Kreu Intervista Vasilij Tjuhin: Misteret e Ismail Kadaresë

Vasilij Tjuhin: Misteret e Ismail Kadaresë

Përkthyesi i Ismail Kadaresë në gjuhën ruse, Vasilij Tjuhin në një intervistë për “Literaturnaja gazeta” (Organi i shtypit Lidhjes së shkrimtarëve të Rusisë”) rrëfen për misteret ende të pazbuluara dhe peripecitë fantastike të fatit të shkrimtarit të shquar

Bisedën e zhvilloi Aleksandër Shaleni

Shkrimtari Ismail Kadare është një figurë misterioze, ekzotike dhe magjepsëse. Dhe kjo jo vetëm sepse letërsia e tij përbën një shembull të spikatur të realizmit magjik. Klasiku i letërsisë botërore, fitues i Çmimit Booker, lindi në Shqipëri, një vend enigmatik, i cili për shumëkënd mbetet edhe sot e kësaj dite terra incognita, ndonëse Klioja, muza e historisë, e ka përplasur në mënyrë të çuditshme Shqipërinë me Bashkimin Sovjetik.
Kështu, nga një lojë e fatit, në fund të viteve 1950 Ismail Kadareja u gjend në Moskë, në Institutin e Letërsisë “Maksim Gorki”; dhe kjo është vetëm një pjesë e vogël e biografisë së tij fantazmagorike, e cila do të kulmonte me njohjen botërore dhe me përkthimin e veprave të tij në gjuhët kryesore të botës, përfshirë edhe rusishten.
Dhe këtu i afrohemi një tjetër historie misterioze: asaj se si lindi, në fund të viteve 1980, pikërisht ky përkthim në rusisht. Natyrisht, edhe figura e përkthyesit nuk mund të mos jetë në përputhje me poetikën e realizmit magjik: këtu gjejmë të mbinatyrshmen të shndërruar në diçka të zakonshme, shtrembërime të kohës, humor dhe absurditet, kontraste dhe paradokse.
Përkthyesi Vasili Tjuhin i rrëfeu gazetës “Literaturnaja Gazeta” për Ismail Kadarenë, për takimin me krijimtarinë e tij, si edhe për hollësi dhe të fshehta që i di vetëm ai.


Vasili Vasiljeviç, në janar të këtij viti u mbushën 90 vjet nga lindja e Ismail Kadaresë, ndërsa në korrik bëhen dy vjet nga ndarja e tij nga jeta. Por, para se të flasim për shkrimtarin, nuk mund të mos ju pyes: çfarë ju shtyu të nisnit të mësonit gjuhën shqipe? Mund të kuptohet se përse duhen anglishtja, frëngjishtja apo gjermanishtja, por përse shqipja ose, fjala vjen, estonishtja? Mos vallë dëshironit ta lexonit Kadarenë në origjinal?

Kur u regjistrova në universitet, jo vetëm që nuk dija asgjë për Kadarenë, por edhe për Shqipërinë kisha një përfytyrim mjaft të vagullt. I dhashë provimet e pranimit në degën e anglishtes të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja në Universitetin Shtetëror të Leningradit “Zhdanov”, por nuk arrita pikët e nevojshme dhe më propozuan degën e gjuhës shqipe. Të gjithë e kuptonin se gjuha shqipe vështirë se do t’i hynte kujt në punë në jetë, përveçse për qëllime thjesht akademike, prandaj studentëve të degës së shqipes u jepej edhe një gjuhë e dytë, po ajo anglishte ose gjermanishte, si edhe e njëjta diplomë që merrnin të diplomuarit e degëve të anglishtes apo të gjermanishtes. Vetëm se në të shënohej edhe gjuha shqipe. U regjistrova dhe nuk u pendova.

Nga fundi i studimeve, kur kishin nisur të ndiheshin tashmë erërat e perestrojkës, lindën shpresat për rivendosjen e marrëdhënieve me Shqipërinë. Doli se, megjithatë, dikush kishte nevojë për pedagogë të gjuhës shqipe, ndaj shkova në Moskë për të dhënë mësim dhe madje shkrova edhe tekstin e parë mësimor të gjuhës shqipe në Bashkimin Sovjetik, sepse nuk ekzistonte asnjë material i tillë, ndërkohë që gjuha duhej dhënë mësim.

Po ku e jepnit mësim gjuhën shqipe?

Në një institucion të lartë arsimor shumë interesant, që sot quhet Universiteti Ushtarak i Ministrisë së Mbrojtjes. Në atë kohë ishte institut, ndërsa edhe më herët quhej Instituti Ushtarak i Gjuhëve të Huaja i Ushtrisë së Kuqe. Mbaja spaleta togeri dhe, sipas organikës, zyrtarisht konsiderohesha përkthyes i ministrit të Mbrojtjes, por në të vërtetë u mësoja gjuhën shqipe kursantëve dhe hartoja një tekst mësimor, të cilin e përdorja edhe vetë gjatë mësimdhënies. Teksti u botua vetëm në vitin 1989, me shënimin “për përdorim zyrtar”. Po atë vit, në revistën “Inostrannaja literatura”, u botua përkthimi im i romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”.

Ministrin e Mbrojtjes, përkthyes personal i të cilit konsiderohesha, nuk pata rast ta shihja as edhe një herë, sepse gjatë kohës që shërbeva unë, në Bashkimin Sovjetik nuk erdhi asnjë delegacion ushtarak shqiptar.

Çfarë ju tërhoqi te Kadareja? Si mësuat për ?

Kadareja, në parim, bënte pjesë në programin e letërsisë shqipe, por unë kisha dëgjuar për të pak më herët. Të gjithë ata që studiojnë gjuhë të huaja kanë një lloj detyre që quhet “lexim në shtëpi”. Duhet të lexosh një sasi të caktuar teksti, ndërsa niveli letrar i veprës nuk ka ndonjë rëndësi të veçantë. Lexoja libra të autorëve të ndryshëm shqiptarë, si humoristikë, ashtu edhe historikë, por një ditë më ra në dorë një libër që dikush e kishte sjellë nga Jugosllavia, nga Prishtina; në Krahinën Autonome të Kosovës botoheshin libra në gjuhën shqipe.

