Kreu Letërsi Bibliotekë “Të gjitha u thinjët ju dashnore të shirave”, poezi nga Roland Gjoza

“Të gjitha u thinjët ju dashnore të shirave”, poezi nga Roland Gjoza

TË GJITHA U THINJËT JU DASHNORE TË SHIRAVE

të gjitha u thinjët ju dashnore të shirave dhe dëbornave të auditoreve
kur putheshim
me aq besim te dashuria
sa mund të nxirrnim diellin prej reve
me buzët
dhe gjuhën që shtyhej
gjer te psherëtima
harronim çantat me libra nëpër takime
se ishte koha e poezive
koha e shpirtit
tani jeni thinjur
blini bojë me çmim të lirë
për hir të kujtimeve
gjysma e vitrinave për ju janë krijuar
ishit aq të bukura
sa nuk na besohet që u vyshkët si lulet
dhe jeni në kohën që do të bini
edhe sikur kjo të ndodhë
gjysma e vitrinave për ju do të mbetet
dhe gjysma tjetër për vajzat tuaja
na harruat
se na humbi djalëria
s’dinim më të puthnim
mjaftonte shkopi dhe një kapele
një kafe diku që të gremiseshim në kujtime
për gërmadhat s’mund të ketë vitrina
ju
edhe duke rënë si petlat që bien nga vazoja me lule
prapseprap lule mbetët
ju heq kapelen
dashnore të auditoreve
të kohës së poezive
dhe të shpirtit.


EJA NE NJU JORK

eja në nju jork në orën që lind
dhe ora që lind është kur zogjtë cicërojnë
dhe grataçielave iu rrëshqet dielli foshnje
dhe oqeani është vendi ku pagëzohet
dhe një meshë fëshfërimash dëgjohet
mbi kapelet e grave
dhe pulëbardhat e mëdha të oqeanit mbi fashion avenju
Iu bien tambureve të ajrit për psalmet
edhe këtu si kudo
veç madhështia të kujton perënditë
kur iu shfaqeshin njerëzve të zgjedhur
dhe ti je e zgjedhur
prandaj u shpikën grataçielat
se e dinin që ti do të vije
këtu një puthje është sikur ke vënë buzët në qiell
po më mirë ti eja kur ora rritet
dhe njujorkezët nxitojnë sikur marrin vrull të ngjiten për të pritur mesinë
po nga banka në bankë shkojnë, s’kanë rrugë tjetër
me fytyra jeshile si dallari i prerë freskët
ne të dy s’kemi punë me dollarin kërcitës
po me dashurinë
le të puthemi në cirkuid kolomb
duke provuar se edhe puthja është e rrumbullakët si bota
këtu puthjet rëndom janë me pagesë
po ne i paguajmë duke këmbyer zemrat
e dashur, më mirë eja kur ora vdes
atëherë kur heminguej bëri vetëvrasje nga depresioni I thellë
kur muzgu bie përmes grataçielave si një vajzë që hidhet nga kati dyqind e pesë
po nuk vdes
se e presim ne
ngaqë ti vjen me vetëdijen e jetës
dhe unë gjithashtu si një shkrimtar që s’gëzoi asgjë në kohën e vet
dhe bën vetëvrasje para syve të tu të zgjuar
duke ta përseritur shpesh si ide
se nju jorku nuk mund të shijohet pa dramacitet
po unë e di, ti do të vish kur ora lind
dhe diellit foshnje që pagëzohet do t’i vesh emrin tënd
dhe unë s’do të jem ky që jam
po ai djaloshi tetëmbëdhjetëvjeçar që të tha i pari; të dashuroj!
ti më mirë eja kur ora lind
se atëherë është koha e dashurisë


NXITIM NJUJORKEZ

këtu
në nju jork
njerëzit nxitojnë
nxitojnë
o zot
sa shumë që nxitojnë!
dhe varrezat i kanë pranë banesave
për të mos humbur kohë.


