Primo SHLLAKU, “Nata e qejve”, Botimet Onufri, Tiranë, 2024
1.
‹‹Nata e qejve›› e shkrimtarit, Primo Shllaku, thellohet në nji zbulim surreal dhe introspektiv të jetës, dëshirës, kujtesës dhe vdekjes. Pa u konfrontue hiç, nëpërmjet skenave të shumta të ndërlidhuna me personazhët, autori i shpie lexuesit në nji hapësinë ku temat ekzistenciale përzihen me takime thellësisht personale, të gjitha të ngjyrosuna me nji ndjesi tragjike. Mbase edhe të përmallshme.
Në zemër të tregimeve qëndron nji zbulim i thellë i mungesës – si fjalë për fjalë ashtu edhe metaforik.
Temat që autori i ka shtjellue, rrezonojnë me rryma të thella emocionale.
Nji vdekje jo e shëmtuet, nji ritakim me ish tëdashunën, nji gjeneral që e ka humbë shpresën për nji vdekje “dinjitoze” në fushën e betejës, nji vepër pa autor, nji stjuardesë e përvujtun në tokë dhe nji kujtim i brishtë i fëmijënisë kanë krijue nji portretizim të nuancuem të ndjeshmënisë njerëzore dhe konfliktit ekzistencial.
Duke na sjellë situata me imazhe krejt konkrete ku përplasen përvojat njerëzore, autori ka krijue gjashtë rrëfime komplekse, me na ofrue nji portretizimi bindës të përpjekjes së individit për të gjetë kuptimin mes kënaqësive kalimtare të jetës dhe humbjeve të pashmangshme.
Libri me novela ‹‹Nata e qejve›› na sugjeron se ndërsa kënaqësitë mund të jenë kalimtare, ato gjithsesi e kanë potencialin për me na pushtue, qoftë edhe vetëm për pak, vetëm për shkurt.
Nëpërmjet tij, mbase edhe me nji angazhim krejt të patëkeq, autori i shtyn lexuesit të përballen me dëshirat, humbjet, mungesën, frikën dhe keqardhjet e tyne, duke i lanë në fund të mendojnë se, nëse janë në qiell, në kujtesë apo në përqafimin kalimtar të tjetrit, qoftë edhe për fare pak, ta rrokin çastin dhe të gjejnë nji rast paqeje brenda vetes.
2. ‹‹Xhelati i mbretit››
Tek tregimi i parë ‹‹Xhelati i mbretit›› autori e portretizon vdekjen me solemnitet:
“Deka s’asht kurgja, Faik djali, deka asht kapak florini, por gjuha e dalun e shpotia e miletit, e katundit. Ky asht hall për burra…”.(fq. 13)
Kjo lutje, ky përshkrim shërben si nji kujtesë e fortë jo vetëm e shqetësimit të natyrshëm për vdekjen, por edhe për pamjen, dukjen e personazhit në këtë rast, mbas aktit të vdekjes. “Për burrin s’asht gja ma e hokubetshme e ma e pështirë se me ndejtë i vjerrun në konop me gjuhë jasht faqe miletit, e shtunë e ditë pazari… Edhe i dekun, edhe i koritun. Mozomakeq!”(fq. 20)
Vdekja, tek ‹‹Nata e qejve›› nuk asht nji çlirim paqësor, por nji realitet shqetësues dhe i pashmangshëm që ndërhyn në përpjekjet e personazheve për t›i shpëtue kufizimeve të ekzistencës njerëzore.
‹‹Xhelati i mbretit›› asht nji tregim moralizues.
Morali i mospranimit të diçkaje që nuk na përket, na mëson randësinë e integritetit, ndershmënisë dhe respektit për pronën e të tjerëve. Duke u përmbajtë nga marrja e asaj që nuk asht e jona, ne tregojmë se vlerësojmë drejtësinë dhe njohim kufijtë midis zotimeve tona dhe të tjerëve. Ky parim ndihmon në ndërtimin e besimit në marrëdhëniet tona dhe pasqyron nji ndjenjë të fortë karakteri. Duhet disiplinë për t’u largue nga gjanat që mund t’i duam, por me të drejtë, ato nuk janë tonat.
