nga Qazim Shehu
Kadare qytetin e ndërfut dhe e ngjiz si materie në linjat e romaneve të veta. Ai është qytet sa real, aq konvencional, sa industrial, aq edhe me mjedise të zymta me të cilat Kadare krijon kontrastet dhe imazhet e tij. Që nga “Qyteti pa reklama”, romanin e tij të parë e deri tek më i fundit, Kadare nuk ka reshtur aspak të na japë mjediset urbane, të përshkruajë rrugë, ndërtesa, uzina apo kantiere të ndryshëm që ndodhen në periferi të qyteteve. Mbase, është i vetmi autor në letërsinë shqipe që përshkruan mjedise të tilla më plotshëm se gjithë të tjerët. Qyteti si metonimi ngrihet fuqishëm në përfytyrimin tonë, dhe , duke u ndalur në portretin e tij shumëfytyrësh, ne ndjejmë aromën e kohës, veçoritë dhe mendësitë interesante të njerëzve, institucionet e tij të zymta, parqet e hareshme, ndjejmë sesi lëviz qyteti, teatri, parku, sesi gjethet bien mbi stola, Bulevardi i Madh i ngjet një parade të vërtetë ku njerëzit shëtisin e bashkë me të funksionalizohet edhe natyra, atmosfera, prognoza e motit etj.
Në romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” jepen mjediset e hotel Dajtit, që, krahas figurës së gjeneralit, duket sikur marrin pamjen groteske e njëherit serioze sipas situatave të heshtura e nervoze që vijnë nga bisedat e gjeneralit me priftin. Kemi një ekspozim të objekteve, sallave, kafeneve, mjediseve të tjera, dyerve të dhomave të hoteleve etj. Duke e pasur si princip krijues këtë, Kadare nuk e shfrytëzon nga mania apo dukja, po kjo vjen në mënyrë krejt të natyrshme. Hotel Dajti ishte hoteli më i rëndësishëm në atë kohë, në mjediset e tij luksoze (për kohën)luheshin drama të mëdha, kurdiseshin intriga, përgjoheshin biseda, vëzhgoheshin të huajt, miqtë dhe armiqtë. Kadare bën që “t`u çelë buzët” mureve të rënda, parmakëve të shkallëve, ekspresit të kafesë që shfrynte tërë zemëratë për pisllëkun e gjithë kësaj situate të qetë gjithë xhentilencë e që brenda saj lëvrinte krimbi i zi i dyshimit dhe i mjerimit njerëzor. Është, si të thuash një ferr i vërtetë luksoz, ku perdet e dritareve ngjanin si perde dramash të mëdha mbërthyer në heshtjen vanitoze të dritave që ndriçonin pllakat, të habitura se nuk mund të ndriçonin gjithë atë mister…
Qyteti, në veprën e Kadaresë, nuk është një dekor i thjeshtë, as një përshkrim i cili plotëson vendndodhjen e personazheve, ai shpreh njëherit atë intuitë gjeniale të këtij shkrimtari të madh, për ta parë urbanizimin edhe si zhvillim , por edhe si plagë të rëndë, përkundër pamjeve idilike me livadhe e lëndina të shkrimtarëve të tjerë. Në këtë kontekst, përvijohet bindshëm portreti i qytetit me burgjet, rrugët, kthesat, prej nga dilnin ilegalët e luftës dhe bënin atentate(Nëntori i një kryeqyteti”, Kronikë në Gur”), pastaj, shtëpitë përdhese prej qerpiçi, dyert e rënda me tokëza metalike, gjithçka kundrohet përmes pamjeve reale që bëhen ireale dhe gati fantazmagorike prej ankthit të situatave që mjeshtërisht i ngjiz në veprën e tij Kadare. Duhet thënë se autori, është mjeshtër në përshkrimin e gjithë kuadrateve të jetës në qytete, dhe ai jep qytetin shqiptar në periudha historike, arkitekturën e tij fashiste, sovjetike, kineze, dhe të pas viteve nëntëdhjetë.
Në romanin “Nëntori i një kryeqyteti” Kadare përshkruan sheshet me partizanë të dehur nga fitorja, radiostacionin, teknikën e vjetëruar të tij, përshkruan në detaje të kursyera , por me forcë shprehëse, gjithë atë zallamahi të ndërrimit të një epoke, sesi ngrefoset rrugëve dhe krihet në një entuziazëm bërtitës dhe rrugët gjëmojnë nga këto britma dhe duket sikur ngushtohen në vetevete, edhe pse më se të ngushta ishin. Janë rrugë ku fryn era e ankthit, sesi zvarritet hija e së panjohurës, rrugë që çojnë drejt qendrës aty ku manifestohet prej partizanëve që zbresin nga malet dhe tani do të bëhen shefa zyrash në ndërtesa hijerënda me kolltuqe dhe qilima të shtrenjtë që u janë rrëmbyer pasanikëve.