DO TË BËHESH POET?

do të bëhesh poet?
eja në amerikë
këtu do të gjesh mërzinë dhe vetminë
dy bija të parnasit metalik
po ti s’vjen
ta di kokën
amerikën e shikon kur kthen me fund gotën!
mëngjeset e praruara
gjinkallat që çirren dhe japin frymën buzë bulevardeve
ty s’të bëjnë përshtypje më
ke mbetur te vargu që shkrove para njëzetë vjetëve
tani përdor shprehjen; varja, plako!
s’vë re as perëndimin
aq të freskët
sikur dielli ka ndërruar vend me agimin
pantallona të shkurtra
zbathur
shtyn ditët ne plazh dhe në muzg
kthehesh si turtulli në fole
në tiranën e zhurmshme me pluhur
ndoshta ndërron mendje dhe vjen
po ta dish
këtu të presin piramidat
dhe sfinksi
egjipti i ri ende s’ka mbaruar
kurrizin do të thyesh në punë
shefit do t’i bësh lajka
se ndryshe të flakë në rrugë
si këlysh bushtre
ta di kokën 
ti s’vjen
amerikën e shikon kur kthen me fund gotën!
më mirë që s’vjen
rri aty ku je
mes zhurmës dhe pluhurit të tiranës
ku përditë te papunet shkruajne nëpër mure 
jeta o qef!..
dhe ti e shtyn si mundesh 
më mbeti të grindem i vetëm me dy bijat e parnasit
dhe të pëshpëris atë shprehjen tënde; varja, plako!
se edhe unë prej poezisë s’nxora gjë
në botën e dollarit


NJU JORKU SI LEONARDO DA VINÇI

jam si ajo mola në kostumin që shkoi për oskar
gjithsesi dhe çmimet e mëdha
e kanë nga një varrmihës të padukshem
 
. . .
 
i jam futur nju jorkut, jo si mag
as si turist
që e përshkon atë për një javë dhe s’e kupton
i jam futur nju jorkut si një krimb që ta kalb
të bjerë dhe të lulëzojë sërish
jo si morgan
po si leonardo da vinçi
 
. . .
 
e zgjidha përfundimisht
nuk do të udhëtoj më për amerikë
është kaq e thjeshtë
me një boing inxhinjerik
në ajër
mbi ujëra
e ç’me pret atje?
një numër!
do të udhëtoj brenda vetes
të përshkoj shekujt së prapthi
gjersa të arrijë te krishti.
 
. . .
 
me një migjen si kostum
me një kapele si mjedë
me një bastun si poradec
do t’i hyj nju jorkut mespërmes
i pakuptueshëm do të jem
si një vend i vogël që s’përkthehet
dhe s’e njohin të mëdhenjtë
( talentet piqen dhe kalben në degë
dhe bien dhe treten në pleh )
kokëfortë këndoj si ata!
nostalgjia i lë prapa ballkanasit
s’më do të tillë uitmani!


E ZBEHTË ISHE MBRËMË

e zbehtë ishe mbrëmë
po e kaluam me një heshtje prej mbrëmjeje
i zbehtë isha unë
po shkoi ashtu si lumi nën urë
s’tregojmë më asgjë për vete
ç›kishim e dhamë për fëmijët që u rritën
dy qënie pa brendësi
dy boshësi që plotësojne dy plotësi
tani s’kemi ç’japim më
e zbehtë ishe mbrëmë
po e kaluam me një heshtje prej mbrëmjeje
i zbehtë isha unë
po shkoi ashtu si lumi nën urë
kur të vijë vdekja kemi vdekur qëkur


SHPIRT, MOS U TRISHTO

shpirt, mos u trishto
shpirt
ti ishe grua e bukur shumë
tani je prishur
hiret të shkuan bashkë me sapunin dhe ujin
ilaçin e enëve
stufën që të shkriu si qiriri kur gatuan
ç›t›i bësh,
bashkë me pleqërinë
zoti të merr dhe bukurinë
po duhet ta falenderojmë, e dashur
t’i heqim kapelen
se na shtoi dashurinë
ti për mua je një bijë më tepër
unë për ty një bir
u ngatërrua kjo punë
lëmsh u bë dashuria
dhe kjo ndodhi, e dashur
se humbëm bukurinë
vyshkja e lulkës së buzkës
dhe rrudhkat si shi
na shëmtuan
po na shtuan dhëmbshurinë
në jetë jemi hije ne dritë
në kujtime realë si dielli
ata që kujtojmë kur flasim nën drurë
të famshmit e asaj kohe
kanë vdekur qëkur
po ne me ata ndjehemi të lumtur
le të shpikë ipod jobs
microsoft bill gejts
për ne shpikja më e madhe
është kujtimi
 
dhe sa gënjejmë
dhe sa na shkon gënjeshtra
ushqim zogjsh për dashurinë
 
thërrime
jeta!


