Kreu Letërsi Shënime mbi libra Skënder Karriqi: Liria si një fakt homocentrik në dy vepra të Dostojevskit...

Skënder Karriqi: Liria si një fakt homocentrik në dy vepra të Dostojevskit (“Krim e ndëshkim”, 1866 dhe “Vëllezërit Karamazov”, 1880)

1-  Tolstoi, Dostojevski dhe një epigraf biblik. 

Në vitin 1878 Tolstoi botoi një nga kryeveprat e tij: “Ana Karenina”, zhvillimit të ngjarjeve të të ciliës i paraprin epigrafi biblik: “Imja është hakmarrja dhe unë do të hakmerrem/do të shpaguaj”, (sipas alternativës së përkthimit të Bujar Hudhrit në shkrimin “A janë përkthyer saktë?”), botuar në “ExLibris”, dt 07.05.2022. Në pjesën III të “ Historia e letërsisë ruse e shek. XIX”, cituar po aty, “Epigrafi perceptohet edhe si një kujtesë për shoqërinë, se si asaj nuk i takon e drejta për të gjykuar njeriun”. Kjo ide biblike e rimarrë nga Tolstoi në formën e një epigrafi për kryeveprën e tij: “Ana Karenina” (1878), rezulton të ketë qenë shqetësim edhe për Dostojevskin. Ai e kishte filluar shestimin letrar të saj mirëfilli, që në vitin 1866, kur botoi romanin “Krim e ndëshkim”, për ta përfunduar në vitin 1880, kur botoi romanin e fundit të tij: “Vëllezërit Karamazov”, 2 vjet pasi Tolstoi e kishte botuar “Ana Karenina” (1878).

Ndryshe nga Tolstoi (ky Car i letërsisë së kohës), i cili çështjen e lirisë dhe të së drejtës për gjykim e sheh në këndvështrimin teocectrik, Dostojevski (ky punëtor i dijes), çështjen e lirisë dhe të së drejtës për gjykim e sheh në këndvështrimin antropocentrik. Përtej vlerësimeve individuale (subjektive) për njërin apo tjetrin kollos të letërsisë ruse dhe më gjerë, botërore, në lidhje me idenë, të tërheq fakti i figurës së letërsisë ruse  si një sistem komunikimi ndërvetor(autorial) i ideve universal të lirisë dhe së drejtës për gjykim. 

2-Njeriu në antikitet

Kjo është periudha e parë  e “studimit” të njeriut, gjë që bëhet nëpërmjet përshkrimit të raporteve të tij me një rend teokratik, i konsideruar ky si objektiv,  kundër të cilit njeriu antik është i pafuqishëm të ngrihet.Është ky rend objektiv që determinon gjithë sjelljen njerëzore në mënyrë fatale. Çdo përpjekje e njeriut për ta kundërshtuar atë dënohet rëndë nga vullneti hyjnor, në mënyrë të pakthyeshmer. Edhe pse dikur kufijtë e kontaktit ndërmjet njerëzve dhe hyjnive liberalizohen, kufijtë ndërmjet qenieve mbeten të pakpërxyeshëm. Kjo pakapërxyeshmëri në të dy kahët e saj dëshmon inferioritetin e qenies njerëzore në përputhje me rendin hierarkik: njerëzve u ndalohet të pretendojnë statusin hyjnor, nga ana tjetër është turp për perënditë të bien në nivelin e njerëzve. Në këtë aspekt xhelozia e hyjnive është konstante. Në universin mitologjik do të ndihen pafundësisht rënkimet e heronjve kurajozë dhe të pabindur ndaj vullnetit hyjnor.

