Kreu Intervista Thanas Medi: Kur botova romanin e parë kisha ndrojtje t’ua tregoja të...

Thanas Medi: Kur botova romanin e parë kisha ndrojtje t’ua tregoja të tjerëve

Intervistoi: Bujar Hudhri

“Shkrimtari është i tillë që nga fillimi i jetës, veçse i duhet kohë ta kuptojë”, – thotë një kolegu juaj i shquar. Lexuesi e ka kuptuar shumë vonë që ju jeni shkrimtar. Po ju vetë, kur e keni ndier veten të tillë?

Lexuesi e kuptoi kur lexoi librin dhe e pëlqeu atë, kurse unë duhet të kem qenë pa e kuptuar se jam. Kur them “unë”, kam parasysh gjithë ata që e meritojnë të quhen shkrimtarë, që kanë një fillesë të përbashkët për atë se kur nisën të dallohen si të tillë, në ç’moshë e shfletuan librin e parë. Tani që vështroj pas në vite, u përkisja atyre njerëzve që, kur nuk më tërhiqnin librat e shkollës, më përthithnin ata me përralla, legjenda e më vonë me poezi, tregime, novela e romane. Që s’vajta në shkollë, se më duhej të mbaroja së lexuari një roman. Që lodra më e bukur e fëmijërisë ishte libri dhe nëse më binte në dorë një lek, nuk e prishja për të marrë diçka për të ngrënë, por për të blerë libra. Është një përkitje që ndodh si pa kuptuar, se ashtu të pëlqen të ndodhë. Që të mban mbërthyer për të bërë ca gjëra që nuk mund t’i bëjnë të gjithë. Që të jep një stimul të veçantë, një besim të tepruar në vetvete, sa shpesh të të duket vetja mbi të tjerët. Ta shikosh veten sikur ke në dorë diçka magjike dhe të tjerët s’e kanë. Si në përmbyllje të pyetjes suaj, shtoj edhe këtë: edhe nëse mund të kem qenë shkrimtar që në krye të jetës, akoma edhe sot nuk ma nxë goja, ndruhem të them: “Jam shkrimtar.” Nuk e di nga se vjen kjo, ndoshta nga adhurimi gati qiellor që kam pasur për zotërinjtë e penës, si ata që merren me ca punë tepër të fisme e s’arrihen lehtë. Apo se e quaj një profesion që, në mënyrë të përkryer, s’mund ta zotërosh kurrë plotësisht.

Duhet ta pranoni se jeni me fat: emri juaj u bë i njohur më parë si fitues i çmimit më të rëndësishëm letrar të vitit 2013, dhënë nga Ministria e Kulturës, si autor i dy romaneve. Ç’ndikim pati kjo në jetën tuaj si krijues?              

Është fakt, sot shkruajnë shumë, çdo ditë botohet një libër, çdo javë lind një shkrimtar. Është një mani, shpeshherë në kufijtë e marrëzisë, nga e cila më së shumti përfitojnë botuesit e papërgjegjshëm. Ata që e shohin librin vetëm si mall dhe jo si ushqim shpirtëror për një shoqëri të tërë. Krijohet kështu “populli shkrimtar”, ku të gjithë shkruajnë dhe askush nuk lexon. Hapet, nga ana tjetër, një hendek, ku ti si krijues, edhe nëse e meriton titullin shkrimtar, të bie në kokë mallkimi i përgjithshëm, përjeton zhvleftësimin që i është bërë këtij profesioni të lartë. Shprehur më së shumti me: “Sot të gjithë u bënë shkrimtarë!” Të vret ajo pyetja ironike: “Edhe ti shkrimtar?!” E kam provuar në kurriz këtë, me romanin e parë sidomos. E fshihja librin kur gjendesha mes njerëzish të thjeshtë, si të kisha bërë ndonjë krim. E kisha për turp që isha shkrimtar. Po kështu edhe me romanin e dytë, veçse turpërimi nuk zgjati shumë. Dhe kjo falë çmimit që përmendët ju. Kur isha një emigrant i zakonshëm në Athinë dhe kisha me atdheun vetëm një lidhje konkrete, atë të botimit të librave atje, më thanë në telefon: “Nisu për Tiranë se ke fituar çmimin e Ministrisë!” Sigurisht që e quaj fat, pak fat duhet gjithmonë. Me çmimin, sikur dola mbi sipërfaqe, nxora pak kokën mbi turmën e pafund me shkrimtarë. Sikur m’u hap një rrugë e nisur shumë vjet më parë, m’u dha një shans të tregoja kush isha. Nga ana tjetër, më rriti përgjegjësinë për të shkruar gjithmonë mirë, për të mos u dhënë të drejtë gojëve të liga të hidhnin baltë, ta quanin çmimin rastësi. Çmimi, më tha një njeriu im, u mbylli gojën shumë njerëzve, por po kaq të tjerë presin shumë nga ti.