JAM NJË PROBLEM AMERIKAN

jam një problem amerikan
sepse nuk konsumoj si më parë
gris këpucë më pak
nuk eci shumë dhe kostume s’ndërroj më
se takimet më të shpeshtë i kam me zogjtë dhe pemët
po këtë e mbaj të fshehtë
se përndryshe do të më quajnë të çmendur
jam antikonsumist
dhe antikonformist i pandreqshëm
më mirë të shkoj
të thyej qafën
të mos merrem me kujtime dhe të kruaj xhepat e zbrazur
jam në vendin e parasë
në qarkullimin e saj atletik të rekordeve të mëdha
jam një mundësi për bypass
një problem amerikan
të kuptosh që ke vdekur kur s’nxjerr më para
jam një problem amerikan


KAM PUNË ME NATËN

e lashë mëngjesin
dhe mesditën
me natën kam punë
s’ka njerëz
të gjithë flenë
fillikat i vetmuar endem nën yje
 
anjë yll s’fitova në jetë
po yje të rremë sa të duash
thonë atje lart më presin shpirtrat
unë pres të më dalin
flatrat nën sqetull
 
do fluturoj?
kurrë s’fluturova në jetë
po si krimb u zvarrita dhe si krimb po e mbyll
në një rrokaqiell në manhattan
në një rrugë të madhe
që i thonë fashion avenue
 
po s’jam i trishtuar
as i zhgënjyer
sa frymë nuk lindën dot?
unë e pata këtë fat
të shoh më në fund amerikën
dhe stiv jobs
 
jo
s’është pak
po vonë është për mua, tepër vonë
të ndërroj fjalën e bukur me dollarin
po duhet ndërruar
që të më heq kapelen
dhe të më nderojë
mister morgani
 
njerëzit flenë dhe unë i vetëm
pres të marr pasaportë nga nata
dhe të nisem për andej
ndoshta udhës takoj krishtin
unë ngjitem
ai zbret
 
atje poshtë prap e pret ndeshkimi
populli si dele
që thirri dje mesia
do ta kryqëzojë në shtyllë përsëri
krishti do të japë shpirt si bandit
barabë banditi do të shpallet i lirë
 
t’ia them?
ai s’dëgjon njeri
po ndoshta ma vë veshin dhe kthehet
pa krisht a jetohet në qiell?
në tokë e pata të vështirë
po shëmbulli i tij më ndoqi
të paktën
nëpër shkrime
 
pres të ngjitem në natën me yje
me një mundësi krishti në qiell
po sikur dhe atje ta kenë kryqëzuar
ta gjejë në golgotë duke dhënë shpirt?
 
jo, o zot
në sytë e tu të ndodhë kjo mynxyrë?
mos qoftë!
i vetmi ngushëllim në këtë natë me yje
s’kam tjetër
dhe po të kisha
prap krisht do të qe!


NDIZ NJË QIRI PËR VETEN

të lënë të gjitha
as me vetveten s’gjen qetësi
s’ka asgjë besnike në këtë jetë
dhe shkrimi të lë një ditë
dhe kur vdes
zoti të ka braktisur
prandaj
ndiz një qiri për veten
kur shkruan poezinë më të mirë
dhe kujto fundin e pashmangshëm që të pret
ndonëse sepjet e ftohta me limon dhe vera e kuqe e kilit të shijojnë shumë
dhe gruaja që ke pranë
seksin të jep me epshin më të bukur
mos harro
ndiz një qiri për veten
dhe kur je më i gëzuar se kurrë
dhe kur lavdinë ke prekur


MË VJEN ZËRI I NËNËS

më vjen zëri i nënës
me çfarë e do bukën, landush?
unë po lexoja eseninin, ishte mbrëmje me hënë
më lerë rehat, nënë
lere librin dhe më kthe përgjigje
me çfarë e do bukën, po të pyes
me qumështin që derdh hëna mbi beriozkat,
jo me qumësht, se hënën po e pijnë kuajt
nëna i thoshte babait kur vajtën për të fjetur
yt bir ka rrjedhur, ti i ke fajet, ta dish
kështu ka lindur, çyryk, ia kthente babai
c’t’i bëj unë i ziu?
çoje për vizitë te mjeku që nesër
shpjegoja doktor luzit si e qysh
po sikur ta shtrojnë te pesa?
kush i dëgjon fqinjët cmirëzinj
kushedi ç’nofkë do t’i ngjisin djalit
mund ta quajnë dhe budalla të lindur
m’u bëfshin kurban, m’u bëfshin
ata të shikojnë të tyret
lere, mos ma nga landushin
me okë le t’i thotë marrëzirat
ia dëgjon kjo kockë dhe s’pyes për njeri
i hedh ca kripë në baluket e verdha
që të mos ma marrin më sysh
unë qeshja
ata të gjorë s’kish si ta dinin
se esenini me lirikat ishte pesa
dhe unë vërtet isha i çmendur
si të gjithë poetët


