Kreu Letërsi Bibliotekë Tatiana Tibuleac: Nëse nuk merr dashuri, e ke shumë të vështirë të...

Tatiana Tibuleac: Nëse nuk merr dashuri, e ke shumë të vështirë të japësh

Me një karrierë të gjatë si gazetare në vendin e saj të lindjes, në median e shkruar dhe të folur, radio dhe televizion, Tibuleac u transferua në Paris një dhjetëvjeçar më parë, ku tani jeton me familjen. Vendimi për të emigruar ishte esencial për rritjen e saj si shkrimtare. Dy romanet që ka botuar deri tani kanë lindur në kryeqytetin francez. “Kopshti prej qelqi” u botua në shqip në vitin 2019, kurse “Vera kur ime më i kishte sytë jeshilë”, (në fakt libri i parë i shkrimtares) sapo është botuar nga Shtëpia Botuese Dituria, i përkthyer nga rumanishtja, sërish nga Maniela Sota. Sipas shkrimtares moldave, largimi nga gazetaria dhe distancimi nga vendi ku u rrit, ishin dy kushte të nevojshme për t’u zhytur kokë e këmbë në letërsi. Nuk është e lehtë të përballesh me të kaluarën, kur ende jeton me të.

Po sjellim një intervistë e shkrimtares, dhënë revistës “Vogue”, në Spanjë, vendi ku, pas Francës, ajo është vlerësuar si një shkrimtare unike në Evropë. Përktheu Maniela Sota


Si kanë ndikuar rrënjët moldave në mënyrën tuaj të të shkruarit?

Kjo është një pyetje që ia bëj edhe vetes. Çfarë do të thotë të rritesh në një vend ku të paktën dy gjuhë po formësojnë këndvështrimin tënd për jetën? Romani im i dytë, “Kopshti prej qelqi”, ka të bëjë pikërisht me këtë. Si është të rritesh në një mjedis dygjuhësh, çfarë do të thotë kjo. Nuk mund të fshish një vend nga shpirti i një personi, edhe nëse je duke shkruar për gjëra krejtësisht të ndryshme. Ndjeshmëria dhe vizioni janë të lidhura me vendin ku je rritur. Dhe është një kohë, ajo e fëmijërisë sime, që e vlerësoj shumë, sepse përkon me formimin tim si njeri dhe si shkrimtare. Nga ana tjetër, prapëseprapë ndihem e shkëputur nga Moldavia. Nuk do të kisha mundur të shkruaja asnjë nga librat e mi, nëse do të kisha qëndruar atje.

Pse?

Kisha nevojë të bëja një hap prapa për të qenë më e qartë. Dëshiroja të shkruaja diçka që nuk ishte pjesë e punës sime të gjatë si gazetare. Stili im i jetës nuk më linte hapësirë ​​për t’u marrë me letërsi. Për të shkruar, të paktën në rastin tim, duhet të jesh në gjendje të marrësh frymë. Duhet të ndihesh e lodhur që nuk po shkruan. Duhet t’i ndiesh mungesën. Për më tepër, jo gjithmonë ke dëshirë të përballesh me ato realitete që shihen çdo ditë. Duhet të krijosh distancë. Pastaj është edhe fakti i mëmësisë, i cili është gjithashtu në qendër të librit Vera kur ime më i kishte sytë jeshilë. Shumë nga frikat e mia dolën në dritë. Shkrimi i këtij libri ishte një mënyrë për të qenë vetvetja. Edhe pse m’u desh të shprehesha në mënyrë të koduar.

Nga lindi ideja për këtë libër?

Është një miks. Sigurisht që nuk është historia ime. Por ka shumë nga unë në secilin prej personazheve. Kam kaluar një herë pushimet me prindërit e mi në bregdetin francez, në një shtëpi të madhe të rrethuar nga fusha me luledielli, pikërisht siç duket në libër. Ishte një peizazh joreal dhe ndjeva se diçka po ndryshonte tek unë, në mënyrën si i shikoja gjërat. E kuptova që nuk do të mund të shkruaja më kurrë në mënyrë të butë. Kam pasur shumë biseda me babain tim, me të cilin deri atëherë nuk kisha pasur marrëdhënie të mira. Pas shumë vitesh u bëmë sërish miq. Kur u ktheva, pata nevojë të menjëhershme për një copë letër ku të përshkruaja gjithë ato ndjenja kontradiktore që provoja për prindërit e mi ose për veten si nënë.

Për çfarë lloj ndjenjash kontradiktore e keni fjalën?