Meqenëse Shqipëria ishte krejtësisht e mbyllur, e vetmja mundësi që studentët dhe pedagogët të komunikonin drejtpërdrejt me folës të gjuhës shqipe ishin shkëmbimet akademike verore me Jugosllavinë. Prej andej sillnin fjalorë, tekste mësimore dhe libra në gjuhën shqipe.

Dhe ja, hapa librin dhe lexova rreshtat e parë, të shkruar në një prozë ritmike, të prerë si me daltë: “Mbi tokën e huaj binte shi përzier me dëborë”, dhe e kuptova se ky nuk ishte thjesht një libër për “lexim në shtëpi”, por letërsi e vërtetë e nivelit europian. Nuk pata guximin ta quaja letërsi të përmasave botërore, sepse nuk isha studiues i letërsisë, por një student tetëmbëdhjetëvjeçar. Megjithatë, edhe për mua ishte krejtësisht e qartë se bëhej fjalë për letërsi të mirëfilltë dhe se romani duhej përkthyer në rusisht.

Më vonë më shpjeguan se askush nuk kishte ndër mend t’i përkthente romanet e Kadaresë në rusisht, sepse ai konsiderohej njëfarë “tradhtari”. E si mund të ishte ndryshe? Kishte studiuar tek ne, në Institutin e Letërsisë, dhe pastaj, pas prishjes së marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, kishte shkruar lloj-lloj gjërash për Bashkimin Sovjetik. Dhe jo vetëm romanin mjaft të dyshimtë, por në përgjithësi të pranueshëm, “Muzgu i perëndive të stepës”, por edhe romanin haptazi antisovjetik “Dimri i vetmisë së madhe”, të cilit më pas iu ndryshua titulli në “Dimri i madh”. Prandaj askush nuk do ta botonte as romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, ndonëse ai nuk kishte kurrfarë lidhjeje me prishjen shqiptaro-sovjetike. Dhe askush nuk do ta përkthente.

Por unë mendoja se romani duhej përkthyer patjetër, ndaj vendosa ta përktheja vetë. Në programin tonë mësimor përfshihej edhe një kurs i përkthimit letrar dhe, për të marrë vlerësimin, kishim bërë edhe disa ushtrime, por unë, natyrisht, nuk isha përkthyes. M’u desh të bëhesha.

Në vitin 1989, revista “Inostrannaja literatura” botoi, në përkthimin tuaj, romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, i cili qysh në vitet 1960 i kishte sjellë Kadaresë famë europiane. Para kësaj, në fillim të viteve 1960, në Bashkimin Sovjetik ishte botuar vetëm një përmbledhje poetike, e përkthyer nga David Samojlovi. Thuhet se nismëtar i botimit të “Gjeneralit…” ishte Çingiz Ajtmatovi, asokohe kryeredaktor i revistës “Inostrannaja literatura”. A është e vërtetë?

Po t’i përkufizojmë më saktë rolet, nismëtar isha, megjithatë, unë, ndërsa Çingiz Ajtmatovi e botoi romanin duke ushtruar kompetencat e kryeredaktorit. E përktheva romanin me kokën time dhe duke marrë përsipër gjithë rrezikun; nuk kisha lidhur kontratë me askënd, aq më tepër që isha një njeri krejt i panjohur. Dhe ia dërgova revistës përkthimin tashmë të përfunduar. Atje ngurruan për një kohë mjaft të gjatë, ndoshta për nja dy vjet. Këshilltarët që kishin lidhje në Komitetin Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik pohonin me autoritet se Kadareja nuk do të botohej tek ne edhe për njëqind vjet të tjera dhe se përkthimi im nuk i nevojitej askujt.

Por Çingiz Ajtmatovi kishte horizontin e nevojshëm për të kuptuar se bëhej fjalë për një vepër të nivelit botëror dhe autoritetin që i lejonte të shpërfillte mendimin e Komitetit Qendror të PKBS-së. Ndërkohë, nga fundi i viteve 1980 kishte nisur tashmë epoka e botimit të letërsisë së ndaluar më parë. Tabuja ishte hequr dhe përkthyesit profesionistë, pasi panë njëri-tjetrin si për të thënë: “Domethënë, paska qenë e mundur?”, u turrën të përkthenin romanin më antisovjetik të Kadaresë, ndonëse ndoshta jo më të mirin, “Dimri i madh”, i cili, për një arsye të pakuptueshme, doli me titullin “Dimri i ashpër”.

Dimri pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, kur Hrushovi anuloi dërgesat e planifikuara të ushqimeve, ishte vërtet i ashpër në Shqipëri, por përse duhej ndryshuar titulli?

Në vitin 1992, në një librari, e mora në dorë këtë libër dhe e shfletova. Më tërhoqën emrat e Nikita Hrushovit dhe të “sekretarit të përgjithshëm” shqiptar Enver Hoxha, si edhe konflikti ndërmjet tyre. E bleva romanin dhe nuk u pendova. Megjithatë, mund të thuhet se publiku i gjerë thuajse nuk e vuri re. Përse?

Para së gjithash, mendoj se fajin e kishte kopertina: libri kishte një lidhje gri aq të pahijshme, saqë të lindte vetvetiu dyshimi nëse ia vlente ta blije. Përveç kësaj, në fillim të viteve 1990, mbi lexuesin u derdh një cunam i tillë botimesh, saqë ishte mjaft e vështirë të binte në sy romani i një autori ballkanik, i cili ende nuk ishte bërë klasik botëror dhe nuk kishte fituar rreth pesëmbëdhjetë çmime letrare. Dikush duhet ta bindë lexuesin se autori ia vlen. Për këtë qëllim, më së miri shërbejnë çmimet letrare; në mungesë të tyre, mund të mjaftojnë edhe vlerësimet e klasikëve të gjallë. Që të zbulosh thellësitë e një teksti, duhet ta dish paraprakisht se ato gjenden aty.

Meqë ra fjala, kemi edhe një përkim interesant: kur përktheva “Gjeneralin”, isha përafërsisht në të njëjtën moshë që kishte Kadareja kur e shkroi këtë roman, domethënë rreth njëzet e pesë vjeç.

