Romani sintezë i Andreas Dushit “Marrja e gjakut” e ka origjinën te “Krye i nandëmbdhetët – Gjaku e gjinija, vllaznimi e kumbarija në Kanù të Malevet” të Kanunit të Lekë Dukagjinit, por në mënyrën sesi është konceptuar dhe në sumusin e tij strukturon një sistem paradoksal akohor. Prindi i varur në litar sa paraqitet vetëvrasës depresiv, aq del i vrarë nga presioni real i të tjerëve, gjë që zbulohet në letrën personale dëshmuese të krimit:
“Kam frikë nga ju!”
(Faqe 12).
Ky është boshti ku mbështetet konstrukti i librit apo aksi ku xhiron shfletimi i tij.
Në shtjellën marramendëse të letërsisë me format postmodern Dushi Andreas shprish rrënjët e arketipit primitiv duke mos ndjekur ndonjë model paraardhës. Artefakti i prozatorit Andreas Dushi është shkrimi çlirues gjysmëautomatik, që me anë të gjuhës së veprimit përdor sekuenca monologësh e dialogësh, si në ato të një skenari kinematografik.
Poetika e veprës valëzon vazhdimisht duke paraqitur një frakturë heronjsh, që gjatë lakores së trillerit rezultojnë pseudoheroikë. Përndryshe parakalojnë frymorë kryeneçë me komplekse metafizike, të cilët e durojnë skajshëm njëri – tjetrin:
I. Vrasësi problematik i vetes, nga shkaku i të tjerëve – Voci.
II. Vëllai i tij mjaft intrigues dhe tepër çorientues – Vilzani.
III . Gruaja me bukuri të huaj e të ndjerit – Leticia.
IV. – V. – VI. – VII. Djemtë e fatziut: – Laloshi, – Leci, – Leka, – Lulashi, që duhet të marrin gjakun e të vdekurit tek njëri prej tyre, bir legjitim.
VIII. – Rapsodi i Shquar që këndon fatalitetin, përherë me mënyrën e tij monotone, në falset.
IX. – Figurantët rastësorë, ndividët pa identitet, që qarkullojnë para dhe pas duke shërbyer thjesht për mbajtjen e temporitmit të ngjarjes.
Personazhet e fragmentuara inkuadrohen në këndin prej nëntëdhjetë gradësh të dopioshikimit, mbasi në çdo episod vrojtojnë të tjerët, pikërisht në çastin kur të tjerët janë duke i kundruar në aspekte minucioze.
Por në dekorin e tendosur, që shpaloset nga Mali me Tym deri në Qytetin Mijëravjeçar, ky grup figurash në kalim nuk i mjafton krijuesit Andreas Dushi për shtrirjen e plotë të pëlhurës bardhezi të bëmës, e cila si fund ka fillimin. Për të thurur tridhjetë minikapitujt e teksturës së avancuar i duhet dhe një individualitet pa profil e pa moshë.
X. – Lexuesi i marrë me mend, qoftë si pjesëmarrës në sfondin e arealit gjeografik, qoftë si i pranishëm në spiralet psikologjike:
“Qysh kur kam filluar të shkruaj këto çfarë di e kam dëgjuar, të kam menduar ty lexues. Gjithë çfarë jam duke bërë, të drejtohet ty dhe vetëm ty .”
(Faqe 96).
“Dua të them përse të drejtohem me TI. Janë dy arsye. E para është sepse ky libër që ti mban në dorë të drejtohet vetëm TY. Prandaj, nëse drejtohem me ju, duket sikur po flas me shumë njerëz, ndërkohë që ti je duke lexuar krejt i vetëm. E dyta është sepse nuk dua të krijoj ftohtësi mes nesh. Përderisa unë po të tregoj disa gjëra në të cilat sigurisht jam edhe pak unë, do të thotë se për mua ti je një mik. Dhe unë nuk kam dëgjuar asnjëherë biseda mes miqsh ku njëri t’i drejtohet tjetrit me ju. Dy jemi dhe ne të dy: ti dhe unë. Dy miq që na lidh përjetësisht ky libër.”
(Faqe 98).
Ndërsa për zbërthimin artistik të nëntitullit të romanit (metafora e parë e një absurdi shqiptar) i duhet edhe vetja si personazh.
XI. – Autori (vetvetja fiction) i përfshirë në qerthullin e fabulës dhe në suspansën e saj, që deklarohet vetëm si rrëfyes i ngjarjes në lëvizje, duke i vështruar me dyshim sfidues profesionistët e të shkruarit:
“Ju lutem, mos më quani shkrimtar.”
(Faqe 126).
Shkodër, më 26. 09. 20.