Ka romane në të cilat ndiqen strukturat tradicionale të rrëfimit dhe ka romane të tjera ku stukturat moderne dhe format eksperimentale të rrëfimit kijojnë tërësinë e tij. Pa dashur të hapim ndonjë diskutim mbi elaborimin e formave të reja eksperimentale të rrëfimit do të kthejmë sytë kah leximi dhe njohja më shumë e romanit “Lakimi” nga autori Durim Taçi, i cili është vlerësuar me disa çmime kombëtare dhe ndërkombëtare në botën letrare (autori).
“Lakimi” është një roman, i cili i përngjason për nga mënyra e të shkruarit romanit “Nëse një natë dimri një udhëtar” nga italiani Italo Kalvino, me dallimin e madh se këtu protagonist nuk është lexuesi, lexuesi sipas modelit Kalvino. Sikurse Kalvino që sjell për çdo kapitull një roman të ri sepse protagonisti i tij, lexuesi, për arsye të ndryshme nuk arrin ta përfundojë leximin e romanit pararendës edhe Taçi për çdo kapitull lakon disa rrëfime, të cilat ndërpriten nga rrëfyesi i tyre, për t’u vazhduar lakimi deri në rasën rrjedhore.
Këto rrëfime lëvizin paralelisht me njëra-tjetrën, si dhe me rrëfenjën qendrore. Rrëfyesi i tyre, Robertoja, nuk shmang lakimin e asnjërës prej historive. Lakohet historia e Elirës, personazhit kryesor, lakohen edhe historitë e grave të tjera fiksionale të mbrujtura brenda vetë fiksionit të “Lakimi” – t. Robertoja është rrëfimtari i pesë historive që lakohen në çdo kapitull. Rrëfimeve të tij u shtresohen edhe fragmente tekstesh nga po ajo e shkuar që ai rrëfen, të cilat përbëjnë rrëfime dhe ngjarje të tjera. Krahas këtij rrëfyesi gjallon edhe një rrëfyes tjetër, rrëfyesi i aventurës së Elirës. Elira nuk është vetëm personazh, ajo është edhe lexuesi i parë i rrëfimeve të Robertos. Për shkak të gjallimit të këtij rrëfyesit të dytë, mbi Roberton, ne bëhemi lexues të rrëfimeve të tij dhe të të gjithë romanit “Lakimi”.
Roberto rrëfen mbi fatin e gruas në kohë të ndryshme, qysh nga periudha paleolitike deri në kohët moderne ndërsa Elira sheh përmes këtyre rrëfimeve rrjedhën e jetës së saj. Jeta e saj nuk dallon shumë nga jetët e grave për të cilat rrëfen Robertoja. Një grua e re, e cila është martuar shumë herët me Arberin, me të cilin ka dy fëmijë, për të cilët duhet thënë se vëmendje ( edhe kjo e përciptë) tregon vetëm ndaj vajzës së saj me argumentin e vetëm se ajo është femër dhe për të jeta mes burrave është e vështirë. Në një nga ekspeditat arkeologjike Elira, përçmuese e shkrimit (alfabetik përgjithësisht) takohet me Roberton dhe pas këtij takimi bindet se martesës së saj me Arbenin i ka ardhur fundi, mirëpo nuk gjen guximin dhe sigurinë t’i kërkoi shkurorëzimin. Takimi me Roberton nuk është vetëm një sinjal se martesa e saj ka mbaruar, por edhe sinjal se ajo ka vite që nuk e ka eksploruar botën dhe mbi të gjitha veten. Elira nuk e njeh veten, nuk i ka dhënë kohë vetes për të kuptuar qenien e saj. Pikërisht kjo bëhet shtysa e saj që të niset drejt Italisë për të takuar Roberton. Në një botë patriarkale ku burri dominon, ajo zbulohet prej të shoqit dhe kalon në disa peripeci për të arritur me sukses në Itali. Çuditërisht aty nuk e pret Robertoja. Në kërkim të Robertos ajo njihet me Bitorin, një i panjohur tjetër, me të cilin afrohet dhe krijon një marrëdhënie erotike. Në tokën italiane e ndjekin rrëfimet e Robertos, të cilave ajo u identifikon vendet ku janë zhvilluar ngjarjet dhe shkon për t’i zbuluar. Pas e ndjek Bitori dhe e shkuara e tij, e ndjek bashkëshorti kërcënues dhe mbi të gjitha një burrë tjetër, Mateo, i cili në fund të gjithë aventurës së saj italiane rreket për ta vrarë.