A mund të na e shuani kureshtjen: ju i përkisni komunitetit vllah, ndërkohë shkollimi dhe edukimi juaj është bërë në gjuhën shqipe, tani jetoni prej tri dekadash në Greqi. Në procesin tuaj krijues çfarë dominon më tepër?

Unë linda vllah, u rrita e u formova shqiptar dhe “shtyj” jetën tani si grek. Me këtë dua të them se njeriu është më së shumti ai që lind dhe ai që formohet si njeri. Dhe ky formim nuk zgjat gjithë jetën, ka një cikël përmbyllës, që si tavan mund të quajmë moshën tridhjetë-dyzetvjeçare. Formimi im është kështu i dyfishtë, midis të qenit vllah dhe të qenit shqiptar, ku të qenët vllah është disi abstrakt, mbijetojnë ca fije më së tepërmi shpirtërore, një si “amanet i të parëve”, ndërsa të qenët shqiptar është konkret. Fiton pak nga pak mbi të parin, shqiptarizohem si pa kuptuar, flas më së shumti shqip, mendoj vetëm shqip, dëgjoj, lexoj dhe shkruaj vetëm shqip; e kjo detyrimisht do të dominojë edhe në krijimtarinë time. T’ju them diçka: kur botova romanin e parë, Hija e mallkuar, për emigracionin, njerëz të rrethit tim më thanë: “Ti këtu je më shqiptar se shqiptarët.” Pati edhe ndonjë që e flaku librin nga dritarja se, sipas tij, shaja grekët dhe mbroja shqiptarët. Kurse tani që kam fituar njëfarë emri, është ngjallur xhelozia vllahe, ka shumë që më hedhin gurë pse shkruaj vetëm në shqip dhe nuk shkruaj në vllahçe apo arumanisht – në gjuhën e nënës, me një fjalë. Vështirë se më kuptojnë kur mbrohem duke thënë se, mirë a keq, unë jam shqiptarizuar. Ndonëse me gjak jam vllah, në ndërgjegje, formim, jam shqiptar. Dhe kjo është e pamundur të përmbyset. Ndërgjegjja fiton mbi gjakun, kur ky nuk gëlon në shtratin e natyrshëm të tij. Ndihet më mirë në një shtrat tjetër. Kur gjuha e lindjes e ka të vështirë, të pamundur, të shprehë kulturën që ti mbart. Dhe e bën më mirë këtë një gjuhë tjetër, për rastin tim, gjuha shqipe.

Në romanet tuaja të para lexuesi nuk e ka të vështirë të shohë pas personazhit kryesor vetë autorin. Me kohë ky ngjasim nuk bie edhe aq në sy. A mendoni edhe ju kështu?