KOHA E MISHIT

kudo që shkoj vitrinat si sirenat, po homer nuk shoh
klubet e natës digjen nga uiski dhe xhini me flakë varieteje
dhe teatrot e broduejt banalizojnë shekspirin
libra gjej nëpër trena dhe stola
në parqe publikë
gruaja vjen nga afërdita dhe burri nga marsi
e kanë lenë përgjysmë
me një shenjë puthjeje
romanin
e rëndë puna dhe e ndyrë
s’durohet
për 15 dollarë ora të lashë dhe të fshish 25 wc, kthehu nga atlantic city dhe luaj për fitore
pirro bie më shpesh me një tullë pas koke
kush është më me fat
fiton si cezari
te moma një makinë e vjetër
plot me gazeta të ngjitura
dhe një nudo blu
në rrugë dhe metro
artistë nga amerika e jugut
kërcejnë tango për një dollar
të dehur, të bërë tapë
shurrojnë nën monumentin e edgar allan poe
nju jorku i droguar
s’di ç’të bëjë prej qejfit
është gati të lerë yjet me barrë
s’ka asgjë tjetër përveç kënaqësisë
dhe instinktet luajnë jetën e lumtur
duke prerë damarët
ç’të bëjmë? asgjë!
përseritja e përgjigjeve nga gilgameshi gjer te ulisi i xhojsit është ndërprerë
te gota e birrës dhe uiskit
kanë dalë jashtë mode hollivudi, shpikjet teknologjike
syri i dehur shikon lart galaktikën
për ndonjë ronde vu me hawking që ka ngecur te vrimat e zeza
të gjitha u shijuan
mishi u nginj, gati sa s’plas
shpirt s’ka më sepse vuajtja prej kohësh është vrarë
take it easy
formula e bombës atomike të mishit
po të plasë
na vjen në ndihmë elon musk me raketat planetare
turistike
koha e mishit!
take it easy!


KOHA IME

e kërkova në qytet, nuk e gjeta
askund tjetër nuk ishte koha ime
sa herë hapeshin ekspozita apo panaire
sa herë jepeshin çmime
koha e të tjerëve ishte
e imja s’ekzistonte
isha njeriu pa kohë
kështu mendova
po kujtimet tjetër gjë më tregonin
kujtimet e milionta
tani jam në amerikë dhe është e kotë ta kërkoj
veç të rrëmoj se mos e gjej në dollarin që djersin
në mallin e plagosur
fashuar gjer në grykë
një peshkaqen i verdhë ngriti bishtin me dy shpata të kryqëzuara
në atlantik
dhe hapi gojën të më hante
pastaj u ngrit në ajër me flatra të flakta prej ari
dhe m’u soll rrotull e rrotull pa u ndalur
gjersa më futi në rrethin e tij vrudullues
ai paskësh qenë
peshkaqeni i verdhë i kohës sime
që e hëngri me babëzi gjer në sekondën e fundit
tani kisha mbetur vetëm unë
njeriu me kohë të mbaruar
e ç’donte akoma?
isha kockë e lëkurë
po kishte mbetur një pikë
një pikë në fund të kohës sime
e hëngri dhe atë dhe u zhduk


TYMI 

shoh tym që del prej shtratit në agim
shoh tym që del nga librat, fletoret, kompjuteri i ndezur
shoh tym dhe në lirikën më të bukur të dashurisë që gjithmonë e shkruan esenini
shoh tym
digjen ditët e mia bashkë me netët e mia
dhe unë mbetem kufomë pa takime në netët me yje
në barin me vesë që i shtroja përsipër xhaketën time
ku të shtrija sikur të ishe vetë afërdita e sapodalë nga shkuma
mbetën kujtimet, po dhe ato nxjerrin tym
dhe harresa po dendësohet me një shpejtësi prej furtune
ku shkuan, ku humbën?
fillikat vetëm
pres kohën që të bëhem skelet i bardhë dhe të ngjitem vertikal në ajrin blu
po dëgjuat trak truk
qelqeve të dritareve në muzg
drurëve
jam unë
ngjitem në qiellin e harresës
le poshtë tokën e kujtimeve të bukura
që kthehen në humus për trëndafilat
e kuq

Exit mobile version