Si ndodhi njohja juaj personale me Kadarenë?

Kur “Gjenerali” u botua në revistën “Inostrannaja literatura”, vendosa t’i dërgoja autorit një kopje të revistës, të shoqëruar me një letër siç e kërkonte rasti. Ishte viti 1990; marrëdhëniet me Shqipërinë vazhdonin të mos ekzistonin, madje as ato diplomatike. Nuk dihej fare se çfarë po ndodhte atje. Dukej se edhe atje kishte nisur njëfarë perestrojke pas vdekjes së Enver Hoxhës, në vitin 1985. Interneti ende nuk ekzistonte, prandaj gjetja e adresës ishte e pamundur. Kështu që e nisa pakon “në adresë të gjyshit në fshat”, siç thuhet në rusisht, domethënë, fjalë për fjalë, me këtë adresë: Tiranë, Lidhja e Shkrimtarëve, Ismail Kadaresë.

Çuditërisht, posta ndërkombëtare funksiononte, pavarësisht mungesës së marrëdhënieve diplomatike. Për më tepër, revista mbërriti te marrësi dhe, pas njëfarë kohe, mora një letër përgjigjeje nga Kadareja, në të cilën më falënderonte për punën, më përgëzonte, por shprehte keqardhjen që përkthimi ishte bërë sipas një prej varianteve të hershme të romanit, ndërkohë që duhej përkthyer varianti i fundit, më i përditësuari. Dhe ma dërgoi pikërisht atë variant të fundit.

Kadareja e redaktoi romanin edhe disa herë të tjera, duke bërë ndryshime në tekst, dhe vetëm përkthimi i botuar nga shtëpia botuese “Poliandrija” është realizuar sipas variantit përfundimtar, kanonik, të “Gjeneralit të ushtrisë së vdekur”.

Çfarë ndryshimesh u bënë?

Kryesisht redaktime stilistike. Gjuha u bë “më shqipe”, por në përkthim kjo është e vështirë të dallohet. Janë ndryshime të atij lloji sikur, në një tekst rusisht, fjala “hotel” të zëvendësohej me “bujtinë”. Një nga humbjet më të dukshme është skena e betejës së ushtrive të vdekura, e hequr nga romani, ku dy gjeneralë perëndimorë të dehur zhvillojnë, mbi një hartë të improvizuar, diçka të ngjashme me një stërvitje komando-shtabi, me pjesëmarrjen e ushtarëve të tyre të rënë. Po të jeni të interesuar, mund ta lexoni në revistën “Inostrannaja literatura”; atje kjo skenë është e pranishme. Ndoshta korrektësia politike nuk e lejoi Kadarenë, tashmë shkrimtar europian, ta mbante atë skenë. Ose ndoshta ishte vërtet e tepruar. Autori e di më mirë.

E megjithatë, le të kthehemi te njohja juaj personale…

Disa muaj pasi mora letrën nga Kadareja, ai u arratis nga Shqipëria për në Francë. Lidhjet tona u ndërprenë. I shkrova përsëri Kadaresë në vitin 2004, kur u bë fituesi i parë i Çmimit Ndërkombëtar Booker. Personalisht u njohëm në vitin 2010, në Moskë, ku kishte ardhur për përvjetorin e Institutit të Letërsisë. Me atë rast, një ekip i televizionit shqiptar po xhironte edhe një film dokumentar për të. Më pas, ai më ftoi për vizitë në Shqipëri. Shkova jo vetëm në kafenenë “Juvenilja”, ku kishte diçka si një zyrë për të pritur admiruesit e veprës së tij, por madje edhe në vilën e tij në bregdetin e Adriatikut. Gjatë viteve 2010, dimrin e kalonte në Paris, ndërsa verën në Shqipëri.

Nuk i humbëm lidhjet. Kadareja nuk përdorte postë elektronike; madje, me sa më kujtohet, nuk përdorte fare pajisje elektronike. E gjithë korrespondenca zhvillohej nëpërmjet së shoqes, Helenës, ose botuesit të tij ekskluziv shqiptar, Bujar Hudhrit.

Kur “Pallati i Ëndrrave” u propozua për çmimin “Jasnaja Poljana”, Ismail Kadareja dhe Bujar Hudhri e ndiqnin procesin pothuajse në kohë reale, ndërsa unë i informoja vazhdimisht për gjithçka që po ndodhte. Për fat të keq, atëherë ai nuk e fitoi çmimin, ndërsa “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” u nderua me të vetëm pasi shkrimtari ishte ndarë nga jeta.

A e mbante mend mirë rusishten në kohën kur u njohët? Në ç’gjuhë komunikonit?

Kadareja e zotëronte shumë mirë gjuhën ruse; në fund të fundit, kishte studiuar në Institutin e Letërsisë. Kishte lexuar shumë letërsi ruse dhe kishte përkthyer Majakovskin e Jeseninin. Por prej shumë vitesh nuk kishte pasur mundësi ta praktikonte gjuhën, prandaj bisedonim shqip.

Që në vitet e shkollës, në kohën sovjetike, mësuesja jonë e gjeografisë na tregoi një herë se në Bashkimin Sovjetik të pasluftës kishin studiuar shumë shqiptarë. Sipas saj, ishin burra të pashëm, të gjatë e shpatullgjerë. Kadareja, me syze, nuk të jep përshtypjen e një Don Zhuani, por ndihet se e njeh mirë këtë fushë. Në dilogjinë “Vajza e Agamemnonit” dhe “Pasardhësi”, e cila u botua në përkthimin tuaj në vitin 2026, ka jo pak skena erotike. Sa i rëndësishëm është përbërësi seksual në krijimtarinë e Kadaresë?

Shprehja “Kadareja me syze” tingëllon paksa fyese, apo jo? Është e vështirë të thuhet se sa burrëror ishte; për këtë duhen pyetur gratë që e kanë njohur. Por le të marrim, për shembull, rrethanat e studimeve të tij në Moskë. Ai erdhi nga Shqipëria, ku mbi tradicionalizmin mijëravjeçar të malësorëve ishte mbivendosur morali i ri socialist dhe ku, në përgjithësi, marrëdhëniet ndërmjet gjinive zhvilloheshin brenda kufijsh mjaft të rreptë. Kurse këtu gjente Moskën e periudhës së shkrirjes, festivalet ndërkombëtare, filmat e huaj, moskovitet gazmore dhe të çliruara. Për më tepër, ai ishte i huaj, qoftë edhe nga një vend i vogël ballkanik. Sidoqoftë, vinte nga jashtë. Kishte të drejtë të frekuentonte dyqanet, restorantet dhe hotelet e destinuara për të huajt.

