Kreu Letërsi Bibliotekë “Takohemi në ëndërr”, poezi nga Arben Velo

“Takohemi në ëndërr”, poezi nga Arben Velo

Mars

Nga zbriti si gropë zanoresh, ky qiell
pasthirrmat tona në sekonda shirash i dha
Ca shkrepje zakonesh, me re mbështjellë
kërkojne mbretëri, aty ku njerez nuk ka.
 
Bashtingellore të mia pse blegërini atje
si dhi që shtegtojnë për bisqe të njoma?
Livadhet u grisën nga shputat e dreqërve
dhe mungesa e shuajve të këpucëve tona.
 
Vetmia zbret në njerëz, pallatet zënë falen
në drita kthejnë qirintë e shiut të beftë
Në pasqyra uji, vetëtima mallesh
ndërtojnë e shkatërrojnë varrin e vet..!


Gjendje qytetase

Një djalë u nis sot për në qiej
jetëshkurtër, iku majë gishtave.
Unë ngela ballë filxhanit të kafesë
në qytetin mbytur gjer në fyt
me fjalë dhe me shpresë..
 
Një burrë frymon
ankth brenda meje,
mijëra vjet para se Eva t’ia merrte mendtë
I zhveshur nga ëndrrat
Adam i gdhendur
brenda filxhanit të fatit të vet.


Takohemi në ëndërr

Sa bukur do të ishte të takoheshim
brenda një ëndrre…
Të grindeshim me vetminë
që ende ska ardhur,
si një tren në stacionin e agut.
të përcillnim hiçin në muzgje,
duke vallëzuar si dy pulëbardha
mbi ujin e kripur.
ta ndryshonim botën e ëndrrave
e kthyer në avullore të ndryshkur
ngarkuar me lumturinë tonë
me lodrat e urisë
si copa buke
për fëmijët ende të palindur
Të mbillnim bar të ri, lumenj të egër, gëmusha
një hënë që të zgjatej si gjirafat
mbi fushat e dëshpëruara nga vetmia
Bashkë ti kërkonim falje dhimbjes
kur do të vij, se dijmë
me ikjet që na ndajnë përgjysmë.
Do të ishte bukur!
Paçka, mund të kthehemi
emra pa mbiemra
në listën e borxheve
të shitesit të kujtimeve..!


Bekim shkurti

Për mua një fushë, është një fushë
çdo muaj ka mall për fshatarin
Mëllenjat, me veladon priftërinjsh
Ua nisa, që të bekojnë ugarin…. 
 
Shkurt…
 
Nuk po më lë të qetë kujtimi yt
i ngecur mes dy brinjëve.
(Më kot po pret ta zbuloj
veshur me bluzë të bardhë
Rosaku i zi i radiografive)
 
Më dridhen duart duke të kërkuar
Ty dhe hijen tënde të zbardhur
(Sa i jep frymë ajrit tim
në këtë Shkurt të shkurtër
sa gogësitja e erës…)
 
.. Sa nis të plugoj lotin e fshehtë
Thyhet parmenda e zemrës


Pak fjalë për të premten time

Erdhi e premtja, unë zbrita nga zemra
në sheshin ku pëlcet qyteti
në një biçikletë shpikur me dy sytë e Asaj
pedalon para meje mëngjesi.
 
Një gjysh që shkoq vesën, dërsin edhe barin
me agimin në një garë është vënë
(Kush zbut egërsinë e biçikletës për nipin
si zile biçiklete, fiton një miniHënë.)
 
Ca romë fishkëllejnë një tymnajë kënge
(e festuan Shën Gjergjin e tyre)
Nga pema e mendjes dikush flatron
të kërcej valle me yjet.
 
Më kryqëzohet hija mbi lumin Gjanicë
(shpinën time ka shtrat të saj)
E Premtja tringëllon Hënë, si zile biçiklete
-”Ej hapu- më thotë, -zbrit nga sytë e saj…


Lajm mesdite

Te kioska e rrjepur nga boja e heshtjes
ndaloj, dua të blej një gazetë
rreshtuar pozojnë gergujt e zinj të lajmeve,
veç shitësi me sy po i vret.
 
