Kreu Opinion Silvana Nini: Në dheun ku të presin me “hare”

Silvana Nini: Në dheun ku të presin me “hare”

Shprehja “U kam shumë hare që ju takonj”, do të hapte edhe “siparin” e takimeve dhe intervistave gjatë ekspeditës sonë te arbëreshët në Italisë e Jugut (Kalabri) dhe do të na shoqëronte në mënyrë konstante, gjatë qëndrimit tonë atje. Nuk mund të anashkalosh përdorimin e fjalës kam “hare” në vend të fjalës “gëzohem”, që tashmë ka zënë vend në rutinën e të folmes në gjuhën shqipe. Edhe pse shprehja “U kam shumë hare që ju takonj” është ekuivalente, për sa i përket kontekstit të përdorimit, me shprehjen “gëzohem që ju takoj/njoh”, ajo nuk është ekuivalente me të në lidhje me ngarkesën emocionale që mbart. Është pikërisht kjo ngarkesë emocionale që bën diferencën midis fjalës “hare” dhe “gëzim”, të cilën e dëshmon edhe shpjegimi në fjalorin e gjuhës së sotme shqipe[1]. Po i paraprij këtij artikulli pikërisht me këtë përshtypje me ngarkesë sa emocionale aq edhe domethënëse, për të vijuar rrëfimin e ditarit tim të ekspeditës, ku vëzhgime të tilla do të jenë pjesë e tij.


Ekspedita tri javore u zhvillua në komunitetet arbëreshe të Italisë së Jugut, kryesisht në Kalabri, si: Spixana (Spezzano Albanese), Shën Mitri (San Demetrio Corone), Strigari (San Cozmo Albanese), Vakarici (Vacarizzo), Maqi (Machia), Pllatëni (Plataci), Shën Mërtiri (San Martino di Finita), Shën Sofia e Epirit (Santa Sofia D’Epirio), Shën Japku (San Giacomo di Cerzeto), Ungra (Lungro), Firmo, Çifti (Civita) dhe në Barile të Krahinës së Bazilikatës.

Kjo ekspeditë e parë, erdhi si një nevojë e domosdoshme për sektorin e kërkimit shkencor të QSPA-së mbas një pune intensive, që nga fillimi i funksionimit të këtij sektori në mars të 2020 -ës. Punë e cila konsiston në hulumtimin në lëmi të ndryshme mbi diasporën historike arbëreshe, në botimin e revistës Continuum, në organizimin e konferencave dhe botimeve me karakter shkencor. Vlen të theksoj këtu se një ndër prioritetet e punës së QSPA-së ka qenë edhe vendosja e kontakteve me komunitetin arbëresh, duke përfshirë individë, shoqata dhe studiues të ndryshëm, që për shkak të pandemisë u bë e mundur vetëm online. Grupi i punës i përbërë nga tre studiues, përpara nisjes, hartoi një plan paraprak si në rrafshin individual, e cila lidhej me temën kërkimore të gjithsecilit e po ashtu edhe në rrafshin logjistik të lëvizjeve dhe takimeve që do të zhvillonte në komunitetin arbëresh.

