Me shkrimtarin bask Bernardo Atxaga rashë në kontakt së fundmi e konkretisht me librin e tij me tregime të titulluar “Me emrin e vajzërisë Laura Sligo”[1] i sjellë në shqip nga Mira Meksi. Duke njohur natyrën e letërsisë hispanike lexuesi deri diku arrin të hamendësojë se çfarë mund të presë nga autori. E megjithatë duket se Atxaga i tejkalon pritshmëritë. Në tregimet e tij nuk mungojnë tematika të tilla si: dashuria, dredhia, hakmarrja. Por ajo që vërehet e përdoret më shpesh prej autorit është iluzioni, mirazhi, përshtypja e rreme. Loja që autori luan me personazhet, dredhitë e përdorura, trillimi arrin të atillë shkallë përsosmërie që çon në magjepsje. Qëllimi i përdorimit të iluzionit nuk është kurrë i njëjtë. Diku përdoret për hakmarrje, e diku për të nxitur leximin, diku për t’u larguar nga vetmia. As format e iluzionit që autori përdor nuk janë të njëjta. Herë përdor maskimin, herë pasqyrimin, herë transformimin, e herë ndihmohet nga mjete e gjetje të menduara mirë.
Në tregimin “Një e çarë në dëborën e ngrirë” lexuesi përjeton hakmarrjen e Mathias Reimzit ndaj kolegut Philippe Auguste Bloy, i cili kishte rënë në një të çarë akulli. Ishte një tradhëti, një goditje e ulët, aty ku sedra e një bashkëshorti lëndohet keqazi, që e çoi Mathiasin të merrte vendimin për të vrarë. Kishte kohë që e mendonte hakmarrjen e atë natë i erdhi çasti i duhur. Pasi e viziton shokun tek guva ku ky i fundit kishte ngecur, Mathiasi i rrëfen se di çdo gjë në lidhje me raportin e tij me gruan. Ai i lë të kuptojë se hakun e tij e mori Mali duke e bllokuar në atë guvë e se vetë ai nuk ka ndërmend ta ndihmojë. Pikërisht këtu autori vë në punë teknikën e iluzionit. Përmes fjalëve të Mathiasit, autori i krijon iluzionin Philippit se shoku nuk do ta vrasë por do ta braktisë aty ku është. Duke e lënë aty ekzistojnë ende shpresat për t’u shpëtuar. Gracka e ngritur mjeshtërisht nga Atxaga përmes Mathiasit funksionon.
Philippit i lindi shpresa kur “iu kujtua se alpinistët asnjëherë nuk i merrnin me vete litarët që përdoreshin për të zbritur nëpër hone apo të çara”. Dhe ashtu ishte, litarët ndodheshin pranë tij. Me shumë mundim ai nisi të ngjitej. Por gëzimi e shpresa iu shuan kur në krye po e priste Mathiasi.
“E gjithë ajo – vizita, harrimi i litarëve – kishte qenë vetëm një torturë e sajuar që më parë: Mathias Reimzi nuk kishte dashur t’i falte as vuajtjen e të shpresuarit”.
Në tregimin “Dayobi, shërbëtori i tregtarit zengjin” ku rrëfehet për një shërbëtor të cilit i është vënë Vdekja pas, autori përdor iluzionin për të shpëtuar shërbëtorin.
“Vdekja mbërriti në dyqanin e Kalbumit. Vrik hapi portën dhe … sytë iu mbushën me dyshim. Sepse në dyqan nuk pa një shërbërtor, por pesë, shtatë, dhjetë shërbëtorë të njëllojtë me atë që kërkonte. C’po ndodhte vallë? Përse kishte kaq shumë shërbëtorë në dyqan? Nuk i mbetej kohë për të bërë verifikime. Mbërtheu njërin nga shërbëtorët e sallës dhe doli në rrugë”.
Por si ndodhi që shërbëtori që kërkohej nga Vdekja u shumëfishua aq sa arriti ta çorodiste e ngatërronte zonjën Vdekje? Kalbumi ishte mjeshtri i pasqyrave dhe kishte dyqan pasqyrash. Ishte ai i cili përmes trukut të pasqyrave ndihmoi shërbëtorin që të mashtronte Vdekjen.
“Esteban Werfelli” gjithashtu është tregim i ngjizur me brumin e iluzionit. Estebani në moshën 14- vjeçare nis të shkruhet me një adoleshente që jeton në Hamburg. Pas shumë vitesh, tashmë burrë ai mëson të vërtetën: adoleshentja nuk kishte ekzistuar kurrë, letrat ia çonte i ati. Gjatë gjithë periudhës së adoleshencës ai kishte mbajtur letërkëmbim me të atin.
“Bir i dashur, më fal që të kam gënjyer. Kur më rrëfeve ato që kishe parë e dëgjuar gjatë alivanit, kuptova menjëherë se e tërë skena ishte ndërtuar me copëza bisedash që kishe bërë me mua. M’u flakërit truri se mund të bëhesha unë Maria Vockel dhe kështu të ndikoja në jetën tënde”.