Këtu na duhet të sjellim në vëmendje se rrëfimi merr disa ngjyresa të kërkim – zbulimit si në romanet e verdhë. Elira vihet në mënyrë indirekte në zbulim të vrasjes së një profesori, për vdekjen e të cilit dyshon herë Bitorin, herë Mateon.
Në përfundim të romanit, Elira kthehet në Tiranë, në shtëpi me guximin për t’i kërkuar përfundimisht shkurorëzimin Arbenit, bashkëshortit të saj.
Një grua me një një histori që të kujton personazhin e Tolstoit, Ana Kareninën. Nuk ka njohur ndonjëherë dashurinë. Është martuar herët. Nuk mund të themi se ashtu si Ana që dashurohet menjëherë me Vornskin edhe Elira dashurohet me Bitorin, përkundrazi, marrëdhënia që krijon me të është e bazuar në interes, s’ka dashuri. Ajo nuk mund të jetojë vetëm dhe mbi të gjitha nuk mund të jetojë pa praninë e një mashkulli në jetën e saj. Megjitahtë, kjo është në kundërshti me gjithë rrëfimin e Lakimit, i cili lakon matriakatin. Sa më shumë që lakohet matriakati, aq më dominues bëhet patriakati. Në rrëfim shfaqen burra, të cilët edhe se mund të jenë figurantë mbartin forcën për të formësuar vazhdimin e rrëfimit për secilën grua.
Një personazh si Elira me një emër domethënës, por që vetë personazhi është larg domethënies, e cila jo pak herë gjendet në vorbullën e patriakatit. Elira është një personazh disi kompleks, ku nga njëra anë lufton për lirinë e saj dhe nga ana tjetër kërkon medoemos shoqërinë e një burri, Bitorit a Robertos (që nuk bëhet kurrë i gjallë). Herë insiston në zbulimin e vrasjes së profesorit, herë tregohet krejt indiferente. Herë dëshiron t’u jap fund mesazheve – rrëfime të Robertos dhe shumë herë të tjera është tërësisht e varur ndaj tyre. Mbi të gjitha është një grua që nuk dashuron. A nuk është e aftë të dashurojë, apo nuk ka mundësinë të dashurojë? Gjatë gjithë rrëfimit duket sikur rrëfimtari kërkon të provokojë mendim dhe po në të njëjtën formë jepet edhe Elira, gjithmonë në të menduar, shumë pak gjejmë të pulsojë ndonjë ndjenjë.
Ndoshta edhe ne si lexues jemi edukuar me idenë se personazhet femra përshkruhen me ndjenja dhe jo me mendime. Një grua ndjen më shumë se sa mendon, është në natyrën e saj do të shtonte ndokush. Po Elira nuk është vetëm. Një gjarpër është bashkëshoqëruesi i saj deri në momentin që ajo lidhet fizikisht me Bitorin. Pas aktit seksual mes Bitorit dhe Elirës gjarpëri zhduket, të paktën rrëfimtari nuk na tregon apo nënkupton praninë e tij diku pranë Elirës. Megjithatë, emri i tij, serpens (emërore) vazhdon lakimin deri në rasën rrjedhore. Interesante është kërkesa për thirroren nga ana e Elirës, e cila ironikisht përmes një mesazhi zanor i drejtohet Robertos: ‘’Të ka rrëshqitur thirrorja, Roberto, njësoj si gjarpri.’’, ç’ka mund të interpretohet vetëm si kërkesë e gruas për vazhdimësinë e historive (ajo argëtohet me to) që për ne, lexuesin tjetër mund të konsiderohen të mbyllura.
