LUFTË DHE PAQE
Lufta.
E vjetër sa bota.
Paqja.
Foshnjë e brishtë.
Sa bën të bëjë hopa!
Ngjizja e saj prishet.
Jam në luftë.
Jo në paqe.
Askujt nuk i bëj lutje.
Nuk kam nevojë për pakte.
Luftën dhe paqen time
E nënshkruan vetëm zemra.
E buta si drithërima.
Si shqetësimi e rrepta.
Paqe
Me mallin e trishtë.
Luftë
Me ëndrrën e brishtë.
Zemër,
Ma ço prej folesë sate
Pëllumbin e bardhë të paqes.
NËNA
Mora në ëndërr thirrje për në gjyq.
Njëra me aeroplan. Tjetra e thjeshtë.
Nuk është një thirrje. Janë dy.
Dy toga të zeza hijerreptë.
Solonin e thirra avokat
Nga koha e parë e lashtësisë.
Mbromë! Jam me fat dhe pa fat,
Jam me shtetësi të dyfishtë.
Buzëqeshi Soloni nën buzë
Dhe i bëri togat që të heshtin.
Hajdeni t’ jua ndaj unë përgjysmë.
Njëra gjysmën lart. Tjetra poshtë mesit.
U hodh toga ardhur që nga larg.
Gjysmë e zezë. Gjysmë ngjyrë gjaku:
Le ta marrë tjetra, e pastë hak,
Nënës jepini të tijin vargun.
BALADA E KYÇIT TË SHTËPISË
Erdha, shtëpia ime,
të zgjoj vetminë tënde
të shurdhuar,
të dëgjoj hapat e mi
mbi dyshemenë e drunjtë,
t’ i fryj hirit të ftohur,
nga oxhaku të ngrihet
shtëllunga e tymit të ergjendtë,
stuhia e kujtimeve
t’ i rrëzojë petalet e ndryshkura
të trëndafilit pas avllisë,
të ëndërroj
nën hijen e pjergullës plakë
i dehur nga mushti i kujtimeve
dhe të zgjohem esëll
te pragu i portës sate
të kyçur me kyçin,
që më ra në fund të oqeanit.
RROKJET E JETËS
Sytë e kujtesës nëpër vite
gjurmët e vjetra
po m ‘i përndritin.
Lexoj muret,
lexoj gurët,
një gjethe vjeshte
buzë rrugës.
Vargjet e fshira të një poeme
ku gjurmë rrokjesh
ende gjenden.
Me këto rrokje
që rrugës gjeta
këputur nga xhaketat
e kujtimeve.
Kopsit poemën e jetës time.
UNIFORMA E MËRZISË
Me vjeshtën ikën edhe ngjyrat
sikur e morën lejlekët ylberin
me sqepin e tyre,
na veshi grija,
uniforma e mërzisë,
trungjet e plepave,
tyta pushkësh të vjetra turke
mbjellë nga luftrat ballkanike,
më kot qortojmë vjeshtën,
cigare e pashuar hedhur përdhe
tymon dita e djeshme,
digjet diçka në shpirt,
mendimet tymojnë,
as dashuria, as miqësia s’ ndritin
shpatë e ndryshkur
që humbi këllëfin burrëria,
ushtarë të xhavitit jemi,
këmbejmë pushkën
për një kafshore bukë.
KRYQI
Kam një kryq
(nuk jam Krisht).
Jam njeri me kryq në shpirt.
Me faj dhe pa faj
veten mbi të kryqëzoj.
Parfum dhe miro me vaj
nuk pranoj.
Plagën e shpirtit,
sa herë ma gërvishtin,
mëshirë kërkoj si Krishti
për këdo.
MURGU
E di që në venat e mia
kam gjak të papastër.
Lundrojnë në trup
mëkatet e mia.
Falem si vrasësi
dhe vetëvrasësi.
Zemra, avokat
truri, gjykatës.
Shpirti im, burg.
Dhe unë i mbyllur në të,
murgu,
që mëton të bëhet i pastër.
BIE SHI ME YJE
Një grimcë e botës jam,
teleskopi i kozmosit
s’ më dallon dot
(patjetër më ndien
dhe heton),
ankthi im
ngarkon retë,
zgjon tërmetet,
bie shi me yje të nxehta,
s’ zhuriten vuajtjet,
vyshken gëzimet
në këtë planet
me jetë
dhe pa jetë.
FOTOGRAFIA
Kemi qenë kaq të rinj të dy.
Kaq të njomë. Kaq të freskët.
Ishim dy buzë e dy sy
të mbështjellë me buzëqeshje.
Fotografi ynë nuk jeton më.
Ishte plak dhe i shurdhuar.
As fotografia nuk kishte zë,
Por frymëmarrjen e ka inçizuar.
Aparati i vjetër shumë ish.
Nga ata që muzeve pushojnë.
Fotografi s’ kishte nevojë për blic,
Shkrepi dashuria jonë.
JEHONA
Jehona e zërit tënd
në gjoks më kumbon,
rrahjet e zemrës sate i ndiej
me majën e gjshtave
mbi lëkurën tënde të ngrohtë,
dy zemrat tona
të buta si dhimbja
i bien këmbanës
së lashtë të dashurisë,
po ato shtatë nota
të lashta sa bota,
po ai tingëllim hyjnor,
vetëm aritminë çapkëne,
të beftë,
tërë jetën
nuk e shmangëm dot.