Jo vetëm mendoj, por e kam shprehur këtë. Tri romanet e mia të para i kam quajtur edhe si njëfarë trilogjie autobiografike, meqë “jam” edhe vetë mjaft i pranishëm brenda tyre. Është një prani letrare, sigurisht, ku elementi biografik i nënshtrohet magjes së magjisë së krijimit, se ndryshe ngjarjet do të jenë interesante vetëm për një rreth të kufizuar njerëzish dhe s’do të gjenin rezonancën e përgjithshme, atë që e bën një libër pjesë të të gjithë njerëzve, pavarësisht cilit komb e ç’gjuhe i përkasin ata. Kur nisa të shkruaj, “i vura detyrë” vetes që t’i dëftoja lexuesit diçka shumë timen, diçka nga unë. Nga vuajtjet, gëzimet, hidhërimet, fitoret a dështimet e mia. E pashë të udhës të zbuloj botën time, pa dashur të di nëse do t’i shkonte ajo për shtat botës së përgjithshme. Preferova të kem zërin tim, edhe nëse ky mund t’i vriste veshin ndokujt. Pasoi më pas romani i katërt, i sapobotuar, Valsi i një dasme fantazmë, që është si një dalje nga bota ime e vogël për të shkelur në botën e madhe, por pa e tradhtuar, pa i ikur dot plotësisht asaj. Ishte një ikje që unë as e dëshiroja, si të mos bëja dot pa të. Di të them këtë: botës së madhe unë i qasem me botën time të vogël, në arenë nuk dal të luftoj me armë të vjedhura apo të huazuara, të të tjerëve; luftoj (shkruaj, me një fjalë) me armët e mia.

Jeni rritur në një kohë kur në Shqipërinë e para ’90-s lexohej shumë. A mund të na listoni librat që ju kanë formuar dhe ju kanë mbajtur gjallë pasionin për t’u bërë shkrimtar?

E dëgjoj shpesh këtë pyetje t’u bëhet shkrimtarëve dhe gjithmonë përjetoj një rezervë. Mendoj se më e drejtë është të pyetet për autorin që ka ndikuar në formimin tënd dhe jo për disa libra të caktuar. Pasi autori nuk është një libër i vetëm, është gjithë vepra e tij, duke shënuar ndikimin më të lartë ajo më e arrira. Dhe, meqë erdhëm tek autorët, më duhet të them se ata zënë fill që nga Homeri, për të vazhduar me majat e letërsisë së mëvonshme, të përbotshme: Shekspiri, Servantesi, Dikensi, Balzaku, Tolstoi, Drajzeri, Floberi, Çehovi, Shollohovi, Gëte, Markezi etj. Fakt është se edhe ata që nuk janë maja, diçka kanë lënë në formimin tim, diku më shumë e diku më pak. Ashtu siç kanë lënë edhe më të mëdhenjtë e letërsisë shqiptare: Migjeni, Kadareja, Agolli, Kuteli, Jakov Xoxa, Koço Kosta etj. Gjithsesi, mund të bëj një veçim për atë që thamë, ndikimin, shkrimtarin që e kam pasur më për zemër; këtu më vjen ndër mend Balzaku, betimin që i bëra vetes kur isha gjimnazist se do të bëhesha si ai. Markezin pastaj, që më dërmoi me Njëqind vjet vetmi. Apo Kadarenë, me veprat më tronditëse të tij. Dua gjithashtu të përmend edhe ata libra që më kanë ngelur të paharruar dhe kanë shënuar fëmijërinë time: Shpella e piratëve, Tregime të moçme shqiptare, Djemtë e rrugës Pal, Bija e Montezumës

Shkrimtari i njohur Ardian Kyçyku, në një intervistë për gazetën tonë, thotë se pa mërgimin një shkrimtar nuk mund të jetë i plotë. Ju keni një periudhë gati tridhjetëvjeçare në Greqi. Si mund ta shpjegoni me përvojën tuaj?

Mendoj se kjo nuk qëndron, plotësia (po ta quajmë kështu) e një shkrimtari nuk varet nga ajo se ka mërguar apo s’ka mërguar. Po të pranojmë këtë, duhet të pranojmë tjetrën, se ata që s’kanë mërguar janë shkrimtarë të cunguar, gjë që vështirë ta besoj. Meqë kam një përvojë të gjatë në mërgim, mund të them se “ksenitiaja” (e huaja) më tepër më ka penguar sesa favorizuar. E mira e mërgimit është se të njeh me diçka të re, me një botë e mendësi tjetër, por është njëkohësisht vuajtje për një emigrant. Për më tepër për një krijues, që do të shkruajë dhe rrethanat e pengojnë për të shkruar. Proza e gjatë, sidomos, kërkon ca rrethana të tjera, më komode, e jo punën fizike, siç e kam ushtruar unë për vite të tëra. Do t’i jepja të drejtë Kyçykut, në qoftë se do ta gjeja të shtruar në mërgim dhe s’do bija nga shiu në breshër. Gjithçka ka të bëjë me përvojën personale, ndaj s’mund të nxirret përfundim i njëjtë për të gjithë.