“ – Unë nuk i pashë, Haxhi ata djemtë, por më thanë se gjithçka ishte në rregull…
Po, po, por unë nuk ia kreva punën. Deri sa u doli shpirti, gojën e mbajtën mbyllun e dhambët e tyne krisnin si me qenë tue blue hekur… Nuk e pata rrisk…
Dhe nxori prej xhepit nji shami të vogël të bardhë të qendisun vajzënisht e me xhufka ngjyra-ngjyra. E shpështolli dhe në banak u hapën shtatë monedhat e arit.
-Ti din ku me e gjetë. Këto pare nuk janë të miat… “ (fq. 30)
Kur shmangim pranimin ose marrjen e asaj që u takon të tjerëve, na parandalojmë që ndjenjat e fajit, turpit ose shqetësimit të errësojnë jetën tonë. Ky moral na kujton se përmbushja dhe lumtunia e vërtetë vijnë nga fitimi i asaj që kemi nëpërmjet përpjekjeve tona dhe jo nëpërmjet mjeteve të pandershme. Ajo përforcon idenë se karakteri vlen më shumë se çdo përfitim material dhe se nji ndërgjegje e pastër është nji nga gjanat ma të vlefshme që mund të zotënojmë, qoftë edhe nëse mbi supe e mbartë nofkën- xhelat. Në nji kuptim ma të gjanë, respektimi i asaj që nuk na përket promovon nji shoqëni ma etike dhe ma të dhembshun, ku njerëzit ndihen të sigurt dhe të vlerësuem.
3. ‹‹Nata e Qejve››
Mungesa shpesh shërben si nji temë prekëse në letërsi, duke e simbolizue humbjen – qoftë fizike, emocionale apo edhe ekzistenciale. Portretizimi i mungesës ngjallë nostalgji dhe mall. Tevona, ajo bëhet nji hapësinë ku personazhët përballen me atë që dikur ishte e pranishme, shpesh duke çue në reflektime mbi identitetin dhe ndikimin e atyne humbjeve në jetën e tyne.
Kjo temë mungese manifestohet përmes ritakimit, mbase të rastësishëm, të protagonistit me ish-të dashunën, Vjollcën – Violetën.
Ndarja, pritja e pavetëdijshme dhe ribashkimi i shkurtë vetëm për nji natë, nxjerrin në pah zgavrimin emocional që koha ka gdhendë mes tyne. Takimi, megjithatë, nuk arrin me e zgjidhë këtë mungesë. Përkundrazi, e intensifikon ate.
Nji takim i vonë me ish-të dashunën reflekton me kompleksitet emocional. Takime të tilla mund të nxisin ndjenja të pazgjidhuna, duke e shfaqë tensionin midis intimitetit të kaluem dhe pandjeshmënisë së të tashmes. Shpesh kjo zbulon nostalgjinë, keqardhjen dhe ndryshimet që sjell koha në marrëdhënie.
“Po mendoja sesi ajo vetëm ishte shëndoshë, se, për të tjerat, kishte mbetë e njajta. Gjoksi, kofshët vetëm se ishin rritë. Ndoshta edhe shpina e saj do të ishte e njajta… Më dukej nji gja e çuditshme që njeriu mund të takohet, që mund të gjej shumë gjana si kanë qenë dhe shum të tjera si janë ba mbas kalimit të njifar kohe.”(fq. 45)
Personazhët mund të përballen me ate që dikur kishin dhe ate që e kanë humbë, duke çue në nji kuptim ma të thellë të vetes dhe të jetës së tyne aktuale.
“Kur e pash me nji burrë tjetër, diçka më sëmboi në gjoks. Më erdhën menjihere parasysh skenat e përbashkëta të jetës intime me Vjollcën…”(fq. 47)
Imazhet e nji pengu mund të simbolizojnë ndjenjat e kurthit dhe pafuqisë. Mund të përfaqësojnë jo vetëm nji situatë fizike, por edhe gjendje emocionale.
Tema e të qenit peng mund të përforcojë tensionet brenda nji narrative, duke i detyrue personazhët të përballen me dobësitë e tyne dhe t’i orientoj drejt autonomisë dhe shërimit.
