Kreu Letërsi Shënime mbi libra Timo Mërkuri: realizmi magjik te një poezi e Sadik Bejkos

Timo Mërkuri: realizmi magjik te një poezi e Sadik Bejkos

BABAI NË MBRËMJE

Mbrëmja ha tinëz. Tej kafshon qafa malesh,
korijet, varganin e kodrave, udhët
dhe drurë që ende udhëtojnë
edhe tej dhëmbëve në grykë ujku të murrët.

Pemë kopshti tre metra më tej nxjerrin tym,
në pahun e tij mbështillen, që të mashtrohet mbrëmja.
Kështu një njeri lë mjekër e pandeh se ti nuk e sheh,
të shkon para sysh si i kycur,
si dera e mbyllur nga brenda.

Babai im plak nga larg më dërgon zërin
në telefon e fshihet tej nën linjat e hirta.

Nuk e dika ai që ende udhëton në enët e gjakut tim
nëpër fijet e flokëve të mi
gjer te rrënjët e thinjëta?


Sadik Bejko në poezinë “Babai në mbrëmje” nuk e kërkon magjiken në legjenda të lashta, në mite të harruara apo në vende ku realiteti humbet kufijtë e vet. Ai e gjen atë aty ku jeta duket më e zakonshme dhe, pikërisht për këtë arsye, më e mistershme: në një mbrëmje që zbret ngadalë mbi peizazh, në një zë babai që vjen nga larg përmes telefonit, në një mall që nuk pranon të mbetet vetëm ndjenjë, por kërkon të bëhet frymë, lëvizje dhe kujtesë.

Te Bejko, magjikja nuk është një dritë që vjen nga jashtë botës. Ajo ndizet brenda saj, si një prush i mbuluar nën hirin e ditëve të zakonshme, që papritur fillon të nxehë kujtesën dhe të ndriçojë atë që syri nuk e sheh menjëherë. Për këtë arsye realizmi magjik i tij nuk është arratisje nga realiteti, por hyrje më e thellë në të. Ai sheh përtej sipërfaqes së sendeve, atje ku errësira nuk është vetëm errësirë, ku pemët nuk janë vetëm pemë dhe ku lidhja mes babait e birit nuk matet me kilometra apo me vite. Bota mbetet po ajo që njohim, por papritur ajo hap një thellësi të dytë, një hapësirë të padukshme ku bashkëjetojnë kujtesa, koha dhe dashuria.

Kjo është arsyeja pse në poezinë “Babai në mbrëmje” magjikja vjen me të njëjtën natyrshmëri me të cilën bie mbrëmja mbi male. Fillimisht lexuesi sheh peizazhin, pastaj ndien se diçka po lëviz në thellësinë e tij. Mbrëmja fillon të hajë hapësirën, pemët përpiqen të fshihen, ndërsa zëri i babait kapërcen largësinë dhe vazhdon udhëtimin nëpër gjakun e të birit. E zakonshmja dhe e jashtëzakonshmja nuk përplasen me njëra-tjetrën; ato ecin së bashku, si dy rrjedha të së njëjtës lumë që herë duken të ndara dhe herë bashkohen pa u kuptuar se ku mbaron njëra e ku fillon tjetra.

Prandaj realizmi magjik i Sadik Bejkos nuk duhet kërkuar te mrekullia, por te thellësia. Ai lind në çastin kur poeti zbulon se jeta ka më shumë përmasa sesa ato që shohim dhe se njeriu bart brenda vetes më shumë kujtime sesa mund të rrëfejë. Pikërisht aty, në atë kufi të brishtë mes së dukshmes dhe së ndierës, mes asaj që ikën dhe asaj që mbetet, nis të marrë frymë edhe kjo poezi.Në këtë mënyrë, realiteti në poezinë e Bejkos nuk mbetet i pandryshuar: ai fillon të pulsojë nga brenda, si një jetë që zgjohet në heshtje.

1. Në leximin e parë, poezia të jep ndjesinë e një mbrëmjeje të zakonshme. Një peizazh që po errësohet ngadalë, një baba i moshuar që telefonon nga larg dhe një bir që dëgjon zërin e tij. Asgjë nuk duket e jashtëzakonshme. Pikërisht këtu nis mjeshtëria e Sadik Bejkos. Ai nuk e ndërton poezinë mbi një realitet të çuditshëm, por mbi një botë që e njohim të gjithë, mbi ato copëza jete që kalojnë shpesh pa zhurmë pranë nesh.