Përveç kësaj, ai ishte poet, ndërsa poetët në Bashkimin Sovjetik gëzonin një popullaritet të jashtëzakonshëm: mbushnin stadiume, ashtu si sot këngëtarët ose komedianët e stand-up-it. Kur në Bashkimin Sovjetik doli libri i tij me poezi, Kadareja filloi të fitonte mjaft mirë. Pra, ai nuk dukej aspak si ndonjë syzetar që nuk dilte kurrë nga biblioteka, ndërsa Moskën nuk e përjetonte si qendrën e komunizmit botëror, por si një qytet të afërt, të lidhur me përjetime intime.

Ai pati një lidhje me një moskovite të quajtur Larisa, ose Lora, siç e thërriste ai. Ndarja prej saj u shkaktua nga prishja e marrëdhënieve ndërmjet Bashkimit Sovjetik dhe Shqipërisë dhe nga kthimi i papritur i studentëve shqiptarë në atdhe; kjo ngjarje gjeti pasqyrim edhe në krijimtarinë e tij.

Në Shqipëri u vendos ideologjia më e ashpër në të gjithë kampin socialist, deri në atë pikë sa feja u ndalua krejtësisht, përfshirë edhe kryerjen individuale të riteve fetare në kushtet e shtëpisë. Dhe jeta personale, intime, u bë bastioni i fundit i lirisë, pavarësisht nga të gjitha kufizimet tradicionaliste. Romani “Vajza e Agamemnonit” është pikërisht një protestë kundër përpjekjes së pushtetit për të cenuar këtë ishull të fundit të lirisë: Pasardhësi flijon të bijën e vet, duke e detyruar të heqë dorë nga lumturia personale, që të ketë të drejtën morale t’i kërkojë të njëjtën gjë edhe shoqërisë në shkallë kombëtare.

Gjysma e parë e jetës krijuese të Kadaresë përkoi me periudhën e sundimit të Enver Hoxhës, i cili ishte stalinist dhe, siç kam lexuar diku, “kishte pasion pushkatimet”…

Marrëdhëniet ndërmjet dy shqiptarëve më të njohur në botë në atë kohë, Enver Hoxhës dhe Ismail Kadaresë, meritojnë një studim më vete. Vetë Enver Hoxha është një figurë paradoksale: intelektual, frankofil dhe, vërtet, stalinist. Por unë nuk jam specialist i Enver Hoxhës dhe do të parapëlqeja të mbetesha brenda kuadrit të krijimtarisë së Kadaresë. Për më tepër, përcaktimi “kishte pasion pushkatimet” krijon një përfytyrim tendencioz dhe tepër të shtrembëruar për udhëheqësin shqiptar. Të shfaqet para syve ndonjë maniak që i pushkatonte personalisht kundërshtarët e vet politikë në qelitë e burgjeve, gjë që nuk ka kurrfarë lidhjeje me realitetin.

Mjafton t’i hedhim një vështrim të shpejtë mënyrës se si figura e udhëheqësit pasqyrohet në krijimtarinë e Kadaresë dhe se si Enver Hoxha ndikoi në fatin e vetë shkrimtarit. Në librin e tij të fundit, “Kur sunduesit grinden”, ai heq një paralele ndërmjet bisedës së famshme të Stalinit me Pasternakun — të cilën e kanë komentuar pothuajse të gjithë: çfarë duhej t’i kishte thënë Pasternaku udhëheqësit, çfarë nuk i tha, çfarë tha gabim e kështu me radhë — dhe bisedës së tij me Hoxhën. Ky i fundit telefonoi papritur në redaksinë ku punonte Kadareja. Dhe shkrimtari nuk arriti të nxirrte nga goja asgjë tjetër përveç fjalës “faleminderit”, të përsëritur disa herë. Flisni njëherë vetë me udhëheqësin dhe pastaj komentoni se çfarë duhej t’i kishte thënë Pasternaku!

Mendohet se romani “Dimri i vetmisë së madhe”, në të cilin Hoxha paraqitej në një dritë mjaft lavdëruese, u bë njëfarë garancie mbrojtëse për Kadarenë. Të gjitha qortimeve për lajkat ndaj diktatorit, Kadareja iu përgjigj më vonë në një mënyrë mjaft origjinale: thoshte se kishte krijuar një “maskë të artë”, një figurë ideale, së cilës Enver Hoxha, duke e vënë mbi vete, detyrohej t’i përshtatej, të përpiqej të ishte në lartësinë e saj dhe, në këtë proces, të ndryshonte edhe vetë. Domethënë, letërsia ndikonte mbi jetën. Ose, të paktën, përpiqej ta bënte këtë.

Por duhet vërejtur se figura e udhëheqësit nuk e shpëtoi romanin “Dimri i vetmisë së madhe” nga kritikat e ashpra dhe shkrimtarit iu desh ta ripunonte ndjeshëm; si rezultat, varianti i ri i romanit mori titullin “Dimri i madh”.

Si ishin marrëdhëniet ndërmjet Kadaresë dhe Hoxhës?

Kadareja u takua disa herë me Enver Hoxhën, por vështirë se mund të thuhet se komunikonin rregullisht. Më tepër, prania e ndërsjellë e tyre nënkuptohej vazhdimisht. Kadareja punonte duke e ditur se gjithçka që shkruante do të lexohej me kujdes nga udhëheqja e vendit. Hoxha, natyrisht, ishte në dijeni të gjithçkaje që ndodhte me shkrimtarin shqiptar më të njohur jashtë vendit. Duhej të jepeshin leje për udhëtime jashtë shtetit, të zgjidheshin çështjet e valutës, të shqyrtoheshin denoncimet anonime e kështu me radhë. Dialogu ishte i pandërprerë, por i pashprehur.

