Kreu Letërsi Shënime mbi libra Vërtet do të ishte më mirë të mos e shihnim kurrë librin...

Vërtet do të ishte më mirë të mos e shihnim kurrë librin e fundit të Markezit?

Nga Álvaro Santana-Acuña

Z. Santana-Acuña është pedagog i sociologjisë në Whitman College dhe studiues i Gabriel García Márquez-it.

Kur shkrimtari Gabriel García Márquez, autori i “Njëqind vjet vetmi” dhe romaneve të tjerë klasikë, vdiq para thuajse dhjetë viteve, ai la pas një roman të papërfunduar, “Shihemi në gusht”. Romani u botua më 6 mars, duke sjellë një reagim të ashpër nga studiues, shkrimtarë dhe fansa, të cilët i janë kundërvënë jo romanit në vetvete, por asaj që e shohin si akt tradhtie që rrezikon trashëgiminë e García Márquez-it.

Para se të vdiste, García Márquez u kërkoi të bijve, Rodrigo-s dhe Gonzalo-s, ta shkatërronin romanin. Nuk e shkatërruan. Nuk mundën. E kuptoj.

Jeta e një vepre arti nuk përfundon kur vdes krijuesi. Artistët lënë shumë rrallë udhëzime të qarta se çfarë duhet të bësh me veprat e tyre, sidomos me ato të papërfunduarat, të cilat mund të çojnë në beteja ligjore kaotike. Edhe kur udhëzimet janë specifike, mund t’i vendosë ekzekutorët në një pozicion të vështirë. Trashëgimtarët kanë përgjegjësinë që të ruajnë dhe promovojnë trashëgiminë e artistit, që të vlerësohet për breza me radhë.

Imagjino të jesh ti që vendos nëse duhet ta shkatërrosh veprën e një artisti me ndikim, i cili gjithashtu rastis të jetë yt atë, dhe se si është të jetosh kur e di se njerëzit do të të shohin dhe gjykojnë atë që po bën sot, ndërsa ata në të ardhmen mund t’i vajtojnë veprimet e tua. E vërteta është se nëse djemtë e García Márquez-it do të kishin vepruar sipas kërkesave të babait, me siguri do të ishin kritikuar gjithsesi. Në të vërtetë, çfarëdo që të bëjnë trashëgimtarët, disa njerëz nuk do jenë të kënaqur.

Të gjithë përfitojmë kur vepra nga artistë të mëdhenj caktohen për t’u shkatërruar dhe në vend të kësaj ruhen. Prandaj mënyra se si djemtë e García Márquez-it kanë menaxhuar trashëgiminë e të atit, së bashku me botimin e “Shihemi në gusht”, duhet të lëvdohet dhe ndoshta të studiohet.

Ka gjasë se, që nga koha kur García Márquez filloi të punonte më intensivisht me “Shihemi në gusht” në vitin 2003, kujtesa kishte filluar ta linte. Pashë versionet e ndryshme të dorëshkrimit në arkiva. Ato ishin të çorganizuara, dhe shkrimi më hezitues në krahasim me veprat e kaluara. Sidoqoftë, vitin e ardhshëm ai përfundoi një bocë të plotë të papërsosur. Të bijtë, miqtë, dhe agjenti letrar u përpoqën ta ndihmon me redaktimin, derisa i avancoi demenca. Në atë pikë, duke menduar se s’bënte, García Márquez u kërkoi të bijve ta shkatërronin.

Është e lehtë të dalësh në përfundime pasi dëgjon lajmin se të bijtë e botuan romanin pavarësisht urdhrave të babait. Padyshim është lajm tërheqës. Shumë kanë nxituar të akuzojnë të bijtë se e kanë botuar romanin vetëm për para – akuza të ngjashme u bënë edhe pasi familja ia shiti arkivin e shkrimtarit Qendrës Harry Ransom në Universitetin e Texas-it, në Austin, pasi i shitën gjithashtu Netflix-it të drejtat për të ekranizuar “Njëqind vjet vetmi”.

Por këto vendime e kanë bërë veprën e García Márquez-it më të disponueshme publikisht dhe globalisht. Arkiva e Gabriel García Márquez në Qendrën Ransom, e cila mban gjithashtu materiale nga William Faulkner dhe Ernest Hemingway, është një prej koleksioneve më të vizituara online dhe fizikisht.

Kur vizitova arkivat, lexova korrespondencën e tij personale, e cila ma bëri të mundur të shoh qartë se si e shkroi “Njëqind vjet vetmi”, gjë që më vonë formoi bazën e kërkimit për librin tim mbi të shkruarin e këtij romani.

Sigurisht, jo të gjithë trashëgimtarët veprojnë në mënyrë të admirueshme. Për dekada, Maria Kodama, e veja e Jorge Luis Borges, hodhi në gjyq këdo që e pa të arsyeshme për keqpërdorimin e veprës së të shoqit. Shpesh u akuzua se ishte shumë protektive. Vdiq në vitin 2023 pa – në mënyrë të pakuptueshme – lënë një testament apo një trashëgimtar të caktuar. Tani të afërmit e saj – pesë nipër e mbesa me të cilët kishte pak kontakt – janë trashëgimtarët e veprës së Borges-it.

Askush nuk e mohon se “Shihemi në gusht” është vepra e papërsosur e një mjeshtri që po plakej. Si e tillë duhet të lexohet. Trashëgimtarët e artistëve duhet t’ua plotësojnë dëshirat, por edhe të mbrojnë trashëgiminë e tyre, që ndonjëherë i mbrohet më mirë duke ua vënë në dispozicion veprat, sado të papërsosura, brezave të ardhshëm.

Veprat e papërsosura të artit janë më të dobishme se të shkatërruarat. Ditë para se të vdiste në vitin 1852, shkrimtari rus Nikolai Gogol, dogji disa dorëshkrime, mes tyre, pjesën e dytë të asaj që do të ishte trilogji, “Shpirtra të vdekur”. Studiues dhe fansa e kanë vajtuar shkatërrimin e tyre.

Kur veprat e artit vihen në dispozicion, artistët mund të vazhdojnë të jetojnë e madje dhe të përjetësohen në mënyrat më të bukura: në veprat e artistëve të ardhshëm. Franz Kafka, në ditët pranë vdekjes, urdhëroi mikun e tij Max Brod t’ia digjte veprat e papërfunduara. Të gjithë e dinë se Brod nuk e bëri këtë. Kjo tradhti ndryshoi historinë e letërsisë dhe të një rioshi i cili, pasi lexoi “Metamorfozën”, vendosi të bëhej shkrimtar. Ky i ri ishte García Márquez.

Edhe pse “Metamorfoza” nuk ishte një prej librave që Kafka donte të digjte, nuk fitoi famë dhe ndikim të madh derisa Kafka mori vëmendje të mëtejshme përmes veprave që ruajti Brod-i. Nëse botimi i “Shihemi në gusht”, frymëzon dikë të bëhet shkrimtar, djemtë e García Márquez-it do t’i kenë bërë nder të madh letërsisë, ashtu si Brod-i.

Përktheu: Enxhi Hudhri

Exit mobile version