Tevona, autori nuk i shmanget as erotizmit, duke e përdorë atë për të eksplorue dobësitë dhe dëshirat ma të thella të personazheve. Skena erotike te ‹‹Nata e qejve›› asht gati-gati nji kriter i së vërtetës, nji test vërtetues që zbulonmashumë sesa thjesht nji intimitet fizik; kjo pjesë e novelës ekspozon nji dëshirë të mbrendshme për lidhje, identitet dhe ndoshta shpengim.
“teksa përkulej, fustani i saj u hap tek gjoksi dhe iu varën poshtë dy gjij të mëdhej që shifnin anash si dikur, por të randë e të fortë.
“Kështu i ka pasë edhe atëherë, vetëm se ma të vegjël”, mendova. Atë natë kur i shkova në shtëpi, megjithë frikën e madhe që kishim, erdhi momenti që u dehëm dhe nuk na bante delli gjak. Ajo më la ta zhveshja për sipër. I Hoqa pa mundim fustanin, mandej sutjenin dhe e rrotullova nëpër duer. Gjoksit të fortë e kërcyes nga përpara, i përgjigjej nga mrapa nji shpinë e drejt dhe e lugët, e vërgjillt dhe pa mish.” (fq. 39)
Në tregimin e autorit, këto skena nuk janë thjeshtsensuale, por janë të ngarkuememe peshë ekzistenciale, duke vunë pikëpyetje nëse intimiteti fizik mundet me i mbushë me të vërtetë boshllëqet e krijueme nga koha.
Takime të tilla nxjerrin në pah si kalimin e kohës ashtu edhe ndryshimet në identitetin personal.
Morali i tregimit ban me kuptue se asht tentim i kotë me iu kthye nji diçkaje të mbarueme apo humbun me kohë. Diçka që nuk na ka ra tamam njiherë, nuk ka me na ra tamam asnjiherë ma kurr!
Prandaj edhe në këtë rast, qeni e luen rolin e mbrojtësit. Qoftë edhe si nji krijesë e rrezikshme për vrasësit. Qoftë edhe si shkas i ndërpremjes të nji akti intim n’kulmin e dehashpirtit.
“Të kaloja përmes atyne qejve të ngordhun, trupat e pajetë të tyne tashti më dukeshin si kufoma çastesh.”(fq. 69)
4. ‹‹Gjenerali››
Novela ‹‹Gjenerali›› që flet për nji gjeneral të pafat, m’përafroi me gjeneral Drogon e Dino Buzzatti-t te ‹‹Shkretira e Tartarëve››. Në të dy tekstet kemi nji gjeneral të dëshpëruem nga humbja e rastit për nji vdekje të lavdishme, nji vdekje në fushëbetejë. “Mbasi të kesh vrarë nja njiqind armiq, atëherë mund të vritesh edhe ti.”(fq. 79) Por ky gjeneral nuk jeton iluzionin e lavdisë, ai e qan mungesën e provës së tij profesionale dhe në ngjitjen e fortë që ka me “komandantin”, me tolerancën femnore që tregon ndaj kujtimit të tij, asht nji arketip i sindromës së Stokholmit.
Karakteri i gjeneralit i shton kompleksitet temës së kujtesës dhe humbjes. Ndërsa përballet me amnezinë, gjenerali përfaqëson nji peng figurativ të mendjes së tij, të burgosun nga fragmentet e pakapshme të së kaluemës. Humbja e kujtesës asht një humbje simbolike e identitetit, duke e reflektue tendencën njerëzore për t’u kapë mbas kujtimeve si spiranca në nji realitet gjithnjë në ndryshim.
“Futja ime në burg kishte kuptim, komandant. Ti e dije mirë se po vuaja aq shumë dhe cili ishte shkaku i mërzitisë time: jeta po më ikte dhe mua nuk po më jepej rasti të tregoja para teje aftësitë e mia si drejtues i nji beteje luftarake.” (fq. 83)
Në përshkrimin e tij, autori, Primo Shllaku, kujtesën e shndërron në nji depo të brishtë dhe jo të besueme të identitetit, duke e lanë gjeneralin si nji hije të vetes së tij të maparshme, të distancuem nga vitaliteti i rinisë dhe të bllokuem në nji kujtim të fragmentuem të jetës.