Dinamika e punës në terren, jo vetëm hap dritare të reja në punën kërkimore të çdo etnografi por nëpërmjet qasjes së tre linjave, sipas përcaktimit të Malinowski-t, “metodës së dokumentimit statistikor konkret”, “vëzhgimeve të imta dhe të hollësishme, në formën e një lloj ditari etnografik, të mundësuar nga kontakti i ngushtë me jetën vendase” dhe “një përmbledhje thëniesh etnografike, rrëfime karakteristike, thënie tipike, … ” bën të mundur arritjen e synimit përfundimtar. “Ky synim, me pak fjalë, është për të kuptuar këndvështrimin e vendasve, raportin e tyre me jetën, për të perceptuar vizionin që ata kanë për botën e tyre”[2]. Pjesë e pa ndarë e punës së një etnografi në terren, është të jetë i vëmendshëm ndaj gjithçkaje që ndodh rreth tij, madje edhe ndaj atyre elementëve që në pamje të parë duken sikur nuk kanë lidhje me temën e tij kërkimore specifike, por që sendërtojnë shtratin mbi të cilin orientohen këto kërkime. Një vend jo pak të rëndësishëm, krahas metodologjisë së punës nëpërmjet vëzhgimit, bisedave, intervistave e shënimeve zë edhe ditari personal i cili shërben për të hedhur informacione rreth emocioneve dhe përvojave personale gjatë kryerjes së hulumtimit. Reflektime të tilla personale mund të jenë po aq të rëndësishme sa shënimet në terren. Pikërisht ajo që do të doja të ndaja me lexuesin është pjesë e ditarit etnografik që ka lidhje me përjetimet individuale gjatë punës në terren. Përjetime që lidhen nga takimet me njerëzit dhe komunikimit me ta, me mënyrën se si ata e shohin veten dhe kulturën e tyre, dhe me mjedisin ku ata jetojnë. 

Marrëdhënia dhe komunikimi gjuhësor 

Një element i rëndësishëm, për të realizuar biseda dhe intervista të suksesshme, është edhe vendosja e një raporti besimi me të intervistuarit. Më duhet të theksoj se një marrëdhënie e tillë ishte karakteristikë e përgjithshme e të gjitha intervistave dhe e bisedave tona, si në ato të planifikuara ashtu edhe në ato të rastësishme. Shprehja “Ju fljisni si na!”, krijonte afrimitet dhe marrëdhënie bashkëpunimi të menjëhershme, edhe në ndonjë rast ku ndihej pak droje. Do t’i ndaja në katër grupe intervistat e zhvilluara, kjo e lidhur me “kombinimin gjuhësor” (dhe me grupmoshën mbi 40 vjeç) në të cilën u zhvilluan bisedat dhe intervistat. Së pari, intervistat e zhvilluara me banorë që nuk e flisnin arbërishten, edhe pse e kuptonin deri diku; së dyti, intervistat me banorë që flisnin arbërisht, por që e kishin të vështirë të na ndiqnin në shqip. Në këto raste biseda vijonte në italisht, nga ana e të intervistuarit, si për të kërkuar nga ne që do të ishte më e lehtë për ta, t’u drejtoheshim në italisht; së treti, intervista me banorë, të cilëve u drejtoheshim në italisht, e ata mund të vijonin herë në arbërisht e herë në italisht; dhe në grupin e fundit, që ishte fort në minorancë, do të përfshija ata banorë të intervistuar që i kuptonin pyetjet në shqip dhe përgjigjet ishin tërësisht në arbërisht. Gjithashtu edhe fjalët e italishtes, pjesë e të folmes arbëreshe, ishin shumë më të reduktuara. Ky grup i përket atyre personave, që kishin studiuar gjuhën shqipe, kryesisht në Universitet, kishin bërë kurse të gjuhës letrare shqipe, ose kishin studiuar në mënyrë autodidakte nëpërmjet librave didaktikë të gjuhës shqipe që shteti shqiptar në periudhën e socializmit dërgonte te komunitetet arbëreshe. Por ajo që është më e rëndësishmja, në familjet e tyre ishte folur gjithmonë arbërisht. Fusha ime e kërkimit nuk është gjuhësia e sigurisht që në këtë rast, nuk marr përsipër të bëj asnjë analizë gjuhësore të niveleve të së folmes së arbërishtes, por thjesht të tregoj konstatimet dhe ndjesinë që të krijonte kjo marrëdhënie e komunikimit gjuhësor të ndërsjellë midis shqipes, italishtes dhe arbërishtes. Në mënyrë më të përmbledhur raporti gjuhësor i këtij komunikimi mund të ishte: italisht-italisht; italisht/shqip-arbërisht/italisht; italisht-arbërisht/italisht; dhe shqip-arbërisht. Për ne, kuptueshmëria e arbërishtes, arrinte një shkallë të kënaqshme dhe përbënte mjaft interes të dëgjonim të intervistuarit të flisnin arbërisht.