Në përputhje me kufijtë objkektivë ndërmjet qenieve (njerëzve dhe hyjnive) do të ketë heronj që s’do të dalin nga mitologjia dhe në këtë mënyrë nuk do të strukturohen në letërsinë antike, ashtu sikurse do të ketë heronj të mitologjisë që do të dalin prej saj për t’u strukturuar në letërsinë antike me të vetmin mesazh për t’i komunikuar Polisit: pacënueshmërinë e rendit objektiv .Të tillë heronj janë; Prometeu, Sizifi, Tantali, Edipi, etj. Skena të ardhura nga mitologjia në mënyrë të përpunuar në letërsinë antike, si ato të Klitemnestrës, Orestit, Medeas dhe të tjera të ngjashme me to, edhe pse janë pamje nga nëndheu, (iracionalja),shkaktohen nga raporte me hyjnitë, gjë që e përforcon idenë e rendit përcaktues objektiv.

Gjithsesi, sensi i historisë është progresiv dhe në një mënyrë apo në një tjetër ai do të manifestohet nëpërmjet shenjash të sigurta.Njëra prej këtyre shenjave është qëndrimi i njeriut ndaj fatalitetit . Sa më shumë Edipi e kupton se e shkuara e tij ka qenë fatalisht e përcaktuar nga hyjnitë dhe po e tillë është dhe e ardhmja e tij,aq më tepër ai lufton ndaj këtij fataliteti. Sigurisht ky pasion i luftës së tij ndaj fatalitetit, i cili është një standart i ri, ka mundësuar daljen e tij nga mitologjia, për t’u strukturuar akoma më heroikisht në letërsinë antike dhe shekuj më vonë si arketip i varianteve psikanalitike të njeriut.Shenjë tjetër është humanizmi i letërsisë antike, në kuptimin e penelatave të para të portretit pozitiv të njeriut, çka duket në vargjet e korit të tragjedisë “Antigona”:

Në natyrë ka shumë fuqi të mrekullueshme,

por nuk ka fuqi më të madhe se njeriu

Në fazën e fundit të saj drama antike greke, në lidhje me njeriun, është e mbarsur nga doktrina sofiste e cila atakoi dhe hodhi poshtë parimin themelor të etikës së Polisit, sipas së cilës individi interesat e tij ua nënshtronte interesave të Polisit. Në fakt sofistët e shpallën njeriun si kategori sociale të pavarur, i cili i kundërvihej Polisit me norma morale individuale . Ide të tilla do t’i gjejmë më vonë të strukturuara në periudhën e vetafirmimit të njeriut, në Rilindjen Evropiane dhe akoma më vonë, në erën moderne individualiste, që përkon kalendarikisht me gjysmën e dytë të shek XIX dhe përgjatë shekullit XX, ndërsa kulturalisht përkon me konceptimin dhe zbulimin e veprës së Dostojevskit e, për më tej, me referimin e drejtpërdrejtë dhe të tërthortë ndaj saj, deri sa arrihet në një sistem idesh filozofike mbi njeriun dhe lirinë e tij, të pagzuar me emrin Egzistencializëm, përciellës i së cilit, në një masë të konsiderueshme ishte edhe vepra letrare artistike.

3-  Njeriu gjatë Mesjetës dhe Rilindjes

Në fushën e letërsisë artistike ishte Lukiani ai që asgjesoi përfundimisht në aspektin moral Fenë Olimpike, por njeriu akoma s’kishte arritur “suksese” të atilla, sa për t’i kënduar kultit të vetvetes në vetafirmim e sipër. Në këto rrethana Krishterimi do të gjente terren të përshtatshëm për t’u përhapur. Përgjatë Mesjetës ideoilogjia e krishterë sundonte në mbarë Evropën. Etërit e Kishës do ta përpunonin Doktrinën e Krishterë si në nivele divulgative, ashtu edhe në nivele të sofistikuara teologjike. Kështu në Evropë do të ngjizet ndërgjegjja e kristiane.

