Fundjava kishte hyrë në shtëpi me erën e bojës dhe zhurmën e lehtë të rulit mbi mur. Dritaret ishin hapur që në mëngjes dhe perdet, të hequra nga kornizat, rrinin si flamuj të lodhur mbi kolltukë. Në mes të dhomës qenë grumbulluar kova boje, gazeta të vjetra dhe një shkallë që mbante mbi vete të gjithë ngjyrat e shtëpive që bojaxhiu kishte lyer gjatë gjithë këtyre viteve të fundit.
Shtëpia dukej sikur po kalonte një ritual të vogël transformimi: mobiliet të mbuluara me çarçafë, kornizat e fotografive të zbritura në tokë, librat të grumbulluar në qoshe si udhëtarë që presin të rikthehen në vendin e tyre.
Hë pra, – tha bojaxhiu duke tundur katalogun e ngjyrave, – vendosni. Se muri nuk pret frymëzim artistik. Pret bojën.
Babai, me bluzën e vjetër të punës dhe syzet në majë të hundës, mori katalogun.
Mua më duhet diçka që nuk duket pis pas një muaji. Kaq. Këto emrat poetikë janë për reklama. E la katalogun në prehrin e së bijës që buzëqeshi pa ngritur kokën. Ashtu, ulur pranë dritares nisi të lexonte emrat një e nga një, si të ishin tituj librash: “Qielli i verës”, “Vanilje e butë”, “Pëshpërimë hëne”, “Rapsodi”.
Ajo ndaloi te kjo e fundit. Rapsodi.
Fjala i erdhi si një sërë fragmentesh, si një përzierje motivesh dhe zërash… Si pëlhurë e qepur me vargje. Dhe iu duk se edhe ngjyrat bënin të njëjtën gjë: mblidhnin copëza emocionesh dhe i qepnin mbi mure.
Kjo, – tha ajo më në fund.
Bojaxhiu u afrua.
Rapsodi? Ah, e marrin shumë artistët këtë. Nuk është as blu, as lejla. Ngjyrë që s’e kupton nga anon, se ndryshon nuancat sipas dritës.
– Si disa njerëz, – tha vajza dhe pa qejfprishur nga bojaxhiu. Babai qeshi dhe kaloi lehtë dorën mbi flokë me atë qetësinë e zakonshme, ndërsa drita luante mbi thinjat e tij.
Domethënë ngjyrë pa karar.
Jo, – tha ajo. – Ngjyrë me shumë karare bashkë.
Bojaxhiu ngriti vetullat sikur po hynte pa dashje në një bisedë shumë më të thellë se tavani që duhej lyer.
Unë di vetëm një gjë, – tha ai duke ngritur strehën e kapelës përpjetë. – Në fund të ditës, muri ose mbulon lagështinë, ose jo. Filozofia nuk e mban suvanë. – Po njeriun e mban, – ia ktheu vajza.
Babai mori frymë thellë. E shihte të bijën me një mënyrë, ku përziheshin krenaria dhe hutimi që kanë prindërit, kur kuptojnë se fëmijët e tyre jetojnë në një botë që nuk funksionon me të njëjtat rregulla si tyrja.
Kur isha në moshën tënde, – tha ai, – ngjyra zgjidhej me një pyetje: “Cila është ajo që kushton më lirë?”
Po tani?
Tani… – ai pa nga katalogu, pastaj nga vajza. – Tani paska hyrë edhe muzika në bojë.
Bojaxhiu shpërtheu në të qeshur.
Prisni edhe ca vite. Do fillojnë të shesin “Trishtim dimri” për korridore e “Dashuri toksike” për kuzhina.
Ka kuzhina që e meritojnë, – tha vajza seriozisht. Ai qeshi edhe më fort.
Moj bijë, ti flet sikur ke pirë kafe me poetë gjithë jetën.
Ka lexuar shumë, – tha babai me një ton që s’dallohej nëse ishte mburrje apo ankesë.
Leximi i tepërt të prish punë për jetën normale, – tha bojaxhiu duke përzier bojën me shkopin prej druri.
Pastaj nuk sheh më mur. Sheh “simbolikë muri”.
Vajza ngriti supet.
Edhe ju nuk shihni më njerëz. Shihni vetëm sa metra katrorë kanë për të lyer.
Këtë herë heshti edhe bojaxhiu. Pastaj buzëqeshi me cep të buzës.
Goditje e saktë.
Për disa çaste dëgjohej vetëm ruli mbi mur. Ngjyra hapej ngadalë, e butë, mes blusë dhe lejlasë, si qiell pas perëndimit. Dhoma dukej sikur po merrte frymë ndryshe.
Vajza e ndiqte me sy, e bindur se çdo shtëpi ruan kujtimet jo vetëm në mobilie apo fotografi, por edhe në ngjyrat që zgjedhim pa e kuptuar plotësisht pse. Disa njerëz lyenin muret për pastërti. Të tjerë për modë. Disa sepse donin një fillim të ri. Secili bënte zgjedhjen e vet.
Kur bojaxhiu lëvizi shkallën pranë bibliotekës së vjetër, një fotografi ra përdhe. Babai u përkul ta merrte. Në foto ishte gruaja e tij, vite më parë, duke qeshur po në të njëjtën dhomë, kur muret qenë lyer me një të verdhë të çelur.
Ai e fshiu me kujdes cepin e kornizës.
Asaj i pëlqenin ngjyrat e ngrohta, – tha ngadalë. – Thoshte se shtëpia duhet të duket sikur të pret.
Vajza e pa pa folur. Për herë të parë që nga mëngjesi, zëri i të atit nuk kishte nuanca humori.
Po kjo ngjyrë? – pyeti ajo. – Të duket e ftohtë?
Babai vështroi murin e sapolyer. Drita e pasdites po hynte pjerrtas dhe “Rapsodia” ndryshonte nga minuta në minutë: herë më blu, herë më vjollcë, herë gati gri.
Jo, – tha më në fund. – Më duket si ajo heshtja pas muzikës… kur kënga ka mbaruar, po ti ende e ndien brenda. Vajza uli sytë. Nuk e priste këtë prej tij.
Bojaxhiu ndaloi dorën për një çast.
Epo, zotëri, – tha ai, – paskeni qenë poet i fshehur gjithë këto vite. Babai buzëqeshi lehtë.
Mbrëmja zbriti ngadalë mbi shtëpi. Era e bojës u përzie me aromën e kafes që po ziente në kuzhinë. Dhomës ende i mungonin perdet, librat, fotografitë në mure, por kishte fituar diçka tjetër: një lloj qetësie të re.
Kur mbaruan, bojaxhiu lau duart në oborr dhe babai hapi dritaret edhe më shumë. Drita e fundit e pasdites ra mbi murin e sapolyer dhe ngjyra ndryshoi sërish, lehtë…
E çuditshme, – tha babai duke e parë gjatë. – Në katalog dukej tjetër.
Vajza buzëqeshi dhe kaloi dorën mbi murin ende të freskët.
Ndoshta sepse në katalog ishte vetëm një nuancë… kurse këtu u përzie me dritën, me zërat tanë, me gjithë çfarë ka kjo shtëpi brenda. Dhe u bë diçka tjetër.
Rapsodi në një dhomë gjumi, – qeshi lehtë vajza dhe u rrotullua në dhomën e ende të zbrazur. Kush vallë ta shoqëronte në atë vallëzim?