Më interesante është historia e komunikimit të Kadaresë me të shoqen e Hoxhës dhe, më pas, me të venë e tij, Nexhmijen. Ajo interesohej për çështjet e letërsisë dhe të artit dhe Kadareja, ndoshta, takohej me të më shpesh sesa me Enverin. Gjithçka përfundoi me një proces gjyqësor, në një kohë relativisht të afërt, kur Kadareja kërkoi t’i ktheheshin dorëshkrimet që dikur ia kishte lënë asaj për ruajtje, ndërsa e veja e udhëheqësit këmbëngulte se autori ia kishte dhuruar. Dorëshkrimet e autorëve me famë botërore kanë vlerë të konsiderueshme financiare. Kadareja e fitoi gjyqin.

Para Luftës së Dytë Botërore, Hoxha studioi në Francë dhe në Belgjikë dhe e njihte gjuhën frënge. Më pas, gjatë kohës që drejtonte Shqipërinë, porosiste libra për vete madje edhe nga katalogët e shtëpive botuese franceze. Duke pasur parasysh se, pas Francës dhe Belgjikës, Hoxha kishte studiuar edhe në Moskë, në Institutin Marks–Engels–Lenin dhe në Institutin e Gjuhëve të Huaja, a e njihte ai rusishten?

Enver Hoxha e zotëronte frëngjishten në mënyrë të përkryer; ai kishte studiuar për një kohë të gjatë në Francë. Rusishten e njihte në njëfarë mase, por këtu është e vështirë të thuhet diçka me siguri.

Hoxha ishte frankofil dhe kjo u bë një nga arsyet e suksesit botëror të Kadaresë. Franca ishte një vend kapitalist, por tehu i propagandës shqiptare drejtohej kundër Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik, kundër imperializmit dhe social-imperializmit, siç i përkufizonin shqiptarët, ndërsa me Francën lejoheshin marrëdhënie normale.

Sikur “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur” të mos e kishte përkthyer në frëngjisht Jusuf Vrioni; sikur, me rastin e ndonjë konference ndërkombëtare, të mos ishte marrë vendimi që libri të shtypej në frëngjisht në një tirazh të vogël, thjesht për qëllime përfaqësimi; sikur një gazetar të mos e kishte nxjerrë librin jashtë Shqipërisë, ta kishte çuar në Francë dhe të mos kishte gjetur një botues të interesuar, bota mund të kishte vazhduar për një kohë shumë të gjatë pa e marrë vesh se ekzistonte një shkrimtar me emrin Kadare.

Sa njerëz në botë i njohin shkrimtarët Fatmir Gjata ose Dritëro Agolli? E megjithatë, pesha e tyre në letërsinë shqiptare nuk ishte më e vogël. Si mundej ndonjë specialist, pa pasur në dorë përkthimin frëngjisht, të zhytej në letërsinë shqiptare, të veçonte Kadarenë dhe të merrte guximin të pohonte se ai ishte një autor i përmasave botërore? Ta përkthente në një gjuhë tjetër pa pasur kontratë me ndonjë botues? Të gjente dhe të bindte një botues?

Nëpërmjet dritares franceze, krijimtaria e Kadaresë doli në hapësirat e botës dhe ai fitoi një status krejtësisht të veçantë në vendin e vet.

Kam lexuar në biografinë e Kadaresë se, në vitin 1975, pas përpjekjes për të botuar në shtypin partiak poemën “Pashallarët e kuq”, në të cilën demaskohej burokracia e partisë, shkrimtari u dërgua “për riedukim në fshat” — “te lopata”. Në çfarë konsistonte puna fizike që duhej ta “riedukonte”?

E kuptoj se sot duhen nxjerrë tituj sensacionalë për të tërhequr interesin e lexuesit. Fundja, me çfarë tjetër mund ta befasosh një lexues të tejngopur me tmerret e komunizmit dhe me lloj-lloj përndjekjesh? Vetëm duke e paraqitur kështu: Kadarenë për pak sa nuk e pushkatuan për bindjet e tij politike, por e nxorën nga një bodrum i lagësht dhe e internuan që të gërmonte tokën me lopatë.

Gjërat nuk ndodhën tamam kështu; më saktë, nuk ndodhën aspak kështu. Të paktën, mua nuk më ka rastisur të shoh ndonjë fotografi të lopatës me të cilën gërmonte Kadareja. Po të kishte ekzistuar, mos kini pikë dyshimi se do të ishte vendosur nën xham në muzeun e zonës.

Poema ishte vërtet politike, krejt në frymën e vargut të Majakovskit: “burokratizmin do ta breja me dhëmbë si ujku”, por aspak subversive apo liberaldemokratike, siç kanë qejf ta paraqesin sot. Nuk kemi të bëjmë me rastin e një disidenti që, duke rrezikuar jetën, përpiqet të fusë në shtyp një pamflet politik, i cili duhet të shkaktojë një kryengritje popullore kundër pushtetit komunist të demaskuar prej tij.

Poema niste me fjalët: “Në mesditë u mblodh Byroja Politike”. Në të kritikohej burokracia vendëse, drejtuesit e nivelit të mesëm, të ngurtësuar e të vetëkënaqur: shtëpia nuk po kalbej nga çatia. Me çatinë, domethënë me Byronë Politike dhe Komitetin Qendror, gjithçka ishte në rregull; duheshin ndrequr nivelet e poshtme, sepse pikërisht atje gjendeshin kalbëzimi dhe tumori. Do të ishte mirë që burokratizmi të pushkatohej në Bulevardin e Madh, në qendër të Tiranës. Ndërsa luftëtari kryesor kundër këtij vesi ishte Enver Hoxha, i cili duhej të merrte kamxhikun dhe, si Krishti në tempull, të godiste tregtarët.

Poema u shkrua në vitin 1974, me sa duket nën ndikimin e disa përvojave personale, ndërsa në vitin 1975, në valën e një fushate të re kritike dhe autokritike, Kadareja mendoi se kishte ardhur çasti i përshtatshëm dhe se teksti do të ishte krejt me vend.

