Kreu Letërsi Shënime mbi libra Virion Graçi: Kujtimet burimore – mjet çlirimi dhe individualizimi krijues

Virion Graçi: Kujtimet burimore – mjet çlirimi dhe individualizimi krijues

Luan Starova e të tjerë romancierë

Në përvjetorin 80-të të Luan Starovës, shohim sërish se jeta dhe krijimtaria e tij e përfaqësojnë njëra-tjetrën, jeta na çon lehtësisht te vepra e tij letrare, sikurse, leximi i romaneve të “Saga Ballkanike” na e jep një biografi të autorit, takimet e tij të para me botën. Sikurse ndodh në letërsinë e arrirë, librat e L. Starovës nuk marrin përsipër të tregojnë gjithçka, por çdo gjë e treguar është autentike dhe përgjithësuese, emocionuese, me konotacione të forta historike e filozofike.

L. Starova është tipik romansier i shkrimit autobiografik. Në letërsinë shqipe është vështirë t’i gjesh një të ngjashëm për nga prurjet dhe cilësia në këtë lloj shkrimi, prandaj do ta vendosim në shoqërinë e shkrimtarëve Margerit Dyras, Albert Kamy, Zhan Pol-Sartr, autorë të pranishëm e me ndikim në sistemin tonë letrar, ardhur  nëpërmjet përkthimeve cilësore.

Shkrimi autobiografik te autorët e sipërpërmendur dëshmohet së pari si liri njerëzore, si pohim me gjuhën e artit i të vërtetave vetjake e familjare, sado të pa lavdishme a të pa denja qofshin ato në raste të caktuara; njëherësh, pasuria e shburgosur e kujtesës, çlirimi i kujtimeve nga e shkuara e largët – në të tashmen e narrativës fiksionale, i jep formë të re e fizionomi origjinale zhanrit përkatës, romanit, nëpërmjet të cilit lënda intime, bota diskrete e anonime e fillesave vetjake, shndërrohet në afresk i gjallë e tërheqës për publikun/lexuesit. Të tillë janë për nga konceptimi dhe tonet narrative romanet “Dashnori”, (Dyras), “Fjalët”, (Sartre), “Njeriu i parë”, (Kamy); unikalë janë në letërsinë shqipe e përtej saj edhe romanet e “Saga Ballkanike” të L. Starovës.

Sikurse L Starova, edhe Dyras, Kamy, Sartr janë rritur e afirmuar në mjedise të huaja për ta. Dyrasi- në Indokinë, Kamy në Algjeri dhe Sartr është lindur e rritur në Francë, por gjyshi i tij është me origjinë gjermane, nga krahina e aneksuar e Alsas-Lorenës.

Dyras, Kamy, Sartr kanë ndeshur në të kaluarën e tyre problemin e heshtjes në familje, defektet në të folur, me pasojë moskomunikimin normal: në familjen e Kamysë pothuajse nuk bisedohet kurrë, nëna e tij nuk flet, ka kryesisht një komunikim me veprime, me gjeste. E njëjta heshtje e dëshirë këmbëngulëse për të mos u shprehur, për të mos u shpjeguar, karakterizon edhe heronjtë e tij kryesorë. Heshtja më e sigurt është kur flasim, perifrazon Kamy Kierkegorin te “Miti i Sizifit”, duke përligjur nga pozita filozofike këtë tipar dallues të personazheve të tij që vjen prej miteve familjare. Procesi i mendimit ndërpritet kur fillojmë të flasim, shprehet Kamy ironikisht po te “Miti i Sizifit”. Edhe Mërso, heroi te “I huaji”, nuk shfajësohet në gjyq, nuk dëshiron të marrë fjalën për t’u mbrojtur, jo se është tip i heshtur, sipas tij, por nuk ka ndonjë gjë që ia vlen të thuhet. L. Starova, sythin “Gjuha e nënës sime” te “Librat e babait” e nis me thënien e S. Bekett: “Heshtja është gjuha jonë amtare”.

Babai dhe xhaxhai i Sartrit kishin probleme me të folurin, me mbajtjen e fortë të gojës. Sartr e përshkruan fëmijërinë te “Fjalët” si një përpjekje të madhe për t’u bashkuar me ligjërimet e rrjedhshme të librave.