Thirrorja ka kohë që nuk është më pjesë e sistemi rasor, si do të mund të lakonte Roberto historitë e tij në një rasë që nuk përdoret më? Ironia e Elirës për rrëshqitjen e thirrores sa mund të thumbojë Roberton, mund të thombojë edhe vetë Elirën. Ajo mund ta konsiderojë si rënie të shkrimit, si frikë e sistemit patriakal nga gruaja që thërret me të madhe të drejtën e saj, ama historitë e rrëfyera nga Robertoja përfundojnë me klithma dhe thirrje të pashpresa të grave. Mund të ketë shpresë, apo një fillim të ri për Elirën, por jo për të gjitha gratë e tjera, të së shkuarës apo të së tashmes. E tashmja është një kohë shumë e gjatë për ato që janë viktima.
Viktimat në këtë roman janë të shumta, rrëfimtari nuk i shpëton të gjitha gratë. Shumica e këtyre grave, veçanërisht ato të së shkuarës kanë një lidhje të nënkuptuar me bregun ballkanik të Adriatikut, nënkuptohet Iliria e dikurshme. Shumë prej tyre cilësohen si shtriga, gra që njohin arte të padëgjuara. Ndaj tyre ushtrohet vazhdimisht dhunë, bëhën viktima të inkuizicionit për të ashtuquajturën shtrigëri, po aq edhe për shthurjen, për imoralitetin e tyre, për të cilin nuk ka prova. Ka paragrafë të tërë ku rrëfehet për anën çnjerëzore të burrit, për epshin, për egon e sëmurë. Ka po aq paragrafë ku rrëfehet për vuajtjen e gruas, sfidën e të lindurit seksi i dobët.
Rrëfyesi Roberto kujdeset që në pesë rrëfimet e tij të vendosë gruan në të gjitha pozicionet, rolet e mundshme në jetë; vajzë, bashkëshorte, mëmë, drejtuese, e lirë, e nënshtruar dhe mund të themi se Elira është në të gjitha këto role.
Romani përfundon me fjalët e Elirës, rrëfimet e Robertos me historinë e Adelës. Historia e saj mbetet finalizuesja, pasi guximi i saj afron me kohën moderne. Adela martohet me një burrë, kur dashuron një grua. E lexojmë të marrë divorcin nga bashkëshorti i saj dhe të humbasë jo vetëm dashurinë, por edhe lirinë. E të gjitha këto i bën me vetëdije. Po një tjetër arsye e përfundimit të rrëfimeve të Robertos me historinë e Adelës është për t’i komunikuar lexuesit vazhdimësinë e problematikës, si një lloj sinjalizimi për çfarë e pret Elirën në shtëpi. Diçka tjetër që mund të shtohet është se në telefonatat e Elirës me të bijën gjithmonë i thuhet se nuk mund të flasë për shkak se nuk është vetëm, një mikeshë është përherë me të. Nuk ka prani burrash (përveç të atit dhe vëllait) të tjerë në jetën e saj, cka na tregon se ajo mund të jetë një Adelë. Kjo Adelë e kohëve moderne mund edhe të mos përjetojë të njëjtën dhunë si ajo e së shkuarës, megjithatë ne si lexues nuk mund ta dimë atë që ka mbetur pa shkruajtur. Ajo që dimë apo kuptojmë është se i ati, Arbeni bie në qetësi kur informohet se e bija është në shoqërinë e një mikeshe, ndërsa e ëma, Elira është krejtësisht e zënë në aventurën e saj.
Është ironike se si Elira zihet në grackën e problemeve të të panjohurve (Kristinës, Bitorit, Manonit) kur ka jo pak nga të vetat. Është po aq ironike se si ja mbath nga Tirana e kërcënuar nga Arbeni, bashkëshorti i saj për t’u bërë viktimë e dhunës së një burri tjetër, Mateos, apo se si rreket të shpëtojë Kristinën kur vetë është po aq e rrezikuar, ndoshta edhe më shumë. Dhunuesi i saj ndryshon emër, por jo gjini, ai mbetet një burrë. Një burrë që nuk lë dot pas egon e tij. Ai që vret një grua nuk mund të dashurojë një tjetër.
Në morinë e personazheve burra që enden lart e poshtë nëpër roman kah fundi shfaqet Antonio. Ky përveç se trazon fijet e rrëfimit merr një detyrë të rëndësishme në roman. Në mungesë të mesazheve të Robertos, ai bëhet kallëzuesi i fundit të disa rrëfimeve të Robertos, të cilat siç i pohon Elirës i ka lexuar ato përpara se të botoheshin në një revistë letrare. Pra, këto rrëfime Robertoja i paska të botuara diku, por për Elirën mbetet dyshimi nëse versioni i botuar është përfundimtari duke qenë se Robertoja vazhdon të punojë mbi punën e tij të botuar.
