If This Be Magic nga Daniel Hahn
A është Hamleti ende Hamlet kur çdo fjalë ka ndryshuar? Një libër jashtëzakonisht argëtues mbi gjuhën dhe krijimtarinë.
Shkrimtari i madh argjentinas Jorge Luis Borges, i cili përktheu në spanjisht William Faulkner, André Gide, Franz Kafka dhe Virginia Woolf, e ndalte dorën te William Shakespeare. Duke folur për çastin kur Hamleti pyet fantazmën pse endet si fantazmë “nën vezullimet e hënës”, Borges ka komentuar: “Nuk besoj se kjo mund të përkthehet. Ndoshta fjalët mund të përkthehen. Sigurisht, Shekspiri nuk mund të përkthehet. ‘The glimpses of the moon’ do të thotë pikërisht ‘the glimpses of the moon’.”
Megjithatë, jo gjithçka është e humbur. “Është thënë se Shekspiri nuk mund të përkthehet në asnjë gjuhë tjetër,” shtoi Borges. “Por Shekspiri nuk mund të përkthehet as në anglisht, sepse ai shkroi në atë që Robert Louis Stevenson e quajti ‘ai dialekti mahnitës, Shekspirian’.”
Kjo mund të mos jetë krejtësisht e vërtetë, siç thekson përkthyesi Daniel Hahn në këtë libër jashtëzakonisht argëtues. Duke kujtuar një shfaqje hip-hop të Romeo dhe Zhulieta që kishte parë dikur, ai na bind menjëherë se shprehja “Do you kiss your teeth at me, fam?” ishte një përkthim i përsosur i vargut “Do you bite your thumb at us, sir?” [“to kiss your teeth” do të thotë të nxjerrësh një tingull përçmues me dhëmbë (si shenjë sfide ose mospërfilljeje), ndërsa “fam” do të thotë “shok”, “vëlla”, “mik”. Ndërsa shprehja “Do you bite your thumb at us, sir?”[“A po na kafshon gishtin, zotëri?”] por kuptimi real është: [“Mos po na fyen/Mos po na provokon, zotëri?”] Në kohën e William Shakespeare-it, “to bite your thumb” ishte një gjest fyes, diçka si t’i tregosh dikujt gishtin e mesit sot. Prandaj Daniel Hahn thotë se versioni modern me “kiss your teeth” e përkthen në mënyrë perfekte jo fjalën, por funksionin social dhe tonin provokues të shprehjes origjinale.
Dhe nëse mund të përkthehet në anglisht, atëherë pse jo në portugalisht, frëngjisht apo maori? Projekti i Daniel Hahn është të argumentojë se “Shekspiri, edhe kur çdo fjalë ndryshohet, mund të mbetet i madh dhe të vazhdojë të jetë Shekspir”. Për këtë qëllim, ai sjell fragmente në holandisht, rusisht, uellsisht, tajlandisht, arabisht, japonisht dhe në një duzinë gjuhësh të tjera, duke vënë bast se vetëm duke numëruar rrokjet ose duke vëzhguar aliteracionin në një gjuhë që nuk e kupton (siç pranon me humor, ai nuk kupton danishten), mund të mësosh diçka për cilësinë e një përkthimi.
Nuk u binda se ky bast funksiononte në shumicën e rasteve, por tipografët, siç mund ta merrni me mend, me siguri kanë bërë një punë të lodhshme. Megjithatë, kjo mënyrë qasjeje shpërblehet më në fund kur një fragment i gjatë nga Nata e dymbëdhjetë shoqërohet me shënime që paraqesin zgjedhjet e dhjetëra përkthyesve të ndryshëm.
Ajo që e ndriçon vërtet librin janë bisedat e Daniel Hahn-it me përkthyes të tjerë, të cilët mund t’i shpjegojnë drejtpërdrejt zgjedhjet e tyre. Në gjuhën maori, mësojmë se pyetja e Zonjës Makbeth drejtuar bashkëshortit të saj, “Are you a man?”, nuk ka fare kuptim, prandaj përkthyesja Te Haumihiata Mason e përkthen me diçka që afërsisht do të thotë: “A i ke topet?” – gjë që, siç vëren Hahn me kënaqësi, “është pikërisht ajo që Zonja M po pyet”.
Ndërkohë, emri i Princ Hal-it do të thotë “peshk” në hungarisht, gjë që do të ishte shpërqendruese dhe jo e dobishme, ndaj ai ndryshohet në Riki, shkurtim për Henrik.