Në familjen e Dyrasit, gjithashtu mbizotëron heshtja dhe moskomunikimi torturues, jo për shkak defektesh të lindura. Shkruan Dyras duke stigmatizuar marrëdhëniet e deformuara midis anëtarëve të familjes së saj: Asnjëherë mirdita, mirëmbrëma, gëzuar vitin e ri. Asnjëherë faleminderit. Gjithmonë gojëkyçur. Të mos kesh nevojë të mos flasësh kurrë. Gjithçka të mbetet memece, e largët. Ajo ishte një familje prej guri, e ngurtësuar në mënyrë të tillë që nuk e çante njeri. Çdo ditë provonim të vrisnim veten, të vrisnim. Ne jo vetëm që nuk shkëmbenim një fjalë po nuk e shihnim dot në sy njëri-tjetrin.

 Heshtja, apo fjala e duhur, fjala e shumëpritur në vend të heshtjes, nga fëmijët e dikushëm, tashmë shkrimtarë të njohur, është e lidhur me autoritetin prindëror, me baballërët, në radhë të parë. Por, nga Dyras deri te L.Starova qëndrimi ndaj tyre është i ndryshëm. Sartr te “Fjalët” për babain: Ai s’kishte zanat; i bllokuar midis heshtjes së të atit dhe britmave të së ëmës, u bë belbacak dhe jeta i shkoi duke luftuar me fjalët.

 L.Starova është në kushte të njëjta biografike: Tëhuajësimi i familjes shqiptare në një mjedis me prirje asimiluese dhe ksenofobe, jepet po ashtu nëpërmjet rrudhjes së indentitetit nga ana e kryetarit të familjes, babait. Poliglot në një lagje dhiarësh, me universitet në një lagje analfabetësh, ai struket në gjuhën e tij të brendshme, nuk ka dobi praktike ta shpalosë unin e tij. Përkundrazi bëhet i paditur, mbyllet në vetvete, në librat e vjetër, në nevojat ditore të familjes: Duket se ai zotëronte një gjuhë të brendshme të vetën, së cilës ia besonte nga ato mendimet e tij që ishte më pak e mundshme të gjenin shprehje me ndonjërën nga të folmet me të cilat komunikonte me botën

Si karakteristikë tjetër të përbashkët, autorët francezë kanë mungesën e autoritetit atëror në fëmijëri. Dyrasi, vajzë e një mësuesi matematike nuk ka njohur kujdesin dhe autoritetin atëror; 14 vjeçe ajo ka mbetur jetime nga babai, në vijim nuk ka kush kohë dhe dëshirë t’i tregojë asaj diçka për të. Dyras nuk shfaq kureshtje a keqardhjeje për mungesën e tij edhe kur e rijeton të shkuarën pas shumë vitesh, në moshë të thyer. Kamy dhe Sartr po ashtu janë rritur vetëm prej nënave, kanë pasur baballarë të cilët nuk i kanë njohur kurrë; ata vetë nuk ushqejnë keqardhjeje a ndjeshmërie pozitive në lidhje me etërit e panjohur, të munguar. Shkruan Sartr për të atin: Atë e njoh me të dëgjuar, njëlloj si Maskën e Hekurt apo kalorësin e Enoit, dhe çka di për të s’ka kurrfarë lidhje me mua: edhe sikur të më ketë mbajtur në krahë, sikur të më ketë kundruar me sytë e tij të çelët, që sot ia kanë ngrënë, askush nuk e mban mend: të gjitha këto dhimbje dashurie kanë humbur. Ky baba nuk është as edhe hije, as edhe një vështrim: ai edhe unë kemi rënduar ca kohë mbi të njëjtin dhe, dhe kjo është e tëra.

Kamy ka qenë një vjeç kur e ka humbur babain, vrarë në luftë, por ai niset rrugës për ta kërkuar origjinën e tij gjysmë shekulli më vonë, nëpërmjet gërshetimit të trillimit romanor me lëndën e mirëfilltë autobiografike. Zbulimit të së shkuarës i kushton romanin “Njeriu i parë.” Kamy vuan mungesën e kujtimeve të drejtpërdrejta, por e rindërton imagjinativisht figurën e babait, përshkruan largimin e tij nga shtëpia për në ushtri, mënyrën si ai kapërcen për herë të fundit rrugicën pranë shtëpisë për të mos u kthyer më.

   Kamy babanë e sheh si mëtonjës përkatësie, prej të qenurit pasardhës i tij, ai, francezi i Algjerisë, duhet të hidhet në krahët e gjuhës dhe letërsisë franceze: Ai ishte njeriu i parë ngaqë ishte i varfër dhe kjo nuk u ka dhuruar e përcjellë kurrë gjë me vlerë qënieve njerëzore….ishte në ekzil, larg vendit të vet, po jetonte në gjuhën e vet. I vetmuar dhe i qëndrueshëm.

