Kreu Letërsi Bibliotekë “Valsi vjenez”, tregim nga Muç Xhepa

“Valsi vjenez”, tregim nga Muç Xhepa

– Po shkruaj për jetën e inxhinierit Selim Zyma, kushëririt tënd. Kur të jesh i lirë shkojmë në Tiranë të flasim me vajzën e tij. Dua të saktësoj ca gjëra, – më thotë Kujtim Bevapi, drejtori i bibliotekës së Elbasanit. Jemi miq të kahershëm.

– Shkojmë të dielën.

Pranverë. Aromë lirie. Ata që kanë lyer duart me gjak – Sigurimi i Shtetit – janë arratisur në Çamërinë e pushtuar pas Luftës së Dytë Botërore. Njaaaerëzia thonë se janë nën mbrojtjen e Asfalisë. E tmerrshme kur mendon që Sigurimi i Shtetit ekzekutoi qindra shqiptarë të pafajshëm nën akuzën: “agjentë të Asfalisë”.

Pranë urës së Zaranikës qëndrojnë në pritje disa mikrobusë të vjetër. Të blerë dorë e dytë apo e tretë në Itali. Shoferët, që dikur punonin me taksitë e shtetit, tani kanë dalë privatë. Afrohet një i njohur i Kujtimit.

– Ejani tek unë! Na duhen dy të tjerë dhe menjëherë nisemi për Tiranë.

– Të presim për dy pasagjerë, do të thotë të rrimë edhe një orë këtu.

Kujtimi nguron.

– Hajde! Dil prapa! – i drejtohet shoferi një djali në sediljen e parë.

– Mos ma prishni! Uluni në dy vendet e para!

Aeroporti i Budapestit “Ferihegy” gumëzhin nga udhëtarët, që lëvizin brenda kampit socialist. Në daljen qendrore po pret një punonjës i ambasadës austriake. Është i shqetësuar. Gruaja nga Tirana nuk duket gjëkundi. Shkon të pyesë sërish punonjësin e informacionit.

– Po! Hilda Zyma, me linjën e Malevit nga Republika Popullore e Shqipërisë, e ka kaluar kontrollin. Shikoni në sallën e pritjes!

Diplomati kërkon me sy. Fotografia, që i treguan në ambasadë, nuk i shëmbëllen me ndonjë grua në sallë. Duke i buzëqeshur, afrohet një hije. Nuk i është ndarë që kur ka ardhur në aeroport.

– Ajo plaka atje! – tregon me gisht dhe largohet “syri vigjilent”.

Ulur në fundin e radhës së karrigeve gri të errët, është një plakë e kërrusur. Veshur me kostum të kaltër, të zbardhur, të gjerë për trupin e saj të rrëgjuar. Moda e viteve dyzetë. Nuk i shkon me moshën.

– Zonja Zyma, mirë se vini! – i shtrëngon dorën e tharë.

Hildës i mbushen sytë me lot. Fjala zonjë i duket prej një bote tjetër. Ajo nuk ekziston më. E shembur njëherë e përgjithmonë. Kërkon ta falënderojë. Fjalët i mbyten në dashurinë që ka lënë pas. Vajzën, Ismeten, e ka rritur me thonj. Ngrënë e pangrënë. Punë të rënda. Jetë kasolleje, me çati e derë llamarine.

Mbi atë llamarinë të ndryshkur trokitën një natë dimri të acartë dy oficerë të lartë të Sigurimit të Shtetit. Ajo nuk ua hapi. E mbante me të dyja duart, fort. Kishin tentuar edhe herë të tjera. Ishte metodë e mësuar nga Beria, shefi i Sigurimit të Shtetit të BRSS-së, babai i përdhunimit. Në shoqërinë e re të klasës punëtore e fshatare, përdhunimi, instikti i njeriut të ri, ishte arma që përdorej kundër klasës së përmbysur. Oficeri më i bëshëm në trup e hapi me forcë.

– Dëgjo ti, e huaj! Partia ta ka shpallur burrin…- Hilda shtrëngoi Ismeten e vogël në kraharor. – … të pafajshëm.

Hildës i ra të fikët.

Diplomati austriak e mban prej krahu, sikur ta ketë nënën e tij.