Nji gjeneral i vjetër i cili doemso tenton me e përfytyrue nji komandant mbi veten, simbolizon brishtësinë e pushtetit dhe humbjen e identitetit personal.
Duke qenë dikur në kulmin e autoritetit të tij, gjenerali tani përballet me nji krizë të thellë ekzistenciale ndërsa ndikimi i tij asht zbehë. Në veprën ‹‹Plaku dhe deti›› të Ernest Heminguejt, lufta e nji burri të moshuem për të provue vlerën e tij pavarësisht humbjes së forcës së tij të maparshme, ma së miri pasqyron gjendjen e randë të gjeneralit në tregim.
Nji gjeneral i shtyem në moshë që vuen nga humbja e komandës dhe humbja e kujtesës, ofron nji rrëfim të pasun që shëmbëllen kompleksitetin e plakjes. Damin psikologjik të pushtetit dhe dilemat ekzistenciale me të cilat përballen ata që njiherë e nji kohë kishin ndikim. Nëpërmjet këtij personazhi, letërsia po shqyrton temat e trashëgimisë, identitetit, humbjes dhe kalimit të pamëshirshëm të kohës.
“Unë duhej të vdisja mepatjetër… Për atdheun dhe… -…për disa emra të përveçëm, – shtova unë pa e lanë me e mbarue fjalën.” (po aty)
5.
‹‹Se si vizita në nji ishull të Jonit më mësoi me e pa trupin e zhveshun të nji grueje…››
Vetëm nji skenar i pasun mitologjik ose filozofik mund të përfshijë figurën e shkambit – si nji simbol zavendësues – duke pasë nji përvojë transformuese gjatë nji vizite në nji ishull.
Protagonisti i tregimit pëson nji tronditje nga nji vepër arti pa autor në ishull. Ky ishte nji shkamb me përmasa të mëdha, porse simbas analizës së tij, ai i ngjante me trupin, apo ma saktësisht me pjesën e ijeve, kofshëve të së dashunës që e kishte përkrah.
Në artin dhe filozofinë e lashtë greke, trupi i grues shpesh festohej si nji manifestim i bukurisë hyjnore, harmonisë dhe rendit. Megjithatë protagonisti i tregimit asht i vetëdijshëm se edhe shkëmbin mund ta konsumonte koha.
Trupi i zhveshun i grues në formë shkambi në këtë rrugëtim simbolik, e kishte sfidue protagonistin të reflektojë aspektet ma të thella të qenies së tij. Takimi me trupin e të dashunës së tij mund të ishte nji moment zbulimi ose zgjimi, por takimi me formën e papërpunueme dhe të pambrojtun të shkambit i mësoi atij diçka shumë ma të thellë – vetëm nji trup lakuriq mund të simbolizojë të vërtetën.
Takimi i tij me trupin e gruas e kishte ndihmue atë me kuptue se asht e pamjaftueme vetëm forca fizike, duhej të kultivohej edhe mençunia, dhembshunia dhe thellësia emocionale. Kishte kohë që e kishte kuptue se trupi i grues, në këtë kontekst, mund të bëhej nji enë për rritje shpirtënore, sesa veç adhurim.
“ – Unë jetoj me të prekë ty…
– Po pjesën tjetër të kohës çfarë ban?
– Pjesën tjetër të kohës?… Pjesën tjetër të kohës rri e pres me të prekë…”(fq. 104)
Shkambi i kishte krijue nji tjetër ide – balancimin e forcës me butësinë, intuitën dhe pranimin.
“Po, dritë, po. Ajo asht vepër arti, por nuk ka autor. Kurse ti gjithsesi e ke autorin, por veç… nuk je vepër arti…”(fq. 109)
Në thelb, simbas përceptimit individual, ky tregim ka të bajë me të mësuemit për të pa përtej pamjes. Për t’u përballë me të vërtetat ma të thella të ekzistencës dhe për të pajtue aspekte të ndryshme edhe brenda vetes.
