Kreu Letërsi shqipe në përkthim Vesna Aralica: Pamje të jetës nën represion në romanin e Stefan Çapalikut...

Vesna Aralica: Pamje të jetës nën represion në romanin e Stefan Çapalikut “Secili çmendet simbas mënyrës së vet”

Pas Luftës së Dytë Botërore, në kohën e ndarjes së botës në blloqe, shumë artistë ndjenë në lëkurën e tyre errësirën e komunizmit. Letërsinë europiane të shekullit të 20-të e ka shenjuar mendimi liberal dhe fati i intelektualëve të përndjekur, këta në masën më të madhe nga vendet e Europës së Mesme dhe Juglindore të kontinentit. Me rënien e Murit të Berlinit, simboli i botës së ndarë, i pamjeve të shtrembëruara, por edhe i kontrollit mendor ndaj banorëve të Berlinit, të cilëve ana perëndimore u paraqitej si pengesë vdekjeprurëse për kalimin në liri, nisi procesi i rrëzimit përfundimtar të regjimeve totalitare dhe i mbipushtetit sovjetik në vendet europiane, të lëkundura seriozisht nga revolucionet dhe përmbysjet e fundit të viteve 50-të dhe viteve 60-të në Hungari, Çekosllovaki, Kroaci dhe shtetet e tjera. Boris Pasternaku, Aleksandar Solzhenjicini, Imre Kerteszi, Janosh Kisi, Agnes Helleri, Gyorgy Konradi, Václav Haveli, Millan Kundera, Danillo Kishi, Vllado Gotovac e shumë të tjerë shembuj letrarësh fanarë, ata të cilët dëshmuan me trimëri para mbarë botës të vërtetën mbi njëmendimin dhe fituan në mënyrë të pakthyeshme reputacionin e intelektualëve mendjelirë të kohës së tyre. Rritja në kohën e komunizmit profilizohet shumë shpejt si temë e veçantë letrare, e cila nuk pushon së qëni aktuale as në fillimin e mijëvjeçarit të ri. Vlen të përmendim këtu romanin e vlerësuar me shumë çmime letrare me titull Kairos të Xheni Erpenbeck (2023), mbi romancën e një shkrimtari me moshë mesatare dhe një studenteje në prag të rënies së Perdes së Hekurt në Berlin dhe të gjitha sfidat e shoqërisë së hershme postkomuniste në territorin gjerman.

