Kreu Letërsi Bibliotekë “Ti zbret si lumë…”, cikël poetik nga Odise Kote

“Ti zbret si lumë…”, cikël poetik nga Odise Kote

E PASHË NË ËNDËRR

E pashë në ëndërr babain që ecte,
ecja s’mund të fshihet si diçka kalimtare.
I kthyer në dritëz, pikëz në mjegull,
ishte babai që ecte,
kjo ëndêrr s’mund të jetë si të tjerat gënjeshtare.
 
E pashë në ëndërr babain që ecte,
me trastë mjeshtroku në udhë gurê – dertesh,
mbi kreshta të thikta përgjërim – pengjesh,
mbi male të shenjtë ballkani ecte.
 
Ecte mbi supe resh, nëpër lotë shirash,
ecte trishtueshëm, heshtur, tretur ecte.
Ç›rêndësi kishte në frynte shtrëngatë,
e binte dëborë përmbi dete. 
 
E pashë në ëndërr babain që ecte,
ecja s’mund të fshihet si diçka kalimtare …


Biçikletën nget si një i verbër…

Vrapo më mirë midis granatave, se sa të rrish gërmadhave,
Që bota mos shkojë drejt ferrit, fëmijë lufte në KIEV.
Fatin e parashkruar mos e lidh me këtë dreq kyçi prej gjaku e mishi,
Në shtëpinë mbushur me mina, ku hidhemi në erë.
 
 
Nuk fle dot, nuk fishkëllen dot, ka ulërimë avioni e predhash,
Ti kërkon dritën, aromën e qumështit, aromën e pyllit.
Dhembshuria zbret mbi tokë kur zoti ndjen mall për njeriun,
Fatin e parashkruar mos e lidh me këtë dreq kyçi prej gjaku e mishi.
  
Ik, ik o ëngjëll i pafaj? I pajetë, në urën këputur përmbi lumë,
Që biçikletën e atit të humbur, si një i verbër e nget.
Fotografo pellgjet, cifëlat e copëzat e trupave nëpër gropat,
Ndërsa në treg ka vetëm qirinj varrezash për festë …
 
Ik o ëngjëll i pafaj, që biçikletën e atit nget si një i verbër …


VETËM TI

Vetëm ti ma ke rrëmbyer kujtesën.
Ç›ti them erës që gërvisht me thonj në qelqe.
A e kam humbur atë flakëzën e shpresës,
Pyes gërmat e ujit që pemës së durimit varen …
 
Vetëm ti ma ke rrëmbyer kujtesën.
Sa grackat dhe ëndrrat pa ty i refuzoj.
Gjethet e trishtuara ranë gjithë natën,
shkrime shiu në erën e çmendur,
që tani kushedi se ku bredhin?
 
Vetëm ti ma ke rrëmbyer kujtesën …


TI JE E VETËMJAFTUESHME …

Ç’të mbjell për ty në tokën pakufi të metaforës.
Premtime shiu apo fjalë të kripura deti,
pjekur në diellin e jugut përvëlonjës?

Je shpirt lumi i rrëmbyeshëm,
damarëve të nëntokës,
ujë kristal, e qeshur prilli,
thellë, në brinjë të rrëkezës,
përbrenda dëborës …

Ç’të mbjell për ty në tokën pakufi tê metaforës?
Mbase një tufê dobësish tokësore,
të qortueshme.
 
Sepse ti je e vetëmjaftueshme …!


KOKËTUNDËSIT

Kokëtundësit janë veç numra, nuk kanë emër,
Ka humbur thelbi “unë”, ndjesi e njëjtë gjithnjë.
Të gjithë me preferenca barabar, pa zemër,
Asgjë nuk është e tyrja, kanë vetëm hiçasgjë.
  
Me urdhër dashurojnë, riprodhohen me dekret,
Kanë humbur fytyrën, nuk njohin mëshirë.
Janë pronë e të gjithëve, pudrosen me shtet,
E zeza më e errët e të zezës, uniform – zezim. 
 