   Shën Agustini ka një rol të madh në teorizimin e nocionit të lirisë kristiane. Ai i mësonte njerëzit mbi ekzistencën e dy llojeve të lirisë: libertas minor dhe libertas major. Liria e vogël, sipas tij, është liria e zgjedhjes të së mirës dhe  të së keqes, ndërsa liria e madhe është liria për të mirën, për të vërtetën. Shën Agustini predikonte lirinë e madhe, të cilën e shihte të shkëputur nga liria e vogël. Në këtë mënyrë ai e racionalizoi lirinë për të mirën dhe të vërtetën, duke arritur tek doktrina e paracaktimit të saj, çka do të thotë se njerëzit detyroheshin në zgjrdhjen e së mirës dhe  së  vërtetës. Pasojat ishin turrat e inkuizicionit gjatë përndjekjes së heretikëve.

   Paracaktimi i së mirës dhe së vërtetës bëhej në emër të shpëtimit të shpirtit në botën tjetër, çka solli në mënyrë të pashmangshme distancimin e njeriut nga bota e brendshme shpirtërore. Paradoksalisht ky distancim bëhet nga sfera kishtare, duke e çuar shpirtin e njeriut nga brenda tij, jashtë tij, larg, në transhendecë, përtej përvojës shqisore dhe njohëse të njeriut. Në emër të kësaj transhendence, përgjatë jetës së tij njeriu duhet ta ndrydhte shpirtin, të distancohej prej tij në mënyrë të detyruar.

Dante Aligeri në kryeveprën e tij “Komedia Hyjnore” ka dhënë një pasqyrë besnike, të detajuar, të raporteve të njeriut të Mesjetës me një rend objektiv të paracaktuar, sipas të cilit do të përshkohet historia e përsosjes morale të njerëzimit. Ferri, Purgatori, Parajsa, Zoti dhe Djalli janë realitete jashtë njeriut, të cilat në formën e nje rendi kozmik, rëndojnë mbi njeriun. I lodhur nga pesha e këtij rendi kozmik hierarkik, ku njeriu ishte një qenie e vogël, dikur, në kushtet e disa “sukseseve” të tij, ai (njeriu) kërkon të vetafirmohet. Kjo është era e humanizmit të Rilindjes, koha kur njeriu ngatërron rrugën, dhe në vend që të zbresë në thellësi të nëndheut të vet, kërkon ta tejkalojë Zotin duke i thurur kult autoportretit të tij pozitiv. Kjo rrugë vetafirmimi, e pagzuar si për ironi  me emrin  humanizëm, ishte rruga e Njeriut-Zot brenda të cilit shkatërrohet si Njeriu, ashtu edhe Zoti. Produkte kulturale, historiko- sociale dhe politike të humanizmit, kuptuar si të tillë, janë mbinjeriu niçean, fashizmi dhe komunizmi..Pikërisht kundër këtij lloj humanizmi pozicionohet Dostojevski duke rivlerësuar Krishterimin, kuptimin mbi njeriun dhe vendin e tij në raport me rendin objektiv.

4- Njeriu në periudhën e Historisë së Re

Për sa i përket kuptimit mbi njeriun, koha mund të ndahet para dhe pas Dostojevskit. Koha pas Dostojevskit është periudha e historisë së re, është koha e apostujve dhe e kampionëve të lirisë, të cilët aq shumë i motivoi Dostojevski me veprën e tij.

Duke u pozicionuar kundër humanizmit që çonte tek kulti i Njeriut- Zot, Dostojevski sjell nëpërmjet letërsisë së tij idenë antropocentrike, sipas së cilës njeriu s’do të ishte protagonosti racionalist i trumbetuar si shpëtimtari i botës, por do të ishte objekti mbi të cilin, sipas natyrës së letërsisë, në mënyrë të vëzhgueshme pra, do të kërkohej, për t’u gjetur dhe bërë i njohur, portreti i vërtetë i tij. Kështu Dostojevski zgjodhi rrugën e mundimeve , por dhe të risisë,  pasi për të arritur qëllimin, njohjen dhe portretizimin e vërtetë të njeriut, do t’i duhej të operonte me shenja të reja kuptimore për Lirinë, të Keqen, deri dhe Krishterimin. Ky i fundit rezulton një ideologji dhe praktikë e deformuar, dhe për këtë arsye edhe e  gabuar, mbi njeriun dhe njerëzimin, pasi për shkak të selektimit të lirisë së madhe,(liria për të mirën dhe të vërtetën), gjë që çoi në doktrinën e paracaktimit(detyrimit) të së mirës dhe të së vërtetës, degjeneron në teokraci e më pas, nëpërmjet imitimit të modeleve teokratike, në autokraci. Mishërime të këtyre praktikave ishin papët, perandorët, mbretërit, deri dhe udhëheqësit politikë.

