Kreu Letërsi Bibliotekë “Trishtimi në heshtje”, poezi nga Stefan Martiko

“Trishtimi në heshtje”, poezi nga Stefan Martiko

THUNDRAT

Jam rrëmujë sapo zbres
Poshtë vetullave sytë ruajnë
Vështrimin e largët dhe
Buzët e mbyllura tregojnë
Që s’ishte hapur ende
Shpella. Nuk jam i bukur
Por kam kapur në çaste
Mendimin dhe nuk ia shoh
Në sy por
Vetëm mjekrën që dridhet
Më poshtë s’ka më asgjë të
Veçantë një trup që zbret
Poshtë e më poshtë deri
Te thonjtë ku shoh kalin
Tim t’i zhvokshen thundrat

10.6.06


NË ULËZ

Në Ulëz litari i këputur
I pasarelës. Dhe ai imazh
Turbullues që zhduket në një tunel
Po pse Ulza dhe jo një
Peizazh tjetër.Malet si thikë
Ngado që rrotullohesh pjesët
E tepërta t’i presin. Skena
Që njësoj si e Andeve ku
Po presin shqiponjën për
Vizitë prej mërzisë indianët
Edhe pse shqiponja e tyre
Para një shekulli
Mund të kishte vdekur
Ajo kësisoj s’kish qënë kurrë
Kohë reale por frigorifer i saj
Në Ulzë midis greminave
Dhe liqenit të mos
Jetosh tërë kohën por
Vetëm copëza të saj

26.5.06


ÇKA ËSHTË PËRHERË E PAMUNDUR

Nuk kam qejf për të shkuar
Më Venecia veç uroj që ta shoh
Përsëri në një ëndërr. Sepse nuk i
Kapërcej dot pengesat e nga
Shtrëngimi të bëhem zog nëpër
Qiej. Venecia mirë është aty
Ku është dhe qoftë
E bekuar duke më bërë
Përherë ftesa me gondolat
E saj si Mona Lizë ku në
Trishtimin e saj të tërë
Do të mbyten

12.5.06


LEJE PËR DËNIM ME VDEKJE

Vetëm sa për të dalë shëtitje. Nuk
Qe vetëm shëtitje. Ishte nevojë
E sforcuar për të parë
Si kënetës po i thahej shpirti. Dhe si
për detin ti atë çast po vdisje
Duke dalë në shëtitje mikun
E largët në horizont mund ta
Shihje. Dhe gjithçka tjetër që
Ta kishin grabitur si pershembull
Lejet për dënimet me vdekje që
Aq shpesh jepen për të vdekur
Jo si hero por si krimb
Qyteti

14.6.06


PREJ ILUZIONEVE E LAVA FYTYRËN

Unë jam mik i malit në dimër
Kur ai është vetëm me
Borën me ujqërit që ulërijnë në
Një lloj skllavërie e hanë nën
Borë veten. Dimri e kish
Ngulur flamurin në majën e
Hekurave e s’doli asnjë
Guximtar që flamurin ta shkulte
Vetëm unë isha nisur ngadalë-
Ngadalë dhe më larg m’u shfaq
Një pasqyrë e madhe që
Ishte Jezerca. Aty u pashë
Dhe lava fytyrën prej iluzioneve
Sepse maja ishte edhe më
Larg dhe zbrita bashkë me
Urinë e ujqërve

11.5.06


EMRI I GURIT

Mjete si pershembull sëpata kanë qënë
Mendja jonë edhe kur ishin prej
Guri. Koha në mes që na
Braktisi neve dhe mori
Emrin e gurit. Por as kafkat
Tona që me tru të freskët
Çdo shekull do të mbushen
Lëngjet që rrodhën shkërmoqën
Gurin e bronzin hekurin e
Derisa erdhi pika më e
Ndritshme ku çdo gjë do matej
Me shkëlqimin e floririt

