Kreu Letërsi Bibliotekë Variacione poetike nga Feride Papleka

Variacione poetike nga Feride Papleka

Feride Papleka

« … poezia : arti për të na afruar me atë që ndodhet përtej nesh ».

Odysseas Elytis (Nga ligjërata për çmimin Nobel, dhjetor 1979 )

Vetërrëfim

Unë nuk do ta kuptoj kurrë
Në është dëshpërimi
Apo shpresa
Që më frymëzuan këto poema
Ajo që di
Është se nuk e di
Prej nga zbritën
Duke rënë pa formë
Përpara syve të mi
Të stolisura me një zë të padëgjuar:
Ndoshta është e kohshmja
Që përpiqet të bëhet
E tejkohshme…

1
Poema ime është
Një Je est un autre**
Që shfaqet e druajtur
Si në ëndërr
Duke shqyer errësirën
Për të dalë në dritë
Trupi i saj :
Një i SAPOLINDUR.

2
Një poemë duhet të jetë
Përgjigje
Që shpaloset dhe fshihet
Strukturë e hollë
Ku dëgjohet
Edhe zhurma e barit
Që rritet
Dhe na mëson
Ritmet e jetës.

3
Ndoshta poema është
Një tension melankolik
Që jeton në fshehtësi
Një kambanë
Që tingëllon prej së largu
Fytyra fëmijësh
Që pasqyrohen në ujë
Manushaqe të reja
Të çelura në livadh
Një lumë që zbret nga mali
Një heroizëm.

4
Në një poemë të vërtetë
Gjithçka lëkundet
Si një gjethe
Mes uraganit
E dukshmja
Bëhet e padukshme:
Shpërthimi i fjalës
Kërkon hapësirë
Për të treguar
Në jemi të humbur
Apo fitimtarë.

5
Me sa duket poema është
Një jashtësi
Që ndriçon brendësinë
Me një sy origjinal;
Një timbër
Që dridhet në kraharor
Një shpresë e përjetshme
E mbështjellë me një dritë
Ngjyrë jete.

6
Një poemë mund të jetë
Tekst asimetrik
Dhe njëherësh simetrik
Që paraekziston tashmë
Duke u dëshmuar njëherësh
Farë dhe embrion
Si një planet i vogël
Që rrotullohet në univers.

7
Poema ime është
Një çupëlinë e hutuar
Në një plazh
Që sodit detin
Dhe ëndërron
Yjtë mbi kokë
Si kurorë
Mbretëreshë pa fron;
Mbase është aurorë
Që vezullon
Mbi këtë balonë të portokalltë
Që quhet Tokë.

8
Një poemë duhet të jetë
Një thirrje
Që ia beh papritur
Nga një kënd i trishtuar
E që transformohet
Në vajtim
Për të vdekurit e pafajshëm
Të kësaj bote
Kaq të madhe e kaq të vogël
Që quhet ndryshe
Shtëpia jonë
Fshati ynë.

9
Ndoshta poema është
Model dhe kundërmodel
I hedhur në hapësirë
Që përzien
Jetë dhe vdekje
Dritë dhe errësirë
Këngë dhe vaj
Në një kohë të harruar
Vetmitare.

10
Në një poemë të vërtetë
Ka heshtje
Që flet
Jo heshtje e agonisë
Por heshtje stuhie
Bukuri që vuan
Me një gjest të vendosur
Në gjakim të shpirtit.

11
Me sa duket poema është
Rebele
E rrëmbyer
E pabesë
Që vjetrohet shpejt
Dikush që vrapon
Për të gjetur vetëdijen
E nënvetëdijes.

12
Një poemë mund të jetë
Parashtrim tepër i çastit
Që depërton hijet
Dyshimet
Pyetjet
Episodet e dehura
Dhe mbush zbrazëtinë
Dhimbje e kënaqësi bashkë
Një mynxyrë.

13
Poema ime është
Një organizëm
Vertikal
Horizontal
I pjerrët
Që hesht
Që dialogon
Që ecën
Që ndalet;
Fatalitet
Që edhe mund
Të më vrasë
Unë s’mund t’i shmangem
Është e pashpjegueshme.