Në vijimësi të këtij argumenti, ishte surprizë për ne të takonim emigrantë shqiptarë të pas viteve ’90 të stacionuar në katundet arbëreshe dhe që e flisnin arbërishten si të kishin lindur aty. Vetë banorët e këtyre katundeve pohonin se, emigrantët shqiptarë e mësonin më lehtë arbërishten, ndërsa – “Ne e kemi të vështirë t’i ndjekim” – shpreheshin ata.

Në katundet ku nuk kishim kontakte të paracaktuara, shpesh kafenetë shërbenin si pikë nisje për takimet dhe intervistat me banorët. Ndodhte, që vetë këta banorë thërisnin njëri-tjetrin për t’u takuar me ne. Gjithashtu edhe të zotët e këtyre lokaleve na udhëzonin ose na jepnin kontakte për të vijuar punën tonë.

Gjitonia dhe konfigurimi i saj sot

Nuk mund të lesh pa përmendur gjitoninë, një strukturë shoqërore e materializuar në arkitekturën dhe urbanistikën e katundeve arbëreshe. Si një element kulturor edhe gjitonia do të reflektonte pashmangshmërisht ndryshimet e vrullshme të mënyrës së jetesës mbas viteve 60-të, edhe në katundet arbëreshe. Gjitonia ishte një “familje e madhe”, me lidhje gjaku ose jo, ku shtëpia e njërit ishte edhe e tjetrit, ku kujdesi për fëmijët nuk kishte ndasi, ku hallet e njërit bëheshin edhe të tjetrit e po kështu edhe gëzimet, ku askush nuk kishte se çfarë të fshihte, ku të gjithë kontribuonin për të mirën e përbashkët. Gjitonia një element i trashëgimisë shpirtërore (jomateriale) konfigurohej edhe nga arkitektura e banesave. Shtëpitë afrër njëra-tjëtrës, shpesh me mure të përbashkëta ose ngjitur, dritare që shihnin në hapësirat e njëri-tjetrit, një shesh i përbashkët, dyer, tunele apo urëza komunikuese krijuar si një trupëzim i kësaj marrëdhënieje interaktive brenda gjitonisë. Ndryshimi i mënyrës së jetesës që shoqëroi edhe vetë këto marrëdhënie brenda gjitonisë, do të reflektohej edhe me ndryshimet në arkitekturën e banesave të këtyre bërthamave jetësore. Ndryshimet në kulturën jomateriale, sjellin pashmangshmërisht edhe ndryshimet në kulturën materiale. Ajo çka kishte mbetur nga gjitonia në aspektin material të saj, pra banesat, sot nuk paraqitej e njëjtë në të gjitha katundet arbëreshe e po ashtu edhe brenda përbrenda vetë katundit. Disa prej tyre kishin marrë formën e qytezave me ndërtimin e pallateve dhe zhvillimin e zonave të reja urbane, një shembull i tillë ishte më i dukshëm në Spezzano Albanese apo edhe në Santa Sofia. Në pjesën më të madhe të katundeve modifikimet e reja të dritareve, dyerve, ballkoneve apo urëzave lidhëse shmangnin marrëdhënien interaktive për të krijuar më tepër privatësi për banorët e shtëpive. Edhe shembja e ndonjë shtëpie të vjetër, kishte krijuar ndonjë shesh duke rritur edhe më shumë distancën mes tyre. Shtëpitë e braktisura janë dëshmi e migrimit pa kthim. Disa prej këtyre shtëpive evidentohen më shumë në rastet kur gjysma e tyre, edhe pse në të njëjtën çati, është e restauruar dhe dëshmon praninë e jetës. Ato qëndrojnë ashtu, si dy dimensione paralele, ku asnjëra nuk bën dot pa tjetrën, ku ana e braktisur ka nevojë për të marrë nga rinia e tjetrës dhe tjetra për të mos harruar të shkuarën e saj. Si një jehonë e gjitonisë, tingëllojnë bisedat në arbërisht, ndërsa kalon poshtë dritareve ndanë shtëpive, në udhët e ngushta të disa prej katundeve arbëresh. Kafenetë në qendër të fshatit, jo vetëm që janë një tregues i nivelit të përdorimit të gjuhës në një katund, apo në një tjetër, por duket të kenë formësuar një qasje të re të një “gjitonie” më gjithëpërfshirëse.  