– Zonjë, nuk ndiheni mirë? Dëshironi të pushoni pak në ambasadë?

– Dua të nisem. Ta shoh para se…! – fshin lotët me duart që i dridhen.

– E kam këtu, – diplomati i jep biletën për në Vjenë.

Avioni ngjitet mbi re. Hilda mbështet kokën prapa. Mbyll sytë.

– Mami, mami! – Ismetja e vogël e tërheq nga dora.

Është hera e parë që i lejojnë të takohen me Selimin. E rrëmbyen natën. Akuza: sabotator. I vunë prangat në duar inxhinierit topograf Selim Zymës, që kishte punuar për caktimin e kufijve të vërtetë të Shqipërisë, në vitin 1942. U përpoqën serbët ta vrisnin, ashtu si edhe një palë pushtuesish të tjerë që kishin vrarë gjeneralin italian Enriko Telinin, kryetarin e Komisionit Ndërkombëtar Kufi-përcaktues mes Shqipërisë dhe ardhacakëve të përtej detit Mesdhe. Gjenerali kishte futur brenda kufirit të Shqipërisë Janinën dhe pjesët e tjera të Çamërisë. Me duart e pushtuesve të rinj, “bijtë e Stalinit”, serbët ia arritën qëllimit.

– Mami! Këtu do të dali babi! Hajde! Afrohemi te dera!

– Qëndroni aty ku jeni! Takimi sot është vetëm me të parë. Do t’i shikoni armiqtë në dritaren e katit të dytë.

Polici largon me të shtyrë disa gra të moshuara, që mbajnë në duar boçe me ushqime.

Fillojmë të ngjisim Krrabën. Pa vajtur te Ura Trembëdhjetë, ndërsa zbret marshin me të kërcitura, mikrobusi bën prapa.

– Një muaj kam që e ndërrova dreqin e freksionit. Do ta ketë vendosur të përdorur, – flet i trembur shoferi.

– Hajde gjeje këtë punë, – thotë Kujtimi. – Paratë t’i marrin për të ri.

Rruga është e ngushtë, me dredha, e ndërtuar para Luftës së Dytë Botërore. Pak është vënë dorë për ta mirëmbajtur. Qarkullimi është shpeshtuar dhe në kthesat e shumta, pa pamje, fare lehtë mund të ndodhin aksidente.

– Ja këtu ra një opel dje, – i tregon gruas që ka në krah, vajza prapa nesh.

Poshtë, në faqen e shkëmbit, rri ngecur në mes shkurresh një opel i shtypur në pjesën e përparme. Lutemi të mos ketë pasur viktima. Në Tiranë arrijmë rreth orës njëmbëdhjetë. Shoferi ndalon prapa Piramidës. Marrim në këmbë rrugën për te shtëpia e Ismete Zymës. Është në pjesën e bulevardit, pranë stacionit të trenit. Derën e apartamentit e hap vetë Ismetja. Takohemi me mall. Është disa vite më e madhe se nëna ime, por kanë shkuar shumë. Ka ardhur edhe te “Banesat” në Elbasan, ku na kishin degdisur pasi na rrëmbyen shtëpinë.

– Ylli nuk do të vonohet, doli për të bërë pak pazare.

Ylli Kostreci është bashkëshorti i saj dhe kushëriri i mikut tim Uran Kostrecit. Njeri shumë i mirë.

– Rrimë në kuzhinë, jemi më rehat këtu.

Ulemi në divanin përballë bufesë, ndërsa Ismetja afron një karrige dhe ulet pranë nesh. Bisedat zënë njëra-tjetrën. Kujtimi e falënderon për mikpritjen dhe informacionin.

– Porsa ta botoj, do t’jua sjell vetë në Tiranë.

– Të falënderoj me zemër në dorë, – Ismetja e përqafon. – Je i pari që po shkruan për babanë tim.

– Me inxhinierin Selim Zyma krenohet jo vetëm Elbasani, por e gjithë Shqipëria, – flet i emocionuar Kujtimi.

– Vajta me mamanë ta takonim, – fshin lotët. – Në dritaren e burgut bënte me dorë një plak me mjekër të zezë, të madhe…

Shkundet me ngashërim.