Për shkrimtarin është shumë i rëndësishëm lexuesi i tij. Por ju në mërgim, fatkeqësisht, nuk e keni. Do të doja të dija, si e përjetoni këtë mungesë? Si ia bëni, p.sh., që të huajt atje të marrin vesh se jeni shkrimtar? A ju trishton kjo gjë, ndryshe nga këngëtarët, muzikantët, piktorët apo futbollistët që nuk e kanë këtë vështirësi?

Ata që thonë “shkruaj për qejfin tim”, gënjejnë. Në të vërtetë, të gjithë shkruajnë që të lexohen nga dikush. Të pëlqehen e të kenë sa më shumë lexues. Gënjeshtër është edhe ajo tjetra, siç mendojnë disa, se sa më pak lexues të ketë një shkrimtar, aq më i mirë është ai. Nëse është e vërtetë kjo, ç’duhet të themi për Markezin që, kur botoi Njëqind vjet vetmi, njerëzit e përpinë librin në të gjithë botën. Vështirësia e kontaktit me lexuesin qëndron se është mërgimi në mes, por meqë librat i botojmë në Shqipëri, e keqja zvogëlohet, është sikur jemi edhe ne aty. Nga ana tjetër, për sa kohë shkruajmë në shqip, mbetemi të panjohur për të huajin, anonim. Thjesht njerëz që dinë vetëm të punojnë, që s’kanë mendje, kanë krahë. Dhe kjo pa dyshim që na vret, për më tepër kur të merr në punë një fshatar grek që vetëlëvdohet se çfarë bën në arë. Ndryshe është kur has në njerëz të arsimuar, atëherë të bëhet e papërballueshme dëshira të tregosh se cili je, ç’mund të bësh. Është befasim i bukur për ta të thuash lexoj libra, jam shkrimtar.

Ç’vend zë krijimtarinë tuaj romani më i fundit, Valsi i një dasme fantazmë? Nga u nise, ç’të ngacmoi për ta shkruar atë?

Valsi i një dasme fantazmë nuk është thjesht libri i radhës, një roman më shumë. Është shlyerje e njëfarë detyrimi ndaj asaj që jetuam në diktaturë, përgjigje e një sërë pyetjeve që na mundojnë vazhdimisht, për atë se pse heshtëm atëherë. Pse iu nënshtruam plotësisht mekanizmit të frikës, kush është përgjegjës për mjerimin tonë, ç’duhet të mësojmë nga historia që ajo të mos përsëritet. Është një dëshmi për moshumbjen e kujtesës, mosharresën, në një kohë kur njerëzit harrojnë lehtë. Është një qasje që i bëhet brezit që nuk e jetoi diktaturën, për të mësuar të vërteta të hidhura në lidhje me atë. Zbulohet shëmtimi i saj, ajo që u mbulua me histeri komuniste, me të qeshurën false, duartrokitjet frenetike, degradimi i njeriut në robot, në “i ri”. Sjell një kohë ku e bukura u vra, u varros, u mbyt. Është njëherazi një vepër artistike që ka për gjetje, strumbullar rreth të cilit do të vërtiten ngjarjet e mëvonshme, një pyetje të vetme, dëgjuar rastësisht. Rastësia i hap rrugën kështu domosdoshmërisë për krijimin e një bote artistike që vështrohet në pasqyrën e botës së vërtetë.

Tani që keni botuar katër romane në shqip, a keni menduar për përkthimin e tyre në gjuhë të huaj?