Që në vargjet e para, poeti vendos përballë syve tanë një peizazh konkret:

Tej kafshon qafa malesh,

korijet, varganin e kodrave, udhët…”

Malet, korijet, kodrat, udhët, janë elemente të prekshme të botës sonë. Nuk kemi një hapësirë të trilluar, as një skenë të mbështjellë me mjegull legjendash. Është një peizazh që mund të jetë parë nga çdo dritare fshati apo qyteti malor në çastin kur dita nis të tretet. Dhe kjo ka rëndësi. Realizmi magjik nuk lind në zbrazëti; ai kërkon një tokë ku të mbështesë rrënjët.

Por realja e kësaj poezie nuk kufizohet te peizazhi. Ajo ka temperaturën e jetës njerëzore. Në qendër të saj është figura e babait. Jo babai simbolik, jo babai mitik, por babai i moshuar, ai që ka hyrë në moshën kur zëri fillon të bëhet më i rëndësishëm se prania fizike.

“Babai im plak nga larg më dërgon zërin

në telefon…”

Sa e zakonshme duket kjo skenë. Dhe sa e rëndë është në të vërtetë. Mjafton fjala “plak” që poezia të marrë mbi supe peshën e viteve. Nuk kemi më thjesht një bisedë telefonike, kemi kohën që ka kaluar mbi trupin e njeriut. Kemi largësinë,  mallin që nuk përmendet askund, por që dëgjohet në heshtjen midis dy vargjeve.

Në këtë pikë duhet vënë re një veçori e rëndësishme. Realja te Bejko nuk ndërtohet përmes përshkrimit të hollësishëm. Ai nuk na tregon si duken malet, çfarë ngjyre kanë korijet apo si është dhoma ku bie zilja e telefonit. Mjaftojnë disa detaje të zgjedhura me kujdes dhe menjëherë krijohet një botë e tërë. Është si ajo drita e mbrëmjes që nuk ndriçon çdo gjë, por vetëm aq sa duhet që peizazhi të marrë frymë.

Dhe pikërisht këtu qëndron bukuria e reales në këtë poezi. Ajo nuk është një realitet fotografik, është një realitet i përjetuar. Një realitet që kalon nëpër zemrën e njeriut para se të bëhet varg.

Madje edhe thinjat, që shfaqen në fund të poezisë, nuk janë thjesht një shenjë moshe. Ato janë prova më e heshtur e kalimit të kohës. Çdo njeri e di çfarë janë thinjat, por poezia na kujton se ato janë edhe një histori e shkruar mbi trup.

“…nëpër fijet e flokëve të mi

gjer te rrënjët e thinjëta.”

Në këtë çast, realja arrin kulmin e vet. Gjaku, flokët, thinjat, janë elemente krejt fizike, por njëkohësisht ato mbartin një ngarkesë emocionale që i tejkalon kufijtë e trupit. Dhe ja ku shfaqet paradoksi i bukur i poezisë: sa më e prekshme bëhet realja, aq më pranë fillon të ndihet magjikja.

Në të vërtetë, e gjithë poezia mbështetet mbi tri realitete të mëdha njerëzore: natyrën, kohën dhe lidhjen prind-fëmijë. Këto janë shtyllat e saj të dukshme. Nuk është rastësi. Janë pikërisht ato përvoja që njeriu i jeton përditë, por që rrallë arrin t’i shohë në thellësinë e tyre.

Prandaj realja në këtë poezi nuk është thjesht sfond i realizmit magjik. Ajo është zemra e tij. Sepse para se mbrëmja të fillojë të “hajë” peizazhin, duhet të ekzistojnë malet dhe udhët. Para se babai të “udhëtojë” në gjakun e të birit, duhet të ekzistojë babai real, me zërin e tij, me moshën e tij, me largësinë e tij.

