gjaku i ëmbël i piktorit apo nga veprat e tij të jashtëzakonshme. Ndoshta edhe nga portretet ku lexoje lehtë shpirtin. E kam të fiksuar portretin e tij: fytyra pakëz gjatoshe, tiparet e skalitura fort, sytë e zjarrtë si gaca që të digjnin, vështrimi i tij pak fl por i kujdesshëm në përqendrim, dhe e qeshura e tij e çuditshme, pak si e fshehur dhe që pastaj çelej e shtrihej në gjithë tiparet e fytyrës. Besim Golemi! Që nga njohja e parë nuk u ndamë asnjëherë. Të bënte për vete dhe të jepte mundësi ta përqafoje, edhe pse duhej të zgjateshe ca për të bërë atë që dëshiroje. Edhe sikur të kishte një bukuri të shëmtuar atij do t’i shkonte shumë. Mbi të gjitha të bënte përshtypje fytyra e tij e qëruar, e shndritshme, me një shprehje që sigurisht s’mund ta ketë askush tjetër. Më dukej se do të na rrëmbente gjithë vajzat e qytetit dhe t’i çonte atje në Lushnjën e tij, te prindërit për të cilët linte kokën.

…Punonte me një rrëmbim stuhie, shpejt, saktë, gjithnjë me buzën në gaz, drejt e me penel në kanavacë. Nuk vuante për temat që gjente, imagjinata e tij pjellore të detyronte ta shihje në dritë të syrit për të parë se si nga retina do të shfaqej një peizazh, apo një grup figurash. Ai nuk pikturonte por bënte një lloj skulpture me penel, nëse kjo do të qe e mundur. Ndoshta ngaqë raportet e dritës me hijen rrinin pranë me madhështi. Besimi thuajse nuk fliste, por edhe kur ndodhte kjo s’di pse i treteshin gjithë tiparet e fytyrës në një ëmbëlsi të qeshure që të rrëmbente e të detyronte të mendoheshe thellë. E pse me zë aq të ulët? E pse tupej dhe skuqej paksa kur donte të shprehej për diçka të lënë diku, për një penel, për një vajzë që e priste te dera dhe ai nuk dinte ku të futej nga një ndjenjë fërgëlluese. Ke bërë gjë për këtë qytet? Domethënë ke krijuar ndonjë pamje të tij, ndonjë peizazh? Po, tha ai, veçse ka rënë mjegulla! E pse duhet kjo që të kem bërë një punë, një vepër? E po, ndryshe nuk të pranojnë për ekspozitën! Aty vura re se si kridhej ai brenda të qeshurës së tij, madje digjej krejt. S’kisha parë kurrë një djegie të tillë! E çuditshme. Ndoshta si metaforë do ta donin të gjithë që ta zotëronin atë të qeshur, kurse ajo e tij ishte e pamundur as të prekej e as të gjeje një pikë tjetër takimi. Ishte pikë për pikë e njëjtë me mjegullën që hapej mbi Mangalem duke zbuluar ca shtëpi nën vel, por me një bukuri të tillë saqë thoshim se ishte llahtarisht magjepsëse…

Me siguri që ai vuante brenda të qeshurës së tij, digjej ngadalë dhe pa u kuptuar, ndaj dhe nxitonte të kapte ndoshta kohën që do t’i humbiste, duke e shprehur këtë djegie të llahtarshme në gacat e syve të tij, mbuluar me një vel që të mos kishin mundësi t’u depërtonte ndonjë dritë tjetër irrituese. Vuante shumë Besimi dhe këtë ndjenjë nuk u desh shumë ta kapnim, teksa mbrëmjeve te «Shtëpia e Bardhë» rrinim para gotës së verës, duke qëmtuar pak ullinj ose pak shnicel, të cilin e donte vetëm nga dora e Llazar Qendros…

Besim Golemi. Nuk kishte të bënte as me Golemin e Lushnjës e as të Kavajës, por me Golemin e Gjirokastrës. Nga uji i Golemit të Labërisë do t’i kishte rrënjët ngjyra, trupi i tij, gjaku, e qeshura me përmasë të paparë, syri aq depërtues dhe mjegulla që zaptonte majat e maleve. Jam lodhur një ditë tërë ditën, derisa e shkëputa nga duart e Dhimitër Topit për ta marrë me vete. Do të vemi bashkë në Tabie të Kalasë. Kam nja dy të fshehta që dua t’i tregoj vetëm ty… Dhe mbetëm miq sa fryma e tij e fundit ra ta çatia e katit të pestë mbi trotuarin poshtë, në një mëngjes mynxyre të çuditshëm mbuluar nga ngjyrat e tij ekstreme…

________

* Besim Golemi: piktor nga Lushnja, miku im, i ri aq sa e lakmon dhe që fluturoi në Parajsë atëherë kur identitetin e tij u bë i besueshëm për përjetësinë…

Exit mobile version