Pavarsisht se duket të jetë një roman për gruan dhe matriakatin, në të tërësinë e tij është një roman për gjuhën, për shkrimin, për komunikimin, për tekstin letrar, për lexuesin, për narratorin.
Një roman për gjuhën, e cila ndër shekuj herë është tkurrur, herë është pasuruar duke i shërbyer folësve të saj për të shprehur veten në gjithçka. Në roman kemi Elirën, e cila vendoset përballë gjuhës shqipe, italiane, angleze, latine, gjuhëve më të vjetra se latinishtja, natyrës së tyre apo lakimit. Kjo na nxit të reflektojmë për raportin tonë, të njeriut me gjuhën dhe gjuhët. Në ditët e sotme prania e një gjuhe të huaj në përditshmërinë tonë është e atillë sa për të ndikuar në huazimin e dhjetra fjalëve dhe zhdukjen e shumë të tjerave nga gjuha mëmë. Kjo nuk ndodh vetëm në gjuhën shqipe, por edhe në gjuhët e tjera.
Në roman kemi Elirën, e cila po ashtu vendoset përballë shkrimit, atij paraalfabetik dhe atij alfabetik. Historia e shkrimit është po aq e lashtë sa ajo e qytetërimeve të para. Kur vizatimet nuk mjaftuan më për të kallëzuar të vërtetat, njeriu u nxit të thellohej më tej. Tash, sa i mjaftueshëm është shkrimi për të kallëzuar gjithë të vërtetat që kemi zbuluar? Kjo do të ishte pyetja po të ishim në një situatë tjetër, mirëpo jemi në situatën ku shkrimi po përdoret gjithnjë edhe më pak. Njeriut po i pëlqen të komunikojë përmes figurës dhe zërit, sikurse Elira, e cila komunikon përmes mesazheve zanore, nuk e parapëlqen shkrimin.
Përkrah gjuhës qëndron letërsia, teksti letrar, i cili nuk mund të imagjinohet, të thuret me diçka tjetër përpos fjalës, gjuhës. Deri më sot teksti letrar, ajo që e quajmë letërsi ka mbërritur te lexuesi përmes letrës, librit. Tash, bota po ndryshon, teknologjia po zë një vend në jetën e njeriut e kështu ka nxjerrë mënyra të reja të qasjes me librin. Personazhi i Elirës të gjitha rrëfimet e Robertos i lexon prej telefonit, jo nga një revistë letrare apo libër. Praktikisht, ajo lexon një libër në telefon. Ajo mund të jetë i pari lexues fiksional në letërsinë shqipe që lexon një libër jo në letër. A është kjo një e ardhme e shkëlqyer për librin dhe letërsinë? Ndoshta është shumë herët për t’ju përgjigjur kësaj pyetje, por nuk është herët për të thënë se njeriu gjithmonë ka patur frikë, dyshim dhe mospranim për forcat që shtyjnë kah ndryshimet e mëdha.
Ky roman ka në vëmendje të tij po ashtu lexuesin dhe rrëfimtarin. Lexuesi nuk është më i njëjtë me atë të njëqind viteve më parë. Në fakt ka dy lloj lexuesish, i pari ngjason me Elirën, gjithmonë e zënë, disi kureshtare, lexon për të gjetur mesazhin, për të deshifruar tërësinë e rrëfimit, lexuesi i Robertos ndërsa i dyti është lexuesi i këtejshëm, i përkushtuar ndaj leximit, i dhënë pas magjisë së letrës, njohës i teksteve të tjera të qepura brenda Lakimit, lexuesi i Durim Taçit. Duke njohur lexuesin e tij ose ndoshta duke e dëshiruar lexuesin ideal, Taçi shtynë kufijtë e lexuesit, por edhe të rrëfimtarit. Të dy gjenden në rrëfim, e njohin njëri-tjetrin dhe me gjasë na njohin edhe ne. Ai (Lakimi) mbart në veten e tij të shkuarën, të tashmen, të ardhmen dhe të gjithë ne, lexues, dëgjues dhe shkrues.