Kam menduar edhe pa qenë katër romane, që kur ishin vetëm dy. E nisa këtë përpjekje me Fjala e fundit e Sokrat Bubës, hoqa në kurriz vështirësitë e gjetjes së përkthyesit të aftë, u zhgënjeva në shumë raste, derisa gjeta atë që duhej, poetin e njohur minoritar Andrea Zarballa. Pas përkthimit u vura në kërkim të botuesit, vuajta jo pak me këta, paguaja haraçin e të qenit shqiptar, i panjohur njëkohësisht, por, më në fund, u gjend edhe ai që mori përsipër botimin: Z. Petro Papasarandopulos, i shtëpisë botuese Epiqentro. Prej dy muajsh Fjala e fundit e Sokrat Bubës qarkullon tani në greqisht, me titull tjetër, Nomadët e fundit. Një botim tjetër kam bërë në Rumani, nëpërmjet përkthyeses së talentuar, poetes e mikes së madhe të shqiptarëve, Oana Anca Mihaela Glasu. Së shpejti, Fjala e fundit e Sokrat Bubës del edhe në rumanisht, nga shtëpia botuese Eikon, me qendër në Bukuresht.

Duke ju ndjekur në rrjetet sociale, shoh se jeni një komunitet shkrimtarësh dhe poetësh në Greqi. Por a është kjo e mjaftueshme? A keni kontakt me botues e krijues grekë? A lexoni libra në greqisht dhe si ndikon kjo në letërsinë tuaj?

Athina, besoj, është e para për sa i përket numrit më të madh të shqiptarëve të mërguar vitet e fundit dhe mes tyre, pa dyshim, s’do të mungonin shkrimtarë, poetë, aktorë apo muzikantë të njohur. Siç është e natyrshme, u krijuan shoqata e tubime të ndryshme e këtu edhe shkrimtarët do të kërkonin njëri-tjetrin. Letërsia me të vërtetë bëhet vetëm, por e nevojshme është edhe kontakti, njohja, promovimi i krijimtarisë së secilit. U krijua kështu vatra e parë e shkrimtarëve, klubi “Drita”, drejtuar nga poeti Nase Jani, i cili mblodhi rreth vetes të gjithë ata që ishin të apasionuar pas të shkruarit të librave, pa ndonjë kriter cilësor. Më vonë, nga ky grupim, me pretendimin e inkurajimit të letërsisë cilësore dhe jo të kujtdo që mund të botonte një libër, u krijua lidhja e shkrimtarëve “Liter-Art”, me drejtues shkrimtarin dhe kritikun e njohur të artit skenik, Miho Gjini. Sot ka edhe grupime të tjera krijuesish më të rinj, ka krijimtari cilësore, por që mundësitë e njohjes, botimit, janë të pakta. Në këtë aspekt, dolën edhe gazetat e para shqiptare, Gazeta e Athinës, Tribuna, Albania Press, por pa mundur t’i rezistonin rrjedhës së kohës. Së fundi, edhe televizioni Tribuna i shkrimtarit dhe gazetarit të njohur Robert Goro. Ndërsa për sa i përket kontaktit me krijues dhe për më tepër, botues grekë, gjendja është vërtet për të ardhur keq. Libra në greqisht lexoj, por vështirë se ata ndikojnë në letërsinë time, duke përjashtuar korifeun e prozës greke, Kazanzaqin.

Këtë muaj, Ministria e Diasporës ka ftuar shumë shkrimtarë shqiptarë që janë në emigracion, mes të cilëve edhe ju. Me sa di, është hera e parë që ndodh një ngjarje e tillë. Ç’do të dëshironit, realisht, nga vendi juaj dhe lexuesi i këtushëm?

Është një gjest për t’u lavdëruar ky i takimit të shkrimtarëve nga Diaspora dhe jo vetëm. Një “dorë e ngrohtë” e atdheut, si të thuash, për ata që kanë ftohtë në vise të huaja. Një mundësi njohjeje e shkëmbim përvojash. Kurse nga lexuesit duam atë që duan të gjithë, si brenda, si jashtë Shqipërisë: të na lexojnë. Se ka një mani të verbër lexuesi shqiptar: do vetëm, a më shumë, shkrimtarin e huaj. Kujton se ç’vjen nga jashtë është e mirë dhe ç’del nga brenda është e keqe.

Exit mobile version