Po ndërkohë që një mënyrë jetese ia ka lënë vendin një tjetre, gjurmët e gjitonisë tradicionale janë ende të gjalla në kujtesën e të gjithë banorëve të këtyre katundeve, si bërthama që ka mbajtur gjallë gjuhën dhe kulturën arbëreshe. Ku secili prej tyre, në varësi të moshës dhe të përvojave personale, ka shumëçka për të treguar.  

Historitë e jetës

Historitë e jetës i japin etnografit mundësinë për të zgjeruar kuptimin e tyre përtej kohës që kalon në terren. Gjithashtu, kjo e lehtëson etnografin të mbledhë më shumë shembuj të jetës së përditshme që mund të vëzhgohen ose rrëfehen gjatë intervistave të thelluara [3]. Çdo banor i intervistuar përfshinte në mënyrë të pashmangshme përvojat personale me gjitoninë, edhe pse këto përvoja merrnin nuanca të ndryshme si në varësi të moshës, profesionit e ashtu edhe në varësi të angazhimit të gjithsecilit në ruajtjen e trashëgimisë materiale dhe jomateriale arbëreshe.    

Në të gjitha takimet tona me banorë të moshave dhe profesioneve të ndryshme kuptohej fare qartë interesi dhe dëshira për të mbledhur çdo gjë që ka lidhje me kulturën arbëreshe, ruajtjen dhe promovimin, riaktivizimin e traditave, që shoqërohej edhe me frikën e humbjes së gjuhës dhe identitetit arbëresh. Prania e muzeve etnografikë, dhe jo vetëm, në disa prej katundeve që vizituam ishte një dëshmi e këtij ndërgjegjësimi. Në këto muze ishin mbledhur me kujdes për t’u ekspozuar, të gjitha ato objekte që për banorët e kishin tejkaluar funksionin e tyre. Është mbresëlënës muzeu i San Giacomo-s, për nga pasuria e objekteve etnografikë që ka. Edhe pse një katund fort i vogël dhe me pakë banorë, muzeu tregon shumë. Në të bëjnë pjesë imazhe fotografike të banorëve me veshjet e ditës apo edhe të festës; veglat e punës tregojnë për mjeshtëritë e ndryshme, që nga avlëmendi, e deri te punimi i tokës; tekstilet tradicionale dhe kostumi tradicional i gruas nuk mund të mungonte; një kënd interesant i kushtohet lodrave të fëmijëve; enët e kuzhinës zënë një vend të konsiderueshëm në muze e po ashtu edhe elementë të brendisë së shtëpive me objektet përkatëse. Njëra nga dhomat është edhe klasa ku zhvillohej mësimi, e cila ka mbetur po njësoj.

Muzeu në Santa Sofia d’Epirio, ka një koleksion të pasur me kostume të gruas arbëreshe që nga ato të nuses, të festës, të ditës apo edhe të zisë.   

Ndërsa në muzeun e Vacarizz-it përveç koleksionit me veshjet e gruas të disa prej katundeve arbëreshe përreth, janë të ekspozuara edhe veshja e gruas së Horës së arbëreshëve, veshja e gruas së Tiranës me dimi, xhubleta, veshja me fustanellë por edhe një riprodhim i veshjes me tirq. Fustanellën dhe veshjen me tirq e shohim të përdoren në komunitetet arbëreshe në raste festash, krahas kostumit të gruas, si për të plotësuar pazëllin që mungon. 