Kjo është arsyeja pse vargjet:

“Babai im plak nga larg më dërgon zërin

në telefon…”

janë po aq të rëndësishme sa edhe vargjet e fundit. Ato janë toka e fortë ku poeti mbështet këmbët para se të hapë portën e magjikes. Dhe sa më e fortë të jetë kjo tokë, aq më bindës bëhet fluturimi poetik që vjen më pas. Në fund të fundit, te Sadik Bejko mrekullia nuk lind duke ikur nga realiteti. Ajo lind duke hyrë gjithnjë e më thellë në të, derisa zëri i një babai, në një mbrëmje të zakonshme, bëhet jehonë e vetë vazhdimësisë së jetës.

2. Nëse realja është trualli mbi të cilin mbështetet kjo poezi, magjikja është atmosfera që e rrethon dhe e mbush me jetë të brendshme. Ajo nuk shfaqet si një forcë që vjen nga jashtë realitetit, por si një zbulim i papritur i thellësive që fshihen brenda vetë botës së zakonshme. Kjo është arsyeja pse, gjatë leximit, krijohet ndjesia se magjikja ka qenë aty që në fillim, e fshehur në sendet, në peizazhin dhe në përjetimet njerëzore, duke pritur vetëm syrin e poetit për t’u bërë e dukshme.

Qysh në vargun hapës, Bejko e zhvendos lexuesin nga perceptimi i zakonshëm drejt një realiteti tjetër poetik:

“Mbrëmja ha tinëz.”

Në jetën e përditshme themi se mbrëmja bie, se errësira zbret mbi tokë ose se dita mbaron. Poeti zgjedh një folje krejt tjetër. Ai i jep mbrëmjes instinkt, dëshirë dhe veprim. Kështu errësira nuk paraqitet më si një dukuri natyrore, por si një qenie e gjallë që lëviz nëpër peizazh dhe e përvetëson atë pak nga pak. Figura zgjerohet në vargjet pasuese:

“Tej kafshon qafa malesh,

korijet, varganin e kodrave, udhët…”

Ajo që në planin realist është procesi i zakonshëm i errësimit të natyrës, në planin poetik shndërrohet në një veprim kafshimi. Megjithatë, lexuesi nuk e përjeton këtë si diçka të pamundur. Përkundrazi, ai e pranon natyrshëm, sepse në thelb poeti nuk ka shpikur një botë tjetër; ai ka gjetur gjuhën e duhur për të shprehur një përjetim që secili e ka ndier para një peizazhi që tretet ngadalë në muzg.

Kjo është një nga veçoritë më të rëndësishme të magjikes te Sadik Bejko. Ajo nuk e mohon realitetin, por i zbulon një fytyrë tjetër. Mbrëmja vazhdon të jetë mbrëmje, por njëkohësisht fiton një jetë të vetën, ashtu siç ndodh shpesh në kujtesën dhe ndjeshmërinë njerëzore, ku dukuritë e natyrës pushojnë së qeni vetëm dukuri dhe marrin peshën e përvojave shpirtërore.

E njëjta frymë përshkon edhe figurën e pemëve:

“Pemë kopshti tre metra më tej nxjerrin tym,

në pahun e tij mbështillen, që të mashtrohet mbrëmja.”

Në dukje kemi një pamje të zakonshme të mbrëmjes, kur lagështia, mjegulla ose avulli krijojnë një tis të paqartë mbi kopshtin. Por poeti nuk ndalet te përshkrimi. Pemët fitojnë vetëdije dhe instinkt mbijetese, ato përpiqen të fshihen, të maskohen, të shpëtojnë nga errësira që po u afrohet. Kështu natyra humanizohet pa humbur natyrën e saj. Lexuesi nuk sheh më vetëm pemë, por një bashkësi qeniesh që marrin pjesë në të njëjtën dramë ekzistence që përjeton edhe njeriu.