Hahn sjell gjithashtu shumë komente anësore mbi bezditë dhe kënaqësitë e përkthimit në përgjithësi. “Fjala ‘literal’ përdoret tepër dhe në mënyrë të bezdisshme për të sugjeruar një lloj përkthimi ‘neutral’, i cili nuk mund të ekzistojë,” ankohet ai; dhe tregon se, në shumë raste, një zgjedhje jo-literale do të ishte më e mirë.
Kur Mark Antony imagjinon shpirtin e Cezarit duke thirrur “Cry ‘Havoc’”, për shembull, fjala më e afërt në portugalisht është “devastação”, e cila tingëllon disi e dobët; një zgjedhje më e mirë, tregon Hahn, është “matança” (“vrasje” ose “masakër”), sepse është më e shkurtër dhe më e lehtë për t’u thirrur me zë të lartë.
Çdo kapitull trajton një pyetje të ndryshme me të cilën përballen përkthyesit, për shembull nëse duhet përkthyer në vargje – kujdes: siç vëren një përkthyes francez, ekziston rreziku që “një gjeni ta kthesh në një vargëzues të talentuar” – ose si të përkthehen shakatë. Zakonisht, të gjithë bien dakord se është më mirë të krijosh një shaka krejtësisht të re – “t’i qëndrosh besnik të qeshurës”, siç e quan Daniel Hahn.
Në një version gjerman të A Midsummer Night’s Dream, për të ruajtur rimat popullore e qesharake, na premtohet jo se Thisbe do të jetë “nën hijen e manit”, por se ajo do të jetë “e fshehur si një triton”. Përkthyesit madje mund të përqafojnë mundësinë e krijimit të një shakaje aty ku më parë nuk kishte asnjë – gjë që Hahn e ilustron me gjallëri duke përmendur se “sorting hat” në Harry Potter është bërë në frëngjisht le choixpeau (kapelja që zgjedh), një lojë fjalësh mes choix (“zgjedhje”) dhe chapeau (“kapelë”).Fjala “newt” në anglisht do të thotë triton — një kafshë e vogël amfibie, e ngjashme me salamandrën, që jeton pranë ujit.Pra:“hiding like a newt”→ “e fshehur si një triton” Në fragmentin për Ëndrra e një nate vere, kjo nuk është zgjedhur për të ruajtur rimën dhe tingullin humoristik në përkthimin gjerman. Pra përkthyesi sakrifikon saktësinë e figurës origjinale (“mulberry shade” – hija e manit) për të ruajtur efektin poetik e komik.
A mund të ruhet edhe aliteracioni? Ndonjëherë, nëse ke fat: Love’s Labour’s Lost mori në greqisht titullin pothuajse të pakalueshëm “Agapēs Agōnas Agonos” (“përpjekjet e dashurisë janë të kota”). Por kur nuk ekzistojnë truke kaq të favorshme, mund thjesht të zëvendësosh një idiomë me një tjetër: kështu, në spanjisht, Much Ado About Nothing shpesh quhet “Shumë zhurmë, pak arra”.
Ka edhe disa hollësi për t’u kundërshtuar aty-këtu. Daniel Hahn e quan një varg nga Richard III “të parregullt” pasi numëron rrokjet, por ai është në fakt një varg krejtësisht i rregullt që fillon me një anapest (da-da-dum). Dhe kur Juliet i thotë Romeos “You kiss by th’book”, Hahn e interpreton këtë si një vërejtje miratuese për “dashurinë e tij formale e oborrtare”, por në të vërtetë ajo duket se po bën një sfidë flirtuese.
Dhe – kjo më shumë faj i botuesit sesa i autorit – libri është botuar, në mënyrë të pashpjegueshme, pa indeks.
Megjithatë, gjithçka mund të falet për kënaqësinë dhe kureshtjen e pafundme që shfaqen në këto rreshta. [“Te Shekspiri, njerëzit trishtohen me saktësi,” entuziazmohet Daniel Hahn.[Kjo do të thotë se Shekspiri i përshkruan emocionet njerëzore — sidomos dhimbjen, humbjen dhe trishtimin — me një saktësi psikologjike dhe gjuhësore të jashtëzakonshme.]
Ai është gjithashtu thumbon me humor disa “përkthyes” letrarë që arrijnë të prodhojnë versione të reja anglisht të Anton Çehovit ose Henrik Ibsenit pa folur fare gjuhën origjinale – një proces që, siç hamendëson ai, është “një lloj zbukurimi elitist i një përkthimi të ashtuquajtur ‘literal’”.
Në fund të librit, Hahn ka treguar bindshëm jo vetëm thesaret e gjuhëve të tjera, por edhe pasurinë e çuditshme dhe të pashtershme të vetë William Shakespeare-it.