 Më tej Kamy shprehet: Njëzetenëntë vjeç, duhej të kish qënë i brishtë, i vuajtur, i nderë, kokëfortë, sensual, ëndërrimtar, cinik, kurajoz…në një familje ku flitej pak, ku nuk shkruhej e as lexohej…

Margerit Dyras ka një situatë më të veçantë; babai nuk arrin të depërtojë kurrë në vetëdijen e saj, as për t’u mohuar as në formë kujtimesh pohuese; objekt i fortë dashurie dhe frymëzimi lirik për Dyrasin është vëllai i vogël, i vdekur para kohe për shkak të varfërisë, për të ajo ruan dhe shfaq gjithë ngrohtësinë e saj njerëzore; autoritetin e babait në familje e luan vëllai i madh, atë do me verbëri e ëma, për atë është gati të sakrifikojë dy fëmijët e tjerë më të vegjël, si dhe veten e saj: Të gjitha bashkësitë, qofshin ato familjare apo diçka tjetër, për ne ishin të urryera, poshtëruese. Ne qemë të bashkuar rreth parimit të turpshëm. Duhet të jetoj. Ky parim ishte shkaku që ne gjendeshim në thellësinë më të errët të historisë sonë të përbashkët, në atë të të qenit që të tre fëmijë të atij njeriu të ndershëm, nënës sonë, të cilën shoqëria e kishte vrarë. Ne ishim në bisht të shoqërisë që e kishte shtyrë nënën tonë drejt dëshpërimit. Për shkak të asaj që i kishin bërë nënës sonë aq të dashur, aq të çiltër, ne e urrenim jetën, ne e urrenim njëri-tjetrin.

Ngjashëm e izoluar është dhe familja Starova, jo prej ligësisë së anëtarëve të saj, por për shkaqe shoqërore-etnike: Të ardhur së voni, me një gjuhë dhe besim tjetër, por nën të njëjtën ideologji, të ngarkuar me libra, thjesht si të ishim hedhur në këtë qytet buzë lumit, ne për një kohë të gjatë kishim mbetur si një ishull i vetmuar.

Autori rrëfimtar, duke e parë historinë e familjes së tij me sytë, ndjeshmërinë dhe logjikën e një fëmije, dimensionin diakronik të saj ia beson të atit. Niveli kulturor, peripecitë e jetës plot me shtegtime e shpërngulje për shkak të luftërave ballkanike, e lejojnë babanë e autorit të mbajë e të rrëfejë barrën e trashëgimisë dramatike të famijes: Mendimet e tij përfundonin te liqeni i madh në brigjet e të cilit kish rrjedhur fëmijëria dhe rinia e tij e ku shpresonte të kthehej në pleqëri. Shpresë mashtruese ballkanike.

 Tëhuajësimi i familjes shqiptare në një mjedis me prirje armiqësore, asimiluese dhe ksenofobe, jepet po ashtu nëpërmjet bjerrjes së indentitetit nga ana e kryetarit të familjes, babait. Megjithëse poliglot në një lagje dhiarësh, megjithëse me universitet në një lagje analfabetësh, ai struket në gjuhën e tij të brendshme, nuk ka dobi praktike ta shpalosë unin e tij. Përkundrazi bëhet i paditur, mbyllet në vetvete, në librat e vjetër, në nevojat ditore të familjes: Duket se ai zotëronte një gjuhë të brendshme të vetën, së cilës ia besonte nga ato mendimet e tij që ishte më pak e mundshme të gjenin shprehje me ndonjërën nga të folmet me të cilat komunikonte me botën.

Motivet autobiografike merren më endje nga Dyras në disa romane; Kamy e Sartr i shpërfaqin mitet familjare me nga një roman; L. Starova e ndërton një korpus romanesk me qerthullin familjar autobiografik, si epos familjar dhe si histori – epope groteske e dramatike ballkanase, e shtirë bollshëm në kohë e hapësirë, përtej çdo fati të përvetshëm njerëzor.