Por me poezitë politike, ndryshe nga ato lirike, duhet treguar kujdes: duhet vlerësuar me saktësi koniunktura dhe duhet zotëruar terminologjia. Në përgjithësi, poetët do të bënin mirë të mos merreshin me to. Meqë ra fjala, unë nuk e konsideroj kryevepër letrare poezinë e Mandelshtamit “Jetojmë pa e ndier vendin nën këmbë”, për të cilën Kadareja arsyeton në librin “Kur sunduesit grinden”. Sipas meje, kjo vjershë agjitative politike nuk ia vlente që Mandelshtami të flijonte gjithë krijimtarinë e tij të mëvonshme.

Sidoqoftë, poezia, e cila ishte faqosur tashmë në faqen e parë të gazetës “Drita” — që, meqë ra fjala, nuk ishte aspak organ i shtypit partiak — u hoq nga botimi, ndërsa Kadarenë e priste një tjetër fushatë kritike dhe autokritike. Siç doli, në poezi ishte shpërfillur roli i popullit, i klasës punëtore dhe i partisë, ndërsa gjithçka ishte reduktuar në rolin e individit, Enver Hoxhës. Dhe dashamirët e formulimit të “izmave” të ndryshëm patën mundësinë të mbanin fjalime të zjarrta nëpër mbledhje, ndonëse shumica e atyre që folën nuk e kishin lexuar poezinë. Një situatë tipike: “Nuk e kam lexuar, por e dënoj.”

Me pak fjalë, Kadarenë askush nuk e gjykoi dhe nuk e dënoi për asgjë. Ai u pendua sinqerisht dhe pranoi se kishte rënë në oportunizëm, formalizëm dhe në “izma” të tjera. Në mbledhjen e partisë iu dha vërejtje e rëndë me shënim në dosjen personale dhe, nga anëtar partie, u kalua në statusin e kandidatit për anëtar partie. Si rrjedhojë, mori një “leje krijuese” — jo internim dhe jo punë të detyruar — dhe shkoi në fshat, për t’iu afruar jetës reale. Njëkohësisht u vendos që romanet e tij të reja të mos botoheshin për njëfarë kohe. Disa muaj i kaloi në kushte me komoditete të kufizuara dhe u njoh nga afër me jetën e punonjësve të fshatit në zonën e Fierit.

Kështu pati kohë të mjaftueshme për të menduar ndryshimet në romanin “Dimri i vetmisë së madhe” dhe për të konceptuar vepra të tilla emblemë si “Ura me tri harqe”, “Kronikë në gur” dhe “Kështjella”. Menjëherë pas kthimit iu përvesh punës për “Pallatin e ëndrrave”. Me sa duket, asnjë lopatë nuk mund ta pengonte të mendonte.

Tani, për rolin e Enver Hoxhës në këtë histori. Sipas të dhënave që disponohen, ishte vetë ai që e ndaloi poezinë, të cilën Ramiz Alia, që e konsideronte tekstin të shkëlqyer, ia kishte çuar për ta parë. Dhe po ai urdhëroi që Kadareja të mos ndëshkohej, por të kritikohej ashpër. Natyrisht, Kadareja nuk dinte asgjë për këtë dhe mund të priste fare mirë që, pas mbledhjeve të partisë ku kritikohej, të pasonte arrestimi, siç ndodhte shpesh. Ndoshta “Dimri i vetmisë së madhe” kishte shërbyer vërtet si njëfarë garancie mbrojtëse.

Me përkthimin e cilave vepra të Kadaresë po punoni aktualisht? Përse zgjodhët pikërisht ato?

Të flas hapur, unë nuk jam përkthyes. Të paktën, jo përkthyes profesionist. Profesionisti punon me kontrata me shtëpitë botuese dhe duhet të përkthejë nga dy romane në muaj që të sigurojë jetesën. Kadareja nuk mund të përkthehet në këtë mënyrë.

Unë kisha disa synime të caktuara lidhur me krijimtarinë e Kadaresë. Dikur pata diskutuar me të se cilat vepra duheshin përkthyer në radhë të parë dhe ai përmendi një varg veprash. Pastaj shtoi se, në fund të fundit, unë vetë e dija më mirë dhe se kishte besim të plotë tek unë.

Kam përkthyer veprat themelore: “Pallati i ëndrrave”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Pasardhësi”, por nuk kam synim ta përkthej të gjithë krijimtarinë e Kadaresë. Kjo është thjesht e pamundur: bëhet fjalë për një vëllim të jashtëzakonshëm tekstesh dhe nuk do të më mjaftonte jeta. Mendoj se detyrën time kryesore e kam përmbushur: emri i Kadaresë u bë i njohur për lexuesin rus dhe, ç’është më e rëndësishmja, për botuesit. Tani do të gjenden edhe përkthyes të tjerë, të cilët, me kalimin e kohës, do të përkthejnë gjithçka që duhet.

Do të doja ta përfundoja përkthimin e librit të fundit të Kadaresë, “Kur sunduesit grinden”, duke e mbyllur kështu temën ruse në krijimtarinë e shkrimtarit të madh. Një fragment i tij u botua në revistën “Inostrannaja literatura” dhe më duket thellësisht simbolike që vepra me të cilën Kadareja e përmbylli zyrtarisht krijimtarinë e vet letrare i kushtohet Rusisë dhe kulturës ruse.

Sikur, bashkë me “Sunduesit”, të botohej në një vëllim edhe “Muzgu i perëndive të stepës” — të dyja janë vepra me vëllim jo të madh — kjo do të mbyllte, si të thuash, kllapat brenda të cilave përfshihet e gjithë krijimtaria në prozë e Kadaresë, e nisur në Moskë dhe e përfunduar me një libër për Rusinë. Për një libër të tillë ende nuk ka botues; si gjithmonë, po e përkthej me nismën time dhe duke marrë përsipër të gjithë rrezikun. Dikush, një ditë, do ta botojë. Për këtë jam plotësisht i bindur.

Përse Kadareja, megjithëse fitoi kaq shumë çmime letrare prestigjioze botërore, nuk e mori kurrë Çmimin Nobel, ndonëse u propozua pesëmbëdhjetë herë? Për shkak të së kaluarës së tij komuniste?