Dostojevski e kishte kuptuar se për të zbuluar njeriun, duhet ta shkëputje atë nga rendi objektiv që e shtypte, e ndalonte , e përcaktonte, duke  i mohuar esencën hyjnore atij: Lirinë. Në romanet e tij shkëputja nga ky rend objektiv bëhet në formën e refuzimit, rrebelimit, dhe individualizmit të tejskajshëm  në emër të lirisë, me të cilën lidhet kuptimi dhe egzistenca e personalitetit. Më tej, për Dostojevskin, njeriu i vetëm me lirinë e tij është një qenie tragjike, sepse liria nuk barazohrt me të mirën, nuk është as e mire, as e keqe. Është njeriu që duhet t’i japë kuptim asaj. Ai është përgjegjës për lirinë e vet. Kështu njeriu fiton përmasën e plotë të personalitetit dhe të dinjitetit. Në të kundërt, në kushtet e mungesës së lirisë, përgjegjësia do të ishte jashtë njeriut , çka nuk pajtohet me logjikën ekzistencialiste fetare dhe aq më pak me lojgikën ekzistencialiste ateiste , sipas së cilës, e vetmja qenie përgjegjëse është njeriu.

   Për Dostojevskin e keqja e karakterizon njeriun, prandaj ai nuk është ashtu siç lëvdohet nga humanistët. Në kushtet e lirisë që kalon në arbitraritet e keqja e rrëzon njeriun, i cili nëpërmjet rrugës së mundimeve mund ta gjejë rrugën e dritës dhe shpëtimit. Kjo është rruga sizifiane e njeriut, rruga e ndëshkimit të pranuar nga vetë ai dhe që i paraprin jetës së re, rruga që ngrihet deri në nivelin kuptimor të një antropodiceje, e cila, nëpërmjet veprës së Dostojevskit, vjen tek ne si autodice, një shenjë kuptimore ndryshe kjo me humanizmin.

5- Dostojevski për një antropodice (drejtësi njerëzore) si autodice (vetëdrejtësi)