11.5.06


DHIMBJE

Shkruaj në dhimbje e në gaz vdes
Atë që më sulet i jap mishin tim
E ushqej në një koritë gjaku pi
Dhe dehet. Një gurgull burimesh
Të largët më lajmërojnë për
Pranverën atëhere mishi fijëzohet për
Të thurur lulet e veta dhe nëpër
Petalet e hapura hyjnë ëndrrat
Me të cilat truri im ushqehet

11.5.08


SYRI I KALTËR

Afrohu dhe zhvishu fletë-fletë
Si pema dhe më trego ku është
Syri i kaltër i gjakut Atje ku
Turbullohemi dhe lëvizim për
T’u kthjelluar ku të ecim nën
Emrin e Bistricës ku metafora
E lumit vërtet mund të
Njolloset por brenda e ka
Syrin e Kaltër

6.6.06


NË DHOMËN E VOGËL

Sa pak e shumëzojmë veten
brenda dhomës së vogël
Nuk hapet asnjë vrimë nga dëshira
ku shumëzuesi të takohet
me herësin
Sa i vakët vrulli për t’u
përplasur me xhamat
Orët janë mbyllur brenda
ditës dhe minutat brenda orës
Në det niveli ra dhe një milimetër
Kali i parë i garës e uli
shpejtësinë dhe unë mbeta
vetëm. Pa tokë nën këmbë. Tani
shpejtësia bënë vorbulla në
dhomën e vogël

23.1.02


LUGETËRIT E PUSHTETIT

E gjallë në të çelur fytyra e
saj ia vlen si freskore
të pastrosh ajrin prej vetes zymtësinë
si plehu ta mbjellësh me një
bimë të tillë prej ku përherë
nisin marshimin ushtritë e të
gjelbërve. Me këta pushkatarë
si kukulla s’di si të sillesh
vetëm duke varur medalionin
e fytyrës tënde në jakë të
xhaketës për të ttembur
lugetërit e pushtetit që kanë
një milion mënyra
për të ngrënë njerëz
dhe Zeusi u shkulë mjekrën
që për zakon perëndive
u rritet

29.6.07


TRISHTIMI NË ECJE

Unë nuk i njoh elefantët me
peshën e rëndë mbi vete sikur
i mbyt trishtimi në
ecje. Në se dhe mendimi ka
këtë peshë mençuria si lule
do çelë pas një shekulli
Shumë mish dhe
kocka të rënda dhe tërë kjo
administratë shtetërore që i
shërben një mendjeje
kaq të vogël

11.6.07


SHPIRTI I TOKËS

Duke e çarë me plug
toka sikur nxirrte dritën
e hënës- një avull i lehtë
me një aromë të lashtë buke
Ati i atit të atit një psherëtimë të
thellë kish mbjellur brenda. Në
orën 5.00 të mëngjesit plugu
nxirrte nga toka hënën dhe
psherëtimën e ngrohtë të një shpirti
Ati im kish qënë kalorësi i
fundit dhe koha mbi tërë ne
kish qënë një grua që si pemë
veton edhe sot te bregu i lumit

16.1.04


NËPËR ANË

Nuk po kujtohesha ç’kisha tjetër
në anë. Kur përpara me asgjënë tjetër
fari nuk të shpëton
në çastin e mbytjes. Ai është paraçasti
Cigaren kërkoja dhe
trupin tënd të bardhë që një kohë tjetër
e shndërroi në statujë
Në anë kishte ca
mbeturina që më pas
do t’i hanim të uritur. Prostitutën
e parë të shëmtuar në anë të rrugës
dhe mllefin për tërë
taksixhinjtë e botës që për të
lozur me vetminë të kërkojnë
10-fishin e çmimit.Në anë
tani jam gati të ha veten
klithmën e fundit të shprehjes
Nëpër anë ku boshatiset më
shpejt tryeza dhe dëgjohet
fjala e fundit e mençur
Në anët boshe që i braktisën
si provincë dhe po rendin
drejt qendrës

15.2.03

Exit mobile version