Në këtë pikë, figura merr një shtresë të qartë simbolike tejë realizmit magjik: tymi nuk është më thjesht dukuri natyrore, por vel që mbulon të dukshmen dhe të padukshmen, një përpjekje për të shtyrë përkohësisht zbulimin e së vërtetës. Njëkohësisht, ajo hap edhe një lexim ekzistencial: çdo qenie, qoftë pemë apo njeri, gjendet përballë kohës dhe errësirës, duke u përpjekur të zgjasë praninë e vet në dritë, edhe kur e di se ajo është e përkohshme

Në fakt, nën këtë figurë fshihet një kuptim më i thellë. Përpjekja e pemëve për të mashtruar mbrëmjen të kujton atë përpjekje të heshtur që çdo qenie e gjallë bën përballë kohës. Është dëshira për të qëndruar edhe pak në dritë, për të mos iu dorëzuar menjëherë errësirës. Pikërisht sepse buron nga një përvojë kaq njerëzore, figura nuk tingëllon fantastike, por prekëse.

Magjikja fiton një ngjyrim edhe më të butë kur poezia afrohet te figura e babait. Këtu ajo largohet nga peizazhi dhe hyn në hapësirën intime të marrëdhënieve familjare:

“Babai im plak nga larg më dërgon zërin

në telefon e fshihet tej nën linjat e hirta.”

Në planin realist kemi një situatë krejt të zakonshme. Një baba i moshuar telefonon të birin nga larg. Por poeti nuk e sheh zërin si një sinjal që kalon nëpër rrjete komunikimi. Ai e sheh si një prani që udhëton dhe më pas tretet në hapësirën e mbrëmjes. Në këtë mënyrë edhe teknologjia, edhe largësia konkrete, humbin kufijtë e tyre praktikë dhe marrin një dimension poetik.

Kulmi i magjikes vjen në fund të poezisë, aty ku figura e babait kapërcen kufijtë e pranisë fizike dhe bëhet pjesë e vetë qenies së të birit:

“Nuk e dika ai që ende udhëton në enët e gjakut tim

nëpër fijet e flokëve të mi

gjer te rrënjët e thinjëta?”

Këto vargje përmbajnë një nga figurat më të bukura të realizmit magjik në poezinë bashkëkohore shqipe. Në thelb poeti flet për trashëgiminë, për ngjashmërinë mes brezave, për mënyrën sesi prindërit vazhdojnë të jetojnë te fëmijët e tyre. Por ai nuk e shpreh këtë si ide apo si refleksion filozofik. Ai e shndërron në ngjarje poetike. Babai vazhdon të udhëtojë nëpër gjakun e të birit, nëpër flokët e tij, deri te thinjat që dëshmojnë kalimin e viteve.

Këtu magjikja arrin pikën e saj më të lartë, sepse buron nga një e vërtetë thellësisht njerëzore. Nuk kemi të bëjmë me një mrekulli të mbinatyrshme, por me një mënyrë poetike për të shprehur atë që secili njeri e ndien kur sheh tek vetja gjurmët e prindërve. Figura bëhet e besueshme pikërisht sepse mbështetet mbi një realitet emocional që i paraprin çdo shpjegimi racional.

Në fund të leximit mbeten përballë njëra-tjetrës dy figura të mëdha poetike: mbrëmja që gllabëron peizazhin dhe babai që vazhdon të udhëtojë në gjakun e të birit. E para na kujton kohën që merr pa pushim nga jeta, ndërsa e dyta flet për atë pjesë të jetës që koha nuk arrin ta marrë dot. Midis këtyre dy poleve lëviz e gjithë poezia, duke krijuar një realizëm magjik që nuk mbështetet te çudia, por te thellësia e përvojës njerëzore.

Prandaj magjikja te Sadik Bejko nuk është stoli poetike dhe as lojë e imagjinatës. Ajo është një mënyrë e veçantë e të parit të botës, ku peizazhi, kujtesa, koha dhe dashuria familjare bashkohen në të njëjtën rrjedhë kuptimore. Pikërisht në këtë bashkim qëndron bukuria e saj më e madhe dhe arsyeja pse vargje si “Mbrëmja ha tinëz” apo “ende udhëton në enët e gjakut tim” mbeten gjatë në kujtesë, si ato imazhe që nuk shihen vetëm me sy, por edhe me atë pjesë të shpirtit ku poezia vazhdon të jetojë pasi libri është mbyllur.

3. Vlera më e veçantë e poezisë “Babai në mbrëmje” nuk qëndron thjesht te prania e elementeve reale apo te bukuria e figurave magjike të marra veçmas. Forca e saj lind në pikën ku këto dy rrjedha bashkohen dhe fillojnë të ushqejnë njëra-tjetrën. Pikërisht aty krijohet realizmi magjik. Jo si një teknikë letrare e kërkuar me vetëdije, por si forma më e natyrshme për të shprehur një përjetim që nuk mund të mbyllet brenda kufijve të realizmit të zakonshëm.