E kaluara komuniste nuk ka kurrfarë lidhjeje me këtë. Askush nuk e mban mend më se ai ka pasur njëfarë të kaluare komuniste. Madje, shumë njerëz e konsiderojnë shkrimtar francez dhe, duhet thënë, jo pa arsye.

Për herë të parë ai u propozua për Çmimin Nobel qysh në kohën e Shqipërisë popullore dhe ky propozim përkoi me botimin e librit “Muzgu i perëndive të stepës”, ku flitej për Çmimin Nobel të Pasternakut dhe për fushatën që u ndërmor kundër tij, dëshmitar i së cilës ishte studenti i Institutit të Letërsisë. Këto paralele interesante trajtohen në librin “Kur sunduesit grinden”, ndërsa Kadareja asokohe vetëm mund të hamendësonte se si do të ndikonte një propozim i tillë në fatin e tij.

Në mbarë botën, Çmimi Nobel i sillte autorit famë dhe pasuri, ndërsa në Bashkimin Sovjetik, e aq më tepër në Shqipëri, mund t’i shkaktonte probleme serioze. Siç ka thënë vetë Kadareja, ai arriti të botonte një roman ku shprehej simpati për Pasternakun, por kjo u bë e mundur vetëm sepse Hrushovi në atë kohë mishëronte të keqen në Shqipëri dhe, përderisa ai ishte kundër Pasternakut, atëherë lejohej të shprehej simpati për Pasternakun. Kurse në Shqipëri, në një situatë të tillë, Pasternakun edhe mund ta kishin pushkatuar.

Kadareja u propozua për Çmimin Nobel edhe nja pesëmbëdhjetë herë të tjera dhe tashmë të gjithë ishin mësuar ta shihnin si kandidat të përhershëm. Përse nuk e fitoi kurrë, të paktën në mijëvjeçarin tonë? Kësaj pyetjeje do të mund t’i jepej përgjigje sikur të ekzistonin arsye racionale për dhënien ose mosdhënien e çmimit. Të krijohet përshtypja se, për afro një dekadë, çmimin e drejtonin njerëz, rrënjët e shijeve letrare të të cilëve shkonin diku te epoka e hipive, e beatnikëve dhe e kundërkulturës së viteve 1960–1970. Ndoshta madje, gjatë procesit të përzgjedhjes, këta njerëz përdornin edhe substanca të ndaluara tek ne. Kujt i kujtohej ndonjë figurë nga rinia e vet, atij ia jepnin. Nuk ju kujtua dot ndonjë poet? Epo, le t’ia japim një muzikanti rok; ç’rëndësi ka?

Kohët e fundit situata ka ndryshuar dhe është bërë sërish e mundur të vlerësohen gjasat e kandidatëve, niveli letrar i veprave dhe të ndiqen alternimet Europë–Amerikë–Azi, burrë–grua, prozë–poezi. Kur “Sunduesit” dolën në përkthim anglisht — me titullin banal e tregtar “Diktatori telefonon” dhe me një figurë të Stalinit, të cilit i del nga syri receptorja e telefonit — shumë specialistë jashtë vendit parashikuan se atë vit Kadareja duhej ta fitonte patjetër Nobelin për këtë kodë mbresëlënëse të gjithë krijimtarisë së tij.

Por atë vit, gjatë verës, ai vdiq. Ndërsa çmimi jepet në vjeshtë dhe vetëm shkrimtarëve që janë ende gjallë.

Kur mora vesh se kishit nisur të shkruanit biografinë e Kadaresë, me nismën time iu drejtova një të njohuri që punon në një shtëpi të madhe botuese dhe e pyeta nëse mund ta botonin. Përgjigjja ishte negative: “Kadareja është interesant, por vetëm për një grusht njerëzish.” A është vërtet kështu? Dhe përse?

Është e vështirë ta komentoj, sepse bëhet fjalë për një bisedë jozyrtare, pa hollësi konkrete, dhe ende nuk ekziston as teksti që mund të diskutohej. Por, me sa kuptova, fjala ishte vetëm për faktin se interesi ndaj figurës së Kadaresë nuk është aq i madh sa të sigurojë shitjen e suksesshme të tirazhit. Shtëpia botuese është, para së gjithash, një ndërmarrje tregtare dhe ata e dinë më mirë se si paraqitet gjendja e marketingut dhe e organizimit të shitjeve.

Kur, rreth dhjetë vjet më parë, ia propozova Kadarenë shtëpisë botuese të Ivan Limbahut, më thanë se shkrimtari ishte interesant dhe se përkthimi u pëlqente, por se nuk do të mund ta shisnin librin, sepse në Rusi askush nuk e njihte. Ata e vlerësuan objektivisht situatën dhe ma thanë hapur.

Më pas, shtëpia botuese “Poliandrija” mori përsipër rrezikun dhe e botoi “Pallatin e ëndrrave” në një tirazh prej tre mijë kopjesh. Romani u propozua për çmimin më të madh letrar. Tirazhi u shit i gjithi. “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur” e botuan tashmë në një tirazh prej pesë mijë kopjesh, me sa duket pasi kishin përllogaritur mundësitë e tyre.

Pas kësaj, m’u drejtua shtëpia botuese e Ivan Limbahut, e cila kishte arritur në përfundimin se Kadareja tashmë ishte bërë mjaftueshëm i njohur dhe se, në atë moment, mund ta shiste librin e tij; kështu që mund të diskutonim variante të ndryshme. Si rezultat, ata botuan në mënyrë të shkëlqyer “Vajzën e Agamemnonit” dhe “Pasardhësin”.

Ndërkohë, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” u shpall fitues i çmimit “Jasnaja Poljana” në kategorinë “Kryeveprat e anashkaluara”. Prandaj, me sa duket, edhe “Pasardhësi” duhet të shitet shumë mirë. Shpresoj që shtëpia botuese e Ivan Limbahut t’i arrijë rezultatet financiare që ka planifikuar.

Mendoj se në vend ka të paktën disa mijëra lexues që interesohen për krijimtarinë e Kadaresë dhe shpresoj se edhe libri për vetë Kadarenë do të zgjojë interes, aq më tepër që biografia e shkrimtarit përbën në vetvete subjektin e një romani aventurash.