Qyteti në veprën e Kadaresë paraqitet në tri epoka të rëndësishme: Në Perandorinë Osmane, gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe në kohën e socializmit, si dhe qyteti si metropol botëror. Duhet thënë se Kadare e paraqet atë sipas kohës, sipas impresioneve të tij, sipas temës , problematikave dhe njohjeve të veta. Personazhet e tij lëvizin në ambiente të ndryshme dhe mbartin jetën e qytetit në shqetësimet e tyre. Kjo është më se e kuptueshme, e konceptuar bukur nëpër lëndën kadarejane..
Në poemën e tij “Pashallarët e kuq”, Kadare shprehet: “Ngjiten dhe zbresin shkallëve të Komitetit qendror/Pashallarët e Kuq”. Pastaj Enver Hoxha zbret me pishtar bodrumeve për t’i gjetur.” Mesazhi është i qartë: K.Q, nuk është tjetër veçse kështjellë e dhunës, një ngrehinë e zymtë, prej së cilës njerëzit largohen si të tromaksur dhe askush nuk mund t`i afrohet e ta shohë. Veçimi i këtyre ngrehinave si tek Pallati i Ëndrrave nuk është gjë tjetër veçse përshkrimi i tyre në një atmosferë ankthi, duke i shndërruar këto qytete në qytete mesjetarë. Nënteksti i fuqishëm rigjallëron konceptin e të menduarit përmes këtij përshkrimi.
Dhënia e qytetit përmes jetës së tij(qyteti si metonimi, simbol) jepet mjaft bukur në romanin “Koncert në fund të dimrit”. Në këtë roman Kadare jep Tiranën, Pekinin, darkat qeveritare, shkëmbimin e delegacioneve përmes vizitave të tyre, uzinat, por ajo që të bën përshtypje janë klasat e përmbysura. Përshkrimi i banesave të tyre, dyer, rrugicat, vizitat e fshehta tek njëri- tjetri janë me të vërtetë marramendëse, ato janë pa skena ulëritëse, por me skena të heshtura në një ngushticë të fortë tmerri dhe survejimi. Edhe në këtë përshkrim ruhet diçka nga e vjetra përballë butaforisë komuniste, shkëlqimit të jashtëm të saj , botës që lëviz pandërprerë…Përshkrimi i këtyre i këtyre kthinave na tregon sesi mund të ishte qyteti nëse këta njerëz të persekutuar mund të ishin të lirë, të vinin në institucione , të hynin lirisht në kafene etj. Kadare krijon një kontrast të fuqishëm idesh të nënkuptuara dhe lexuesi që e di kontekstin e kohës mund të mendojë vetë, dhe të bëjë diferencën. Kështu, këta njerëz të përgatitur , hyjnë në ministri deri te porta, trokasin të ndrojtur, marrin një përgjigje, siç është Marku, përkthyes i kinezçes.
Fantazmagoria në penën e Kadaresë arrin kulmin, krijon një inversion të shkëlqyer dhe hap horizontin e pritjes për të kuptuar mjaft mirë se qyteti shqiptar që ndihej i lumtur vuante diferencat e fuqishme sociale për diçka që nuk shkonte.
Kuptimi i kësaj gjendje jepet mjaft bukur përmes leximit konceptual ideor dhe midis rreshtave ashtu siç duhet lexuar në të vërtetë vepra e Kadaresë.
Në novelën e tij të famshme “Përballë pasqyrës së një gruaje”, Kadare rrëfen për Lidhjen e Shkrimtarëve, për shkrimtarët që rrinin nëpër kafene dhe kthinat e fshehta ku prostituohej. Përshkrimi i Lidhjes së Shkrimtarëve, i godinës së saj, i mjediseve, sallave me podium me cohë të kuqe, Lasgushi që rrinte te dera dhe nuk hynte brenda (Ikja e Shtërgut), është me të vërtetë domethënës dhe mjaft i veçantë. Kadare e ngërthen problemin në koklavitjet e tij, krijon mjaft sekuenca që regëtijnë verbazi dhe ndikojnë në ngrirjen e një atmosfere që vjen nga godinat hijerënda.
Në novelën e tij të famshme ai pasqyron se si një prostitutë arrin të vrasë veten për shkak të internimit, ndërsa një shkrimtar apo intelektual jo, kur si rregull duhej të ndodhte e kundërta, sepse shkrimtarët dhe intelektualët janë më të ndjeshëm.