6. ‹‹Stjuardesa››
Libri ‹‹Nata e qejve›› krahason gjithashtu profanen dhe të shenjtën, sakralen me literalen përmes dëshirës së stjuardesës Vivian, për t’u bashkue me murgeshat në nji manastir, pas daljes së saj në pension. Kjo dëshirë e zjarrtë për përmbushje shpirtnore bie në kontrast të fortë me përvojat sensuale dhe, edhe erotike që figurojnë në libër. Kjo dëshirë e zjarrtë për përmbushje shpirtnore bie në kontrast të fortë me përvojat sensuale dhe, edhe erotike që figurojnë në libër. Tërheqja e saj ndaj idesë për me u ba murgeshë në nji moshë mesatarisht të shtyme, sugjeron nji dëshirë për pastërti dhe qëllim, sikur kënaqësitë fizike të jetës të jenë të pamjaftueme ose të papërmbushuna. Aspirata e stjuardesës për me gjetë ngushëllim në përkushtimin fetar mbas njikarriere të kaluemenë hapësinatkufitare të qiejve, prezanton njinotë të dualitetit ekzistencial, të kapunmidis indulgjencave tokësore dhe nji thirrjeje transhendentale.
Nji nga reflektimet ma bindëse të romanit mbi motivimin njerëzor asht përmbledhë në rreshtin – vetëm ideja e të jetuemit në qiell, ose lidhja me te m’ban me u ndie e gjallë. Këtu, lufta e protagonistes me forcën banale, por të vazhdueshme të ekzistencës, nxjerr në pah dëshirën e qëndrueshme njerëzore për me qëndrue pavarësisht zhgënjimit. Imazhi i të qenit “në qiell” përforcon tensionin e mirëfilltë dhe figurativ midis lidhjeve tokësore dhe dëshirës për t’i kapërcye ato.
Pavarësisht joshjes e të jetuemit nalt, mungesat e gjata në tokë, kishin ndikue për keq në marrëdhaniet e stjuardesës Vivian me njerëzit e dashun.
Personazhi i sajpasqyronnji tjetër lloj malli adëshiretësajën për t’u bashkue me murgesha nënjimanastir pas daljes në pension. Magjepsja e saj pas jetës nëqiell, sugjeron njidëshirë të zjarrtë për liri dhe paqe.Përnji jetë të mbushunme takime kalimtare, stjuardesa ngjitet mbas nji ideali qiellor si shpëtimi saj, njivegimqë e mbështetëatë gjatë turbullinave të jetës.
“Mbaj mend do të kem qenë nja dhjetë vjeçe… Po ecja rrugës me mamanë time. Para nesh kaloi nji grup murgeshash, të gjitha të veshuna me uniformë. Mbaj mend ato gra me kapelat e tyne të mëdha e të bardha që dukeshin sikur kishin vu zambakë të mëdhenj në kokë. E pyeta mamanë pse këto gra janë të veshuna të gjitha njilloj, ndryshe nga njerëzit e tjerë. E dini si më tha mama ime? Se duen me shkue në qiell…
-Mue nuk më lidhë gja me tokën, pra thashë të bahemi bashkë… Meqë edhe ju, edhe unë jemi për atje…” (fq. 159)
7. ‹‹Zalli i Kirit››
Shprushja e kujtimeve të rinisë zakonisht shkakton nji ndjenjë nostalgjie dhe reflektimi. Personazhët mund të idealizojnë fëmininë ose adoleshencën e tyne, duke u përballë me ndryshimet që koha sjellë. Kjo temë shpesh përfshinë shqyrtimin e pafajësisë së humbun, andrrave dhe aspiratave të rinisë dhe se si ato përvoja të hershme i formësojnë individët gjatë gjithë jetës së tyne.
Tek ‹‹Zalli i Kirit›› na portretizohen kujtime të rinisë, konkretisht te Zalli i Kirit në qytetin e Shkodrës. Ky vend shndërrohet në nji simbol të gjallënisë dhe pafajësisë së të kaluemes. Nji terren i shenjtë ku fillimisht zunë rranjë dëshirat dhe andrrat rinore të personazheve.