Këndvështrimi i Dostojevskit në lidhje me objektin njeri ishte imanent. Këtu konsiston pika e kthesës që bëri  gjeniu rus. Ai pa në thellësi të njeriut të lodhur nga humanizmi racionalist për të bërë pohimin e madh në lidhje me natyrën  iracionaliste të tij ( njeriut). Racionalja ishte ana e jashtme e njeriut, mbrapa së cilës fshihej edhe liria e dhunuar e tij. Iracionalja ishte nëndheu, shpirti brenda njeriut, jo më në transhendencë, ishte Zoti dhe Dialli. Gjithçka e brendshme ishte liria. Gjithçka e jashtme ishte mungesa e saj. Nga ana tjetër determinimi social i njeriut ishte fakt.Si do të zgjidhej çështja e së drejtës?  Mjedisi social ishte sfondi i administruar me rregulla dhe ligje të jashtme për individualitetin, ku drejtësia, si një organizëm juridik shtetëror, merrte përsipër të gjykonte dhe të ndëshkonte nga jashtë, në bazë të së drejtës, individin. Diceja, perëndia e drejtësisë, ishte humanizuar. Ndër të tjera, në botët e trilluara të Dostojevskit, pothujse në nivelin e një teze të shestuar letrarisht, ne vëzhgojmë shembullin se si personazhet, gjegjësisht njerëzit, nuk vëzhgojnë përjetueshmërinë e njeri- tjetrit. Ata mund të orientohen nga shenja të jashtme, të cilave u japin kuptime konvencionale, por informacioni i   marrë në këtë rast, nuk ka garancinë absolute të provës. Kur flasim për mungesë të garancisë absolute të proves, kjo është më e pakta, ndërsa shembulli i Raskolnikovit na tregon se prova mund të fshihet dhe të manipulohet deri në asgjesimin e plotë të saj. Kështu, edhe në rastin më të mirë, drejtësisë (Dicesë së humanizuar) do t’i mungonte prova, e në mungesë të saj, akordimi i së drejtës është absolutisht i pamundur.  Në romanin “Krim e ndëshkim”, lexuesi intercepton tezën e drejtësisë së pamundur në kushtet e mungesës apo mundësisë së manipulimit të provave të krimit. Në këto kushte realizimi i së drejtës është pjesë e “nëndheut” të njeriut. Zgjidhja qëndron brenda tij, si pjesë e personalitetit, që zbulohet dhe rritet në kushtet e lirisë, kur në brendësi (thellësi) të qenies, ndeshen e mira me të keqen. Në këtë kuptim ne mund të flasim për një antropodice, kuptimi i qartë i së cilës do të ishte imanent. Ndjenja e së drejtës e karakterizon njeriun së brendshmi dhe realizimi i saj s’mund të jetë kurrsesi një çështje jashtë vullnetit të këtij njeriu, që në një çast të ecjes në udhën e lirisë, është në pozitat e atij që gjykohet. Sa më tepër Raskolnikovi mposhtet nga përjetimi i peshës së krimit dhe për këtë shkak bëhet gati të vetëdenoncohet, aq më tepër ai e kupton se hetuesit ishin shumë larg së vërtetës. Dinamika e kahëve të kundërta në këtë rast dëshmon për pamundësinë e akordiomit të së drejtës jashtë njeriut.

Mungesën e garancisë absolute të provës dhe po kështu mundësinë e manipulimit deri në asgjesimin e plotë të saj, Dostojevski e pa edhe në raport me inteligjencën njerëzore , pothuaj në shkallën më të lartë.Për t’u vërtetuar, teza e Dostojevskit duhet ta kalonte edhe këtë provë, nëpërmjet së cilës  na bëhet e qartë pozita qesharake e personazhit që e bart dhe e përdor këtë inteligjencë, në raport ky me dinjitetin dhe personalitetin e pavarur të Raskolnikovit, elemente këto që përbëjnë thelbin e përjetueshmërisë së këtij të fundit, ashtu si për çdo njeri.Në fund të fundit Raskolnikovi, si punëtor i dijes, duhet të përballej me një sivëllain e tij në aspektin intelektual. Diferencat në këtë aspekt, si shprehje e inferoritetit të Raskolnikovit apo si shprehje e superioritetit të kundërshtarit të tij, do t’u përkisnin rasteve konkrete, të cilat, për shkak se janë të tilla, bëjnë përjashtim nga rregulli apo ligji abstrakt. (Mërso i Kamysë mendonte se në qoftë se do të kishte qëlluar që avokati i tij, rastësisht do të ishte më inteligjent se prokurori dhe gjykatësi, ai (Mërsoi) do ta kishte fituar të drejtën. Por rastësisht është e kundërta dhe në këto rrethana absurde ai dënohet me vdekje).Eksperimenti i Raskolnikovit në raport me drejtësinë si organizëm juridik shtetëror, ndër të tjera , duhet të vërtetojë parimin e paaftësisë së këtij organizmi për të akorduar drejtësi, dhe parimi si i tillë ka karakter abstragues.