Stefan Çapaliku flet për fëmijërinë nën hijen e ngjarjeve me dinamikë të lartë që shënjoi regjimi totalitar i Enver Hoxhës në Shqipëri, në romanin e tij të zëmadh Secili çmendet simbas mënyrës së vet (2016), të rrëfyer nëpërmjet monologut të prozës të tipit pantallona xhins. Në përthimin elegant të Jeton Fejzës në gjuhën kroate, para lexuesit hapet “libri” i rritjes së Çapalikut në Shkodër, i ndërthurur me reminishenca nostalgjike familjare, por edhe me rrëfim satirik, të drejtuar në radhë të parë kundër ngjarjeve shoqërore dhe politike në Shqipërinë e përçarë. Vepra e Çapalikut përceptohet në radhë të parë si autobiografi në formë romani mbi vitet e formimit të shkrimtarit në kohën e adoleshencës dhe rinisë së hershme, por edhe si roman me mesazhe universale të cilat pasqyrojnë pjekjen e një brezi të tërë të rritur në kohën e sistemit represiv të Enver Hoxhës. Në sajë të kompozicionit të fragmentuar dhe lojcak dhe me rrjedhje kaleidoskopike rreshtohen vitet 60-të, 70-të dhe fillimi i viteve 80-të, duke u shpërndarë si copëza në kujtimet e gjalla të personazhit kryesor, djalosh inteligjent shqiptar nga një familje e përzier, nëna me profesion mësuese me besim fetar ortodoks dhe babait katolik, agronom i specializuar në Rumani. Rrëfimi nis në mënyrë domethënëse, në stil lakonik, por me një dëshmi tejet intensive të kujtimeve më të hershme: “Pra, kujtimet e mia nisin me burgun. Dikur kjo më dukej e tmerrshme. Si ka mundësi që pikërisht burgu të jetë fillimi i kujtimeve të një njeriu? Por ja, ndodh edhe kjo. A mos është vallë kujtimi pikërisht një burg? Tani mendoj se kam patur fat…”. Burgu, si model absurd i jetës në rastet e deliktit verbal, ishte pra realiteti shqiptar, por meqënëse poezia është fillimi më i mirë i revoltës kundër shoqërisë së prapambetur dhe shtetit totalitar, Çapaliku me romanin e tij intim i bën njëfarë homazhi të llojit të vet njerëzve të asaj kohe, të damkosur për asgjë: Pjetër Gjinit, poetit të burgosur, poetit të refuzuar Frederik Rreshpja, autorit të Rapsodisë shqiptare “kontraverse”, i cili është shpallur armik i popullit, por edhe shumë individëve të tjerë të dëgjuar, ndër të cilët duhet përmendur ata që janë shquar për fuqi morale dhe autoritet duke iu kundërvënë regjimit të padrejtë dhe despotik. I pari është Pjetër Meshkalla, prifti katolik, zëri i popullit shqiptar nën represion dhe frikë, i dënuar me 10 vjet burgim për shkak të mendimeve liberale dhe ideve përparimtare. Korespondenca e tij të kujton shumë letrat e të burgusurve në kuadrin e procesve gjyqësore të politikanëve disidentë më të mëdhenj kroatë të viteve 70-të të shekullit të njëzetë (Kjo periudhë quhet edhe “pranvera kroate”- kur shumë intelektualë kroatë formuluan të parët idenë për pavarësinë e shtetit kroat. Shën. i përkth.). Vetëdija e djaloshit kujton momentin e zbulimit të letrës së “agjentit më të madh të Vatikanit” në Shqipëri, në të cilën, mes tjerash, shkruhet: “Një re e zezë u shtri mbi popullin kur pau sesi po mbyllen kishat, si po rrëzohen këmbanaret… Njerëzit kanë frikë të takohen mes tyre, të përshendeten në rrugë, sepse janë nën vëzhgim, ose janë të “njollosur”! Dhe kushedi nëse ndokush i vëzhgon”! Por këndvështrimi i tij për fytyrën e komunizmit shqiptar, gjithsesi, fillimisht është përceptuar në rrethin familjar: nëpërmjet burgimit dhjetëvjeçar të dajës, por edhe nga veprimtaria antikomuniste e burrit të hallës, Jakut, ballist i përmendur. Përkundër madhështive intelektuale, Çapaliku i lan hesapet në mënyrë satirike edhe me “propagandistët” dhe servilët. Njëfarë Dik Zeka, moralo-politikisht në “vijën e drejtë”, përqeshet si shfaqje groteske poetike. Pamja e sistemit shoqëror të mbyllur në kujtimet e djalit të mitur evokohet nëpërmjet stileve të ngjashme të jetës së njeriut të vogël në madhështinë e vendeve komuniste, të cilët gradualisht nisin të çlirohen nga njëmendësia me ardhjen e televizionit. Këtë dritare mbi botën autori e përshkruan si analgjetik popullor kundër ashpërsisë së regjimit dhe veçorive pothuajse fantomatike të presidenti shqiptar (gjoja kishte pesë sozi), udhëheqës pothuajse “i padukshëm”. Krahas tespixhes, japrakut dhe rakisë, të shikuarit e televizorit  shndërrohet në forcë centripetale në familje: vetëdija e djaloshit riprodhon më hollësi filmat vizatimorë të bukur dhe frymëzues nga dhoma e ndenjes gjatë kohës që ndjek TV Titogradin ose programet më të dashura të RAI UNO-s. Megjithatë, Çapaliku nuk e lodh shumë lexuesin me pamjet e komunizmit, për të rrëfen me vërtetësi, deri diku me ndërgjegje duke