Në portretizimin e autorit, Shkodra nuk asht vetëm nji vendndodhje fizike, por nji strehë mendore, nji dëshmi e nji kohe kur mundësitë e jetës ishin të kufizueme në krahasim me dëshirat e pafundme e të pambulueme nga kompleksiteti i moshës.
“Stinët endeshin mbi Zallin e Kirit dhe sillnin variacionet e veta të zakonshme që na e rrisnin shtatin e fantazinë.” (fq. 165)
Për autorin, Zalli i Kirit mbetet vend i zbulimit të vetes, në rradhë të parë dhe, vend i zbulimit të rrethanve të kohës. Aty ku ai bashkë me shokë gjallënonte gjatë ditës, të tjerë, të njajtën e shfrytëzonin për mizori gjatë natës.
“Prej bisedave të ma të rritunve, asokohe na binin në vesh shum ngjarje që kishin pasë për skenë Zallin e Kirit, por gjithmonë ai vend paraqitej si vend ku ndodhnin ngjarje të këqija, të shëmtueme, të frikshme e deri të neveritshme.” (fq. 167)
Aty ku djalëria përjetonte e zhvillonte hovet e moshës, mu aty ishin varrosë andrrat, talenti dhe autonimia e Leze Rrukës. Mbase edhe trupi i saj, por jo edhe turpi i burrave të atij qyteti.
Trashëgimia e grave si e Leze Rrukës asht komplekse. Ndërsa shumë prej tyne u errësuen nga skandali dhe shfrytëzimi, arti i tyne shpesh mbetet me ndikim. Ato përfaqësojnë tensionin midis talentit dhe shfrytëzimit. Përvojat e tyne mund të ofrojnë nji koment të fuqishëm mbi mënyrën e trajtimit dhe përballjen me kompromise personale dhe profesionale.
Natyra tragjike e nji fati të tillë asht se ai e pasqyron jo vetëm viktimizimin e grave si individ, por dështimet strukturore të nji sistemi që nuk arriti me i mbrojtë ato ose t’u ofronte shtigje alternative.
“Qyteti s’i dha vorr.”
“Askush nuk donte ta pranonte Leze Ruken, ajo kishte mbetë dhe asht përsëri atje mbi Pendën e Kirit, keq, shum keq. Pa lavdi e kujtim.” (fq. 173)
Leze Rrukja na ban me e kuptue cenueshmëninë e grave – mes dashunisë për profesionin dhe realitetit të ashpër të botës përreth tyne. Sikurse fati i Ana Kareninës, kjo tregon sesi autonomia dhe seksualiteti i nji grueje mund të kontrollohej, abuzohej dhe përfundimisht ta shkatërronte ate.
Paradoksi i Zallit të Kirit!
8.
‹‹Nata e Qejve›› e autorit, Primo Shllaku, gërsheton në mënyrë të ndërlikueme dëshirën e personazheve për të bukurën, përmbushjen dhe kuptimin e të jetuemit me pashmangshmëninë e ashpër të kufizimeve të tyne. Nëpërmjet tregimeve të tij, romani krijon nji meditim prekës mbi atë që do të thotë të jetosh, të duash dhe të përballesh me sigurinë e vdekjes, ndërkohë që e dëshiron nji mbyllje dinjitoze ndaj narrativës së fragmentueme të jetës.
Kur këto tregime kombinohen, ato ndërtojnë nji tapiceri të pasun të emocioneve dhe përvojave njerëzore, duke i ftuar lexuesit të reflektojnë mbi marrëdhaniet, kujtimet dhe sfidat e tyne ekzistenciale. Pavarësisht nëse rrëfimi anon drejt nji udhëtimi personal apo nji komuniteti ma të gjanë, këta elementë inkurajojnë introspeksionin dhe ndjeshmëninë, në fund të fundit duke hedhë dritë mbi kompleksitetin e jetës, humbjen dhe kërkimin e vazhdueshëm për kuptimin dhe lidhjen mes kaosit të ekzistencës.
14 nandor 2024, Prishtinë