Kreu Arte pamore Vangjush Saro: Tregu, e vërteta për artin

Vangjush Saro: Tregu, e vërteta për artin

Në këtë temë, ka mendime të ndryshme: asi që anojnë pastër nga krijimtaria, pavarësisht fatit të saj, por edhe të tillë që ia japin përparësinë tregut; me të drejtë. Duhet ta shohim të vërtetën në sy: Një krijim artistik përbën arritje kur përmbushen disa kuota, ndër të cilat më të rëndësishmet janë: gjetja artistike, vlerësimi nga Kritika Letrare dhe, më në fund, Tregu. Në shumicën e botimeve të huaja, në shënimet që përcjellin veprat, vihen në dukje pikërisht këta tregues. Pra, jemi të detyruar ta pranojmë – jam shprehur edhe në shënimin “Ka ardhur koha të vlerësojmë më shumë tregun” – ky i fundit përbën një nga të vërtetat kryesore dhe më të rëndësishme në letërsi dhe art. Shpesh, ai nuk është në anën tonë, por s’duhet pasur frikë prej tij; thjesht, duhet përballuar.

Çfarë po ndodh realisht? Teknikat e reja përmes të cilave zhvillohet komunikimi, i kanë tronditur tregjet. Historia digjitale, sajimet elektronike, lehtësia e publikimit, ndjekësit anonimë, klikimet për pa lexuar asgjë, qasja në reklama dhe fitime marramendëse e ndonjëherë të pakuptueshme, ky është pak a shumë ‘skenari’ në ardhje. Libri-letër dhe arti i përcjellë në publik si më parë (po themi në kinema e teatër ose në salla koncertale apo galeri artesh) tash janë në vështirësi. Mund të thuhet se dy mënyrat e publikimit (të krijimtarisë) po ecin paralel, sado që versioni digjital fiton gjithnjë e më shumë terren. E vërteta është se shumë filma ndiqen pak, kurse raftet me libra (që nuk shiten) po krijojnë një botë pothuaj groteske.

Kam parë me kujdes një sërë shpalosje në këtë temë, për disa kohë. Nuk ka asnjë statistikë serioze (!) Megjithatë, përtej statistikave, që dikush e disa edhe i kanë dhe i kërkojnë, i shpallin – këtu përfshij edhe veten – problemi është që ne e kemi tregun copë-copë. Shpërndarja (distribuimi) apo çuarja në publik e librit dhe arteve të tjera, është në krizë, nëse nuk është fare. Libri nuk shkon në rrethe. Të mos flasim për komuna e fshat. Të mos flasim për vende të tjera ku flitet shqip. Botuesit, në masë, mjaftohen me 3-4 librari në Tiranë. Pikërisht pse kemi këtë ngërç, disa shtëpi botuese të njohura kanë krijuar (secila më vete) një librari (!) Por ka edhe më keq; një pjesë e botuesve ua japin librat autorëve (pra: vrisni veten!) dhe këta i dhurojnë ose i mbajnë në shtëpi, ndonjëherë bëjnë presion mbi libraritë që s’ua përfillin fare. (Shpesh dëgjon krijues që thonë se librin mund ta gjeni te kioska e Tutit ose të bregu i Cenit, ka madje që thonë… tek unë, pra, hajdeni t’ua shes… Ej, është komike nga çdo anë që ta kapësh.)