Në këtë poezi nuk gjejmë dy botë të ndara, njërën reale dhe tjetrën fantastike. Nuk kemi një kalim nga realiteti drejt ëndrrës, përkundrazi, poeti i lë të dyja të rrjedhin në të njëjtin shtrat, derisa lexuesi nuk ndien më nevojën të dallojë kufirin mes tyre. Është si ajo ora e muzgut kur nuk mund të thuash me siguri ku mbaron drita dhe ku fillon errësira. Të dyja bashkëjetojnë për një çast në të njëjtën hapësirë.

Kjo ndodh që në fillim të poezisë. Realja është krejt e dukshme: malet, korijet, kodrat, udhët. Një peizazh i zakonshëm mbrëmjeje, i njohur për çdo sy që ka parë natyrën teksa zhytet në muzg. Por mbi këtë bazë reale poeti vendos një veprim që i përket magjikes:

“Mbrëmja ha tinëz. Tej kafshon qafa malesh,

korijet, varganin e kodrave, udhët…”

Në planin konkret po paraqitetet errësimi gradual i peizazhit. Në planin poetik mbrëmja është kthyer në një qenie të gjallë që ushqehet me botën. Të dy kuptimet jetojnë njëkohësisht në të njëjtin varg. Nëse do të mungonte peizazhi real, figura do të rrëshqiste drejt fantastikes. Nëse do të mungonte personifikimi, do të mbeteshim te një paraqitje e  zakonshme natyre. Pikërisht bashkimi i tyre krijon realizmin magjik.

Një proces i ngjashëm ndodh edhe me pemët.

“Pemë kopshti tre metra më tej nxjerrin tym,

në pahun e tij mbështillen, që të mashtrohet mbrëmja.”

Segmenti realist është i qartë: pemët, afërsia e tyre, mjegulla ose avulli që krijon ndjesinë e tymit. Por mbi këtë tablo vendoset një veprim krejt i pazakontë- pemët fitojnë vetëdije. Ato përpiqen të fshihen. Të shpëtojnë, të mashtrojnë.

Kjo është pikërisht pika ku realja dhe magjikja shkrihen. Lexuesi nuk e pyet veten nëse pemët mund të mendojnë. Ai ndjek natyrshëm logjikën emocionale të poezisë. Në këtë univers poetik, instinkti i mbijetesës që zakonisht i përket njeriut është shpërndarë mbi të gjithë natyrën. Pemët marrin diçka nga njeriu, ndërsa njeriu pak më vonë do të marrë diçka nga natyra. Kufijtë fillojnë të treten.

Kjo lëvizje bëhet edhe më e dukshme te vargjet:“Kështu një njeri lë mjekër e pandeh se ti nuk e sheh…”

Krahasimi nuk është i rastësishëm, ai krijon urën mes dy botëve. Pemët që mbështillen me tym dhe njeriu që fshihet pas mjekrës bëhen pjesë e së njëjtës logjikë ekzistence. Në këtë çast natyra humanizohet, ndërsa sjellja njerëzore natyralizohet. Pra,.një shkëmbim i heshtur ndodh mes tyre.

Kjo është një nga shenjat më të pastra të realizmit magjik te Bejko: sendet, dukuritë dhe qeniet nuk qëndrojnë në territore të veçuara, por komunikojnë vazhdimisht mes tyre.

Megjithatë, realizmi magjik i poezisë arrin pjekurinë e tij të plotë vetëm kur shfaqet figura e babait. Në pamje të parë kemi një situatë krejt reale:

“Babai im plak nga larg më dërgon zërin

në telefon…”

Asgjë nuk mund të jetë më e zakonshme se kjo. Një baba i moshuar telefonon të birin. Është një nga ato skena të thjeshta që përsëriten çdo ditë në jetën e njerëzve. Pikërisht për këtë arsye poeti e zgjedh për ta përfshirë në poezi. Realizmi magjik kërkon truall të fortë ku të mbështetet.

