Kreu Letërsi Bibliotekë Valbona Quku: Fustani andrrimtar (tregim)

Valbona Quku: Fustani andrrimtar (tregim)

Sorrento ishte në krye të listës së shkurtë të vendeve ku do ndalonim. Rruga drejt qytetit bregdetar ishte e ngushtë, mjaftueshëm vetëm për nji makinë me kalue, e kur dy gjindeshin përballë me njena- tjetrën, njena duhej ndalue që me i bâ rrugë tjetrës. Ndërkohë pemët e limonit dhe lule vilet i banin karshillëk njena- tjetrës, tue i lanë radhën vetëm panorames së fragmentueme të rivierës madhështore që të jepte përshpypjen e kuadrove të nji filmi në mes sfondit të blertë.  Nga sheshi i poetit merrnin fill dy rrugët kryesore të qytetit, aq të ndryshme në përmbajtje, por në vlerë mase të barabarta. Njena e ngushtë dhe plot me dyqane të vogla artizanale, ku spikasnin limonçelo, çokollata dhe salcat me tartuf, si produktet mâ në zâ. Tjetra ma e gjânë, me restorante, dyqane e galeri me karakter dhe identitet të përcaktuem, ku grupe turistësh e vendasish përziheshin kândshëm pa ia vra pamjen njeni-tjetrit. Dikush luente në violinë, dy vajza të vogla vallëzonin të magjepsuna nën tingujt e saj. Ma andej dikush ofronte drandofila, petalet vishnje me ndonji damar të zbehtë lilak nëpërte përfundonin me buzë të dredhuna ngjyrë rozë antike. Nën rrezet e fundit të perëndimit, ngjyrat ekzotike dhe aroma e luleve përzie me puhizën e detit të joshnin pa kuptue. Zâni i kishte dalë edhe për fustane verore të nje cilësie të veçantë, në qoftë se don me ble nji fustan, Sorrento ishte vendi i duhun. Sytë shëtisnin me ândje e kërshëri tue hjedhë mbas vetes nji tufë me “sikur”, që valviteshin si flokë të gjata të cilave ia ndjen peshën, ndërsa formën dhe karakterin ia len vecse imagjinatës.

Nji dyqan i vogël me motive dhe ngjyra të ndezuna, ku mund të dalloheshin elemente spanjolle apo kaliforniane ia bani me sy mikes sime.

-Mire…vetëm 5 minuta. I thashë tue luejtë, vetëm sa me ia kujtue.

Kishim ra dakord nuk do të harxhonim shumë kohë në dyqane, asnjena nga ne nuk kishte diçka të veçantë në listën për me ble. U rrotulluem nja dy herë në dyqanin e vogël tue admirue ngjyrat dhe tekstilet me cilësi në të njëjtën kohë tue murmuritë fjalë përkëdhelëse, që mbërrinin edhe në veshin e zonjës së dyqanit, e cila që ndronte ulë pranë tavolinës së saj. Në momentin që na filluem të veçonim preferencat tona, tue prekë me dorë copat e mëndashta të fustaneve, zonja u afrue mjaftueshëm tue kenë e gatshme për me sqarue ndonjë mëdyshje apo kuriozitet tonin. Mikja ime kishte marrë në dorë nji fustan, ku mbizotnonin figurat gjeometike, ndërsa unë e drejtova shikimin te nji fustan me drandofila të kuq, me jakë dekolte dhe të premë në bel, që vinte tue u zgjanue në fund tue formue nji klosh të theksuem, ishte modeli jem i preferuem…papritë ndigjova zânin e sigurtë të zonjës “ai fustani tjetër, ai âsht për ty.”

E shikova me kujdes, ishte nji fustan që nuk binte në sy, me ngjyrë perle ku pushonin të shkujdesun lule dhe flutura shumëngjyrëshe, prej larg me nuancat e turbullta të jepte përshtypjen e nji fustani të harruem në andrrën e tij…

-A don me e provue? Ky fustani ka me kenë perfekt për trupin tând…

-Po por n’ fakt nuk kena shumë kohë, për 7 minuta na presin te sheshi…

U përgjigja e pasigurtë, nëse deshta me të vertetë me e provue, në të njajtën kohë duke prekë fustanin që rrëshqiti mes gishtave tue marrë me vedi vështrimin tim gjithnji ma kurioz.

Zonja e dyqanit u zhduk në shkallat e rrumbullakta, që të çojshin n’katin e nëndheshëm për me u kthye veç mbas pak me fustanin në numrin e duhun, të varun n’varësen e drujtë.