Duke i krijuar përshtypjen të birit se po komunikonte me një bashkëmoshatare, babai e kishte nxitur djalin të mësonte gjermanishten, (për t’u shkruar me vajzën) të lexonte, të mos harxhonte kohën më kot.
Në tregimin “Me emrin e vajzërisë Laura Sligo” përdoret maskimi si formë iluzioni. Doktori Thomas Sheldon, përmes një letre njofton të shoqen se do të syrgjynosej në xhungël pasi ishte i zhgënjyer, i lënduar nga njerëzit, bota e nga gjithë ç’kishte parë si mjek lufte. E shoqja, Laura vihet në kërkim të tij. Përmes maskimit, Atxaga fsheh identitetin e mjekut e megjithatë në fund nuk i lë personazhet e tjerë në errësirë por u mundëson atyre të kuptojnë e të shohin të vërtetën.
“Balta me ngjyrë mund ta fshehë një lëkurë të bardhë, por jo sytë”.
“Paraqitje e letrës së kanonikut Lizardi” rrëfen historinë e djaloshit Javier, i cili e ka zakon të zhduket hera – herës në pyll. Ngjarja rrëfehet përmes letrës që kanoniku Lizardi i dërgon një shkëlqësie në radhët e kishës. Javieri i mbetur jetim, ndihet i vetmuar dhe nuk e ka gjetur vendin e vet në fshatin ku jeton. Pasi largohet në pyll, askush nuk di të thotë nëse është gjallë a jo. Javieri është kthyer në derr të egër. Atxaga sjell në vëmendje transformimin e përmes këtij vë në provë banorët e fshatit. Burrat marrin çiftet dhe i vihen derrit pas. Vetem plaku Matias e kupton se në të vërtetë derri është djaloshi Javier. Derri ka njollën ngjyrë vjollcë që kishte dhe djali në fytyrë. I transformuar, i kthyer në kafshë, djaloshi mendonse njerëzit do sillen ndryshe e se ai do jetonte i qetë. Por nuk ndodh ashtu. Javieri i kthyer në derr sulmohet edhe më shumë nga banorët.
Vei Lie Deshangu, kur ishte ende i mitur i vrasin familjen dhe atë e bëjnë shërbëtor. I etur për hakmarrje ai punon, vjedh para nga të pasurit dhe thur planin. Deshangu krijon një parajsë të rreme. Ndërton kopshte, shatërvane, pallate. Rrëmben vajza të virgjëra dhe anamitë (luftëtarë të dëgjuar në gjuetinë e tigrave) duke i droguar. Kur zgjohen në vendin e ndërtuar nga Deshangu, ata mendojnë se kanë vdekur dhe ndodhen në parajsë. Deshangu dhe ndihmërsi i tij vishen me të bardha duke forcuar edhe më shumë idenë se anamitët ndodhen në parajsë. Përmes këtij iluzioni të prekshëm, Deshangu përdor anamitët për t’u hakmarrë. Duke u thënë se ata duhet të përmbushin fjalët e Allahut, Zotit të tyre ai i dërgon për të vrarë parinë e vendit e armiqtë e tij. Dhe anamitët lëshonin shigjetat e tyre të helmatisura duke mbjellë vdekje, të bindur se po përmbushnin udhëzimet e Zotit të tyre.
Tek tregimi “Margareta dhe Heinrichu, dy binjakët”, Atxaga përdor vdekjen e Margaretës për të zgjuar guximin e Heinrichut. Kur mëson vdekjen e së motrës, Heinrichu vendos të vishet si ajo në kujtim të saj e për ta ndjerë pranë. Ai vesh fustanin e saj, sillet si grua, del në rrugë, njihet me një djalë me të cilin fillon të dalë. Autori i paraqet lexuesit një djalë i cili deri në çastin kur e motra jetonte nuk kish patur guxim të pranonte veten e të dilte hapur si transgjinor. Me vdekjen e saj ai gjen guximin që i duhet për të qenë vetja. Le punën dhe i shkruan drejtorisë se Heinrichu vdiq dhe në emër të tij, ajo si motër kërkon paratë që i detyrohen. Maskimi del sërish në pah e kësaj here për ti dhënë një dorë personazhit të pranojë veten.
Siç dhe vërehet, në një pjesë të madhe të tregimeve të Atxagës gjejmë të përdorur iluzionin si teknikë për të rrokullisur ngjarjet, për të zbuluar të vërteta, për të marrë hak apo për të bërë mirë. Atxaga ka treguar një mjeshtri të lartë në përdorimin e iluzionit dhe ka arritur të krijojë një terren të rrëshqitshëm ku lexuesi fillimisht ka bindjen se e ka kuptuar thelbin e në fund trandet nga rezultati final. E pra, kjo është të krijosh letërsi të tillë që arrin të trondisë lexuesin, e ta bëjë atë ti rikthehet sërish e sërish librit për të kuptuar ku “ia hodhi” autori.
[1] “Me emrin e vajzërisë Laura Sligo”; Bernardo Atxaga; përktheu Mira Meksi; Tiranë; Shtëpia botuese Globus. R, 1995.