Është hetuesi inteligjent, Porfiri Petroviç, i cili, nëpërmjet shenjave dhe induksionit të tyre, arrin tek e vërteta, por edhe kjo e vërtetë është e përjetuar vetëm nga ai, ka natyrë intuitive, është pjesë e nëndheut të tij, pjesë e iracionales dhe në këtë kuptim pa mundësi vëzhgueshmërie, çka duhet të karakterizojë provën e aq më tepër atë me karakter juridik.

 Kështu në romanin “Krim e ndëshkim”, lexuesi njihet, nëpërmjet fokusimit letrar që u bën autori, me rastet anormale të praktikave të drejtësisë si organizëm juridik shtetëror. Rasti i  parë ka të bëjë me rrethana kur provat janë të pamundura të gjenden, sepse ato mund të fshihen dhe madje të zhduken deri në asgjesim të plotë . Në këtë mënyrë lexuesi në fokusin e vëzhgimit  ka kriminelin përballë të cilit janë humanët hetues, që për arsye objektive janë shumë larg perceptimit të provave që do të identifikonin kriminelin e vërtetë. Rasti i dytë ka të bëjë me rrethana kur, në raport me inteligjencën njerëzore, mund të interceptohet krimi, por për shkak se ky interceptim karakterizohet nga mungesa totale e vëzhgueshmërisë,si njohje intuitive që është, dhe në të kundërt, karakterizohet nga përjetueshmëria absolute,sepse për shkak se është njohje intuitive, është dhe iracionale (e brendshme)  kjo njohje nuk mund të shërbejë si provë jashtë subjektit që e intercepton. Për arsye të statusit njerëzor (të njëjtë me Raskolnikovin)  dhe autoritetit civil, sado e sinqertë të jetë përjetueshmëria e Porfirit, nuk ngrihet dot në nivelin e provës juridike. Prandaj Porfiri e këshillon Raskolnikovin që ta pranojë vetë krimin dhe ta vërtetojë atë, përkundrejt një dënimi të reduktuar, të çlirohet prej krimit dhe të fillojë një Jetë të Re. Vetëm kështu, sipas Dostojevskit, nga brenda njeriut, shmanget absurdi dhe zgjidhet ngërçi i provës me efekte juridike, për akordimin e drejtësisë. Prandaj, kur flasim për një antropodice, për një drejtësi të brendshme, pjesë e iracionales, e nëndheut që e karakterizon njeriun, në marrëdhënie me mekanizmin e jashtëm dhe të ftohtë të drejtësisë juridike shtetërore, ajo mund të realizohet vetëm si autodice, si vetëdrejtësi dhe kjo, sipas Dostojevskit, është drejtësia e  vërtetë, e mundur, e pagabueshme. Padyshim që zgjidhja e problemit në këtë mënyrë  ka të bëjë me idenë antropocentrike të Dostojevskit, çka përbën dhe risinë e tij në lidhje me rivlerësimin e njeriut, duke i kundërvënë humanizmit racional humanizmin iracional, si toka ku do të kultivohet qenia e denjë, e trumbetuar nga Dostojevski si Zoti-Njeri, në kundërvënie me Njeriun-Zot.

6-Ana tjetër e medaljes

Një njeri (në rastin tonë Raskolnikovi) mund ta ketë kryer krimin dhe në kushtet e inteligjencës të arrijë t’i fshehë provat apo t’i manipulojë ato deri në asgjesim të plotë , e akoma më tej, një njeri tjetër, edhe ky  në kushtet e inteligjencës, përkundrejt këtij të parit (në rastin tonë Porfiri Petroviç) nëpërmjet induktimit të shenjave me natyrë jomateriale, mund të arrijë ta interceptojë kriminelin, por për shkak të mungesës së vëzhgueshmërisë së këtij interceptimi me natyrë intuitive dhe përjetueshmëri absolute nga ana e   interceptuesit, kurrsesi ai (interceptim) nuk mund të shërbejë si provë, e aq më tepër si provë juridike. Kjo është njëra anë e medaljes.