14
Një poemë duhet të jetë
Një aparat magjik
Që ndërton
Vatër që ngroh
Një vështrim i ëmbël
Dhe marramendës
Engjëll
Orë profane
Trajektore e padukshme
E pandërprerë:
Gjendje e kulluar.

15
Ndoshta poema është
Një mahnitje deri në çmenduri
Që zbulon fjalë gjysmë zgjuar
Duke zhbërë imazhin narsisik
Dhe duke endur
Të vërteta të njëmendta:
Bukuri e papërshkrueshme
Që fshik vdekjen!

16
Në një poemë të vërtetë
Ka një rregull
Që rri pezull
Një luftë virtuale
Drejt një sekreti
Dhe një skaji pa emër
Një ecje kundër rrymës
Të pakuptueshme
Si shfaqja e reve
Në një qiell të kaltër
Pikturë e shpirtit.

17
Me sa duket poema është
Një material pa konture
I stampuar në eter
Tekst që dëshiron një formë
Arsye e mosarsyes
Vështrim i humbur
Jashtë kohës
Pika pa sipërfaqe
Etre sans destin ***

18
Poema mund të jetë
Një ndjesi e çuar dëm
Që gjen zemrën e vet
Një ide
Që vërshon
Në kërkim të fjalëve
Duke u ngallmuar
Në një varg të epërm
Çlirim i menjëhershëm
Nga ankthi i vdekjes.

19
Poema ime është
Një dashuri sublime
E ndritshme dhe e errët
Pa kontekst
Që nuk vdes kurrë:
E shquar, abstrakte
E pavarur
Si drita.
20
Një poemë duhet të jetë
Kohë për t’u dashuruar
Një lartësim
Midis ëndrrës dhe zhgjëndrrës
Një tingull në largësi
I ardhur nga përtej mjegullat
Që gjallërohet
Sa takon brigjet e kohës
Realitet i thellë
Rrugë fati
E shtegtarit pa atdhe
Një fitore
Përballë rrezikut
Covid-19.

21
Ndoshta poema është
Një flakë e vogël marrëzie
Ngurruese, e hijshme
E habitur
Jashtëzakonisht e mrekullishme
Që lë një shenjë të dukshme
Për një të ardhme
Natyrore.

22
Në një poemë të vërtetë
Ka dy njerëz
I pari është me kokën në re
I dyti me këmbët në tokë:
Dyluftim i përgjakshëm
Shenjues apo i shenjuar?
Prani apo mosprani?
Figurë apo trup?
Përçartje.

23
Me sa duket poema është
Një lundër e përmbysur
Dhe deti i imagjinatës
Me busull të humbur
Në orët natore
Të gjithë poetët dëgjojnë
Heshtjen
Dhe i kuptojnë
Vlerat e urtisë.

24
Poema mund të jetë
Një përmbifjalë
Që papritur
Bëhet

Vështrim
Trup i tërë.

25
Poema ime është
Ai mëngjes i mbinatyrshëm
Në një datë të shenjtë
Kur një murmurimë
E ardhur nga një bebe
Që ishte im bir
Si një ndriçim hyjnor
Më zgjoi
Muzika e tingujve të mistershëm
Që nxirrte fryma e tij
Dhe lëvizjet e vrullshme
Të doçkave e të këmbkave
Në ajër
Si të donte të përvijonte
Udhët e ardhme
Formonin një partiturë të tillë
Sa asnjë orkestër në botë
Nuk mund ta vejë në muzikë.
E fshehur nga vështrimi i tij
Shpirti im ishte përmbytur
Me një lumturi të panjohur:
Arsye e qenies sime.


*Shkruar në Paris frëngjisht gjatë ngujimit të madh 2020 nga pandemia. Tekstin frëngjisht do ta paraqis në një shtëpi botuese që më ka ofruar botimin në Francë, por atë të përkthyer në shqip nuk e pranojnë në vendin tim; ndonjë shtëpi botuese thotë nuk botojmë autorë shqiptarë, disa thonë duhet të paguash, ndonjë tjetër thotë se e ka bërë planin e botimeve…
**Pohim i famshëm i poetit Arthur Rimbaud, shprehur në një letër.
***Roman në frëngjisht i shkrimtarit hungarez, Imre Kertész (1929-2016), fitues i çmimit Nobel në letërsi, 2002.

Exit mobile version