Kreu Muzikë Vasil S. Tole: Gjon Simoni, një ekselencë shqiptare e muzikës

Vasil S. Tole: Gjon Simoni, një ekselencë shqiptare e muzikës

Një koncert shumë i veçantë do të mbahet më datë 23 tetor 2025, ora 19.00 në sallën e UART, nga orkestra simfonike e RTSH, dirigjent Eno Koço. Është koncerti që ka në qendër krijimtarinë muzikore të profesorit tonë të çmuar Gjon Simoni (1936-1999).

Për dikë që e njeh Gjon Simonin kryesisht si intelektual të muzikës do ti kujtoja që kompozimi erdhi në jetën e tij si faza e fundit e personalitetit të tij, pasi fillimisht studioi e u perfeksionua për të qenë muzikolog, orkestrues brilant, drejtues kompetent i institucioneve artistike e së fundi si kompozitor. I përkiste brezit të parë të studentëve që ndoqën Konservatorin Shtetëror të porsaformuar në janar të vitit 1962.

Profesor Gjonin e njoha nga afër gjatë viteve të studimit, kohë kur na jepte lëndën e orkestracionit dhe njëherazi drejtonte Fakultetin e Muzikës si dekan. Ende më jehon në vesh një këshillë e tij për studentët kompozitorë që vinin nga rradhët e pianistëve: – Mos shkruani çdo gjë që ju zen dora-ju thoshte, duke pasur parasysh se të krijosh është në thelb proces seleksionimi.

Teksti i orkestracionit i përgatitur prej tij dhe prof.as. dr. Eno Koços, ishte një manual teknik shumë i vlefshëm për ne kompozitorët, i përshtatur prej traktateve më të mira të orkestracionit që qarkullonin në Lindje e Perëndim të Europës e i pasuruar me përvojën e muzikës sonë. Gjoni ishte nipi i kardinal Koliqit, kompozitorit të parë të dramave muzikore të vëna në skenë në Shkodrën e para Luftës së II Botërore. Në nderim të kardinal Koliqit, profesor Gjoni shkroi një monografi për të e cila mbetet një dokument shumë i vlefshëm për të kuptuar zhvillimet muzikore në Shkodër dhe sidomos rolin e klerit katolik në formimin muzikor të gjeneratës së krijuesve më të shquar të muzikës sonë si Prenk Jakova, Çesk Zadeja, Tish Daija, Tonin Harapi, Simon Gjoni etj.

Gjatë kohës që drejtoja Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, pata mundësinë që të njihja nga afër krijimtarinë e tij muzikore që kulmoi me baletin NA TË BIRTË E SHEKULLIT TË RI mbi krijimtarinë e Migjenit, koncertin për violinë por edhe kontributin thelbësor që prof. Gjoni dha për orkestrimin e REQUIEMIT të Tonin Harapit, të cilin e vumë në skenë 1 muaj para ndarjes së tij nga jeta më 2 korrik 1999, me solistët, korin dhe orkestrën e TOB, nën drejtimin e Eno Koços.

E kam si tani në kujtesë bisedën dhe takimin me të dhe shfletimin e kujdesshëm që i bëmë partiturës së baletit të cilën e planifikuam ta vinim së shpejti në skenë. Ishte shumë i kënaqur që gjeti mirëkuptimin e plotë, se vura re që ruante një lloj distance me krijimet e tij, distancë që ndoshta krijohej nga fakti që i mësuar tërë jetën me pozicionin e orkestruesit që i bënte perlave të muzikës shqiptare, me sa dukej, i duhej ende ca kohë për tu ambjentuar me statusin e ri të kompozitorit, që e them me plot gojën ishte një i tillë! Në mes të viteve 1980, orkestrimi  prej tij i numurave muzikore më të mira të operas MRIKA të Prenk Jakovës, për orkestër harqesh, e riktheu vëmendjen e publikut ndaj vlerës së veprave madhore të muzikës sonë. Rol të veçantë për këtë pati edhe drejtuesi dhe violinisti Ibrahim Madhi.

Pas premierës së suksesshme të REQUIEMIT të Tonin Harapit që Gjoni e riformatoi në çdo element, takimi i rradhës me të ishte në spitalin NËNË TEREZA ku ai u shtrua për të bërë një ndërhyrje në zemër. U gëzua shumë kur më pa. I thashë që të shërohej sa më parë se na prisnin punët për vënien në skenë të baletit. Jena birt e shekullit të ri-më tha me buzagas, duke perifrazuar titullin e baletit që kishte kompozuar. Nuk u pamë më.

Më 2 korrik 1999, një aksident e ndau nga jeta në moshën 63 vjeçare. Dikush tha që ishte hija e REQUIEMIT që e ndoqi nga pas, duke e lidhur vdekjen e Gjonit me vdekjen e Mozartit, menjëherë pasi ai krijoi REQUIEMIN e njohur.

Nuk pata mundësi që tja plotësoja vënien në skenë të baletit se më 22 qershor 1999 u largova nga detyra e drejtorit të operas dhe muzika kombëtare u bë akoma më e largët për atë skenë.

Urimet më të përzemërta për dirigjentin Eno Koço që ka ideuar një koncert me krijimtarinë muzikore të Gjon Simonit,për solistin Lorenc Radovani që do të interpretojë koncertin për violinë e orkestër të Simonit dhe sigurisht për orkestrën simfonike të RTSH që i ka zgjeruar hapësirat në programet e saj për muzikën tonë kombëtare.

Exit mobile version