Kreu Letërsi Bibliotekë Tri tregime nga Neviana Shehi

Tri tregime nga Neviana Shehi

DIALOGU ME TROFTËN

Mbi pllakat e lëmuara të gurëve të lumit malor, kishte mbetur vetëm përpëlitja e lehtë e troftës së vogël dhe çudia e syve të mi të pamësuar ndonjëherë me pamje të tilla.

Një grup pishash ardhur nga pylli pranë, lëvizën befasisht trungjet e tyre të drejtë dhe nisën të nxitonin drejt lumit. Ishte një skenë që mund të kishte ndodhur vetëm në ndonjë fletë përrallash të vëllezërve Grim ose në vargjet lirike të ndonjë rapsodi vendas. Por, ja që çuditë nuk quhen më kot çudi. Dhe ndodhi vetëm para meje dhe syve të troftës së vogël të lumit, ndërkohë që ne ishim duke folur me njëri tjetrin. Ishte mesdita kur toka avullonte dhe shfrynte nga zhegu para syve të mi mirazhet që zëvendësonin njëri tjetrin.

Kjo ishte arsyeja që unë nuk po i besoja syve kur i pashë brenda ujit të kaltër. Të gjata dhe të drejta, siç dinë të jenë, vetëm ato e veshin lumin me një nur të paparë dhe tundin degët e hijshme plot gjethe dhe gëzohen si fëmije të vegjël (njësoj si unë kur isha e vogël).

Ndoshta vapa e madhe, ndoshta ndonjë mrekulli i kishte bërë ato të mblidhnin rrënjët nën vete dhe të përqafoheshin me ujërat. Oh, ishte një përqafim i bukur, më shumë se i bukur, siç shprehej një mikja ime që s’bënte dot pa superlative kur shihte ndonjë pikturë.

-Mos u habit, – më tha trofta e vogël bashkëbiseduese, – këta vijnë përditë këtu dhe ne mrekullohemi me këtë shfaqje drurësh.

Atë çast m’u kujtuan sërish vëllezërit Grim dhe m’u krijua bindja se ata nuk mund të ishin aq përrallëtarë sa i mbanin, por njëherësh m’u krijua dyshimi se këto pisha dikur mund të kenë qenë vajza të bukura dhe ndonjë magji mund t’u këtë dhënë pamjen e drurëve të tanishëm.

Skena e krijuar përpara meje besoj se m’i jepte të drejtë fantazisë, prandaj dhe s’më vjen zor që ta shpall këtë gjë para jush.

Unë dhe trofta e vogël dje ishim spektatorë në brigjet e një lumi të vogël ku drurët rikthehen në vajza që notojnë…


UDHËTIMI PËRTEJ DETIT

 Në rrugën drejt viseve të mia të përtej detit, njerëzit që takova mbanin në duar nga një erashkë verore dhe nga një algë të tharë nga vapa. Shumica kishin dalë nga hijet e tyre dhe shenjat e dritës vetëm sa ju shkaktonin alergji në lëkurë.

-Mirë se erdhe në vendin e hijeve, – më pati thënë kapiteni i anijes, me të cilin po udhëtonim.

Në atë vend distanca mes tokës dhe diellit ishte më e largët se kudo tjetër, e megjithatë bënte nxehtë, shumë nxehtë.

– Kjo gjë na ndihmon t’i avullojmë mendimet, – pati folur sërish kapiteni.

Herë – herë frynte një erë e butë. Pulëbardhat në çast ngriheshin nga vetmia e tyre për t’i zgjuar varkëtarët që kishin mbetur, sepse, siç thoshte kapiteni, varkëtarët këtu i hanë dallgët ose i ha bregu matanë.

Atje dukej se të gjithë diejt qëndronin me një këmbë mbi tokë, e me këmbën tjetër andej përtej dallgëve, përtej sirenave dhe këngëve të tyre joshëse.

Çdo mbrëmje binin ca shira të çuditshme dhe fill pas tyre njerëzit merrnin trajta liliputë. Pikërisht këta mbanin erashka verore dhe alga të thara.

Udhëtimi akoma nuk ka përfunduar…


 KORNIZAT E QIELLIT

Ka kohë që qiejt e mi kanë nisur të luajnë me errësirën dhe drita e tyre më ngjan e zbehtë. Çdo natë ti ankohesh për mungesën e kontrasteve dhe kornizat e qiellit i sheh gjithnjë e më të ngushta.

Nga frika dalëngadalë kam nisur të prek trupin tim për t’u siguruar në është i imi vërtetë apo ka fluturuar në qiell. Mërzitem, sepse kam nisur të humb çdo ditë nga një drithërimë. Ndonjëherë retë e qiellit më ngjajnë si balenat e bardha orka dhe vështrimet e tyre enigmatike më shqetësojnë.

Edhe sot dikush m’i hëngri zogjtë postierë që ishin nisur drejt meje, dhe unë mbeta pa asnjë letër dashurie! Nostradamusi ka shkruar për ta (që hanë zogj) në faqen 2568 të librit të tij për kaosin. Dikush më thotë se terri ka pikuar nga ky libër, por unë nuk e besoj. Gjithmonë kam besuar se demonët dhe terri krijojnë njëri-tjetrin.

Për çdo ditë mundohem të flas me zogjtë e vdekur të fisit tim, por s’mund t’u nxjerr asnjë fjalë. Tashmë edhe të vdekurit kanë nisur të ankohen nga verbëria dhe pesha e pamjaftueshme e dheut mbi ta dhe kjo është tragjike. Akoma e shoh errësirën dhe plot drita që pipëtijnë me një dhimbje, kurse unë mendoj se ato drita në fakt janë shpirtrat e atyre që m’i kishin hëngër zogjtë postierë dhe që më lanë pa letra dashurie.

I dashur, ti ke të drejtë të ankohesh për mungesën e kontrasteve dhe ngushtësimin e kornizave të qiellit, atje ku ka fluturuar edhe trupi im…

Exit mobile version