Ëndrra për qytetin është ëndrra e individit shqiptar në shekuj, po këtë ëndërr ia kanë ndaluar luftërat, pushtimet, regjimet e ndryshme, e për shkak të tyre edhe qyteti shqiptar nuk ka arritur të verifikojë veten plotësisht për të kuptuar se deri ku mund të arrinte rritja e tij për shkak të fuqisë së njerëzve që kërkojnë të plotësojnë veten përmes sfidave të tij. Kjo duket më së miri tek romani “E penguara”, një roman i një trilli të veçantë, i shkruar me një mënyrë që që e tejçon unin e personazhit te njëri-tjetri përmes pamundësisë e , për këtë, e rrit dramacitetin. Shkrimtari Rudian K. shihet si idhull nga Linda B, kjo, jo vetëm për shkak të veprave, por edhe për shkak të pamundësisë për të jetuar në qytetet, sepse ajo ishte e internuar. Ajo që kishte jetuar në qytet, tashmë bridhte baltrave të internimit. Kadare realizon ëndrrën e qytetit dhe pamundësinë e individit për ta realizuar këtë ëndërr, këtu shkëndijohet dhe merr llavën e vet tensionimi i situatës dhe krijohet fuqia e ndjenjës që, te Kadare , është luksoze, e vërtetë dhe mjaft e hollë.
Edhe te romani “Kukulla” jepet më së miri marrëdhënia e individit me qytetin. Këtu, përmes portretit të nënës së shkrimtarit, që është sjellë në një perceptim origjinal, në distancë. Autori i shmang klishetë e zakonshme në kuptimin e figurës së nënës dhe jep më së shumti një nënë që jeton jetën e saj dhe befasohet nga gjërat e reja të qytetit dhe ndryshimin e tij, dhe që, e ka të vështirë të ikë nga ajo botë e vjetër e ndërtuar në ndërgjegje me aristokracinë e saj të kultivuar në shekuj mjaft mirë. Pra, qyteti shqiptar ka rrënjë në individët e tij, ai është i trashëgueshëm si përvojë dhe kulturë. Është një roman që duhet vlerësuar edhe për ambientet e një apartamenti në kushtet e kohës, për hyrje-ardhjet dhe bisedat e ndryshme, për jetën e një intelektuali që, përmes nënës së tij, zbulon një botë të tërë ndjesish , në dukje disi të ftohta, por sa të rëndësishme dhe bindëse e me peshë emocionale të përcjella përmes mendimit.
Në poezinë “Krishtlindjet në Nju Jork”, Kadare e shikon qytetin nga avioni. Grataçelat, rrokaqiejt krijojnë një përfytyrim dantesk, që përcillet në frymën marramendëse të tij. Komunikimi i kësaj poezie me lexuesin bëhet duke i shpërhapur hapësirat e mëdha për të mbërritur tek qyteti i madh, me ngjyra, reklama hutuese, lëvizje të pashtershme që krijon idenë e madhështisë dhe të frikës. Këtu koncepti i së bukurës arrin të hutohet përballë asaj të madhështisë.
Ndryshe ndodh në novelën “Muzgu i perëndive të Stepës”, ku autori përshkruan Moskën, kohën kur ishte student. Është një qytetet që drejtpeshohet përmes institutit “Gorki” ku mësonin shkrimtarë nga Bota Lindore. Përshkrimi konvikteve, i studentëve-shkrimtarë , i asaj atmosfere disi të zymtë dhe plot ëndrra në një qytet të ndrydhur nga deliri komunist, është me të vërtetë mbresëlënës, është një qytet ku festohet më tepër marrëzia e madhështisë sesa fuqia e lirisë…
Përgjithësisht, në veprën e tij të madhe, qyteti kthehet në personazh, merr frymë dhe jetësohet me të gjitha pamjet e tij, ai, Kadare, arrin ta funksionalizojë atë, ta japë me pamjet e tij, sipas kohërave dhe të tregojë shtresat historike, sociologjike , psikologjike që u vishen mureve, rrugicave, parqeve, restoranteve, teatrove, ndërtesave qeveritare, shesheve, parqeve , teatrove, konvikteve…Nëpër to lëvizin njerëz të kategorive sociale dhe të mendësive të ndryshme, konviktorë, djemtë që humbasin kohën kot prej kotësisë së qytetit “Djemtë e Rrugës së Dibrës”, politikanë, ambasadorë, shtresa të përmbysura, ministra, udhëheqës, makina të rralla ose të shpeshta, partizanë, heronj, të burgosur që kanë shpërthyer burgun, llagëme të fshehta, strehimore për t`u ruajtur nga bombardimet, pra një larmi e tërë njerëzish të të gjitha kohërave, të cilët paraqiten të gjithë interesantë dhe me një biografi të dyshimtë ose të konsoliduar…Kadare me talentin e vet të fuqishëm arrin të na krijojë një univers të të tërë të mjediseve të qytetit por edhe të botës qytetare; ai arrin të krijojë larmi, dhe përthyerje kontrastesh dhe afishimeve të ndryshme të pamjeve e të ngjyresave të ndryshme duke na dhënë bindshëm dhe duke na kënaqur kuriozitetin artistik të leximit me befasinë e detajeve dhe mënyrën e thënies së tij krejtësisht të veçantë dhe origjinale. Estetika e tij lejon kufijtë më të pamundur të trillit dhe njëkohësisht gdhendet përmes përfytyrimeve dhe përshkrimeve të mrekullueshme , që janë të denja për një mjeshtër të madh siç është Ismail Kadare…