Një vend të veçantë në personazhet që takuam do të zënë edhe ata që i bashkon profesioni i mësuesit, përkushtimi dhe përpjekja në ruajtjen e gjuhës dhe kulturës. Ish mësues apo mësues, tashmë në pension, secili prej tyre tregonte përvojat personale në lidhje me mësimdhënien e arbërishtes, edhe pse ajo nuk ka qenë asnjëherë pjesë e kurrikulave shkollore në komunitetet arbëreshe. Pasioni për ruajtjen dhe trashëgiminë e gjuhës lidhej ngushtësisht më aftësitë e tyre frymëzuese si mësimdhënës. Përkushtimi i tyre në drejtim të transmetimit të gjuhës është ende prezent, por dukej se bjerrja e saj e shpejtë, është më “kokëfortë”. Shprehje të tilla si: “Gluha jonë ka mot çë vdiq, jem pak na që fjasmë”, “te katundi inë na fjasmë arbrisht” apo “në X katund nëngë fjasnë arbërisht, però si sentono arbresh”, tregojnë jo vetëm preokupimin e banorëve në lidhje me humbjen e gjuhës por edhe nivelin e përdorimt të saj si rrjedhojë edhe e faktorëve të ndryshëm që kanë ndikuar në secilin katund.   

Në çdo katund, janë të shumtë personazhet që hulumtojnë e mbledhin të dhëna mbi historinë dhe gjuhën tyre; që vlerësojnë dhe rivlerësojnë kontribuuesit e njohur të kulturës arbëreshe; që konservojnë dhe promovojnë elemente të folklorit dhe të traditave. Nuk mungojnë as të rinj e të reja të talentuar dhe aktivistë të angazhuar në ruajtjen dhe promovimin e kulturës arbëreshe.

Karakteri i shumanshëm i procesit të globalizimit që po çon në përshpejtimin e ndërveprimeve, flukseve dhe aktorëve në një botë gjithnjë e më të lëvizshme [4], në komunitetet arbëreshe është më i ndjeshëm në aspektin e mobilitetit pa kthim të të rinjve. Gjithashtu formësimi social, në këto komunitete nuk ka ndjekur një tendencë lineare që prej shumë kohësh, gjë që ka sjellë edhe implikime të rëndësishme që kanë çuar në bjerrjen e  gjuhës dhe të identitetit arbëresh. Fenomen i cili ka sjellë ndërgjegjësimin dhe ka riaktivizuar edhe mekanizmat vetëmbrojtës në drejtim të gjuhës, kulturës dhe identitetit arbëresh. Në këtë rast tingëllojnë shumë kuptimplotë vargjet e këngës së kantautorit shumë të njohur arbëresh Pino Cacozza:

“Jemi një kulturë çë ngë mënd vdes

Na jemi ata çë fjasën me zëmërën te dora

Jemi dielli ndë verë, ndë dimër jemi bora

Na jemi pesëqind vjet storje e kale ndër duar

Jemi shpia e bënë me djers e tue kënduar”

 [1]. HARE: f.Gëzim i madh. Plot (gjithë) gaz e hare. Zjen kënga e hareja.

 [2]. Bronislaw Malinowski, Argonauts of the Western Pacific: An Account of Native Enterprise and Adventure in the Archipelagoes of Melanesian New Guinea, (Publikimi i parw, London: Kegan Paul, 1922), Ribotim:  Routledge, 1999, 2002, fq. 19

 [3]. Scott Reeves, Jennifer Peller, Joanne Goldman & Simon Kitto, “Ethnography in qualitative educational research: AMEE Guide No. 80”, Medical Teacher, 35:8, 2013, e1365-e1379, fq. e1369, DOI: 10.3109/0142159X.2013.804977

 [4]. Judit Bokser Liwerant, “Globalization, transnationalism, diasporas: facing new realities and conceptual challenges” en Michel Wieviorca, Lauren Lvi, Straussy Gena, lle  Lieppe (Editores), Penser Global. Internationalization et globalization des sciences humaines et sociales, Maison des Sciences de L’Homme, Francia, 2015, fq. 309-336

Exit mobile version