Por menjëherë pas kësaj realja fillon të hapet drejt një dimensioni tjetër:

“…e fshihet tej nën linjat e hirta.”

Zëri nuk udhëton më vetëm në rrjetin telefonik. Ai fiton pavarësi, fiton trup poetik. Bëhet një prani që lëviz në hapësirën e mbrëmjes. Dhe lexuesi e pranon këtë pa rezistencë, sepse tashmë është futur në logjikën e brendshme të poezisë.

Pastaj vijnë vargjet e fundit, ku realja dhe magjikja bëhen pothuajse të pandashme:

Nuk e dika ai që ende udhëton në enët e gjakut tim

nëpër fijet e flokëve të mi

gjer te rrënjët e thinjëta?”

Në thelb kemi një të vërtetë krejt reale: trashëgiminë biologjike, ngjashmërinë mes brezave, praninë e prindërve në tiparet dhe fatin e fëmijëve të tyre. Por poeti nuk e thotë kështu. Ai nuk flet për trashëgimi,  nuk flet për gjene. Ai e shndërron këtë të vërtetë në një ngjarje poetike ku babai vazhdon të udhëtojë nëpër gjakun dhe flokët e të birit.

Dhe ja ku realizmi magjik arrin formën e vet më të lartë: magjikja nuk e fsheh realen, por e bën më të dukshme. Ndërsa realja nuk e pengon magjiken, por i jep asaj besueshmëri.

Në fund të fundit, e gjithë poezia ndërtohet mbi dy lëvizje paralele. Nga njëra anë mbrëmja përpin peizazhin, një figurë që flet për kohën dhe rrjedhjen e saj të pandalshme. Nga ana tjetër babai vazhdon të jetojë në gjakun e të birit, një figurë që flet për vazhdimësinë e jetës përtej kohës. Midis këtyre dy poleve krijohet një tension i qetë poetik, ku humbja dhe vazhdimësia, largësia dhe afërsia, errësira dhe kujtesa bashkëjetojnë në të njëjtin univers.

Prandaj realizmi magjik në këtë poezi nuk është zbukurim figurative: ai është vetë mënyra se si poezia e kupton botën. Një botë ku mbrëmja mund të hajë malet dhe një baba mund të udhëtojë në gjakun e të birit, jo sepse poeti kërkon të krijojë çudi, por sepse ka zbuluar se e vërteta njerëzore është shpesh më e thellë se logjika e zakonshme me të cilën përpiqemi ta shpjegojmë. Në këtë pikë, realja dhe magjikja nuk janë më dy anë të ndryshme të poezisë; ato bëhen dy emra të së njëjtës të vërtetë poetike.

4. Kur mbaron së lexuari poezinë “Babai në mbrëmje”, lexuesit nuk i mbetet në mendje vetëm figura e një babai që telefonon nga larg apo një peizazh që zhytet në mbrëmje. Në kujtesë mbetet një ndjenjë më e thellë, e ngjashme me atë që përjeton njeriu kur ecën në muzg përgjatë një udhe fshati dhe papritur kupton se peizazhi që ka përballë është më i madh se ai që sheh syri. Kjo ndodh sepse realizmi magjik i poezisë nuk zbukuron realitetin, por e zgjeron atë, duke i dhënë një thellësi që përshkrimi i zakonshëm nuk do të mund ta mbante.

Në radhë të parë, realizmi magjik i jep poezisë një dimension të dytë kuptimor. Çdo figurë fillon të jetojë në dy plane njëkohësisht. Mbrëmja është mbrëmje reale, por është edhe koha që përpin ngadalë gjithçka që prek. Babai është një njeri konkret, me moshën dhe largësinë e tij, por njëkohësisht bëhet simbol i vazhdimësisë së jetës në breza. Kështu poezia nuk lexohet vetëm me sytë e arsyes, por edhe me atë ndjeshmëri të brendshme që kërkon gjithmonë kuptimin e fshehur pas dukjes.

