Kreu Letërsi Bibliotekë “Viti 0001”, tregime nga Xheni Shehaj

“Viti 0001”, tregime nga Xheni Shehaj

1. Viti 0001

I mbijetova përmbytjes së madhe. U zgjova në një breg deti. Bashkë me mua ishin disa kafshë e zogj. Një pyllësi e dendur rrethonte gjithë vendin ku po qëndroja. Një zë brumbulloi fuqishëm: “Futu në pyll”.

Zoti? Ndjeva djersë mbi shpinë. E njihja historinë e krijimit të njerëzimit por nuk dija si do të shkonte puna ime tani pas përmbytjes. Isha i vetmi njeri i mbijetuar. Kafshët që zbritën në tokë me mua, ishin larguar tashmë. Pylli ishte habitati i tyre. Po me mua ç’do të bëhej?!

E lashë mendjen të tirrte pafund dhe bëra siç më urdhëroi zëri. Hyra në pyll. Pemët e larta gati preknin qiellin. Njëherë mendova se kisha vdekur dhe ndodhesha në parajsë.

Pastaj qesha dhe i kujtova vetes se nuk isha aq njeri i mirë sa të meritoja parajsën. Vazhdova të ecja.

Pylli s’kishte mbarim. Pjesa ku po ecja ishte e gjitha e lulëzuar. Të kënaqej syri. Arrita kështu në kufi. Aty mbaronte pjesa e lulëzuar e pyllit dhe fillonte një tjetër. Në atë pjesë të pyllit ishte vjeshtë. Toka ishte mbuluar me gjethe të zverdhura. Pemët ishin gjysëm të veshura. Për të kaluar kufirin më duhej të kapërceja një humnerë. E dija që se bëja dot. Ndaj u ula këmbëkryq mbi tokë dhe prisja që zëri të kujtohej për mua dhe të më drejtonte.

Nuk e di si ndodhi por mendoj se arrita të dremis paksa. Pikërisht gjatë asaj kohe dikush më kishte bartur për leckash e tashmë ndodhesha në pjesën e pyllit ku ishte vjeshtë. Dëgjova kërcitjet e gjetheve poshtë këmbëve të mia.

Rruga zgjati njësoj si ecja në pyllin pranveror. Më pas u përsërit historia por pak ndryshe. Në vend të humnerës kësaj here shtrihej para meje një ujëvarë që derdhej potershëm nga nuk e di se sa metra lartësi. U llahtarisa.

Pastaj m’u kujtua humnera. Mendova se do të më dilte më mirë sikur të dremisja dhe dikush të më jepte një dorë në kalimin e ujëvarës.

Dhe ashtu ndodhi.

Përpara meje shtrihej pjesa e pyllit dimëror. Drurët e zhveshur të kallnin tmerr. Dukej si një pyll fantazëm i zbrazur nga jeta. Eca gjatë. E përshkova deri në fund pyllin dimëror. Teksa ecja mendoja se cila do të ishte prova e radhës. Më në fund arrita. Në kufi me pyllin ishte një hon i thellë prej të cilit dilte zjarr e flakë. U lemerisa. Bëra hapa pas dhe mbeta në pritje. Zëri u dëgjua sërish:

“Hidhu në zjarr. Nuk do të të ndodhë asgjë. Do vish tek Unë. Kjo është prova e fundit. Prova e zjarrit. Ki besim tek Unë. Vetëm nëse hidhesh dhe arrin tek Unë do mund të shkruash historinë. Përndryshe gjithçka mbaron këtu.

Frika më kishte paralizuar. Dridhesha.

-Nga ta di, – i thashë – se nuk do të vdes aty mes flakëve?

-S’ke nga ta dish – m’u përgjigj. -Duhet të besosh verbërisht.

– Më jep një provë, – iu luta.

– Provat ti dhashë gjatë gjithë rrugës por nuk paske besuar. Tani ose hidhu, ose qëndro aty ku je në përjetësi.

Kaq tha zëri dhe nuk e dëgjova më kurrë.

Një rrymë e ftohtë më përshkoi trupin. Vendosa të besoja dhe të hidhesha por sapo iu qasa honit që nxirrte flakë u ktheva pas me lebeti. Hoqa dorë nga hedhja në zjarr. U ula në kopshtin dimëror dhe e lashë veten në dorën e s’di se kujt. Tani jam një shpirt, trupi im nuk i rezistoi dot ngricave dhe dergjet i ngrirë atje poshtë, nën pemë. Shpirti është sipër, në një vend ku s’ka të tjerë dhe nga ku sheh çdo ditë të njëjtën pamje: zbrazëtinë e botës.