Një burrë mban në kokë kapelën e kashtës
tymon i mpakur cigare
Nga goja e tij, si nga një pus i tharë
dalin shtëllunga prej hallesh
 
Nuk është dordolec, të tremb sorrat e hijeve
kërkon një punë, është njëri
Për gergujt e zinj të lajmeve të ditës
pranon dhe si dordolec, të rri
 
Nga kioska e rrjepur nga boja e heshtjes
po iki, sdua të blej gazetë
fluturojnë gerguj lajmesh, mbi kapelën e kashtës
Ai tymon shpirtin dhe me sy i vret….!


Dy fjalë për perëndimin

Një dele krrutë e perëndimit
m’i hëngri akaciet e dritës
me thuprat e hijeve, romët e munguar
shqetësimin ma thurin kanistër…
 
I kthej valët e Vjosës në krrabë
(Vjosën që rrjedh brenda shpirtit)
Asnjëherë për be, nuk munda ta kap
Delen krrutë të perëndimit…!


Fshat …

Paska ikur nga kjo botë xha Skëndua
natën që erdhën xixëllonjat në fshat.
me dritën e tyre, burrat, ndezën cigaret
zanoret e kujës ndezën gratë.
 
Unë, nuk e dija, i shihja sipër shtëpive
me dritë të shterur pikë- pikë,
Dhe sdi pse më ngjanin si sy njerëzish
çastin kur japin shpirt.
 
Nga shtatë, takova gjashtë pleq
(gjashtë psherëtima në fshat kanë mbetur)
E shtata mungon, ishte qeshja e tij
(mërzitë kthente, në kafe të pjekur.) 
 
Sot kur mësova vdekjen e tij
pashë ankth në çeljen e kumbullës.
Kuptova pse xixëllonjat krrusin barkun e dritës
(kërkojnë gjurmë nga e qeshura e tij rrugës.)


Zogjtë japin meshë për një fshat!

Në fshatin tim dallëndyshet
për ikjet e njerëzve japin meshë
si ikonastas kanë llullat e gjyshërve
atje i kanë ngritur foletë
 
Nëpër rrugët e lagjes, harabelat
si besimtarë që shkojnë në xhami
nga qiejt, sikur falin namazin
(të mbushen ato me fëmijë)
 
Përbri vetmi trëndafilash
nxitoj me kapelë mbi kokë
(kaq kohë pa më parë, nuk më njohu
një drethkël, si kyç mbi një portë)
 
Parmakët e një deriçke të ndryshkur
përhitur me ca hije mbi shpinë
(janë hijet e të zotërve larguar
I kanë lënë si fjalëkalim)
 
Mundohem të jem haker pranvere
fjalë kalimet e hijeve të di
Çdo ditë, pas meshës së zogjve
Hardhitë çelin password të ri.


Trill qytetas

Ky qytet ka femrat më të bukura ne botë
Ato flokët krehin mbi një lum të palumtur..
Më kot presin meshkujt si anije
të mbushen me të qeshura të palindura….
Femrat shkruajnë me krëhër
letra për dashuritë e mërguara.!

Kur lumi kthehet në pasqyrë
e vërshon nga gjokset e femrave,
Meshkuj ngrejnë velat
nisen në lundrim…
Pa e ditur në ç’mole do të ankorohen.!


Si ta përkthej gjuhën e barit

Dhe mendjen e vras, si të flas me barin
të komunikoj, e mik ta bëj sot
Ti flas, si më ha pranvera për së gjalli
e Unë pasthirrma shpirti, s’përkthej dot.
 
Ti them për njerëz, shurdhuar nga jehona
e mërisë të kthyer në stinë të pestë.
Ja, paturpësia, ëndërron të bëhet Cezar
e maskuar e veshur, si dashuria vetë.
 
Si ta përkthej gjuhën e këtij bari prilli,
në gjuhën e vesës që harabeli rrufit?
I them: “mos e vrit mendjen për ne njerëzit
bari s’mund të vishet si murg me mërzitë”!

Exit mobile version