Kreu Letërsi Bibliotekë Skënder Buçpapaj: Zogu i bjeshkës i riu

Skënder Buçpapaj: Zogu i bjeshkës i riu

KËTË DITË DIELLI

Këtë ditë dielli,
Ky gem luleverdhë thane
Është lastar i ëmbël dielli
Në hapësirë.

Këtë ditë dielli,
Buzëqeshja jote
Është një zog i bardhë dielli
Në gem thane.

Këtë ditë dielli,
Bota
Është një tingull i gëzuar dielli
Në buzëqeshjen tënde.

1972


MOJ E MIRA QË DEL TE KROJET

Ai s’erdhi më.
Vetëm unë te krojet.

Zogjve iu dhimba
Zogjtë
Ranë të hanë vajet e tyre.

Krojet u thanë.

Plasat e tokës
U ngopën me gurgullimat
E krojeve.

Ujku stërdhëmb i namës sime
Tufat e shqerrave s’i gjeti kurrë.

Shqerrat hëngrën deri te qielli
Rudinat e trishta
Të mallit tonë.

1972


BURIM I BARDHË! BURIM I BARDHË!

Burim i bardhë! Burim i bardhë!
Ëndrra ime
Që gumon kthjellët nga toka.

Sa herë kam pirë rrëkezën tënde,
Kam pirë gjoksin tim –
Etje –
Që etje din të shuajë.

Ahishtet
Ruajnë gonxhet e tua
Qielli
Të mos i gëlltisë kurrë.

Burim i bardhë! Burim i bardhë!
Toka mos është
Ëndërr e bardhë,
E shijuar nga të gjithë?

1972


PUTHJA

Më puthi pa e dashur me buzët si akull,
M’i kaploi puthja e akullt ëndrrat e gjumin,
Më rëndoi në faqe
E m’u bë gur.

E çoi gurin te rruga e vërritarëve
Sërish rruga e shtrembët nën peshën e rëndë
E sjell tek unë.

Mbeti guri
Për t’u shkrirë
Nga dy buzë të ngrohta që i dua unë.

1972


ZOGU I BJESHKËS

Cicëriu zogu i vogël i bjeshkës
e më fali lulet e malit,
e më fali larat e borës,
e më fali flladin e ashtës.

Cicëriu.

Cicëriu gjelbër,
cicëriu kaltër,
cicëriu kaltër e gjelbër,
cicëriu bukur zogu i bardhë i bjeshkës
e më fali verën.

1972


GJAKOVA

Gjakovën desha ta shikoja nga një mesditë bjeshke,
mjegullat mbi të s’më lanë.

Gjakova
gjak.

Mjegullat kullojnë gjak,
kuqen fjalët, njerëzit
që rendin.

Çkaherë toka e kuqe dhe qyteti i kuq
dolën nga gjaku.

Gjakova,
belbëzim vigan gjaku
i dheut.

Gjakova,
dhimbë e ngurtë
që iu mbeti në fyt
shekujve.

Gjakova deshi të më shikonte nga një mesditë vere,
gjakrat në sy s’e lanë.

1972


DJALOSH I GOJFILTË

  • Requiem për Halil Bubrrecin, korrierin e çetave të lirisë, vrarë matanë majës së Bajrakes në bjeshkë, në korrik të vitit 1944, në moshën 14 vjeçare

Djalosh i gojfiltë

Flladi
I dritës
Luan melodi për ty
Në fyej të krojeve
Si zgjime të hutuara
Drerësh të breshtave.

Njëri sy meit i kryevrasësit
I flet syrit tjetër në agoni:

  • Lule e zbehtë boronice
    Ky djalë.
  • Pushkë e keqe kjo për ju
    (Që burra mos qofshi)
    I fole ti kryevrasësit
    Në syrin që veç veten shikon.
  • Unë ta jap ty plumbin e fundit,
    Të foli kryevrasësi
    Me syrin që mezi përtej vetes shikon.

Të gjithë plumbat i mori
Koka e gojfiltë
Mbi lëndinën e blertë.

Të gjithë gjakun e mori
Lëndina e blertë
Nën kokën e gojfiltë.

Flladi
I territ
Dënes mrizeve përvjashëm
Si gjumi i trembur
I deleve pa bari.

I bëzani syri i fundit i kryevrasësit
Gjakut të gojfiltë të shndërruar në muzg,
Kokërr e këputur loti
Pishnajash:

  • Kurrë më s’do të prekësh krua
    As kurrë më fyell me ato buzë s’do të prekësh,
    O djalosh i gojfiltë!

1972

Exit mobile version