Te romani “Librat e babait” protagonist është babai si Njeriu i parë i një bote të re në kaos e konflikte të reja dhe si Njeriu i fundit i një bote të vjetër, në zhdukje prej kaosit, luftrave, antagonizmave, ideologjive radiakale. Te romani “Librat e babait” mbizotëron rrëfimi fragmentar-piktoresk, njësitë e shkurtëra memuaristike, të letrarizuara, romani tjetër, “Koha e dhive” karakterizohet nga intensiteti emcional, pasuruar me digresione anësore krahas temës kryesore, përthyer shpesh e mjeshtërisht në prizmin e ironisë, autoironisë, groteskut. Në romane të tjerë të L. Starovës ruhet e pasurohet më tej kjo fizionomi stilistike-narrative.

Në “Saga Ballkanike” rrëfehet me empati familja, nëna, motrat, babai, përpjekjet e tyre duke nisur që nga mbijetesa si qenie të gjalla dhe përshkruhet mënyra e re e riorganizimit të jetës. Mjedisi vendës, maqedonasit, të huaj dhe armiqësorë për familjen e porsaardhur nga Shqipëria, është po aq në një proces të gjatë e të vështirë riorganizimi, nën një regjim të ri shtetëror, me parime të reja ekonomiko-sociale. Futja e ish Jugosllavisë në rrugën e komunizmit ndryshon rregullat e përditshme të njerëzve. Kufizimi i pronës private, reformat e njëpasnjëshme sociale-kulturore, lënë pasoja në marrdhëniet ndërnjerëzore. Skena kryesore ku shpalosen ngjarjet dhe përthyhen fatet njerëzorë është lagjja. Nga njësi elementare organizative e jetës urbane, lagjja bëhet makrokozmos, njësia më e madhe shprehëse në romanin e L.Starovës, vatër kuptimore ku reflektohen tendencat, ndodhitë, prirjet e përgjithshme të gjithë federatës jugosllave. Duke pasur si dekor dhe pikënisje parathënëse lagjen maqedonase, drama e familjes shqiptare arrin të rrëfehet katërcipërisht brenda mureve të shtëpisë. Atje personazhet i shprehen vetvetes, njëri-tjetrit, në formë dialogu e monologu të brendshëm. Kryetari i familjes, babai – i vetmi autoritet dhe prijës për anëtarët e tjerë, kërkon nga lagjja kompromiset e para dhe bën lëshimet përkatëse. Ajo që fillon të rrudhet është shenja identitare: gjuha shqipe. Nuk do të kenë libra shqip, as shkollë shqipe dhe komunikimi në gjuhën amatare është mundësi që ngelet brenda katër mureve të banesës. Ajo që mund t’i kërkohet anës tjetër, maqedonasve është e drejta për të mbijetuar si qenie fiziologjike, buka dhe qumështi i dhisë për të ushqyer të vegjëlit. Nga përplasja midis një familjeje dhe një shteti në situatë lufte etnike, klasore e politike, kuptohet cila palë do të tjetërsohet e do të zhytet pak nga pak në një muzg anonimati. Metamorfozën e pësuar në identitet, njëri nga anëtarët e familjes, romancieri L.Starova e përdor artistikisht duke e bërë figurë bazë të strukturës romanore: groteskun; nëpërmjet groteskut, identitetin e diktuar nga rrethanat shtërnguese, e zhvesh nga pompoziteti, nga përmasa serioze-autoritare, e ul prej fronit emancipues ku e ka çuar propaganda e shtetit totalitar, e paraqet ashtu si ishte për njerëzit e “huaj” – i dhunshëm dhe butaforik.

Përkimet mes fakteve biografike të shkrimtarëve janë të shumta; të ndryshme janë procedimet artistike të secilit dhe qëllimet e rikthimit në vendin e dikurshëm të ngjarjeve, në shtresëzimet e herëshme të kujtesës. Nëse shkrimtarët francezë iu janë kthyer miteve familjare për t’i demontuar, për t’i stigmatizuar, secili për ta ndarë identitetin vetjak – nga rrethi i ngushtë klanor/familjar, L. Starova, historinë e familjes dhe ikonat e saj i bën mjet identifikues në kohë e hapësirë, u jep peshë simbolike. Me lirinë dhe mundësitë shprehëse që ka krijimi letrar romanor, L. Starova përbashkohet me mitet e tij familjare; në këtë mënyrë, babai i tij, vatra prindërore, vëllazëria biologjke bëhen, në miniaturë – sinonime me familjen e madhe e munguar – me botën shqiptare në radhë të parë dhe, mandej, sinonime me njerëzimin, me krejt gjindjen njerëzore.

Exit mobile version