Panairet janë një mundësi që të bëhet diçka më shumë, publicitet e shitje. Ndonjëherë, ato vijnë si një dështim total; promovimet nuk u përgjigjen vlerave reale. Pa shkuar vetëm pak ditë, harrohen librat dhe, ca më keq, edhe fituesit. (Të mos kujtojmë pastaj që u thua botuesve: A je në Panairin e Torinos? Përtypen. Do jesh në Panairin e Prishtinës? Gëlltiten…) Megjithatë, kam lexuar se për ndokënd a për disa, panairet kanë shkuar edhe mirë. (Veç, nëse gënjejnë, si puna e atyre klikimeve të shtuara; dëgjoja në një TV për këngët e ndjekësit… kaq milionë aso… kurse shqiptarët bëhen a s’bëhen gjithë-gjithë nja 5 milionë, pa le që shumica s’duan t’ia dinë as për art e as për tallava.) Dhe meqë ishim te TV-të (qasja është në parim, jo si një përvojë e imja) ato luajnë rëndë për çdo ngjarje a marrëzi të politikës, ndonjëherë edhe të muzikës bastarde; sa për librin, e kanë interesimin të limituar. TV-të, mediat në përgjithësi, mund t’i jepnin një dorë Tregut; por në fakt, ato shpesh e konfuzojnë atë, sepse përzgjedhin nën një presion të pandërprerë dhe sipas shijesh që jo gjithnjë vlejnë.

Tregu është miku ynë; sot është bërë ‘armiku’ ynë. (Dhe prapë e them në parim, nuk dua të personalizohet; vetë mund të kem tjetër përvojë, që fundja s’ka rëndësi.) Tregu duhej të ishte ndryshe; dhe në këtë çështje, institucionet kanë përgjegjësinë dhe rolin e tyre. Por edhe kjo përgjegjësi është vetëm një pjesë e këtij rrëfimi; duam apo s’duan ne, libri, muzika, filmi, në një kuptim shesin veten. I them këto sepse – ka ndodhur edhe herë të tjera – kur publikohet ndonjë shkrim i kësaj natyre, të parët që vërsulen me komente dhe ankesa, janë autorë të cilët nuk gjenden asfare në publik. Dhe ata më kot ngarkojnë me përgjegjësi entet. Ka krijues që e dinë hapin e tyre, mbeten në suazën e përpjekjeve dhe kërkojnë ndihmë më shumë sesa japin mend. Por… një shumicë dalin me flamurin e të keqtrajtuarit, a thua këta po shkruajnë kryevepra dhe e kanë të tjerët fajin që s’u ecën. 

   E pikërisht, një nga problemet kryesore të artit e të tregut, është mbingarkesa. Ka një epidemi shkrimesh, poezish (me gjasë të tilla), librash, muzike, filmash, e kështu më tej. Në këtë epidemi, kryesojnë grafomanët dhe snobët, që janë njëlloj barre për artin, por edhe për tregun. Sado që ata mund të duken ndryshe, në fakt janë një pendë dhe po e konfuzojnë seriozisht lexuesin e po e trazojnë si kurrë më parë tregun; edhe pse rëndom shpërblehen me heshtje nga Tregu dhe nga Mendimi Letrar. (Pauzë: Kur themi Mendimi Letrar, nuk kemi parasysh çdolloj zhgarravitës; se shoh që përzihen ndonjëherë diletantë e asi që, përveç të tjerave, as shkollë e as formim letrar nuk kanë.)

Për fat të keq, në panoramën që po e vizatoj pa pikë dëshire, ka edhe shkrimtarë deri diku të njohur e që botojnë prej një jete, por nuk kanë lexues, s’kanë pasur asnjëherë, nuk dallohen për ndonjëfarë stili a veçorie; s’mund të thuash se nuk marrin vesh, por e kanë të pakët hapin. Por ka edhe më. Një koleg thoshte diku se… nuk shkruan për t’i shitur librat, nuk e ka problem (!) Kjo ‘modë’ është bërë pak rëndë tani. Nga njëra anë, pohojnë se nuk u intereson; por nga ana tjetër, bëjnë çmos për të publikuar krijimet, paguajnë botuesit, u luten kolegëve të shkruajnë ndonjë gjë për ta, duan të bien në sy me çdo kusht. Nëse nuk i shkruan librat (edhe) për t’i shitur, atëherë bëj si F. Kafka ose E. Dickinson, që e mbanin të fshehtë krijimtarinë e tyre. Përndryshe, jemi te Dhelpra që s’i donte rrushtë, se… ishin të thartë. Por nuk ka zgjidhje tjetër, arti s’bëhet për t’u mbyllur në sirtar apo në parashkallët e pallatit a të banesës. Krijimtaria i drejtohet publikut; çështje tjetër se jo çdokush e ka fatin të shkojë të publiku apo edhe që Tregu vetë, siç thamë, ka probleme të rënda.