Tue u veshë nën asistencën e zonjës çdo pullë, që ajo mbërthente, dukej sikur merrte nga nji zonë pronësie në trupin tem të ngrim. Për çdo rrudhë që krijohej, nji prekje e lehtë e duerve të zonjës në vendin e duhun bante që ato me u zhduk përfundimisht. Ajo dinte me saktësi ku me e tërhjek fustanin e ku me e shtërngue rrypin. Në të njajtën kohë, ajo shpjegonte me kompetenca të plota, se si ishin dy fustane në nji, tue vue në dukje cilësitë e vlerta dhe sidomos sa i rehatshëm ishte n’ trup, gjithashtu me fjalët e duhuna tue theksue sa bukur më rrinte, e kënaqun që konstatimi i saj i maparshëm ishte ma se korrekt. Mâ në fund ajo mori shallin që vinte si pjesa e tretë e fustanit, e tue ndje hezitimin tem me u përkul dhe me e vue në flokë, ma vendosi rreth shpatullave tue e lidhë lehtësisht pa e mbulue jakën e vogël me dy-tre pullat e hapun. Vetëm për pak minuta, kjo grue me shtat të vogël e n’moshë të thyeme fitoi vëmendjen teme të plotë. Kisha mbeta pa lëvizë para pasqyrës, nuk mund ta besoja sa mirë me rrinte ky fustan, tue mbulue të gjitha difektet e tue theksue të gjitha harqet e duhuna. Fëtyra jeme pak e skuqun prej diellit t’Kaprit, e flokët e shpupurishuna nga shëtitja në anije ishin e vetmja gja që mund të permirësohej, çdo gja tjetër ishte perfekte. Kapa me dorë në të dy anët fundin klosh me përmasa jo të zakonta e i çova sipër kreje, e vetmja gja që i bânte drejtësi këtij fustani ishte nji vallzim cha-cha-cha, të cilin e provova me përvujtni vetëm për disa sekonda. Nji ndjenjë e pazakontë më kishte pushtue të gjithën, mendimet ndrroheshin me njeni- tjetrin si të çmendun, ndjesia e perfeksionit më kishte paralizue gjykimin. E vetmja gja që kishte kuptim ishte me pranue faktin, kisha gjetë fustanin perfekt, e duhej ble në kundërshtim me mendimin pararendës, që kisha para se me shkelë në dyqan.

Ndërsa po rrotullohesha para pasqyrës pyeta e shkujdesun:

-Quando costa?

Nji shifër e pabesueshme erdhi në nji italisht me dialekt napolitan…Tue mos i besue veshëve pyes miken teme këtë herë në shqip:

-Çka thotë, sa kushton?

Shifra përsëritet tashma qartësisht në shqip. Tundimi âsht i fort, si mundesh me lânë pa ble nji fustan që duket sikur asht shndrrue në lëkurën tânde momentin e parë që ka takue trupin.

Po sa mund ta përdorja unë fustanin, ai nuk ishte nji fustan çfarëdo. Ai në fakt kishte nji personalitet krejt t’veçantë, ai nuk mund t’u kombinonte me diçka tjetër me dhânë stile të ndryshme, nuk mund të ishte shum luks, ose praktik…, ai kishte vetëm “atë” nji personalitet krejt të veçantë, t’adhurueshëm që kishte diçka unike në mënyrën si ishte ideue. Materiali ishte ai mâ eleganti, por edhe ma i durueshmi, nuk ishte e lehtë me e coptue…, hahaha, sa e marrë jam pse më shkon mendja se dikush mund të dojnë me e shkatrrue, ose me marrë vetëm nji copë prej kësaj krijese t’ mrekullueshme. Vlerën fustani e kishte vetëm kështu siç ishte, e kjo e bânte të vështirë me e vesh shpesh, apo edhe rrallë në ngjarje të rândësishme aty ku të  gjithë hapin sytë me pa kush ia kalon tjetrit me imagjinatë e me veshje të veçanta e klasike. Diçka u krisë në krahnor, zemra filloi me rândue, ndesha papritë sytë e mikes, që priste me kuriozitet vendimin tem. A do isha n’ gjendje me lânë diçka që ishte e jemja tashma, edhe pse akoma nuk e kisha pague. Mundësia me e ble ekzistonte, madje ishte krejt reale, por a ishte ky vendimi i duhun?!

Nuk kisha kohë, tue e zhveshë fustanin shoh për firmën prodhuese, vetëm nji S të madhe shtypit munda me dallue, pjesa tjetër ishte me shkronja të vogla, që nuk munda me i lexue pa gjyslykë. Duhej marrë nji vendim, e nuk ishte nji vendim qe mund tu merrte për 5 minuta.

-Nesër jena përsëri këtu, po mendoj e po vendos deri n’mëngjes. A mund ta di si i keni oraret?

-Ne hapim me siguri në 11.00, por nuk i dihet kur mbyllim, ajo âsht n’ varësi të klientave. Fustani perfekt do jetë këtu tue pritë për ty, vazhdoi zonja napolitane…

E lashë fustanin n’ varësen e tij pa ia prishë bukurinë, për me marrë me vete nji kujtim perfekt, që edhe nji fotografi e shkrepun me celular mund t’ia kishte rrënue. Nuk e di a ishte realitet, apo vetëm nji ândërr, sepse vetëm ândrrat munden me kenë aq perfekte…Apo sikur tha mikja jeme:

    “Ai nuk âsht nji fustan për me kenë në qendër të nji eventi, âsht fustani që mundet me veshë artistja kryesore e nji filmi, me partner nji aktor të famshëm në vitet 60.”

Ajri i freskët i mbrâmjes na rrahte fëtyrat pa bëza, vetëm frymëmarrja e shpeshtë u ndigjonte tue kapercye zhurmën e lehtë të hapave, që shpejtonin me zanë autobusin. N’krahnor më pluskonte voktësia, që fustani ngjyrë perlë kishte harrue n’mue.

Shkodër, 17 Mars, 2026

Exit mobile version