Mjafton të kujtojmë vargjet:

“Mbrëmja ha tinëz. Tej kafshon qafa malesh,

korijet, varganin e kodrave, udhët…”

Në pamje të parë kemi një peizazh që errësohet, por në të njëjtën kohë kemi edhe një figurë të kohës që ecën mbi botë si një kafshë e uritur. Një imazh i tillë i jep poezisë dendësi. Fjalët nuk mbajnë më vetëm kuptimin e tyre të drejtpërdrejtë; ato fillojnë të mbartin edhe peshën e një meditimi mbi jetën dhe kalimin e saj.

Po aq e rëndësishme është se realizmi magjik i jep poezisë një intensitet emocional që nuk do të arrihej me një ligjërim realist. Malli për babanë nuk shpallet, nuk emërtohet, nuk shpjegohet. Ai qarkullon nëpër vargje si ujërat nëntokësore që ushqejnë rrënjët e një peme pa u dukur në sipërfaqe. Pikërisht për këtë arsye emocioni bëhet më i fortë.

Kur poeti shkruan:

“Nuk e dika ai që ende udhëton në enët e gjakut tim

nëpër fijet e flokëve të mi

gjer te rrënjët e thinjëta?”

ai nuk na flet thjesht për ngjashmërinë mes babait dhe birit. Ai na bën të ndiejmë se jeta vazhdon të rrjedhë nga njëri brez te tjetri si një lumë që ndryshon brigje, por jo ujërat e veta. Kjo figurë e zhvendos poezinë nga territori i kujtesës në atë të përjetësisë njerëzore.

Një tjetër vlerë që i sjell poezisë realizmi magjik është zgjerimi i hapësirës poetike. Në një poezi thjesht realiste do të kishim një peizazh, një telefonatë dhe një reflektim për babanë. Këtu ndodh diçka tjetër. Peizazhi merr pjesë në dramën njerëzore, mbrëmja bëhet personazh. Pemët marrin instinkt mbijetese. Zëri fiton lëvizje. Gjaku fiton kujtesë.

Në këtë mënyrë krijohet ndjesia se e gjithë bota po merr pjesë në të njëjtin përjetim. Është sikur nën dheun e një kopshti të vetëm të jenë ndërthurur rrënjët e pemëve, barit dhe luleve; secila jeton jetën e vet, por të gjitha ushqehen nga i njëjti ujë i nëndheshëm.

Pikërisht këtu realizmi magjik i jep poezisë një cilësi që rrallë arrihet me mjete të tjera: ai e kthen përvojën individuale në përvojë universale. Babai i poezisë është babai i subjektit lirik, por në të njëjtën kohë ai bëhet figura e çdo prindi që vazhdon të jetojë në tiparet, në kujtesën dhe në fatin e fëmijëve të vet. Për këtë arsye lexuesi nuk e ndien poezinë si histori të tjetrit. Ai fut aty edhe historinë e vet.

Në fund kuptojmë se realizmi magjik në këtë poezi nuk është një stoli artistike e vendosur mbi tekst. Ai është vetë zemra e tij. Falë këtij realizmi magjik, mbrëmja nuk mbetet vetëm një çast i ditës, por bëhet metaforë e kohës që kalon mbi njerëzit. Babai nuk mbetet vetëm një zë që vjen nga larg, por shndërrohet në një prani që vazhdon të jetojë në gjakun e të birit. Dhe poezia nuk mbetet vetëm rrëfim i një përjetimi personal, por bëhet meditim mbi vazhdimësinë e jetës.

Prandaj vargjet:“Babai im plak nga larg më dërgon zërin/në telefon e fshihet tej nën linjat e hirta” dhe më pas: “ende udhëton në enët e gjakut tim” janë më shumë se figura të bukura poetike. Ato janë dy brigje të së njëjtit lumë ku rrjedh poezia. Në njërin breg qëndron koha me largësitë e saj, në tjetrin kujtesa me besnikërinë e saj. Midis tyre rrjedh ai ujë i qetë e i thellë që quhet realizëm magjik, ujë që i jep poezisë dritë, thellësi dhe atë jehonë të brendshme që vazhdon të dëgjohet edhe pasi vargu ka mbaruar. Dhe ndoshta aty, në këtë bashkëjetesë të heshtur mes mbrëmjes dhe kujtesës, poezia e Bejkos vazhdon të marrë frymë edhe pasi fjala është mbyllur.

Sarandë, tetor 2025- qershor 2026

Exit mobile version