Lindi në një qytet mesjetar prej guri, në një mbretëri të vogël ballkanike, ku sundonte mbreti Zog I — dhe Zogu ishte mbiemri, jo emri i mbretit. Ismaili i vogël e nisi shkollën tashmë në mbretërinë italiane, ku sundonte Musolini, e cila e kishte aneksuar Shqipërinë; e përfundoi shkollën në republikën popullore dhe, pas universitetit, shkoi për studime në Moskën e periudhës së shkrirjes.

Më pas botoi, në Shqipërinë e ashpër staliniste, romanin “Muzgu i perëndive të stepës”, ku, në fakt, mbajti anën e Pasternakut në konfliktin e tij me Hrushovin, dhe kjo i kaloi pa pasoja. Në një mënyrë krejtësisht të pabesueshme, falë një vargu rastësish, u bë i njohur në Francë dhe u shndërrua në shqiptarin e dytë më të njohur në botë pas Enver Hoxhës. Për më tepër, ishte njëkohësisht disidenti më i rëndësishëm dhe shkrimtari zyrtar më i njohur i Shqipërisë, anëtar partie, deputet dhe burim valute të fortë.

Po përpjekja e dështuar për t’u arratisur në Bashkimin Sovjetik gjatë Festivalit Ndërkombëtar të Rinisë dhe Studentëve, kur ambasada sovjetike në Çekosllovaki i kishte përgatitur tashmë dokumente konspirative për ta kaluar ilegalisht? Po përpjekja e suksesshme për t’u arratisur, kësaj here në Francë, duke mbuluar gjurmët, që të mos e gjente shërbimi i pamëshirshëm sekret shqiptar, “Sigurimi”? Po ato që u nxorën…

Dorëshkrimet e nxjerra kontrabandë në Francë, të fshehura në kasafortën e botuesit, me porosinë që të botoheshin në rast se autori vdiste për çfarëdo shkaku, përfshirë helmimin nga ushqimi apo një aksident automobilistik. Karriera e pabesueshme që bëri më pas në Francë, dekoratat më të larta franceze, anëtarësimi në Akademi, përkthimet në dhjetëra gjuhë, pothuajse të gjitha çmimet kryesore letrare botërore.

Por, mbi të gjitha, i gjithë fati i tij ishte i lidhur me dy vende: me Francën dhe me Rusinë. Në thelb, ai është një shkrimtar yni, një shkrimtar moskovit i brezit të viteve ’60, dhe karrierën e tij letrare e përmbylli me një libër kushtuar kulturës ruse dhe Rusisë: “Kur sunduesit grinden”. Mendoj se të gjitha këto do të jenë shumë interesante për lexuesin rus.

Me cilët shkrimtarë të njohur studioi së bashku?

Studimet në Institutin e Letërsisë, në vetvete, nuk ishin aspak garanci që një i diplomuar do të fitonte famë mbarëruse ose, aq më tepër, botërore. Emrat e shumicës dërrmuese të të diplomuarve që studiuan bashkë me Kadarenë vështirë se do t’ju thonë diçka, edhe nëse më vonë u bënë shkrimtarë ose poetë që krijuan në republikat e ndryshme kombëtare të Bashkimit Sovjetik.

Kadareja i ka përshkruar shokët e kursit në romanin “Muzgu i perëndive të stepës”, duke i përmendur me emër dhe me një ironi të hollë. Portretizimet e tyre janë shumë të goditura dhe plot ngjyra, ndonëse nuk mungojnë disa pasaktësi. Për shembull, ai e quan një tuvinas jakut dhe ka shkruar gabim disa mbiemra. Megjithatë, vështirë se mund t’i bëhet qortim për këtë, pasi romanin e shkroi pasi ishte kthyer në Shqipëri, ndërsa mbiemrat e huaj janë gjithmonë të vështirë për t’u mbajtur mend. Madje edhe vetë Kadarenë, në faqen zyrtare të Institutit të Letërsisë, në listën e të diplomuarve e kanë regjistruar si “I. Kader”, megjithëse bëhet fjalë për faqen zyrtare të institucionit, të hartuar mbi bazën e dokumenteve arkivore.

Nga emrat më të njohur mund të përmenden Viktor Astafjevi, i cili studionte një kurs më poshtë, si edhe Vladimir Karatkeviçi, shkrimtari bjellorus, autor i romanit “Gjuetia e egër e mbretit Stah”, i cili ishte student i të njëjtit kurs me Kadarenë. Kadareja kishte njohje sipërfaqësore edhe me Bella Ahmadulinën, e cila ishte në vitin e katërt të studimeve, dhe zakonisht e përshëndeste me shprehjen gjysmëfrënge, gjysmëturke “bon aksham” – “mirëmbrëma”, një përshëndetje mjaft e përhapur mes studentëve të institutit.

Në të njëjtën kohë me Kadarenë studionte në Institutin e Letërsisë edhe Irina Jemeljanova, vajza e Olga Ivinskajës, muzës së Pasternakut. Edhe për të ai shkruan në romanin “Muzgu i perëndive të stepës”. Ata u takuan sërish shumë vite më vonë, tashmë në Paris.

Miku i tij më i afërt në atë periudhë ishte poeti letonez Jeronim Stulpans, i cili përkthente në letonisht jo vetëm nga rusishtja, por edhe nga bjellorusishtja, madje edhe nga shqipja. Ka shumë të ngjarë që ai të ketë mësuar për ekzistencën e poetit Migjeni pikërisht nga Kadareja. Kur, shumë vite më vonë, Kadareja u përpoq të gjente ndonjë informacion për ish-shokët e kursit, para së gjithash për Jeronimin, mësoi se Stulpansi kishte vrarë veten në vitin 1981. Gjurmët e shumë personazheve të tjerë të romanit nuk arriti t’i gjente kurrë.

“Gazeta Letrare” (“Literaturnaja gazeta”)është botimi periodik më i vjetër në Rusi. Që nga koha e Pushkinit (1830) e deri në ditët tona, Kjo gazetë ka botuar shkrimtarët dhe publicistët më të mirë rusë e të huaj dhe ka trajtuar çështjet më të mprehta që lidhen me artin dhe me jetën në përgjithësi.
Përktheu Bujar Hudhri

Exit mobile version