   Ana tjetër e medaljes ka të bëjë me rastin  kur njeriu nuk e ka kryer krimin, por rrethana specifike, si njerëzve që janë përreth, edhe hetuesve, u krijojnë iluzionin e provës së sigurt. Mbi bazën e kësaj prove iluzive njeriu, i pafajshëm për një rast konkrejt, trajtohet si kriminel, nga nivele më të ulta të dënimit deri në ato kapitale. Kemi të bëjmë këtu me ratin e Mitja Karamazovit në romanin “Vëllezërit Karamazov”(1879-1880) nëpërmjet të cilit Dostojevski rimerr çështjen e provës juridike.Me këtë rast ai, si për ta trajtuar në mënyrë të plotë problemin,sjell idenë e pavërtetësisë së proves juridike, e cila për të, në shumë raste është një abstragim racional mbi disa të dhëna dhe rrethana të jashtme, të cilat sado lidhje të kenë me njeriun (në rastin tonë Mitja Karamazovin) e karakterizojnë dhe e rrëfejnë atë së jashtmi, duke mos arritur kështu të zbulojnë thelbin e tij. Në qoftë se në rastin e parë (rasti i Raskolnikovit)  zgjidhja ishte imanente, brenda personazhit, dhe vinte si rezultat i dinamikës së kësaj imanence, rasti i dytë është në thelb krejtësisht përjashtues dhe antinjerëzor, sepse duke mos arritur ta njohë, mohon thelbin e njeriut, shpirtin, imanencën, lirinë e tij.Sigurisht, për hir të një analize racionale, e cila si e tillë përjashton gjithçka iracionale tek njeriu, ky i fundit, (në rastin tonë Mitja Karamazov), s’mund ta quajë veten fajtor për rstin e fajit konkrejt (vrasjen e Fjodor Karamazovit) dhe rrjedhimisht nuk do të pajtohet me dënimin. Perspektiva e tij, e shestuar në planin e arratisjes dhe mënyrën se si do të jetonte e mbante lidhje me Rusinë, është perspektiva e njeriut të cilit tash e mbrapa i duhet të jetojë i përzënë dhe i ndjekur nga shoqëria, i fshehur prej saj duke ndërruar elementet formalë të identitetit (anën e jashtme) por kurrë thelbin e tij (faktin që është rus dhe Karamazov),  është perspektiva e njeriut që është i huaj për ligjin racional juridik shtetëror, për shkak të paaftësisë së këtij ligji të depërtojë në imanencën e njeriut, sepse është një ligj i hartuar nga mendja euklidiane  dhe si i tillë i mungon përmasa e thellësisë (iracionalja).

Me romanin “Krim e ndëshkim”, botuar në vitin 1866 dhe romanin“Vëllezërit Karamazov”, botuar në vitin 1880, Dostojevski, siç e argumentuam më lart, ndër të tjera, thelbin e njeriut, lirinë e tij, e sheh në raport edhe me drejtësinë si organizëm shtetëror juridik, e cila, si produkt i  mendjes racionaliste njerëzore, nuk është drejtësi (si e tillë), pikërisht për shkak të kufizimeve të asaj që e prodhon atë: mendjes njerëzore. (rasti i tragjedisë dhe i komedise) E parë kjo marrëdhënie njeri-shtet në të dya anët e medaljes,përkatësisht në dy romanet e përmendura më lart, pavarësisht distancës kohore prej 14 vjetësh të botimit të tyre(1866-1880) vjen tek ne si një lidhje përmbajtësore ndërmjet dy veprave, në ngjashmëri me romanet a thèse. Në këtë aspekt këto dy vepra do të strukturohen tek pasardhësit modernistë në shekullin XX dhe më dukshëm tek Kamy, sidomos në romanim “I huaji”.

Exit mobile version