Pyetje për aftësitë e mia për të qenë një nënë e mirë për fëmijët e mi. Për përsosmërinë që të gjithë kërkojnë nga gratë. Se sa e vështirë është të mos jesh e përsosur dhe të pretendosh dashuri. Kështu fillova të shkruaj dhe doli ky libër. E shoh shumë veten në tonin e përdorur: Jam cinike, por mund të qaj për gjërat që të tjerët nuk i shohin ose nuk ju duken të bukura. Kisha nevojë të isha e çiltër me veten. Nuk e kam menduar kurrë se ky libër do të ishte një sukses. Dhe as nuk dija çfarë të bëja me këtë sukses që erdhi kaq shpejt. Mënyra si e përballova, ishte duke shkruar një roman të dytë për fëmijërinë time, i cili gjithashtu është pritur shumë mirë. Problemi vjen tani, sepse nuk di çfarë të bëj. Nuk kam shkruar asgjë pas romanit të dytë. Ndihem sikur i kam humbur të gjitha fjalët dhe ndjenjat.

Kjo është hera e parë që intervistoj një shkrimtar që më thotë se ka një bllokim krijues. Si e trajtoni atë?

Nuk kam ndër mend t‘ia mbath asgjëkundi. Nëse kjo do të thotë se nuk do të shkruaj kurrë një libër tjetër, ashtu qoftë. Do të shkruaj vetëm për gjërat që ndiej, gjëra që kanë një kuptim për mua. Tani për tani, ka gjëra të tjera për të bërë në jetë. Kam një kopsht të madh, kam fëmijë dhe mijëra libra për të lexuar. Nuk dua të jem shkrimtare me detyrim.

Sa duhet ta njohësh trishtimin për të shkruar kaq bukur për të?

Mjaft mirë. E njoh mjaft mirë. Më pëlqen trishtimi dhe malli. Nuk di si ta përballoj suksesin apo gëzimin e tepruar. Më pëlqejnë më shumë emocionet e vogla se të mëdhatë. Më duket sikur para se të shkruaja këtë libër, isha e vetme në një dhomë, kurse tani ka edhe njerëz të tjerë të vetmuar që kanë hyrë dhe jemi bashkë.

Në fakt, në një intervistë keni thënë se të shkruarit është një mënyrë shërimi.

Po, besoj te shërimi, por besoj, ndërkaq, edhe që kjo fjalë mbivlerësohet në ditët tona. Më pëlqen e kaluara më shumë se e ardhmja. Më pëlqen ta rishikoj dhe të mendoj se çfarë mund të kisha bërë ndryshe. Kam mësuar se nëse shkrimi nuk është shërues, të paktën mund të të mësojë se ke kohë të ndryshosh akoma. Mund të bëhet diçka për të kaluarën dhe për të ardhmen tënde.

Mendoni se mund ta ndryshoni të kaluarën duke ndryshuar mënyrën se si e vlerësoni atë?

E vërtetë. Është e qartë që nuk mund të ndryshohet fizikisht. Nëse ke humbur një shoqe, e di se nuk mund ta kthesh në jetë, por mënyra se si vendos ta kujtosh, mund ta bëjë atë shumë të pranishme. Këtë bëj në romanin tim të dytë, vizitoj fëmijërinë time për t’i sistemuar gjërat. Jo vetëm për veten, por për shumë njerëz të brezit tim. Mendojmë gjithmonë se jemi unikë, por nuk jemi. Shkrimtarët kanë privilegjin të shprehin me fjalë ndjenjat e shumë njerëzve. Është një mënyrë për t’u bashkuar.

Si e gjeni bukurinë në dhimbje apo zemërim?

E gjej bukurinë në zemërim, sepse besoj se është një ndjenjë e nënvlerësuar. Mund të jetë shumë e dobishme si një formë shprehjeje. Nuk duhet domosdoshmërisht ta shkarkosh atë te dikush. Ky libër ka si protagoniste një grua me shumë të meta, por që ende mund të dashurohet. Mendoj se është një mesazh i domosdoshëm. Gratë janë nën një presion të madh, sepse të gjithë duan që ato të jenë të sjellshme, të bukura, nëna perfekte dhe gra të mira. Ekziston bindja se duhet të ndihen më pak dhe të bëjnë më shumë për të tjerët. Kur një person nuk është aq sa duhet e zonja në ndonjërën nga këto aspekte, fajësohet për këtë. Në vendin ku u rrita, një grua duhej të ishte martire. Të jetonte për fëmijët dhe ta vinte veten gjithmonë në vend të dytë apo të tretë. Kjo qasje është e pasaktë sepse i bën shumë njerëz të palumtur. Jo vetëm vetë gratë, por edhe familjet e tyre. Mesazhi kryesor që doja të përcillja është se nëse nuk merr dashuri, e ke shumë të vështirë të japësh.

Exit mobile version