– Më falni! thotë e pret të qetësohet. – As mamaja nuk e njohu, – fshin sytë. – I dukej i huaj. Jo njeriu që kishte dashur më shumë se jeta. “Selim! Selim!”, thërriste. “Jam Hilda!”, ndërsa babai na puthte me dorë. “Është Ismetja!”. Ai vazhdonte të na puthte. Nuk e lanë. E tërhiqnin nga prapa. Mbahej fort te hekurat e dritares. E morën. E pushkatuan.

Heshtje.

Stjuardesa pyet Hildën nëse dëshiron të pijë diçka. Ajo e refuzon me një tundje të lehtë të kokës. Mbyll sytë përsëri.

Ditëlindja. Ishte ftuar edhe një djalë i ri, student i inxhinierisë.

– Selimi është i zgjuar, i pashëm. Kam frikë se do të ta rrëmbejë zemrën.

– Baba, unë jam e rritur tani. Tetëmbëdhjetë. Pastaj e kam takuar edhe herë të tjera.

– Të paska lënë gjurmë!

– Është nga një vend i vogël. Kemi lidhje gjaku me ta. Princ Vidi quhej mbreti i tyre. Albania.

Hilda hap sytë. Zonja që është ulur pranë saj në avion i buzëqesh.

– Isha në ëndërr.

– Me siguri e bukur, sepse po qeshnit.

– Si ëndrrat.

– E humba fare. Ylli po vonohet. T’ju nxjerr pak raki dhe diçka për të ngrënë.

– Faleminderit, – thotë Kujtimi, – kafeja mjafton.

– Mbas lajmit që morëm për pafajësinë e babait, nëna u përpoq të kontaktonte me përfaqësuesit e ambasadës austriake. E pengonin. Një ditë arriti të takojë konsullin austriak. Ia tregoi të tërën. Ai premtoi se do të na merrnin në Austri. Nuk ndodhi ashtu. Tirana komuniste lejoi vetëm nënën. Mua më mbajtën peng këtu. Në Austri vajti te vëllai im, më i madh në moshë, Veri. Tani, siç e shihni, pas ndryshimeve, do të shkojmë edhe ne si familje.

U ndamë me Ismeten, duke i uruar udhë të mbarë. Rrugën për te “Piramida e Djallit” e bëmë pa folur. Ishim prekur thellë.

– Tani, Valsi Vjenez! Çiftet të zgjedhin partnerët, – na ftoi babai. Eh, i dashuri baba! Nuk të dëgjuam. “Po shkoni në strofkën e ujqve”, na këshillove. Ishim të rinj plot ëndrra. Selimi donte që Shqipëria e vogël t’i ngjasonte Austrisë.

“Do ta bëjmë! S’i mungon gjë”, më mbulonte me të puthura. “Është e pasur me minerale, njerëz… e bekuar nga Zoti natyra e saj.”. Po ujqit, Selim, rrinin gati për të shqyer.

Vajzat rendën te partnerët. Mua këmbët… drejt Selimit.

“Zoti Zyma, princesha e mbrëmjes ju zgjodhi juve. Jeni me fat!”. Babait i shkëlqenin sytë. E vlerësonte krenarinë dhe burrërinë e Selimit.

– Zonjë, avioni ka ndaluar.

– Më falni!

I tërë bagazhi i Hildës është çanta e dorës që e ka qepur vetë. Shoferit të taksisë i jep adresën dhe mbështet kokën në xham.

– Në modë ishte vallëzimi me trupat pranë, “International-style Viennese waltz”. Gjatë çdo rrotullimi, kontakti i trupave rriste ndjenjën që kishim për njëri-tjetrin. Dora e djathtë e Selimit vendosur në shpinën time; dora ime e majtë mbi supin e tij të djathtë. Dy duart e tjera kapur pranë lartësisë së gjoksit. Kur më takonte, një zjarr më digjte përbrenda.

“Të dua…”, më tha, “…më shumë se jetën time!”. Vendosa kokën pranë zemrës tij.

– Zonjë, arritët te shtëpia, – dhe shoferi hapi derën e taksisë.

Selim Zyma

Exit mobile version