përdorur teknikën e reduktuar të përshkrimit në mënyrë që fokusin ta mbajë te rritja, me të gjithë telashet e tij të vogla (dëmtimi i gjymtyrëve, frika nga dentisti, nga drejtori; frustrimet e para dashurore për shkak të Marildës së paarritshme) dhe gëzime të tjera akoma më të mëdha, të përjetuara në kuadrin e bashkësisë harmonike familjare dhe rrethin e vogël të miqve të dashur. Dhe është pikërisht ky kub prej kristali i kthjelltësisë, “i përftuar” në festat e paharruara fetare (Shën Lazri, Krishtlindjet, Dita e Shën Stefanit, Viti i Ri) dhe në takimet me autoritetet shkencore dhe shpirtërore të asaj kohe, të cilët vinin në shtëpinë e Llazarit, babait të djaloshit, fitorja më e madhe e njeriut në kohët e errëta, kohë në të cilat në Shkodër, zvoglohej beli, nuk është e qartë nëse për shkak të varfërisë apo frikës. Megjithatë, rrëfimi i djaloshit gradualisht i lëshon vendin episodeve më serioze për nga përmbajtja. Adoleshenti tani në udhëkryqin e jetës, Shkodrën e tij e sheh më shqetësim: “Përditë e më shumë ishte më e vogël, ngushtohej, dobësohej, bëhej anemike dhe e vjetër – e lëshonin forcat… Shëmtohej më shumë nga njerëzit sesa për ndonjë arësye arkitektonike apo urbanistike. Njëriu i Ri, vepra më e madhe e partisë, ishte përbindëshi i cili përditë gëlltiste dhe treste të gjithë pamjet origjinale dhe karakterin e këtij qyteti”. Si kundërtezë e përditshmërisë gri shqiptare, në të cilën nga dita në ditë rriten viktimat e regjimit dhe forma të ndryshme të arratisjeve të qytetarëve të zakonshëm matanë kufirit, dalin në sipërfaqe motivet patriotike të krenarisë për shkencëtarët dhe artistët – ruajtësit e fjalës së shkruar shqipe: shkrimtari- frat Gjergj Fishta, “Homeri” shqiptar dhe kandidati i parë për çmimin “Nobël”, Gjoni, përkthyesi i Homerit dhe i Sofokliut, leksikografi Kolë etj. Çapaliku flet në mënyrë mjeshtërore, në formën e të shprehurit të përditshëm, të fisnikëruara në forma digresionesh të caktuara dhe rrëfimit metaforik të realitetit, për shumë padrejtësi dhe nëpërkëmbje kulturologjike gjatë kohës së regjimit të Enver Hoxhës. Një prej tyre është edhe shpallja arbitrare e dialektit jugor të gjuhës shqipe, të njohur si toskë, gjuhë standarte. Narratori i ri shkruan  për vdekjen e Enver Hoxhës si për një festë të fshehtë popullore – fantazma komuniste thirri me të madhe pikërisht atë vitin 1985 para shkuarjes përfundimtare të tij në gjykimin e historisë. “Kur vdiq Stalini në vitin 1953 – thotë ai- kushedi sa njerëz i rrasën në burg vetëm se ishin parë teksa qeshnin”, është ideja kryesore e tërë romanit, i cili nëpërmjet një përfundimi të hapur parashikon edhe vazhdimin e paevitueshëm të mentalitetit kokëfortë totalitarist, i pranishëm edhe në gjurmët e botës së sotme të demokracive parlamentare të ish vendeve komuniste – më së shumti në kushtet e stilit kapitalist kuazisocialist te jetës. Megjithëse Secili çmendet simbas mënyrës së vet nuk është roman politik, politika është treguar si një qënie e cila përcakton fatin e shumë personazheve në roman – po ashtu edhe të gjërave, dhe me siguri me njëfarë fiktiviteti. Megjithatë, Çapaliku me humor i ka vënë pikat mbi “i” nëpërmjet rrëfimit të një etape të historisë shqiptare pas së cilës vjen edhe koha e re e heshtjes postkomuniste, pasigurisë dhe ndryshimeve gjithfarëshe në planin shoqëror-ekonomik. Ndërsa në Shkodër enden kopje të zbehta, kopje të zbehta të ideve (Sikurse pati thënë në kohën e tij Platoni në librin e dymbëdhjetë Shtetet), daja miop Gjon, vëllai i gjyshes, në vitin e vdekjes së diktatorit Hoxha, gjatë një dreke do të thërrasë me të madhe se i ishte kthyer shikimi (nga lumturia). Demencën, si ilaçi më i mirë për botëkuptimin dështak shoqëror, Stefan Çapaliku e fton në mënyrë groteske si simptoma më e sigurtë e thënies së Sokratit mbi rëndësinë e jetës së padukshme në kohë të rrezikshme, në të cilën gjithsecili vë një maskë për të jetuar dhe “çmendur” sipas mënyrës së tij.  Por koha është armike e të gjithëve, rrëmben gjithçka gjen para vetes dhe e zhbën në mënyrë të pakthyeshme. “Pashë orën e dorës – orë sovjetike e markës ‘Zil’ me fushë bojëqielli, e cila më kushtoi, por le ta lëmë këtë punë më mirë…”, janë fjalët e intonuara simbolikisht të personazhit kryesor, i cili aventurën e tij të jetës e vazhdon në një realitet të ardhshëm, të transformuar artistikisht.

Revista kroate, Nr. 1 2026
Nga Vesna Aralica
profesoreshë e kroatistikës dhe kritike letrare.

https://www.matica.hr/hr/846/slike-zivota-pod-represijom-u-romanu-stefana-capalikua-39682

Exit mobile version