I njëjti dekor tek kokë e krevatit,
Telajo e ngjyra njësoj, piktura skematike.
Pa kujtesë. Fshirë emri i nënës dhe atit.
Asgjë njerëzore, dhe shenjat e gjumit simetrike.
 
Kokëtundësit janë veç numra, nuk kanë emër,
Ka humbur thelbi “unë”, ndjesi e njëjtë gjithnjë.
Të gjithë me preferenca barabar, pa zemër,
Asgjë nuk është e tyrja, kanë vetëm hiçasgjë.
 

ADRESA IME …

Adresa ime është e pandryshuar në shtëpinë
ku banojnë “lisi i tamblit” dhe “lisi i gjakut”,
në nyjën ballkanase, midis shfaqjes së ngrirë
dhe thelbit të fshehur.
Në portën me dorëz ilire
a tmerr’ i vjetër i përkatësisë etnike,
në zjarret e rëna hambarëve të kujtesës.

Mos e harro!
Adresa ime e pandryshuar në ngrehë të jetës,
vrujon si përrua, trumbetë e çarturi e pafund që ngjan
me hutimin e ujkut nga dritë e vetëtimës.
Nuk humbin dot as qokat, as gjedhet e saj,
prej supersonikut e qelqit digital,
është e shkruar në lëkurën e njeriut.

Adresa ime s’është një keqkuptim që përsëritet,
e largët, e paarritshme për udhëtarin,
që se rrok dot këtë përmasë të padukshme lirie.
Ajo është atje në Gjirokastër,
në kasafortën shekullore, në bërthamë të gurit,
vena të holla gjaku, fije … fije …


Ti zbret si lumë …

Ti zbret si lumë në rëzë të malit,
duke vaditur ditët e mia të vjedhura.
Pret pas shkureve diçka të shkatërohet,
për një sekondë fjalët të shndërrohen në tinguj.
 
Në vrullin që fsheh brenda vuajtjes,
është turpërim i virgjër
që ndahet padashur nga gjërat e vogla.
Ti zbret si lumë në rëzë të malit,
të humbasësh tek një shpresë e egër
që të tjerët nuk e kanë.
 
Ti zbret si lumë në rëzë të malit,
dhe i ngul sytë diellit që do lindë nesër.
Ëndërron si një zog që mbi re fle pezull,
Sepse unë e di që fsheh plot naze e hire,
dhe nuk ke vendosur ende të bëhesh e rritur.
  
Ti zbret si një lumë në rëzë të malit …


VJOSA

 Të kesh gruan e egër brenda vetes.
Lumin Vjosa.
Qetësinë e ngjyrës kuaz në verë,
harbimin e papërfytyrueshëm në dimër.

Gjithë zotat i ke zbritur në tokë,
imagjinatën sipër.

Ta kesh lumin e egër brenda vetes,
Vjosë – një grua qumësht.
Qetësinë e ngjyrës kuaz në verë,
në dimër të papërfytyrueshmin harbim.
 
 
Tokën e ke të bekuar prej zotit,
diellin të florinjtë.


POETËT

Kushtim Bardhyl Londos.
 
Poetët ngjajnë kaq shumë me njëri – tjetrin,
ndonëse qënie në ikje, në rrallim.
Kanë të njejtat fytyra dhe dëshirën
të rikthehen në vend – shenjtëritë e fëmijërisë.

Poetët kanë të njëjtin zë të thellë, të lodhur,
në kërkim tê gjërave të vogla,
fundit të zemrës humbur.
Bëjnë të njëjtat gjeste, lëvizje me duar,
dëshpërimin e botës ta shkërmoqin në pluhur.

Poetët se kanë dhimbjen fjalë të shpërdoruar,
por tingull, gjëmim e gjak në venë.
Poetët ngjajnë veçanërisht tek sytë,
tek drita që i shtyn çdo ditë në protestë.

Poetët ngjajnë kur shtegëtojnê si pelegrinë.
Poetët dinë të kacafyten egërsisht me qetësinë …!
 

Exit mobile version