Nuk arrita dot ta shkruaja historinë. Ishte thjesht çështje besimi…

2.Rrugëtimi i Ezrës në botën tjetër

Ezra ra të flinte dhe nuk u zgjua të nesërmen as në të njëjtin orar si përditë, dhe as më vonë. Frenku, maçoku qimekuq, mjaullinte pas derës së mbyllur të dhomës së saj.

– Mjau, mjauuu!

Heshtje. Zbardhëllima u fut ngadalë nëpër xhamat e shtëpisë. Ezra flinte, flinte për të mos u zgjuar më. Por këtë se dinte Frenku, nuk kish si ta dinte. Atij i bëhej se pas pak do të dëgjonte zërin e së zonjës tek i uronte fillimin e ditës së re:

– Mirëmëngjes Frenk! Mirëmëngjes i bukur! Fjete mirë dudush?

Frenku po përdridhej në dysheme njësoj sikur të ndjente duart e Ezrës përsipër teksa e përkëdhelte. Ezra flinte përgjithmonë dhe njëkohësisht përjetonte rrugëtimin në një tjetër dimension.

{Në botën e Ezrës}

Ajo donte të zgjohej. I fliste vetes dhe e kurajonte për të hapur sytë.

– Hapi sytë Ezra! Hapi sytë! Të lutem Zot më zgjo! Ku jam këtu?

Ajo nuk kuptonte ku ndodhej. Me sytë gjithmonë të mbyllur shihte gjëra që kurrë më parë si kishte ndeshur. Një qiell i gjithi për të. Shumë krijesa me krahë të bardhë fluturonin pareshtur nëpër hapësirë. Ezra ndjeu të ftohtë. U përpëlit dhe tentoi të zgjohej. Nuk mundej. Një çast mendoi të lëvizte. Sapo bëri lëvizjen e parë ndjeu se po binte. Po tamam, trupi i saj po lëshohej me shpejtësi drejt një humnere. Lëshoi një zë aq të frikshëm sa krijesat me krahë të bardhë u shurdhuan. Tamam në kohën kur do të plandosej një dorë e stërmadhe doli nga hiçi dhe e mbërtheu fort.

U ngjit sërish aty ku ndodhej disa sekonda më parë. Sytë i kishte të mbyllur. Për një moment gjatë rënies ishin gati për t’u hapur por sapo mrekullia do të ndodhte u shfaq dora dhe magjia u prish.

Mendja e Ezrës edhe pse e çorientuar kuptoi diçka. Nëse tentonte të rrëzohej sërish mund të hapte sytë, të zgjohej, mjafton që mos t’i dilte ajo dorë e ta mbërthente fuqishëm. Ajo vendosi ta riprovojë rënien. Lëvizi paksa dhe pa e mbledhur mendjen mirë e gjeti veten duke rendur në rënie të lirë drejt humnerës.

Një zhurmë e madhe i tërhoqi vëmendjen. Kishte rënë mbi trupat e krijesave me krahë të bardhë, të cilët kishin krijuar një lloj kordoni në fund të humnerës. Trupi i Ezrës shkaktoi krisje dhe thyerje në krahët e krijesave. Por ajo vetë nuk ndjeu asnjë dhimbje në trupin e saj.

– Nuk e dija që kisha kaq forcë! – mendoi.

Tentoi të hapte sytë. Nuk mundej.

– Po si i shoh këto krijesa, qiellin, dorën që më mbajti kur i kam sytë mbyllur?!

Ishte gati të ulërinte dhe të qante njëkohësisht nga frika e kësaj enigme, kësaj të panjohure që po jetonte. Ishte gati të mbytej në dënesa. Se kuptonte se si mund të qëndronte pezull, gati sa nuk cikte krahët e krijesave fatkeqe, gati sa nuk rrëzohej në humnerën e skëterrshme. Ashtu me sy mbyllur pa dorën që po vinte drejt saj. Kuptoi se pas pak nuk do të shihte më asgjë dhe gjysëm e zalisur lëshoi atë pak zë që i kishte mbetur, i cili jehoi deri në skajet më të largëta të atij qielli të pamatë…

– Zooot!!!

Ndërkohë Frenku vazhdonte të mjaullinte pas derës në kërkim të ushqimit dhe përkëdheljeve të Ezrës.

Exit mobile version