Në një vështrim më paqësor, treguesi i shitjes së librave dhe i ndjekjes së artit në përgjithësi, mbetet një problem vetjak i çdo autori. Megjithatë, vlerësimit nga Tregu dhe nga Mendimi Kritik nuk i ikim dot. Për më tepër, statistika i kapërcen kufijtë e interesimit vetjak kur vjen fjala për institucionet dhe entet botuese; këta duhet të ndërrojnë fokusin. Është parë që në shumë raste, paratë e hedhura (ç’të hedhur se!) për disa filma, kanë shkuar kot. Filmat janë ndjekur shumë pak dhe këtu s’ke nga ta kapësh më parë problemin: Disa skenare janë të dobët, nuk thonë asgjë ose thjesht përsërisin traktate e debate politike, nuk krijojnë dot drama reale, romanca gjithashtu, u mungojnë karakteret, interpretimi është diletantesk, episodet janë të zbehta, shpesh tejet të ngarkuara me politikë e ideologji dhe nuk e prekin dot spektatorin, sepse fundja, ej, kolegë, jemi në film e jo në ndonjë konferencë apo muze historik…. 

Ka filma e krijime të tjera që janë viktimë e snobizmit të autorëve ose thjesht ofrojnë një rrëfim mediokër; ata i stisin gjërat për disa pak si vetja e tyre, kurse këto krijime lipset të bëhen të afërta për çdo lexues a spektator. Dhe çfarë ndodh më tej? Pasi e kanë botuar a shfaqur njëherë ‘veprën’ e tyre të pafat, autorët sërish bëhen dysh për sponsorizim, bien përmbys te ‘tetoja’ Ministri apo te ndonjë botues-mik që i ecën fjala, pastaj vuu paratë e taksapaguesve, dhe dikur, atë gjënë pa të ardhme e shohim të përkthyer… Kështu, edhe pse nuk ka gjetur asfare publikun vendas, e nisin tatëpjetë, a thua do të ketë më shumë fat në gjuhën tjetër. Por kujt i duhet kjo? Edhe nga ai ‘lëmë’, nuk ka të dhëna çfarë është korrur e shirë…

Përballja me lexuesit dhe spektatorët është një problem i hershëm; tash është bërë edhe më i ndjeshëm. Nuk është fundi i botës, por duhet pranuar që kur nuk kemi ‘katranosur’ gjë, lipset të jemi më modestë; ne dhe ata që na ‘mbulojnë’. Në këtë udhë, mendoj, duhen parë e ‘darovitur’ projektet, financimet, çmimet, vlerësimet. Madje, mund të duket një konstatim i ashpër, por duhet të kuptojmë se një krijim, për pa u vlerësuar nga Tregu dhe Kritika, nuk është ende krijim; është thjesht një dëshirë, një tentativë. Veças Tregu… e nxjerr zbuluar çdolloj loje, anësie a miqësie.

Në këtë ‘histori’ mund të ketë versione të ndryshme. Sidoqoftë, krijimtaria që sjell një gjetje dhe që, e thënë me njëlloj kakofonie, është realisht e realizuar, herët a vonë e takon edhe Tregun, edhe Mendimin Kritik. Ndërkaq, çdo arritje, edhe për pa u dalluar si e tillë, patjetër lyp përkushtim e vëmendje; sikundër ç’janë pokeri a grafomani, sigurisht do të ndjekin fatin e tyre të vështirë e nuk ka pse të brohoriten në mënyrë false. S’duhet nxirosur edhe më keq tabloja, që ashtu se ashtu është…  

Vankuver – Verë, 2023

Exit mobile version